January 30, 2026
“Utopia zvicerane në zemër të Indisë.” Me këtë titull mediat i bënë jehonë këto ditë një qyteti indian njëherësh një mrekulli që i ka rrënjët larg në kohë dhe në hapësirë, një ekzotikë “në tokën e kuqe të nënkontinentit aziatik”. Lahora, kryeqyteti i deriatëhershëm i provincës Punjab (Panxhab) me rikonfigurimin e pasluftës, kishte mbetur në Pakistan. Dikush vendosi që kryqyteti i ri nuk do të dukej sikur të kishte mbirë në tokën bujqësore pas asnjë ndërtesë, por sikur të kishte pikuar nga qielli për t’u ngulur atje përgjithmonë.
Është vitit 1950 kur hyn në skenë Le Corbusier. Qeveria indiane i kërkon atij të skicojë një qytet i cili të buronte krejtësisht nga mendja e tij, drejtpërdrejt nga tryeza e tij e vizatimit, një qytet me themele në tokë dhe me flatra në qiell, i ndërtuar mbi parimet e tij: rregull, dritë dhe hapësirë. Ky do të ishte Chandigarh, “Qytet Kopshti” i projektuar për gjysmë milioni banorë. Do të ishte një qytet i ndarë në sektorë, secili i vetëmjaftueshëm, me shkolla, parqe, tregje dhe vende adhurimi. Do të ishte një kontrast i skajshëm ndaj të gjitha qyteteve të tjera të Indisë. Ato të rrëmujshme, të ngatërruara, prozaike, të zhurmshme. Ai një qytet me hapësira të gjelbra, shtigje biçikletash dhe trotuare të gjera, diçka e papërfytyrueshme në Indi ku kalimi i rrugës është njëfarë akrobacie.
Kompleksi i Kapitolit, shkruajnë mediat, tash një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është zemra simbolike e qytetit, me Gjykatën e Lartë, Ndërtesën e Asamblesë dhe Sekretariatin: tre monolite betoni të papërpunuar që mishërojnë poetikën e vrazhdë të Le Corbusier. Në kohën e tijj, projekti ishte një sfidë herkuliane: fonde të kufizuara, logjistikë primitive, një klimë armiqësore. Nga këto vështirësi, gjithsesi, lindi një nga komplekset më me ndikim moderniste të shekullit XX. Është një pikëtakim i rregullit të përpikët zviceran me shpirtin e pamasë indian, përpiqen të përkufizojnë mediat.
Përpara se të nxirrte nga truri këtë mrekulli të radhës, gjeniu zviceran i arkitekturës dhe urbanistikës, Le Corbusier, e kishte magjepsur krejt planetin.
Para disa vitesh, me kolegë të APES (Shoqata e Gazetarëve të Huaj në Zvicër dhe Lihtenshtajn) ne kemi qenë në shtëpitë që mbajnë firmat e para të hedhura në arkitekturë nga Le Corbusier, në La Chaux-de-Fonds (La Shodëfo’) një qytet në kantonin Neuchâtel (Nojshatel) të Zvicrës, ku më 6 tetor 1887 lindi Charles-Édouard Jeanneret. Shtëpitë janë ndërtime alpine, si ato në veri të Shqipërisë, të pandara nga natyra, veçse, ndryshe nga ndërtimet tona, ato kanë shumë shkallë të brendshme, kanë shumë dritë. Dhe kanë një funksionalitet skajshmërisht të përpikët.
Vitet 1905-1914 do të karakterizohen nga udhëtimet e shpeshta në Gadishullin Apenin, në Ballkan, në Evropën Qendore. Do të takonte gjatë këtyre udhëtimeve piktorët dhe arkitektët më të mirë të kohës. Dhe do t’i mbushte blloqet e tij të shënimeve me vizatime nga ndërtesat më karakteristike të atyre rajoneve të kontinentit.
