Gazeta Nacional Albania

GABRIELLA PICERNO – ITALI: NË PRAG TË JETËS , POEZI. Përktheu Angela Kosta

GABRIELLA PICERNO – ITALI

Gabriella Picerno është psikologe, pedagoge, konsulente në seksologji, eksperte në Psikologjinë e Vizatimit dhe Të Mësuarit të Fëmijëve dhe Drejtoreshë e Qendrës së Dokumentacionit Arsimor “Il Grillo Parlante – Karkaleci Folës” në Rufina (Firence).
Për vite me radhë ajo është përfshirë në projekte trajnimi dhe ndërhyrje të edukimit prindëror, në afektivitet dhe seksualitet.
Gabriella merret me çështje familjare si ndarja dhe divorci e gjithashtu kryen aktivitete profesionale në çështje të tilla si: trajnimi i mësuesve, sikleti në shkollë, shqetësimet e të mësuarit dhe të marrëdhënieve.

Gabriella është e apasionuar pas pikturës, fotografisë dhe poezisë.
Si esetë po ashtu edhe poezitë e autores në fjalë, janë vlerësuar në konkurse të ndryshme letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.
Lirikat e saj të dashurisë janë përkthyer në: anglisht, frëngjisht, greqisht, spanjisht, polonisht dhe shqip.
Gabriella Picerno është bashkëdrejtore (së bashku me Cristina Desideri) në Serinë e Letërsisë për Fëmijë “Il Filo” të Arianës për GD Edizioni, si dhe kuratore e Çmimeve Letrare: “La Botteguccia delle Favole – Dyqani i Përrallave” dhe “Lo Zaino Raccontastorie – Çanta Treguesehistorish.”

BOTIMET E SAJ:

– “Genitori Separati – Prindër të Ndarë”

– “Bambini Divisi – Fëmijë të Ndarë” (nga Evelina Fazzi, 1996)

– “Le Ferite Dell’Arcobaleno – Plagët e Ylberit” (nga E. Bartolozzi, 2001)

– “Le Parole Dell’Educazione – Fjalët e Edukimit” (nga Susanna Berretti, 2006)

– “Due Genitori Due Case – Dy Prindër Dy Shtëpi” (nga E. Fazzi, 2013)

– “Dal Dire Al Fare – Nga e Thëna në të Bërë” (2013)

“Il Benessere Emotivo negli Adolescenti – Mirëqenia Emocionale tek Adoleshentët” (nga L. Collacchioni, 2013)

– “Famiglie Stra-ordinarie – Familje të jashtë – zakonshme” (2016)

– “Io e le Mie Famiglie – Unë dhe Familjet e Mia” (nga E. Fazzi, 2016)

– “Bambini Online – Fëmijë Online” (2019)

– “La Bambola di Giada – Kukulla e Xhadës” nga C. Desideri, 2020)

– “Due Genitori, Due Case, Nuova Edizione Ampliata – Dy Prindër, Dy Shtëpi Edizioni i Ri i Zgjeruar (nga E. Fazzi, 2021)

– “Lascia che Sia – Lëre të Jetë” (GD Edizioni, 2021)

– La Stagione dell’Ulivo – Sezoni i Ullirit” (nga Andrea Morandi, 2021 – GD Edizioni)

– “Itinerari Affettivi e di Educazione Sessuale – Itineraret e Edukimit Affectiv dhe Seksual” (7 – 10 vjeç), (PAV Edizioni, 2022)

– “Itinerari Affettivi e di Educazione Sessuale – Itineraret e Edukimit Emocional dhe Seksual
(0 – 3 vjeç), PAV Edizioni (2023)

– “Io Dentro Così mi Sento – Unë Brenda Kështu Ndjehem” (Edizioni dell’Assemblea – Regione Toscana, 2023)

LIBRA ME POEZI:

– “Un Tocco di Cielo – Një Prekje e Qiellit” (2018)

– “A Touch Of Sky” (2019)

– Un Toque De Cielo” (Ediciones alborismos, 2022)

– Sussurri e Maree – Pëshpëritje dhe Batica (GD Edizioni, 2022)

UNË DHE TI

Ndjeva të kaloja
nga drita e bebëzave të tua
në atë moment të jetës së vërtetë
që vraponte mes nesh
ku asnjë erë
nuk e zhvendoste drejtimin tonë.

Ajo dridhje e buzëve me epsh
hynte midis flokëve të mi
dhe dora jote më bashkonte me ndjenjat e tua.

Gulçime të ngadalta, të ëmbla
si gjethe të freskëta zambakësh të sapo këputur
fluturonin në një fllad të lehtë

Shikimi yt tashmë kishte shkruar dëshirën
me rrokje flakësh
të qarta
zjarri mbetej një mister.

Ethet
vraponin si një kolibër
lëkurë e thurur me balsam thumbues,
gjymtyrë të bashkuar nga jeta,
sy të kthyer në xhevahirë vezullues,
trupa të nxehtë, shtrënguar,
në atmosferën e pastër të qiejve të kthjellët.

NË PRAG TË JETËS

Kanë kaluar ditët
që llogariteshin ndër duar
dhe nuk mjaftoi
të shfletohej kalendari
kështu, ditëve
iu bashkuan muajt
dhe tashmë i bëjnë shoqëri
vitet
për të shkuar në shtratin
e një jete tjetër
asaj të kujtimeve
të gjesteve të dashurisë
tashmë të përhumbura
të fshira
nga mendimet e tua.

Në atë kopsht me profum veror
në të cilin jetuam
këndonin gjinkallat
e tani mes manaferrave në lulëzim
përkëdhelje gjethesh
të rëna në tokë
dhe lulet e shpërndara mes degëve
më nuk i njoh.

PAFUNDËSI

Më puth tani
në këtë vetëtimë që tashmë kaloi
sepse turbullim shoh në sytë e tu
sepse ndjej trupin tënd të ngrohtë plot epsh
si ajo pasdite e furishme korriku
sepse brenda meje dëshiroj të të ndjej.

Më puth pa pushim
derisa nuk do të mundesh ta dallosh
lëkurën time nga buzët e tua
derisa të ndihem të shkëputem nga toka
dhe të shkoj drejt ajrit të pastër
dhe me aromë të frymëmarrjes tënde
për të bredhur mes plazheve plot diell
duke vrapuar gëzueshëm drejt jetës.

Mos u përhumb në çastin që po ikën
dhe mos e lër të largohet
lumturinë e qenies sonë
që ia kemi dhuruar njëri – tjetrit
në mendime, në ëndrra
në ndjenjat më të thella me pasion.

Më puth
derisa ta bëj gjallëruese substancën e ekzistencës.

Përktheu Angela Kosta, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese