Site icon Gazeta Nacional Albania

Gabriela Mistral, e para shkrimtare latinoamerikane,që fitoi çmimin Nobel për letërsi, në vitin 1945 

Mistral do të jepte shpirt pas një lufte të gjatë me sëmundjen e kancerit, në  New York, në moshën 67 vjeçare

 

Gabriela Mistral, e para shkrimtare latinoamerikane,që fitoi çmimin Nobel për letërsi, në vitin 1945           

 

“Gabriela Mistral (emri i vërtetë i së cilës është Lucila de Maria del Perpetuo Socorro Godoy Alcayaga), ishte një ndër shkrimtaret feministe më të njohura  kiliane. Ajo ishte e para shkrimtare latinoamerikane e cila fitoi çmimin Nobel për letërsi, në vitin 1945. Temat më kryesore që ajo ka përdorur janë dashuria, dashuria për nënën si dhe eksperiencat e saj të hidhura  gjatë jetës.”

 

Përktheu nga anglishtja: Endrit Shtylla                                          

 

Gabriela Mistral lindi në qytetin Vicuna, më 7 prill 1889. Në Vicula Mistral do të qëndronte deri në moshën 17 vjeçare. Ajo do të kishte një afrimitet shumë të madh me të ëmën e saj, mbasi i ati i kishte lënë ato kur ajo ishte vetëm 3 vjeçe. I ati do t’i vdiste më vonë, larg familjes, në vitin 1911, duke i lënë ato në varfëri. E ëma ushtronte profesionin e mësueses në një nga shkollat e zonës, por përsëri ato sia dilnin dot me shpenzimet e shumta, kështu që në moshën 15 vjeçare, Gabriela do të fillonte të punonte edhe ajo si asistent mësuese, duke ndihmuar kështu jo vetëm veten e saj, por edhe të ëmën, që aq shumë e adhuronte. Kjo lidhje ishte kaq e madhe sa që kur e ëma i vdiq në vitin 1929, Gabriela do t’i dedikonte asaj librin me titull: “Rrënimi”, ku ajo shfaq të gjithë dhimbjen e saj.   Në vitin 1904, në një nga gazetat lokale të zonës sikurse ishte El Conquimbo, Gabriela publikoi disa nga poemat e saj të para si: “Letra intime” dhe “Pranë detit”, duke përdoror disa pseudonime. Në vitin 1906, ajo u njoh me Romeo Uretën, i cili punonte pranë stacionit të trenit. Kjo histori nuk do të zgjaste shumë për arsye se Romeo do të vriste veten nga depresioni në vitin 1909. Kjo do të ishte një goditje e madhe për Gabrielën, tani kjo dhimbje do t’i bashkohej me ato që kishte kaluar më parë, duke bërë që tonet e dhimbjes të ndjeheshin edhe në poemat e saja. Viti 1914, do të ishte shumë i suksesshëm për të dhe karrierën e saj artistike. Ajo do të fitonte çmimin e parë me: “Sonetat e vdekjes”, në një konkurs që u zhvillua në Santiago. Do të ishte ky viti kur ajo do mbante pseudonimin Gabriela Mistral, të cilën do ta përdorte në të gjitha shkrimet e saj. Preferenca e saj për këtë pseudonim, lidhet me emrat e dy prej poetëve më të preferuar të saj Gabriele d’Annunzio dhe Frederic Mistral. Në vitin 1922, Mistral do të ftohej nga ministri i arsimit të Meksikës, për të ndihmuar në zbatimin e  reformave arsimore në këtë vend. Mistral pas një viti do të publikonte një tjetër poemë, të titulluar: “Trishtim”, me të cilën ajo do të fitonte famë ndërkombëtare. Një vit më pas ajo do të publikojë një tjetër libër të titulluar: “Poezi për femrat”, e cila është e shkruar në prozë dhe karakterizohet nga një  frymë feministe pro figurës së femrës. Kur ajo rikthye përsëri në Kili, ajo do të emërohej profesoreshë letërsie në universitetin e Kilit. Në vitin 1924, Mistral do të ndërmerrte një tur të gjatë në kontinentin Amerikan dhe në atë Europian. Në këtë të fundit ajo do të publikonte në Madrid volumin e saj të ri “Druajtje”, e cila është një përmbledhje për fëmijë, por që shumë here në disa prej tyre përqëndrohet edhe në trupin femëror. Një vit