Gazeta Nacional Albania

Flet per gazeten Nacional poeti spanjoll Joan Josep Barceló. Intervistoi Angela Kosta

Joan Josep Barceló i Bauçà ka lindur në Palma de Mallorca – Spanjë në vitin1953. Joan studioi letërsi dhe shkencë në Universitetet e Barcelonës, Ishujt Balearik, Madrid dhe Londër. Në karrierën e tij, ai ka eksploruar fusha të ndryshme të kulturës, duke përfshirë letërsinë, reflektimin dhe artet. Barceló është autor i shumë librave me poezi në gjuhën katalane, italiane dhe angleze e ka marrë shumë çmime dhe mirënjohje të rëndësishme ndërkombëtare në karrierën e tij letrare. Poezitë e tij janë përkthyer në: frëngjisht, anglisht, gjermanisht, portugalisht, greqisht, spanjisht, kinezisht, koreanisht, shqip, norvegjisht, arabisht, persisht, etj. Joan zhvillon stilin të karakterizuar nga surrealizmi dhe abstraksioni, me referenca për një botë ëndërrimtare dhe mitike, shpirtërore dhe fizike, në kërkim të një koncepti revolucionar i cili thellon kriteret filozofike dhe shkencore. Drita dhe errësira dominojnë gjuhën deri kur dëshira s’është shkëndijë zjarri që kërkon pafundësinë,

gjuhë kjo që shkon përtej ekzistencës në një vetëvrasje të vetë fjalës, në mënyrë që poezia të marrë forcën e kohës dhe të bëhet furia e gjakut. Poezia e Barcelós lidhet me artin viziv dhe performancën, duke treguar koncepte dhe stile të reja të të kuptuarit të letërsisë, duke na propozuar të hyjmë në një botë që bashkon shkencat shoqërore dhe shkencore në një trup të vetëm verbal dhe artistik. Në fushën e mendimit dhe kërkimit, Joan na prezanton me koncepte të reja mbi marrëdhënien midis filozofisë gjatë historisë dhe mënyrën e trajtimit të së tashmes dhe të ardhmes, duke analizuar evolucionin e njeriut nëpër shekuj dhe se si hyrja në një botë të re teknologjike do të thotë se shumë koncepte duhet të rishikohen përballë zhvendosjes aktuale të paradigmës. Përveç botës letrare, si artist në artin plastik dhe viziv, veprat e tij të pikturës tregojnë një lidhje midis materialeve natyrore dhe sintetike, me përpunimin e pjesëve të kornizuara në artin bashkëkohor. Joan ka ekspozuar në disa ekspozita grupore dhe vetjake ku poezia dhe arti përzihen gjithmonë. Jemi mëse të bindur se gjendemi përballë një artisti – poet shumëplanësh, i cili e kupton botën përreth tij si një tërësi të pandashme e cila duhet të jetë udhërrëfyese për njeriun e sotëm për të hyrë në të ardhmen.

Joan Josep Barceló është autor i këtyre librave:

– Dëshira është Shkëndija e Zjarrit, (Kimerik Edizioni, 2016)
– Një Moment butësie, (Kimerik Ed, 2017)
– Çelësat e Këmbënguljes, (Aletti Editore, 2017)
– Lidhje Kovalente, (Aletti Editore, 2017)
– De sang – Prej Gjaku, (Il Convivio Editore, 2018 – Edizioni Catalano & Italiano)
– Grembo, (Leonida Edizioni, 2019)
– Elektronegativitet, (Il Convivio Editore, 2019 – Edizioni Catalano & Italiano)
– Drømmeøya, (Eugraphìa ed. 2020 – Edizioni Catalano & Italiano)
– Parazitët e Kujtesës, (Shtëpia Botuese Le Mezzelane, 2020 – Edizioni Catalano & Italiano)
– Nuk Duhet Të Vdes Sot (Edizioni Setteponti, 2020)
– En Perifèria del Cercle – Në Periferinë e Rrethit (Il Convivio Editore, 2020 – Edizione Catalano & Italiano)
– Pse (emri im është Coco), (Edizione Setteponti, 2022)
– Omniscient, (Filippo Papa & Joan Josep Barcelò), Edizioni Setteponti, 2022 – botim Italisht – anglisht)
– La Dona de Cristall – Gruaja e Kristaltë (Il Convivio Editore, 2023 – Edizioni Catalano & Italiano)
– Arcorporea, (Filippo Papa & Joan Josep Barceló), Edizioni Setteponti, 2023 – Italiano & Inglese)
– Hotel Barcelona – Joan Josep Barceló & Antonio Contoli & Samuele Mollo (Edizione La Ruota, 2024 – Italisht & Spanjisht)

Të njihemi nga afër me artistin – poet Joan Josep Barceló nëpërmjet përgjigjeve të intervistës:

A. Kosta: Përshëndetje Joan. Kënaqësi t’ju kemi në gazetën prestigjioze Nacional. Na tregoni për veten tuaj. Si filluat të shkruani?