Në vitin 1912, ai filloi projektin e tij më ambicioz të deriatëhershëm: një shtëpi të re për prindërit e tij, gjithashtu të vendosur në shpatin e pyllëzuar të kodrës pranë La-Chaux-de-Fonds. Shtëpia ishte më e madhe se të tjerat dhe në një stil më inovativ; rrafshet horizontale kontrastonin në mënyrë dramatike me shpatet e pjerrëta alpine, ndërsa muret e bardha dhe mungesa e dekorimit ishin në kontrast të mprehtë me ndërtesat e tjera në shpatin e kodrës. Hapësirat e brendshme ishin të organizuara rreth katër shtyllave të sallonit në qendër, duke parashikuar mjediset e hapura të brendshme që ai do të zhvillonte më tej në ndërtesat e tij të mëvonshme. Projekti ishte më i kushtueshëm për t’u ndërtuar nga sa imagjinonte ai; prindërit e tij u detyruan të largoheshin nga shtëpia hëpërhë dhe të zhvendoseshin në një shtëpi më modeste. Megjithatë, kjo çoi në një porosi për të ndërtuar një vilë edhe më imponuese në fshatin e afërt Le Locle për një prodhues të pasur orësh, Georges Favre-Jacot. Le Corbusier e projektoi shtëpinë e re në më pak se një muaj. Ndërtesa u projektua me kujdes që t’i përshtatej vendndodhjes së saj në shpatin e kodrës, dhe plani i brendshëm ishte i gjerë dhe i projektuar rreth një oborri për dritë maksimale, një ndryshim i rëndësishëm nga shtëpia tradicionale. Kjo ishte porosia e parë që ai merrte si arkitekt. Dhe do t’iu paraprinte porosive të panumërta gati anembanë planetit.
Emrin e artit e mori më vonë nga të parët e tij të ardhur nga Belgjika me mbiemrin Lecorbésier. Fati i tij duhej të ishte i lidhur me industrinë e orëve, një traditë e zonës ku ishte lindur dhe rritur. Vetë babai i tij ishte zejtar që smaltonte kuti dhe orë dore. Do të ishte një përjashtim gjenial: duke mos bërë shkollë për arkitekturën do të bëhej vetë shkollë e arkitekturës. Meqë tërhiqej nga artet pamore, babai e çoi në shkollën komunale të artit në La-Chaux-de-Fonds, e cila mësonte artet e aplikuara të lidhura me prodhimin e orëve. Babai e çonte shpesh në malet përreth qytetit. Ai shkroi më vonë, “ne ishim vazhdimisht në majat e maleve; u mësuam me një horizont të gjerë”. Tre vjet më vonë ai ndoqi kursin e lartë të dekorimit, të themeluar nga piktori Charles L’Eplattenier, i cili kishte studiuar në Budapest dhe Paris. Le Corbusier shkroi më vonë se L’Eplattenier e kishte bërë atë “një njeri të pyllit” dhe e kishte mësuar për pikturën nga natyra. Ai pranoi më vonë se ishte L’Eplattenier ai që e bëri të zgjidhte arkitekturën. “Kisha një tmerr për arkitekturën dhe arkitektët,” shkroi ai. “…Isha gjashtëmbëdhjetë vjeç, e pranova vendimin dhe iu binda. U futa në arkitekturë.” Mësuesi i tij i arkitekturës ishte arkitekti René Chapallaz, i cili pati një ndikim të madh në projektet e para të shtëpive të Le Corbusier. Do të ishte një karrierë që do të zgjaste rreth pesë dekada, me një veprimtari krijuese që do të shtrihej në Evropë, Azinë Jugore, në Amerikën e Veriut dhe në Amerikën e Jugut. Më 2016, shtatëmbëdhjetë nga ndërtesat e Le Corbusier në shtatë vende të ndryshme u njohën si Trashëgimi Botërore e Mbrojtur UNESCO, si shprehje e “kontributit të jashtëzakonshëm të Lëvizjen Moderne”
Krijimet e përzgjedhura të Le Corbusierit, pasqyrojnë kontributet e tij për Lëvizjen Moderne që doli pas Luftës së Parë Botërore me një theks mbi funksionalitetin, linjat e guximshme dhe materialeve siç janë betoni, hekuri e qelqi.
Komiteti ka përfshirë 17 lokalitete në shtatë shtete – përfshirë Francën, Zvicrën, Belgjikën, Gjermaninë, Argjentinën, Japoninë dhe Indinë – për të treguar arritjet globale të punës së Charles-Edouard Jeanneret-Gris, që më mirë njihet si Le Corbusier.
Pallati i Asambelës së Kandigarh
CHANDIGARH, KRYEVEPRA MË E ZËSHME E LE CORBUSIER
Qysh prej planifikimit mjeshtëror modernist që i kishte bërë Chandigarhit në veri të Indisë, e deri në Paris, që ai ëndërronte ta realizonte si qytet më racional, Le Corbusier asnjëherë nuk kishte frikë që të mendonte projekte të mëdha. Ai ka lënë gjurmët më të mëdha në Francë, ku ndodhen jo më pak se 10 nga gjithsej 17 projekte që ka klasifikuar UNESCO për t’i mbrojtur si lokalitete të trashëgimisë botërore.
Mes tyre është edhe kryevepra “La Cite Radieuse” që ndodhet në Marseille, po ashtu edhe Manastiri Dominikan “La Tourette” në afërsi të Lyonit dhe “La Villa Savoye” që ndodhet në afërsi të Parisit.
La Cité radieuse është prototipi i një habitati të ri shoqëror të imagjinuar nga arkitekti dhe urbanisti zviceran. Një nga ndërtimet më të diskutueshme në Marsejë, është bërë gjithashtu një nga më emblematikët. I regjistruar si një qendër e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Cité radieuse u ndërtua midis viteve 1947 dhe 1952. A përmban 337 apartamente të 23 llojeve të ndryshme.
Armët me të cilat do të fitonte betejat në arkitekturë dhe urbanizëm do t’ia jepte pikërisht qyteti i lindjes. I vendosur në malet Jura, 5 kilometra (3.1 milje) përtej kufirit nga Franca, shënojnë burimet enciklopedike, La Chaux-de-Fonds ishte një qytet në lulëzim në zemër të Luginës së Orës. Kultura e tij u ndikua nga Loge L’Amitié, një lozhë masonike që mbështeste idetë morale, sociale dhe filozofike të simbolizuara nga këndi i drejtë (drejtësia) dhe busulla (saktësia).
Më vonë, Le Corbusier do t’i përshkruante këto si “udhëzuesi im, zgjedhja ime” dhe si “ide të nderuara nga koha, të ngulitura dhe të rrënjosura thellë në intelekt, si hyrje nga një katekizëm”.
Më 1917 vendoset përfundimisht në Paris. Thellon karrierën në arkitekturë në partneritet me kushëririn Pierre Jeanneret, pastaj edhe me piktorin kubist Amédée Ozenfant, shpirtin binjak. Hedhin poshtë kubizmin si iracional dhe romantik dhe publikuan manifestin “Pas kubizmit”, duke themeluar lëvizjen e re artistike, purizmin. Filluan të shpalosin vizionet e tyre në gazetën e re të kohës L’Esprit Nouveau. Në numrin e parë të gazetës, më 1920, përdori për herë të parë pseudonimin Le Corbusier, sipas parimit të tij se çdokush duhet ta rishpikë vetveten. Me kolegë nga më të talentuarit e kohës themelon Unionin e Artistëve Modernë. Përgatitjen teorike të atyre viteve e shpalos në shumë modele ndërtimesh moderne në Paris.
