Gazeta Nacional Albania

FUSTANI. Tregim nga FASLLI HALITI

Mё nё fund u gjend zgjidhja. Sapo Varvarën ta zinin tё prerat, fustani çudibёrёs larush duhej tё mbaronte sё qepuri dhe sapo tё lindte fëmija, fustani duhej t’i vishej menjёherё foshnjës së sapo lindur…
U gёzua jo vetëm Toli Bica qё priste tё bёhej baba, shtëpia e tij, por u gёzua e gjithё lagjja jonё periferike e qytetit tё vogël. Varvara, nuk ishte nusja, por zana e lagjes periferike, e bukura e dheut. Burrat e shihnin atё si qershinë e lagjes, si njё qershi qё harbonte nё lulëzim, qё lidhte kokrra, por s’i mbante, i rrёzonte nё prag tё pjekjes. Kishin kaluar dhjetё vjet nga dita qё ajo erdhi nuse nё lagjen tonё. Erdhi gjashtёmbёdhjetё vjeçe, po bёhej njёzet e gjashtё dhe ende s’kishte fёmijё. Kishte mbetur, gati çdo vit shtatzёnë dhe nё muajin e nёntё e dёshtonte fёmijёn. Nuk e mban, thoshin gratё. E vizituan mjekёt mё tё mirё tё qytetit tonё tё vogël, gjinekologёt mё tё mirё tё asaj kohe; u bёnë tё gjitha përpjekjet qё ajo tё mos e dёshtonte fёmijёn, por fëmija i vdiste nё bark. Thoshin s’e ishte e ngushtё, se e kishte legenin tё vogël, por tё gjitha këto nuk ishin veçse hamendje tё njerëzve, ishin fjalё koti. Kur mbeti shtatzёnё pёr tё tetёn herё, sikur u gjet njё zgjidhje, sikur lindi njё shpresё se më në fund, ajo do ta mbante fёmijёn dhe do ta lindte tё gjallё. Po si?
Kule Shtëmbari, magjistrica, fallxhorja e lagjes, u zotua se Varvara e bukur, do ta lindte tё gjallё fёmijёn, do tё qepej njё fustan me tri capa basmeje nga paja e tri vajzave tё fejuara tё lagjes. dhe tri copat u morёn nga tri vajzat e fejuara, nga tri virgjëreshat e lagjes sonë: copa e verdhё u mor nga paja e Dafinёs, copa e bardhё, nga paja e Shegës dhe copa blu u mor nga paja e Diellës. Pritej vetёm qё Varvarës t’i fillonin dhimbjet e lindjes. Nga mesi i muajit tё nënte. Varvarës i filluan tё prerat. Ishte mbrëmje me njё muzg ngjyrë vishnjë. Toli Bica me tё vёllanё mbrehёn qetё nё qerre, e hipёn Varvarën nё shtratin e qerres sё mbuluar me rrogoz, shtruan njё dyshek me lesh. Rrobaqepësja e lagje, Bane Shurdhani nisi me nxitim qepjen e fustanin laraman me copat e pajës së tri vajzave të fejuara. Mё kujtohet ai fustan me tri ngjyra: me ngjyrë të verdhё, tё bardhё, blu. Tepër futurist pёr mjedisin e prapambetur të lagjes sonë, por mua më pëlqeu shumё. Lum fëmija qё do ta vishte. Po a do ta vishte vallё ?
Tё gjithё prisnin me ankth çastin e lindjes së fëmijës. Toli ndizte e shuante cigaret njerin pas tjetrit, paf, puf. Motra e tij Sena, rrinte te dera e spitalit, me fustanin qё, sapo tё dilte fëmija, t’ia vishte menjёherё atë fustan magjik që, sipas magjistricës Kule Shtëmbari, në saj të tij, fëmija do të lindte i gjallë. Por fëmija edhe kёtё herё, vdiq nё bark të nënës si tetё të tjerët. Varvara pёrsёri s’dëgjoi zё, tё qara fëmije. Gjoksi i saj i gufuar rrodhi disa ditё, por nuk njomi buzё foshnjeje. Toli Bica, prapё s’u bё baba. Dendësoi, pёr njё kohё tё gjatё ndezjen dhe shuarjen e cigares. Prapё qershia e lagjes plot lule tё bardha, lidhi kokrra, po pёrsёri, nuk i mbajti ato, i kishte rrёzuar, thoshte graria e lagjes periferike. Mos e hanё me sy. Syri i lig tё kёputё. Ai kёput kalin, çan lisin e jo mё njё nuse si Varvara, thoshin bestynët, supersticiozët e lagjes. Pas çdo dështimi Varvara bёhej më e bukur, si të zëvendësonte me këtë bukuri, mungesën e fëmijës. S’kalonte shumё kohё dhe ajo mbetej pёrsёri shtatëzënë. Gёzohej vetё, gёzonte burrin e saj, shtёpinё, lagjen, por gёzimi nuk zgjaste dhe kjo pёrsёritej e pёrsёritej; gёzim, trishtim…, gёzim e pёrsёri trishtim…, po dështimi i fёmijёs sё tetё, qe trishtim i pёrzishёm, sa Toli Bica, la mjekёr dhe Varvara u vesh e u mbulua me tё zeza si një natë e thellë…
