Poetja e mirënjohur Irma Kurti botohet në Holandë dhe Belgjikë – Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 14 vende të botës

Poetja e mirënjohur Irma Kurti botohet në Holandë dhe Belgjikë

– Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 14 vende të botës

Një sukses i ri për krijimtarinë e poetes shqiptare Irma Kurti: botohet në Holandë dhe në Belgjikë libri i saj dy gjuhësh me poezi (holandisht- italisht) titulluar “Met de ogen van een kind / Con gli occhi del bambino” (Më sytë e fëmijës). Vepra mban logon e shtëpive botuese Boekenplan në Holandë si dhe Point Editions në Belgjikë. Përkthyesi i poezive është Germain Droogenbroodt. Poezitë janë të shoqëruara nga vepra të piktores holandeze Tineke Storteboom.
“Jam e gëzuar dhe e emocionuar që poezia ime tanimë ‘flet’ një tjetër gjuhë”-shprehet Kurti. “Falenderoj poetin dhe përkthyesin e shquar Germain Droogenbroodt për vlerësimin e krijimtarisë sime dhe dëshirën për t’ja përcjellë atë lexuesve në gjuhën holandeze. Kjo është magjia e letërsisë: ajo nuk njeh kufij dhe arrin të prekë ndjenjat dhe emocionet e lexuesve, kudo që ata ndodhen.”
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 80 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, shumë prej të cilave kanë qenë çmime të para. Ajo është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.
Ka botuar 26 libra në gjuhën shqipe, 22 në italisht, 15 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Ka përkthyer 16 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht.
Irma Kurti është një nga poetet shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara në shtete të ndryshme të botës. Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Holandë, Belgjikë, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili dhe Serbi.

NJË ATDHE I RI POETIK

Mbi përmbledhjen e re poetike “Me sytë e fëmijës” të Irma Kurtit

Ka shpirtra / tek të cilët njeriu ndjen nevojën të mbështetet / si tek një dritare plot me diell. Federico García Lorca

