GJENERALI FRANKO NË FERR- Poemë nga PABLO NERUDA- Përktheu Skënder Buçpapaj
I mjerë, as zjarr, as uthull e nxehtë
në një fole shtrigash vullkanike, as akull gllabërues,
as breshkë e kalbur që duke lehur dhe qarë me zërin
e një gruaje të vdekur rrëmon barkun tënd
duke kërkuar një unazë nusërie dhe një lodër kokëprerë
të një fëmije,
ato nuk do të jenë për ty gjë tjetër veçse një derë e errët
e thyer
Me të vërtetë:
Nga ferri në ferr, çfarë ka? në ulërimën
e legjioneve tua, në qumështin e shenjtë
të nënave në Spanjë, në qumësht dhe gjinj
të shkelur me këmbë
përgjatë rrugëve, është një fshat më shumë, një heshtje më shumë,
një derë e thyer
Ja ku je. Qepallë e trishtuar, pleh
i pulave të liga të varreve, pështymë e rëndë, shifër
e tradhtisë që gjaku nuk e fshin. Kush, kush je ti,
o fletë e mjerë kripe, o qen i dheut,
o hije e zbehtë nate e keqlindur.
Flaka pa hi zbrapset,
etja e kripur e ferrit, rrathët
nga dhimbja zbehen.
Medet, që vetëm njeriu
të ndjek ty, që brenda zjarrit absolut të gjërave,
të mos digjesh, të mos humbisësh
në shkallën e kohës, dhe të të mos lejojë të gërvishesh nga djegia e xhamit ose shkumës së fortë.
Vetëm, vetëm, për lotët
të gjithë të mbledhur, për një përjetësi duarsh të vdekura
dhe sysh të kalbur, vetëm një shpellë
e ferrit tënd, duke ngrënë në heshtje qelb dhe gjak
për një përjetësi të mallkuar dhe të vetmuar.
ti nuk e meriton te flesh
edhe nëse janë sytë të mbërthyer: duhet të jesh
zgjuar, gjeneral, zgjuar përjetësisht
mes kalbësisë së të sapolindurve,
të mitraluar në vjeshtë. Të gjithë, të gjithë fëmijë të trishtuar
të copëtuar,
të ngurtë, ata janë të varur, duke pritur në ferrin tënd
atë festë të ftohtë: ardhjen tënde.
Fëmijë të zinj nga shpërthimi,
copa të kuqe truri, korridore
zorrësh të ëmbla, të gjithë të presin, të gjithë,
të gjithë njësoj
për të kaluar rrugën, për të goditur topin,
për të gëlltitur një frut, për të buzëqeshur ose për të lindur.
Buzëqeshje. Ka buzëqeshje
tashmë të rrënuara nga gjaku
që presin me dhëmbë të shkulur të shpërndarë
dhe maska të materies konfuze, fytyra të zbrazëta
të barutit të përhershëm dhe fantazma
pa emër, errësira
të fshehura, ato që nuk dolën kurrë
nga shtrati yt i rrënojave, të gjithë të presin
për të kaluar natën.
I mbushin korridoret si alga të korruptuara.
Ata janë tanët, ata ishin mishi
ynë, shëndeti ynë, paqja
jonë e farkëtarëve, oqeani ynë
i ajrit dhe i mushkërive. Nëpërmjet tyre
lulëzuan tokat e thata. Tani, përtej tokës,
substanca e fakteve
e shkatërruar, lëndë e vrarë, miell i vdekur,
ata të presin ty në ferrin tënd.
Ndërsa frika ose dhimbja e mprehtë janë konsumuar,
nuk të pret ty as frika, as dhimbja. I vetëm dhe i mallkuar.
I vetëm dhe zgjuar je mes të gjithë të vdekurve,
dhe lere që gjaku të bjerë mbi ty si shi,
dhe që një lumë torturues me sy të prerë
kanë shkitur dhe po bëjnë ecejake duke të kqyrë pa fund.