***
Kur e mori vesh Kule Shtëmbari, magjistrica e lagjes, lëshoi piskamën e saj se, gjoja, një nga vajzat qё dhuruan copat nga paja e tyre, pёr fustanin e fëmijës, me siguri, nuk ka qenё virgjёreshё. Po, po, njëra nga vajzat e fejuara nuk ka qenё virgjёreshё, prandaj nuk zuri magjia ime. Fjalët e saj fluturuan si miza të zeza që s’pushonin së zukaturi zëzë-zi, nё lagjen tonё. U fol se Dafina ishte ajo qё, s’na qenkёsh virgjёreshё. Kur Dafina dëgjoi se Vara lindi fёmijё tё vdekur nga qё ajo s’ishte virgjёreshё, se kishte harbuar me Miti Janon, bariun e pamshëm e trim të beut, pёr tё cilin gjoja ajo vdiste, u mbyll nё odёn mё tё vogël e mё tё errёt tё shtёpisё. Tre muaj rresht; ditё pёr ditё e orё pёr orё, Dafёs i vinin nё vesh fjalё plagoma, thashetheme, si njё mori gёrthacёsh qё e pickonin, e thumbonin nё pjesën mё fisnike: nё nderin e saj; i vinin fjalё si tufa mizash tё zeza, zu, zu-zi qё përflisnin e nxinin pjesën mё të bardhë të saj: nderin. Flitej se kishte mbetur shtatzënë me bariun e beut, për të cilin, gjoja ajo çmendej…
***
S’kaloi shumё kohё dhe zuri tё bjerё njё shi qё nuk pushoi sё rёni tri ditё e tri net, njё shi qё e tërboi, e fryu përroin nё jug tё lagjes i cili nisi tё shkulte pemët nё tё dy anёt e brigjeve tё tij dhe qё, kasollet e jevgjve pёrbri, mullarёt me kashtё, pёr thurje rrogozash, i mori dhe i çoi përsëri nё kёnetё. Gjatё këtyre tri ditёve e tri netёve nё odёn ku rrinte e ngujuar nga turpi Dafa, vinin e futeshin fjalё tё zeza si lakuriq nate tё ndjekur nga stuhia dhe rrebeshi i natës. Njerëzit dhe kafshët s’guxonin, jo vetëm tё dilnin jashtё, por as tё nxirrnin kokat nga dera e shtёpisё. Lopët nё kasolle, pëllisnin pёr haje dhe pёr ujё, qentë kuisnin, përroi ishte fryrё sop mё sop, pastaj vërshoi mbi brigje e filloi tё përmbyste lagjen. Kuçka, thoshin, disa shtriga tё lagjes, rrospia, thoshin disa lёnesha, telbiska thoshte magjistrica Kule Shtëmbari, e bёri dhe e groposi kopilin nё faqen e mezhdës sё përroit. Shiu nuk do të pushojë, gjersa të gërryhet faqja e përroit e tё zbulohet, tё dalё nё shesh kopili i kuçkёs, ta marrё e ta çojё atë nё kёnetё, thoshte gjithandej nёpёr lagje magjistrica Kule Shtëmbari… Këto fjalё dhe sidomos fjalët e magjistricës fluturonin si korba dhe lakuriq nate dhe shkonin drejt e te oda e Dafёs sё ngujuar nga turpi. Tre muaj rresht, Dafina u kacafyt me thashethemet e fjalët korba. Por tri ditё e tri net pus, me shi e rrebesh, me pëllitje lopësh, blegërima delesh, hingëllima kuajsh e kuisje qensh, kakarisje pulash, pёr haje, ushqim dhe ujё, ajo s’duroi dot mё dhe zuri të fliste përçart. Po e besonte si të vërtetë shtatzëninë me bariun e pamshëm e trim të beut, me Miti Janon. Nё odё s’pranonte kёnd, as nёnёn. Nё mesnatën e tretё bunacё, kur shiu binte me shqotё dhe përroi kishte ardhur sop mё sop, Dafina doli nga shtёpia me boçen e pajёs nё dorё, vrapoi drejt përroit, klithi: qyqja unё, mora mё qafё Varvarën, e lashё qyqe, pa fёmijё. Kaq shumë e kishin bёrё punёn e tyre thashethemet, sa vetё virgjёresha, po i besonte si tё vërteta ato që kishte përhapur magjistrica Kule Shtëmbari, për të. Me tё arritur nё buzё tё përroit, Dafa zgjidhi boçen me plaçkat e pajёs, i nxori dhe i hodhi njё nga njё nё përruan e tërbuar, tё turbullt, klithi përsëri tri herё: qyqja, qyqja, qyqja unё, e lashё Varёn pa fёmijё! Pastaj u hodh nё ujin e përroit si pulёbardhё, sikur tё kërkonte tё kapte nё thellёsinё e atij uji tё turbullt, e tё tërbuar, fatin e saj tё zi..
***
Nё tё zbardhur tё ditës, shiu pushoi, pёrroi shteri. Bujqit e lagjes dhe barinjtё panё ca napa, ca çarçafё tё bardhё, bokshe, njё brez si ylber i nderur mbi një murriz.; dy tri shami teripi trasparente tё cilat era i kishte flakur mbi ferra si shenja qё jepnin kumtin e zi. Dafinёn dhe gjithё pajёn e saj, e kishte marrё përroi dhe e kishte çuar atje ku derdhej, nё kёnetё. Pa nxjerr, e pa e çuar nё kёnetё kopilin e rospisë, shiu s’do tё kishte pushuar as ditё e as natё, por shyqyr që kopili doli dhe shiu pushoi, thoshte Kule Shtëmbari. Por fjala e saj nё kёto çaste tё rёnda, tragjike, nuk ngjiste te banorёt e lagjes. Përkundrazi, lagjja ra nё zi pёr Dafinën, kur mori vesh që ajo u hodh nё ujërat e përroit dhe u mbyt, për t’u pastruar nga «turpi» .
Përroi, nё jug tё lagjes sonё, ku u mbyt Dafina, mori emrin e kobshëm, Pёrroi i Zi…

2009