J. Barceló: Në fakt unë kam shkruar që kur isha ende i ri, pasi jetoja në një mjedis të rrethuar nga njerëz që e donin letërsinë dhe artin. Poezitë e mia të para, të cilat ndonjëherë bëheshin këngë, kanë qenë pjesë e jetës sime të përditshme gjatë gjithë jetës sime. Angazhimet e mia profesionale janë drejtuar drejt shtigjeve të tjera, por kurrë nuk e kam braktisur artin dhe poezinë. Ishte viti 2010 kur botova librin tim të parë me poezi, dhe që nga ajo kohë kam vazhduar një aktivitet intensiv botimesh edhe sot e kësaj dite.

A. Kosta: Na rrëfeni rrjedhën e ditës suaj të punës. Bëni shumë kërkime?

J. Barceló: Kam shumë vite që shkruaj poezi çdo ditë, kjo është pjesë e aktivitetit tim të përditshëm. Për shkak të veprimtarisë sime në botën letrare ndërkombëtarisht, detyra ime nuk është vetëm të shkruaj poezitë e mia, por edhe të kryej përkthime të shumta të poetëve të tjerë, të organizoj evente letrare, të shërbej në juritë e çmimeve të shumta, të zhvilloj aktivitete promovuese kulturore e gjithashtu të kryej një aktivitet të gjerë në fushën e artit, me ekspozita dhe shfaqje. E gjithë kjo më shpie në një ditë të ngarkuar plot punë, të cilën duhet ta mbaj të rregullt dhe të organizuar. Për sa i përket hulumtimit, poezia ime bazohet në kërkime të vazhdueshme gjuhësore dhe letrare, me një lidhje të thellë me idetë dhe mendimin filozofik e shkencor, pasi mendoj se bota e letërsisë duhet të lidhet në një unitet më të madh, duke mbuluar maksimumin e dijes e cila mund të pasurojë poezinë.

A. Kosta: Keni formacione në letërsi? Cilët autorë ju pëlqenin të lexonit kur ishit fëmijë?

J. Barceló: Studimet e mia të para kanë qenë në fushën e Filozofisë dhe Letërsisë, dhe u diplomova pikërisht në këtë fushë në Universitetin e Barcelonës. Këto studime vazhduan me një diplomë tjetër në Shkencat e Shëndetit dhe Studimet Shkencore në Madrid. Gjithashtu studiova Gjeologji në Universitetin Birkbeck në Londër dhe kreva një master në Shkencat Mjedisore dhe Juridike në Universitetin e Ishujve Balearik. Gjatë karrierës sime kam studiuar gjuhë të ndryshme si gjuhën amtare katalane, spanjishten, italishten, anglishten, frëngjishten, gjermanishten, portugalishten etj. Kam kryer studime të shumta në fusha të ndryshme si në: letërsi, filozofi, shkencë dhe teknologji, shkenca shëndetësore dhe botanikë.
Autorët e mi të preferuar kur isha i ri ishin: Baltasar Rosselló-Porcel, Ramón Llull, William Shakespeare dhe Dante Alighieri.

A. Kosta: Si i zhvilloni poezitë tuaja? Na ndihmoni të kuptojmë fazat dhe hapat në krijimin e një poezie.

J. Barceló: Kjo është një pyetje pak e vështirë për t’u shpjeguar, sepse nuk ka asnjë model të vetëm apo të veçantë që ndjek në krijimtarinë time. Përgjithësisht, poezitë e mia lindin nga një ide e cila fokusohet gjithmonë me temat që më karakterizojnë. Zakonisht nuk është vetëm krijimi i një poezie, por më shumë një ide që më lejon të shkruaj një mori poezish të gërshetuara së bashku, të cilat do t’i japin jetë një libri me përmbledhje poezish. Për mua, vargjet e një poezie lindin në mënyrë sporadike, pa u zgjatur më tej, edhe pse është e nevojshme të ketë një njohuri paraprake të lëndës që do të zhvillohet, si dhe të përdor burimet letrare përkatëse dhe t’i vendos të gjitha në një stil personal.

A. Kosta: Si ia keni arritur të ndërthurni shkrimin me kërkesat e tjera të kohës? Keni aftësi të mjaftueshme të menaxhimit të kohës? Si relaksoheni?

