Gazeta Nacional Albania

GANI BYTYÇI: Shënim për vëllimin poetik “NJË PREHËR PËR DASHURINË” i autores MIGENA ARLLATI

POEZI E NDËRTIMIT TË DYFISHTË ESTETIK

Migena Arllati, studiuese e letërsisë dhe kritike letrare, autore e njëmbëdhjetë botimeve, tani (në botim të ShB “BUZUKU”), vjen me përmbledhje poezish. Poezitë e këtij vëllimi janë vënë nën titullin, sa të veçantë aq edhe asociativ e poetik, “Një prehër për dashurinë”. Ky titull, që në fillim, na vë para dilemës dhe na bën të hamendësojmë nëse autorja këtë ndjenjë e shpreh si preokupim poetik apo si kërkesë e nevojë, të cilën e kemi përherë, si qenie prej ndjenjash që jemi. Titull është motiv i tri cikleve poezish (“Një prehër për dashurinë”, “Psherëtimë malli” dhe “Lutje për dashurinë”), ku i pari bëhet i pashmangshëm edhe si titull libri. Ky titull, sikur shpreh gjithë frymën e përmbajtjes së librit.
Motivet e poezisë janë nga më të ndryshmet. Ato të gjitha, qëndrojnë përbrenda qarkut poetik, që e ka krijuar autorja Arllati. Poezitë, secila me vargjet e saj, ndërtojnë estetikën e brendshme dhe të jashtme të një fryme poetike gjithë çiltëri e ngrohtësi. Kështu autorja, (me vargun e saj), herë dashuron qetësisht e në mënyrë gati të pahetueshme, herë me vrull, me zjarr dhe në mënyrë pushtuese. Ajo, me poezinë e saj, sikur kërkon dhe ndërton një strehë, “Një prehër për dashurinë”.
I tërë libri është një kërkim i sinqertë poetik, gjatë një rrugëtimi jetësor, në qarkun Shqipëri, Kosovë, e djeshmja, e sotmja, e nesërmja… E përhershmja! Këtë rrugëtim jete, autorja e kthen në ndjenjë e rrëfim estetik të çiltër e gjithë ngrohtësi. Motive të vargut të saj janë bërë të gjithë ata që ndodhen brenda ndjenjës së saj të dashurisë e të dhembjes. Mirëpo, vargu i saj ndonjëherë i kapërcen kohët dhe shkon deri në histori e antikë. Ai pastaj, sikur shtrihet edhe përtej poetikës dhe kthehet në premisë filozofike.
Poezia e Migena Arllatit është mall e meditim. Është idealizëm e përkushtim. Ajo është dashuri në përmasën e saj më universale. Dashuri që nuk ka kohë të sajën por që vazhdimisht e kërkon dhe e krijon kohën e vet. Ajo shtrihet në të gjitha kohët. Vargu i Migenës është “Psherëtimë malli” dhe “Lutje për dashurinë”. Ajo vetë, herë është Rozafë e Doruntinë, e herë shndërrohet në Teutë. Ajo (edhe me vargun e saj) është nënë e bashkëshorte. Vargu i saj herë është durim e heshtje, herë bëhet zë buçitës e jehonë gjithë kumbim. Në poezinë e saj, Migena është e përshpirtshme dhe krenare.
Migena Arllati, me vargun e saj, ndonjëherë shpreh edhe zhgënjim e dëshpërim. Dhe këtë zhgënjim e dëshpërim e shkaktojnë “Epokë e qelbur”, “Kob nate” e “Diell migjenian”.
Libri “Një prehër për dashurinë” është poezi e ngrohtë e mesazheve të bardha.

12.12.2022