Gazeta Nacional Albania

Gjon Neçaj: I VRARË, MBASE JO I VDEKUR… poezi

1.VAJZAT E FSHATIT TIM

Në sytë e shkruar u rrezon rrezja e dielli,
Ne flokët e lëshuar tufalakët e ahave në Kaki.
Kur qeshin,
qukat në faqe kuqlojnë si petalet e shebojës;
Buzët e tyre kokrra bojliash në majë të qershive.
Shpesh djemtë hutohen dhe nuk i hanë bojliat,
Ndonëse gjithë diten mrizojnë bjeshkëve të vendlindjes.

2.I VRARË, MBASE JO I VDEKUR…

Unë, Robinson i vetmuar mbeta,
Në jetën e pasosur të këtij fillimshekulli;
Ndonëse në metastazat kanceroze të njerëzimit,
Kam klithur me gjithë forcën shpirtërore prej njeriu,
Nëpër katakombet e çjerra dhe marramendëse të mjerimit…
Kur linda, isha i varë dhe zemrën e kisha të copëtuar,
( ndonëse e dhimbshme, sapo kish filluar të rrahin),
Doçkat e vogla ngrita përpjetë drej qiellit, drejt Zotit,
Për të qenë i përjetshëm në këtë shekull të vetmuar.
E përpara se të mësoj për të folur,
Recitova pjesët e Ungjillit dhe kujtova Krishtin e kryqëzuar,
“ Në këtë shekull plot me lot”,
Vajtova në thellësitë e shpirtit,
Po zemra, e mjera zemër,
rrihte papushuar në gjoksin e njomë vazhdimisht kot…
Që kur linda, pra i vrarë në zemër isha,
por i vdekur nuk isha kurrësesi;
se doja të jetoja,
e në brendësinë e shpirti fëminor
të jetoja me shpresë, me fjalët përpëlitëse,
posi, posi…

3.TE GURRA E KROIT

( motiv popullor )

Në burimin e akullt bora e janarit,
Lëshonte flokëzat mbi gërshetin e zi.
Delet çobanit të bardha si bora,
I shkonin prapa ujë për të pi.

Çika bucelën mbushte nën gurrë,
Delet pinin në lugjet ujëborë;
Çobanit në fytyrë iu zbardhte një nur,
Kur shihte te burimi një lulemollë.

Dhe lëng i shkonte çobanit nga goja,
Natyra i bëhej gusht a shtator;
Kish droje të kafshonte dy kokrra molla,
Ose të paktën t’i prekte me dorë.

4.QERPIK I PËRLOTUR

( në kujtim të prindërve të mi )

Dielli lëshoi rrezet
mbi kullën time
Në Mserr.
Visari akoma flinte…
Syri i diellit rrezatonte
mespërmes një reje.
Unë sapo isha zgjuar,
e në vegimet e fëmijërisë,
prindërit e mi kërkoja
rreth e rrotull.
Qerpiku im,
i njomë, i përlotur…

5.ZHGËNJIM

Edhe pse lindëm ( siç mendon njerëzia ),
për të qenë të përjetshëm,
vdekja na sillet si fantazmë çdo ditë
pranë vetes.
Kjo poezi ( pa poezi !) për mua
e të gjithë,
Qoftë gënjeshtër !…

6.S’JE MË…

Puthje e ëmbël që vjen natës gënjeshtare,
Puthje e ëmbël prej ëndrrës e gatuar,
Puthje që të shijoj deri në mëngjes,
Pastaj më tretesh e më len të vetmuar.

7. KAM LEJE…

Kam leje për të shkruar poezi,
Kam leje për t’u mahit me djalin tim,
Kam leje për të dashuruar.
Jeta është për t’u jetuar.

8.ÇBURRËRIM I VONË

Termopile në jetën me standarte absurde,
Miklojmë vitet e sotme moderne;
Ne, bijtë e Jezusit të murosur në kryq
Tash dymijë vjet.
Edhe sa mijëvjeçarë
Na duhen për t’u çburrëruar.