J. Barceló: Koha nuk është aspak problem për mua, fatmirësisht jam një menaxher i mirë i saj dhe kjo më lejon ta kryej aktivitetin tim në një mënyrë krejt të natyrshme, pa probleme dhe pa komplikime. Është e vërtetë se zakonisht koha është një problem i madh për shumë autorë të cilët duan t’i gërshetojnë aktivitetet e ndryshme të jetës, qoftë puna, familja apo të tjera me letërsinë, por është gjithashtu e vërtetë se të dish t’u përshtatesh gjithçkaje së bashku në mënyrë të organizuar edhe vetë natyra e personit mund të lejojë një menaxhim optimal të kësaj kohe në dispozicion. Dëshiroj të theksoj se jam një person shumë i organizuar dhe zakonisht kam një rend shumë strikt në atë që bëj dhe kjo më lejon të përballem me detyra të ndryshme të përditshme me mjaft qetësi dhe sukses. Sigurisht që nuk kam problem në menaxhimin e kohës, edhe pse duhet t’ju them se jam një person shumë aktiv dhe se pothuajse kurrë nuk ndihem i lodhur, çka do të thotë se nuk kam nevojë për relaksim specifik, pasi jeta ime është e relaksuar në një jetë shumë aktive.

A. Kosta: Cilët janë poetët tuaj të preferuar bashkëkohorë apo klasikë?

J. Barceló: Jam admirues i zjarrtë i të gjithë atyre poetëve me të cilët ndihem në një farë mënyre i identifikuar, veçanërisht ato italianë si dhe disa autorë ndërkombëtarë, mes të cilëve mund të përmend Vasilis Pasipoularidis, poet grek i cili më magjeps me poezinë e tij të thellë; një seri poetësh të rinj italianë dhe spanjollë si: Simone Sanseverinati, Riccardo Delfino, Sacha Piersanti, Juan F. Rivero, Cristian Alcaraz. Poetë italianë si: Gianpaolo Mastropasqua, Giovanni Ronzoni, Silvio Raffo, Vanni Schiavoni, Marina Pratici, Davide Cortese. Poetë katalanë si: Biel Mesquida, Toni Clapés, Miquel Àngel Más, Jaume C. Pons Alorda, Odile Arqué. Poetë kanadezë si: Denise Desautels, Nicole Brossard; si dhe poetja portugeze Kristina Pizarro dhe poeti i ri italian, i cili ndërroi jetë para pak kohësh, Gabriele Galloni.

Midis poetëve klasikë më pëlqejnë të ashtuquajturit poetët francezë të mallkuar si: Charles Baudelaire, Paul Verlaine dhe Arthur Rimbaud, dhe një listë e gjatë poetësh ndërkombëtarë, përfshirë Konstantinos Kavafis, Umberto Eco, Fernando Pessoa, Cesare Pavese, Alda Merini, Pier Paolo Pasolini, William Shakespeare, Dante Alighieri, Bertolt Brecht, Franz Kafka, etj.

A. Kosta: Na rrëfeni për disa nga romanet që keni lexuar kohët e fundit të cilat ju kanë pëlqyer shumë si dhe çfarë lloj librash nuk ju pëlqen të lexoni?

J. Barceló: Në realitet nuk jam lexues i madh romanesh sepse preferoj poezinë apo teatrin, edhe pse kjo nuk do të thotë që nuk mendoj se ky zhanër letrar është më i lexuari. Ka disa romane të cilat i konsideroj kapital për një lexues si: “Metamorfozis” nga Franz Kafka, “Emri i trëndafilit” nga Umberto Eco, “Fotografia e Dorian Gray” nga Oscar Wilde, “Një mijë e një netë” nga autor anonim, “Britma dhe zemërimi” nga William Faulkner, “Konti i Monte Cristos” nga Alexandre Dumas. Në stile të tjera letrare më pëlqejnë “Odisea” nga Homeri, “Hamleti”, “Tempesti” dhe “Tregtari i Venedikut” nga William Shakespeare, “Eneidi” nga Virgjili, “Komedia hyjnore” nga Dante Alighieri, “Gjethet e barit” nga Walt Whitman, “Një stinë në ferr” nga Arthur Rimbaud.

A. Kosta: Cili ka qenë rrugëtimi juaj fillestar editorial? Ju ka ndodhur ndonjëherë që një nga shkrimet tuaja të jenë refuzuar?

J. Barceló: Siç e thashë edhe më parë, kam shkruar që kur isha shumë i ri, por kam filluar të botoj vetëm në vitin 2010, dhe që nga ajo kohë kam botuar vazhdimisht një gamë të gjerë librash deri këtë vit. Të gjitha këto vepra janë botuar, si fituese të çmimeve të poezisë, po ashtu edhe si botime në rrjedhën e karrierës sime letrare.