Dhe ndodh vërtet kështu. Ja ku jemi duke soditur një shpirt poetik plot me dritë, si kur qan ashtu dhe kur buzëqesh, një shpirt poetik të madh dhe të bukur si një liqen, ose më mirë të themi si një det, që na buzëqesh me dallgët e tij, duke ngjyrosur me njëmijë nuanca panoramën e emocioneve dhe meditimeve, për të na mbushur më pas me bukurinë e vet. Bëhet fjalë për përmbledhjen e re poetike të Irma Kurtit, me titull “Me sytë e fëmijës”, poezi të shkruara fillimisht në gjuhën italiane, por këtë herë të përkthyera në holandisht.
Lind spontanisht pyetja: A është e mundur të shkruash dhe të poetizosh në një gjuhë tjetër nga ajo më e afërta, më e natyrshmja, më e sigurta, pra nga gjuha amtare?
Irma Kurti, poete dhe shkrimtare italo-shqiptare, provon në mënyrën më të bukur me përmbledhjen e saj të re poetike vërtetësinë e vargjeve të të madhit Lorca teksa zemra e saj poetike shkëlqen si diell. Pastaj shkon një hap më tej, sepse me poezitë e saj të bukura dhe të sinqerta që shkojnë drejtpërsëdrejti në zemër të lexuesit, ajo i përgjigjet edhe pyetjes se a është e mundur të shkruash dhe të poetizosh në një gjuhë të ndryshme nga gjuha amtare. Një temë delikate siç është edhe vetë përpjekja poetike, e suksesshme në rastin e Kurtit. Poezia e saj është e pastër, e thjeshtë dhe e bukur në sinqeritetin e saj, aq bindëse, saqë prek menjëherë telat e zemrës me një lloj ‘naiviteti’, pikërisht atë që zotërojnë vetëm fëmijët dhe poetët: … Dua që ta shoh botën me sytë e fëmijës,/ëndrra si shilarës të më ngrejë peshë, /të përdor një shkallë që të arrij yjet,/ horizontet me një zgjatje dore t’i prek.
Në fakt, në poezitë e përmbledhjes dygjuhëshe të Kurtit, të cilat trajtojnë tematika të ndryshme, duket se gjithçka rrjedh lehtësisht, por të shkruash poezi në një gjuhë tjetër është një përpjekje herkuliane që ndonjëherë duket edhe si ajo e Sizifit. Një punë e vështirë, e mundimshme, kurrë e vlerësuar sa duhet nga ata që shkruajnë vetëm në gjuhën amtare, megjithatë një mënyrë e çmuar për të pasuruar shpirtin e origjinës dhe atë “kulturor” që na takon sipas zgjedhjes, fatit, jetës dhe kush e di tjetër se çfarë.
Fati i poetëve dhe shkrimtarëve që shkruajnë në një gjuhë tjetër, dhe në këtë rast fati i Kurtit, qëndron në mundësinë e të paturit gjithmonë imazhe poetike të dyfishta, pasuri gjuhësore, mënyra dhe metoda të ndryshme dhe për këtë arsye gjithmonë të reja dhe intriguese për t’u shprehur. Kështu, horizontet poetike zgjerohen përmes temave, ritmeve, traditave të trashëguara nga kultura e origjinës dhe tashmë të zhytura në skemat e reja poetike e gjuhësore. Me pak fjalë, një rritje që dyfishohet në mënyrë krijuese.
Poezia e Kurtit udhëton poetikisht në dy binarë kryesorë: në të parin dominon tema e vetmisë dhe rrjedhimisht e tjetërsimit njerëzor e parë përmes kaleidoskopit poetik të shpirtit të poetes, e rrethuar nga njerëz të çuditshëm: është koha e njerëzve të zemëruar, / nuk dihet se me kë, me diellin apo me hënën… Shpëtimi kërkohet instinktivisht në botën e miqësive. Megjithatë, koncepti bashkëkohor i miqësive që lidhen dhe zgjidhen / si lidhëset e këpucëve, nuk bën gjë tjetër veçse shkakton dhembje në shpirtin e ndjeshëm të poetes.
Tema e vetmisë personifikohet në stolat e vetmuar të dimrit që, të trishtuar, të vetmuar, presin pranverën, / çeljen e dashurisë apo të një emocioni, në karriget e zbrazëta dhe të braktisura për shkak të humbjes së njerëzve të dashur që ngjallin dhembje e kujtime: Do të doja të kërceja me ty, baba / si dy dallgë që përqafojnë bregun; në pantoflat e vetmisë, besnikëria e të cilave nuk vihet kurrë në dyshim pasi, pavarësisht se janë përdorur këtu metaforikisht, vetmia është kthyer në zonën tonë të rehatisë. E megjithatë, në fund e gjithë melankolia shndërrohet në bindjen se edhe një lot i përbashkët – ne u takuam në një lot… – lehtësohet kur je me dikë: në atë lot ishin mbytur ëndrrat / e pezulluara të një të kaluare të afërt dhe të largët, / vetmia e netëve të dimrit, / nostalgjia e ditëve të gëzuara të verës.
Vjeshtat dhe dimrat e një gruaje dhe, mbi të gjitha të një poeteje, përshkruajnë çdo emocion dhe çdo fjalë me të cilën ne kërkojmë sërish, një herë pasi e kemi humbur e më pas nuk e kemi gjetur më, kuptimin e jetës. Kurti e kërkon atë tek kujtimet, në melankolinë e përditshme dhe më gjerë, në zhgënjimet e njerëzve të zakonshëm dhe të botës së miqësive të zhdukura, në dashurinë dhe stinët e saj, por para së gjithash në fëmijëri, ku një kukull e vetme arrin të ndërtojë një botë të tërë femërore, pengu dhe premtimi i surprizave që na sjell jeta dhe drejt së cilave na drejton… Në një cep të valixhes e kam vënë/ kukullën – atë relikte fëmijërie,/me vete do ta marr në shtëpinë e re/të mbuluar… me dashurinë time. Dëshira për të pasur gjithmonë një shtëpi të re brenda dhe jashtë nesh ku, si kukullat ne luajmë me veten dhe me kukulla të tjera, false dhe reale, hap perspektiva të reja poetike e njerëzore edhe kur gjethet e para të feminilitetit takojnë flokët e borës së një stine të re e të pasigurt, e cila, pavarësisht se është e tillë, ofron gjithmonë shtigje të tjera … Kjo është kohë e vyshkjes së vlerave,/e humbjes së miqve një e nga një,/ashtu si pemët i humbasin gjethet,/ndërsa stin’ e vjeshtës troket në ditë.
Binari i dytë poetik i përmbledhjes, më i ndjeshmi dhe më prekësi që përshkon poetikën e Kurtit, është shpirti që pikon dhembje teksa përshkruan trishtimin dhe humbjen personale, sublimuar së pari në një nga poezitë më të bukura të përmbledhjes: Në shpirtin tim bie shi dhe më pas në poezinë Imazhi yt në gishtat e mi. Poezi të ndryshme u dedikohen kujtimit të prindërve, tashmë engjëjt e saj mbrojtës, të larguar drejt një dimensioni tjetër, nga i cili ende frymëzojnë ndjesitë e saj të thella dhe unike, duke vëzhguar çdo hap lirik të poetes.
Tematika e shtëpisë dhe e atdheut mbetet aktuale dhe pyetja se ku është shtëpia jonë e vërtetë ose sa të tilla mund të kemi është lajtmotivi i shumë poezive në këtë përmbledhje. Në fakt, motivi i mungesës së atdheut, i përpunuar dhe më i theksuar këtu, ndjek ngaherë gjurmët poetike të poetes: Erëra të së kaluarës, merrmëni ju/e porsi një gjethe më hidhni larg,/më bëni që të fluturoj në kaltërsi,/më përplasni në Tokën mëmë pastaj… Gradualisht, varg pas vargu ai shndërrohet në kërkim të një porti emocional e njerëzor. Kështu lind metafora e një atdheu poetik – të shkruarit – ku gjejnë strehë, po edhe shtëpi të gjithë autorët emigrantë që zgjedhin të shkruajnë në një tjetër gjuhë, duke banuar me shpresë dhe po aq pasiguri në gjuhën e dytë amtare.
Irma Kurti me poezinë e saj hap një horizont të ri shpirtëror dhe kulturor, por fragmentet e kujtimeve ndriçojnë dhe do të ndriçojnë përjetë shpirtin dhe çdo fjalë të saj: Tek e fundit, çomëni ku të doni ju,/si gjethe vjeshte do rri e bindur,/mbi sipërfaqen e një deti a liqeni,/në Atdhe do të jem gjithnjë e sigurt.

Vesna Andrejevic

Poete e kritike letrare

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here