Në gazetën L’Esprit Nouveau dhe në librin “Vers une architecture”, të përgatitur gjatë viteve ’20, ai paraqet pesë parimet e tij për arkitekturën. 1. Kolonat. Në vend të themeleve primitive, mbi të cilat mbështeteshin muret ndarëse, kolonat prej ferrobetoni mundësojnë ngritjen e ngrehinave mbi tokë, duke shmangur lagështirën e dheut dhe duke lejuar hyrjen e dritës dhe të ajrit. Hapësira poshtë katit të parë dhe ajo mbi çati mbushen me gjelbërim. 2. Çatitë kopsht. Një çati e sheshtë kërkon kryesisht një përdorim logjik banimi: çati tarracë, çati kopsht me lule, shkurre, pemë dhe lëndina. 3. Rrafshet e lira, ku muret mbajtëse zëvendësohen nga membrana të ngurta. Kjo siguron, ndër të tjera përdorimin rigoroz të çdo centimetri katror. 4. Dritaret e Gjata me format e tyre drejtkëndëshe lejojnë hyrjen e dritës dhe ajrit të bollshëm. Ato mund të shtrihen nga njëri skaj i fasadës në tjetrin. Kjo revolucionarizoi historinë e dritareve. 5. Fasada e Lirë. Meqenëse ndërtesa mbështetet nga kolona në pjesën e brendshme, fasada mund të jetë shumë më e lehtë dhe më e hapur ose e bërë tërësisht prej qelqi. Nuk ka nevojë për arkitra ose struktura të tjera rreth dritareve.
Chandi (Kandi) vjen nga skanskritishtja dhe do të thotë “e ashpër”, “e tmerrshme”. Për të ka legjenda të panumërta në Indi, në Bangladesh, në Indonezi dhe gjithandej Azisë Jugore. Njëra nga më të famshmet tregon: “Perëndesha e madhe lindi nga energjitë e hyjnive mashkullore kur devat u bënë të pafuqishme në betejën e gjatë me asurat (demonët gjysmëperëndi më të fuqishëm të deriatëhershëm, shënimi ynë). Të gjitha energjitë e Perëndive u bashkuan dhe u bënë supernova, duke hedhur flakë në të gjitha drejtimet. Pastaj ajo dritë unike, që përshkon Tri Botët me shkëlqimin e saj, u kombinua në një dhe ajo mori një formë femërore. Perëndesha me tre sy ishte e zbukuruar me gjysmëhënë. Krahët e saj të shumtë mbanin armë dhe emblema të mbara. Ajo mbante xhevahire dhe veshje të çmuara të ofruara nga perënditë. Me trupin e saj të artë që shkëlqen me ndriçimin e një mijë diejve, e ulur në karrocën e saj, Kandi është një nga personifikimet më spektakolare të energjisë Kozmike.” Në Bengal nga shekulli i 13 deri në fillim të shekullit të 19 janë shkruar një numër poezish dhe kompozimesh letrare në gjuhën bengalisht të quajtura Chandi Mangala Kavyas. Chandi shoqërohet me fat të mirë. Format e saj të mbara si Mangal Chandi, Sankat Mangal Chandi, Rana Chandi dhurojnë gëzim, pasuri, fëmijë, gjueti të mirë dhe fitore në beteja, ndërsa forma të tjera si Olai Chandi kurojnë sëmundje si kolera, murtaja dhe sëmundjet e bagëtive.
Këto janë pothuajse të gjitha perëndesha fshati dhe fisnore, me emrin e fshatit ose fisit që i shtohet emrit Chandi. Më e rëndësishmja nga këto perëndesha është Mongol Chandi, e cila adhurohet në të gjithë shtetin dhe gjithashtu në Assam. Këtu fjala “mongol” do të thotë e mbarë ose mirëdashëse.
Chandigarh është kryevepra më e zëshme e Le Corbusier. Dhe Zvicra nuk mund ta nxirrte atë nga vëmendja. Në kartëmonedhën e vjetër zvicerane 10 franga, në pjesën e pasme, pranë fytyrës së Le Corbusier, shfaqet një pjesë e fasadës së Pallatit të Asamblesë. Kjo është, shënojnë mediat, një fragment i Chandigarh-ut i shtypur në një kartëmonedhë zvicerane, një urë simbolike midis dy botëve që nuk mund të ishin më larg njëra-tjetrës. Projekti Chandigarh shënoi një epokë të re të arkitekturës moderne në Azinë Jugore. Duke ecur përgjatë rrugëve të saj të rrethuara me pemë, kujtojnë ata që e kanë vizituar këtë qytet, krijohet ndjesia se utopia e Le Corbusier është ende aty, e pezulluar, e papërfunduar, sikur të presë dikë që është i gatshëm ta marrë seriozisht. Ndoshta Chandigarh, pra, nuk është qyteti i përkryer që Le Corbusier imagjinoi. Por është një qytet i guximit artistik të njërit prej arkitektëve dhe urbanistëve më të famshëm të kohërave. Dhe në një botë ku qytetet rriten me akumulim, jo me vizion, ky guxim mjafton për ta bërë atë unik. Një utopi, sipas tyre, që na tregon se çfarë mund të jetë një qytet, kur e imagjinon vërtet.
Perëndesha indiane Kandi
SHTATË ARKITEKTËT MË TË MËDHENJ ZVICERANË DHE RREZATIMI I TYRE NË BOTË
Le Corbusier (6 tetor 1887- 27 gusht 1965), i njohur edhe me epitetin “Shkencëtari” është sinonim i arkitekturës zvicerane, figurë qendrore e modernizmit, lëvizje arkitetektonike minimaliste, funksionale, ku mbretërojnë hekuri, çeliku, betoni dhe qelqi. Ai synoi të zbatonte metoda të inxhinierisë në arkitekturë. Është një ndër revolucionarizuesit më të mëdhenj të arkitekturës dhe urbanistikës botërore. Ndikimi i tij është i dukshëm edhe sot. “Le Corbusier është në ëndrrat dhe makthet e të gjithë arkitektëve,” pohon arkitekti Nicola Barghieri, profesor në Universitetin Politeknik të Lozanës. Barghieri, me të drejtë, e krahason rolin e arkitektëve të mëdhenj të Zvicrës me rolin e perandorëve të modës së lartë të Italisë. Klima që Zvicra iu krijon arkitektëve, vijon ai, është unike në botë.
Bernard Tschumi (Lozanë, 1944), i njohur edhe me epitetin ” I paklasifikueshmi” për shkak të shumanshmërisë së tij, vlerësohet se parapëlqen ndërtimet e gjalla, të frymëzuar nga bota e kinemasë, shumë larg racionalitetit të modernizmit. Përpara se të merrej me Parc de la Villette në Paris në vitin 1983, Bernard Tschumi njihej kryesisht si teoricien. Dashuria e tij për artin e shtatë reflektohet në parkun parizien, i përshkuar nga një “shëtitore kinematografike” 3 kilometrash, shtegu i të cilit gjarpëron përmes kopshteve me tema dhe i ngjan një bobine filmi të shpalosur dhe të shpërndarë në tokë. Që atëherë, Bernard Tschumi ka projektuar shumë projekte të tjera të rëndësishme në të gjithë botën, siç është Kulla Blu, në Nju Jork (2007), kulla e tij e parë rezidenciale, ose Muzeu i Akropolit në Athinë (2009).
Herzog dhe de Meuron (1950/1950), që mbajnë epitetin “Faraonët” kanë autorësinë e Stadiumit Olimpik të Pekinit (2008), i njohur si “Foleja e Zogut” për strukturën e tij dalluese prej çeliku, ashtu si edhe Salla Filarmonike e Hamburgut (2017), një simbol i ri i qytetit gjerman, kostoja e tepruar e të cilit krahasohet vetëm me madhështinë e tij. Herzog dhe de Meuron janë realizues projektesh luksoze. Jacques Herzog (Bazel, 1950) dhe Pierre de Meuron (Bazel, 1950), dy miq fëmijërie që studiuan së bashku në ETH Zurich, më 1978 themeluan në Bazel firmën e tyre. Si eksperimentues të vërtetë, ata kënaqen duke testuar materiale të reja dhe duke zgjidhur probleme komplekse për të krijuar projekte ekstravagante. Në vitin 2001, ata morën Çmimin Pritzker, nderi më i lartë në arkitekturë.
Peter Zumthor nga Bazeli (1943), me epitetin poeti, së bashku me Herzog dhe de Meuron është arkitekti i tretë zviceran që fiton Çmimin Pritzker. “Ndërtesat e Peter Zumthor kanë një ndikim të fortë dhe të përjetshëm”, deklaroi filantropi Thomas Pritzker kur dorëzoi çmimin më 2009. “Zumthor di si ta kombinojë mendimin e qartë dhe rigoroz me një dimension autentikisht poetik.”
Roger Diener (Bazel, 1950), i njohur edhe me epitetin Diskreti- të matura dhe elegante, ndërtesat e tij në shikim të parë mund të duken të rëndomta. Në të vërtetë, arkitekti i Bazelit përpiqet për thjeshtësi dhe intimitet. “Ajo që duam është të krijojmë një korrelacion midis ndërtesës dhe kohezionit shoqëror të qytetit”, shkruan Roger Diener në faqen e internetit të firmës Diener & Diener, e themeluar nga babai i tij, Marcus, në vitin 1942, të cilës ai iu bashkua në vitin 1976, menjëherë pas diplomimit në ETH Zurich. Në vitin 1999, Roger Diener, së bashku me Jacques Herzog, Marcel Meili dhe Pierre de Meuron, themeluan Studio Basel, një institut kërkimor urban i lidhur me ETH Zurich.
Mario Botta (Mendrisio, 1943), i njohur me epitetin Utopisti, është përfaqësuesi më i shquar i “Shkollës së Tiçino”, së bashku me Luigi Snozzi, Aurelio Galfetti dhe Livio Vacchini, të gjithë arkitektë të njohur ndërkombëtarisht. Mario Botta ndan jo vetëm firmën e përbashkët me ta, por edhe “një marrëdhënie të privilegjuar me gjeografinë e vendeve ku janë ndërtuar veprat e tyre arkitekturore”, siç tha ai për swissinfo.ch. Në intervistë, ai e përshkruan Zvicrën italishtfolëse si “një krijim arkitektonik në vetvete”, me trupat e saj ujorë “që formojnë themelin horizontal mbi të cilin shartohet vertikaliteti i luginave dhe maleve”. Botta, i cili punoi së bashku me Le Corbusier, është një nga themeluesit e Akademisë së Arkitekturës në Mendrisio, qytetin e tij të lindjes, dhe ka përfunduar më shumë se 600 projekte në të gjithë botën, përfshirë Muzeun e Artit Modern në San Francisko (1995).
Në shtator të vitit 2017, me kolegë të APES, në kuadrin e një prej udhëtimeve tona të punës në Tiçino, ne vizituam Monte Generoso (Malin Bujar), ku u takuam nga afër me një nga kryeveprat arkitekturore të Mario Bottas. Në lartësinë 1705 metra mbi nivelin e detit ndodhet kulla e ngritur në një nga pikat më piktoreske jo vetëm në Zvicër, por edhe në botë, e konceptuar si Fiore di Pietra, Lule e Gurit, kulla është një ndërtesë tetëkëndëshe e përbërë nga tetë “petale”. Tetë “petalet” janë prej gurësh gri. Në pesë katet e kullës ka dalje nga të gjitha anët tek dritaret e gjera që përshkojnë gjithë katet. Ndihet dukshëm ndikimi i mjeshtrit të tij Le Crobusier. Në mjediset e brendshme ndodhet restauranti, një tjetër restaurant self-service, të dyja me kapacitet për 120 vetë, salla e konferencave e të tjera ndërsa pjesa e posaçme është tarraca në majë të ndërtesës nga mund të kundrosh nga të gjitha anët panoramat, duke të krijuar ndjesinë se je në avion dhe me dorë mund të prekësh qiellin. Arkitekti Mario Botta e konsideronte realizimin e këtij projekti që ka kushtuar 25 milionë franga zvicerane si një kthim në zanafillën e tij. Kur ai ishte i ri dhe me miqtë e tij organizonin shpesh udhëtime aventurore duke i kaluar ditët dhe netët e verës në këto lartësi. Që atëherë brenda tij rritej dëshira që të bënte diçka për të rinjtë e vendlindjes. Ne patëm fatin që metaforën e Lules së Gurtë të na e zbërthente i biri i arkitetit Mario Botta, Tobias Botta, edhe ky arkitekt, tejet i pasionuar dhe i dashuruar pas veprës së babait.