më vonë ajo do të rikthehej në Amerikën Latine, duke vizituar vende të tilla si: Uruguaji, Brazil dhe Argjentinë. Më në fund pas shumë kërkesash të shumta qeveria i njohu asaj një pension mujor. Me sigurimin e këtij pensioni ajo hoqi dorë nga mësimdhënia në universitetin e Kilit. Nga viti 1925 deri në vitin 1934, ajo do të jetonte në Francë dhe në Itali. Këtu ajo do të bëhej anëtare me të drejta të plota në shoqatën e intelektualëvë kombëtarë. Gjatë kësaj kohe ajo do të japi mësim pranë kolegjit Bernard, degë e universitetit të Columbias, si dhe pranë kolegjit Vassar dhe universitetit të Porto Ricos. Ashtu si shumë artistë dhe intelektualë të kohës së saj edhe ajo do ti futej rrugës së politikës, duke u zgjedhur në postin e konsulles nga viti 1932 deri në vdekjen e saj, duke punuar në Napoli në Itali, Madrid në Spanjë, Petropolis në Greqi, Nica në Francë, Lisbonë në Portugali,  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pikërisht në Los Anxhelos dhe në Santa Barbara, Veracruz në Meksikë dhe për ta mbyllur në shtetin e Nju Jorkut. Gjatë kësaj kohe shumë të  ngjeshur me takime politike, Mistral nuk harroi të shkruante. Ajo do të shkruante në mënyrë konstante artikuj të ndryshëm në editorialet spanjisht-folëse. Në vitin 1938, në Buenos Aires, Mistral sëbashku me mikeshën e saj të vjetër, që tani punonte si korrespondente, Victoria Ocampo, do të publikonte një tjetër volum të titulluar: “Dhimbje”, ku fitimet nga shitjet e librit u përdorën për të ndihmuar fëmijët jetim gjatë luftës civile në Spanjë. Në këtë volum ajo përdor shumë folklorin amerikano-latin dhe atij mesdhetar. Në gusht të vitit 1943, nipi i saj Miguel 17 vjeçar bën vetvrasje, dhe për Mistral kjo ishte një goditje shumë e rëndë sepse ajo e kishte rritur atë si fëmijën e saj. Për të ajo do të publikonte një tjetër libër me poezi të titulluar: “Trokull”, të cilën ajo nuk do ta publikonte deri në vitin 1954. Disa vite më vonë, në vitin 1967, Mistral me ndihmën e mikeshës së saj Doris Dana do të publikonte një tjetër volum me poema, të titulluar: “Poemat e Kilit”, në të cilën përshkruhet rikthimi në formë dhe me shpirt në Kilin e saj në shoqërinë e një djali Indian nga shkretëtira e Atacamas dhe të një  dreri të Andeve. Më 15 nëntor të vitit 1945, ajo do të nderohej me çmimin Nobel për letërsi, duke u bërë kështu gruaja e parë amerikano-latine e cila e fitonte këtë çmim kaq prestigjoz, që siç e dimë ajo do të pasohej më pas nga poeti tjetër kilian Pablo Neruda. Dy vjet më vonë, në vitin 1947, Mistral do të nderohej me një tjetër çmim, Honoris Kauza nga kolegji Mills të Oaklandit të shtetit të Kalifornisë. Në vitin 1951, ajo do të nderohej me një tjetër çmim sikurse ishte çmimi kombëtar për letërsinë, e cila iu dha nga shteti i saj për mirënjohje karshi punës së saj shumë vjeçare në shërbim të vendit. Me kalimin e kohës shëndeti i saj filloi që të rëndohej, duke bërë që ajo të mos lëviste më si më parë. Këtë kohë ajo kishte rezidencën e saj në shtetin e Nju Jorkut. Më 10 janar të vitit 1957, Mistral do të jepte shpirt pas një lufte të gjatë me sëmundjen e kancerit, në Long Island, në moshën 67 vjeçare. Eshtrat e saj do të varroseshin nëntë ditë më pas. Qeveria kiliane shpalli tre ditë zie kombëtare në nder të shkrimtares që aq shumë i shërbeu vendit të saj. Shumë bashkombas të saj morrën pjesë në ceremoninë mortore, e cila ishte madhështore.

Ndër poezitë më të bukurat e saj janë:

“Këmbët e vogëlushit”, “Balada”, “Ëngjëlli roje”, “Lulja e erës” etj.

 

 

 

Exit mobile version