Gazeta Nacional Albania

GJERGJ FISHTA: GJUHA SHQIPE, POEZI

Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik’ mâ para,
n’agim t’jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s’pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t’drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n’za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!

SHQYPNISË

T’falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!
I lum njimend jam un n’gji tand tue rrnue,
Tue gzue t’pamt tand, tue t’hjekë atë ajr t’kullue
Si Leka i Madhi e Skandërbegu i biri
Kje i Lumi vetë, qi mue m’dërgo ksi hiri
Për nën qiellë tande t’kthielltë un me u përftue.
Malet e hjedhta e t’blerta me shikjue,
Ku Shqypnija e Burrit s’dron se i qaset niri.
Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana
E armvet n’za, qi shndrisin duert e t’lumit,
Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:
Eden n’Balkan ti je; ti prej t’Amshumit.

28 NANDUER 1913

Oj Zanë, t’këndojm… t’vajtojm, deshta me thanë;
Pse sot ditë kangët s’asht për mue e tye.
Po ç’gzim kjo ditë ne mundet me na dhanë,
Kur, qe; mbas nji motmoti q’iu pëlqye
Europës shqiptarin zot n’shpi t’vet me lanë
E kujt pose Hyut, n’këtë jetë mos me i shërbye,
Shqiptari i ndam’ prap me vedvedi gjindet
E shk’asht ma zi, prej vedit edhe s’bindet…
………………………………………………………………….
Flamuri kombtar nuk ka ç’ka ban nder ne,
Po kje se dashtni nuk kem’ për Atdhe!
E, drue dashtni për Atdhe nuk ka shqiptari;
Me gjasë, s’çan krye shqiptari për komb t’vet,
As për at gjuhë të ambël qi i la i Pari,
As pse Shqipnia n’vedi u ba sot shtet;
Pse e shoh se veç atje ku xhixhllon ari
Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget,
Si Krishtin shiti Juda Iskarjot,
Drue Adheu ndër ne po shitet për një zallotë…
A thue mos fola keq?… Po lypi t’falun,
Përse ktu vetë me fue nuk due kërkëndin,
E pse asht mirë fjalën n’zemër t’fryt m’e ndalue,
Por ai, qi të liruem me e pasë s’don vendin,
A prej së tjerëve s’don me ia lshue rendin
A thue ai s’asht Judë? Po, kambë e krye Iskariota!,
E pra kso nipash ka edhe shum Kastriota…
E po për ata qi detyrë e nder harrue,
Qi marrë e turp kaherë flakërues mbas shpinet,
M’visar t’Atdheut me t’huej shkojn tue tregue
Kush ndyet mbas Frankut rrejtë, kush mbas stërlinet
Kush pse dinari tepër i ash lakmue.
E Atdheun’ prej t’huejsh me e qitun duen bashtinët,
Thue edhe për ta ndokuj do t’i vijë çuda,
Kur them se nuk janë tjetër veçse Juda?…
Po, Juda janë e gjinde janë tradhtarë.
Mori
M’kamë kryekungujt prej si u vunë,
Duel padija n’krye të vendit;
Njerzt e kënuen u poshtnune,
Metën t’urtit jashtë kuvendit.
Duel me faqe t’bardhë trathtari,
Shpirt e fis qi ka kuletën;
U ndëshkue pa dhimë Shqyptari,
Qi për fis nep gjan e jetën.
Shqynis zani atbotë i humi,
T’huejt mi qafë i a vunë themrën,
E e mloj skami, terri e gjumi,
Djelmt e vet i a lnurën zemrën.
E Shqyptarët jo veç s’e nisen
Për kto punë përjashta Momin.
Por ma fort, medje, e konisen.
Msue gjithmonë me ndërue llomin…
E njikshtu, qitash, njaj i cilli
S’e la mrendë e detit vala,
S’e la ferri, toka e qilli,
N’ Shqypni majet porsi njala.

SHQYPNIA

Edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !
Fusha t’ gjâna e kodra t’ blera,
Zijes s’ mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t’ vet ktû i veshë Prendvera,
Si t’ Parrizit t’ larmet shtroja.
Nën nji qiellë përherë t’ kullueme,
N’ rreze e n’ dritë përshkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n’ ajrí.
Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t’ kjarta e t’ cemta gurra,
Tue rrëmbye npër mriza hale,
Gurgullojn npër râjë e curra.
Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande’ ata djelm si Zâna,
Armët e t’ cillvet, përherë besnike,
Janë përmendë ndër fise t’ tana.
Atje léjn, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n’ flakë t’ nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.
Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rijtun gjakut kah çeliku
N’ dorë t’ ktij shndritë për vend t’ të Parit.
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’ turr t’ Shqyptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
Lume e shé para atij ngelin,
I a lshojn udhën dete e male;
Mbretënt fjalën s’ mund t’ i a shkelin,
Turrin ferri s’ mund t’ i a ndalë.
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.
Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
Qi zanát ka besë e fé,
Për Lirí, për fron të Mbretit
Me dhânë jetën ka bâ bé.
Sy për sy, po, kqyr anmikun;
Përse djemt, qi ti ke ushqyue,
S’ i ka pá, jo, kush tue hikun:
Friga e dekës kurr s’ i ka thye,
Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perëndija t’ fali i Amshueshëm,
Sá ‘dhe deka âsht për tý e shieshme:
N’ gjí t’ and vorri âsht i lakmueshëm.
Po, edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.