A. Kosta: Keni ndonjë këshillë që do të donit t’i jepni dikujt që dëshiron të kompozojë dhe botojë poezi?

J. Barceló: Këshilla ime për të gjithë ata autorë që duan të shkruajnë apo botojnë poezi është thjesht të ruajnë entuziazmin në kompozimet e tyre dhe ekuilibrin në punën e tyre. Nuk është e lehtë të gjesh një vend në botën letrare, por përpjekjet, puna dhe këmbëngulja janë zakonisht aleatë të shkëlqyer për të arritur një rezultat të mirë.
Në fakt, mbaj marrëdhënie të vazhdueshme me poetët që sapo fillojnë udhëtimin e tyre, i mësoj të fitojnë aftësi dhe i ndihmoj në promovimin kulturor në mënyrë që ata të mund të zhvillojnë veprat e tyre me njohuritë, leximin dhe analizën e teksteve poetike nga autorë që mund të jenë themelorë për fillimet e tyre.

A. Kosta: Ju keni shkruar dhe botuar disa libra. Ju pëlqen të shkruani në një format të veçantë në krahasim me të tjerët?

J. Barceló: Është e vërtetë, kam shkruar disa libra, të gjitha rezultati i një pune të gjatë dhe të përpiktë. Në botimet që nuk kam përfshirë vetëm poezi, jam përpjekur t’u jap atyre një formë më shprehëse nëpërmjet bashkëpunimit me artistët, qofshin ata piktorë, fotografë, aktorë, duke arritur në botime që tregojnë një zgjerim të konceptit të poezisë në kuptimin artistik. Për shembull, disa poezi janë bërë vepra arti, pikturash apo skulpturash, të tjera janë bërë shfaqje poetike e disa të tjera ende po shndërrohen në pjesë kompozimi teatral, ku fjala poetike lodron me artin skenik.

A. Kosta: Faleminderit për këtë intervistë kaq interesante. Ju uroj çdo sukses në art, letërsi ashtu sikurse edhe në jetën e përditshme.

J. Barceló: Faleminderit juve Angela, dhe në veçanti falënderoj dhe përshëndes Dr. Mujo Bucpapaj, Drejtorin e gazetës prestigjioze Nacional mjaft e nominuar dhe e njohur tashmë kudo në botë dhe dëshiroj gjithashtu të përshëndes të gjithë lexuesit shqiptarë kudo që ndodhen, krijojnë, punojnë e jetojnë.

POEZI

KUSH DO TË PRESË PALËVIZUR

Kush do të presë palëvizur
Për t’u bërë përsëri adoleshent
Përjetësisht
Në një shtëpi pa kopsht
Në periferi të Romës
Dhe kush i përgjumur
Do të kërkojë fjalët e mençura
Duke parë muret
Duke ngrënë nektar dhe asgjë më shumë
Kush do të shohë mbrapa
Pas pirjes së cigares
Derisa tymi të largojë nostalgjinë
Nga ato ditë tashmë të pamundura
Kush do të presë i habitur
Për të ditur nëse do të rikthehen tmerret
që udhëtonin
Mijëra e mijëra kilometra
në sekond
Në netët e dehura
E kush do të jetë tradhtari
Që do të më zgjojë nga kjo farsë
Për të më bërë të jetoj pa të.

FJALË TË FSHEHURA NË ËNDRRA

Nuk ka mbetur asgjë këtu
Si një lypsar për një copë bukë
Në agim
Që një lot shtrydhi
Në vazot e një vendi të fshehtë
I cili qëndron memec
Pa parë qoftë asgjë
Mallkim me një mërmëritje
Për të hedhur pakëz ujë
Duke qenë i vetëm
Në fund të lutjes
Që bën të heshtë zërin tim

NUK MUNDEN

Nuk munden
Mungon dëshira për të qenë
dhe ndjekur
në paqartësi
Edhe pse dyshojnë
Ndaj njëri-tjetrit
Hapat vështrojnë
Në mënyrë që askush të mos vërej
Ëndrrat e tyre sterile
Nuk duan asgjë
Në gjumë
Midis hijeve dhe frikërave
Të diçkaje absurde
Por do të ecin të detyruar
Edhe pak
Më shumë
Në hirin
Që kanë lënë
Pendesat e tyre

MIDIS REVE TË PAMBUKTA

Në rrugë
Koha ndalon
Pa pushim
Duke parë flokët e dëborës
Të bien
Duken vështrime
Prapa maskave
Të një misteri kalimtar
Ku një dritë
Përmes hapësirës
I fshin të gjitha
E burgosur pas mureve
Me tulla të vjetra
Të cilat në heshtje shohin
Njerëzit që kalojnë nëpër rrugë
E shumë persona
Por sytë e mi
Mbyllen
Mes një qetësie diafanoze
Pa e ditur
Ku po shkojnë

Intervistoi dhe përktheu Angela Kosta Akademike, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese