Gazeta Nacional Albania

Grupe serbësh vendosën bllokada të reja në rrugët e veriut të Kosovës

Grupe serbësh vendosën bllokada të reja në rrugët e veriut të Kosovës, mes tensioneve të larta, ndërsa Serbia tha se ka vënë në “gjendje të gatishmërisë ushtarake” trupat e saj të sigurisë afër kufirit me Kosovën, me gjithë thirrjet e NATO-s dhe diplomatëve perëndimorë për uljen e tensioneve.

Policia e Kosovës tha se “gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes” në zonë.

Bllokadat e reja u vendosën pak pasi ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratislav Gashiç tha se “urdhëroi gatishmërinë e plotë luftarake” të policisë dhe njësive të tjera të sigurisë dhe që ato të vihen nën komandën e shefit të shtabit të ushtrisë sipas “planit operacional”.

Ministri serb tha se ka vepruar sipas urdhrave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç në mënyrë që “të merren të gjitha masat për të mbrojtur popullin serb në Kosovë”.

Beogradi tha se veprimet e tij pasuan vendimin e Kosovës për të ngritur gjendjen e gatishmërisë ushtarake.

Por autoritetet në Kosovë i mohuan njoftimet e tilla.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha të martën se “deklarimet që Republika e Kosovës ka ngritur gjendje gatishmërie janë tërësisht të pavërteta dhe janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi- Rusi. Është pikërisht Serbia e ndikuar nga Rusia ajo që ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake, po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë”.

Ministri Sveçla tha se Kosova nuk është e interesuar për luftë dhe institucionet e saj janë në bashkërendim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar “që kjo çështje të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm. Ky fakt dukshëm po i pengon Serbisë e cila po angazhohet maksimalisht që barrikadat të prodhojnë qoftë edhe viktima në njerëz dhe kjo dëshmohet nga sulmet e njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor, pjesëtarëve të EULEX e së fundmi edhe ndaj KFOR-it”.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë thanë të hënën se janë duke hetuar një incident me të shtëna me armë zjarri afër një patrulle të KFOR-it në komunën e Zubin Potokut në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, ku që nga dhjetë dhjetori rrugët po mbahen të bllokuara nga grupe qytetarësh serbë.

Në një komunikatë të misionit të KFOR-it thuhej se nuk pati të lënduar apo dëme materiale dhe po punohet për ndriçimin e të gjitha fakteve.

“Meqë janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve, është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën”, thuhet në komunikatë, në të cilën theksohet se KFOR-i pret “që të gjithë të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve”.

LEXONI EDHE KËTË
NATO-ja po heton incidentin me të shtëna afër trupave të saj në veriun e Kosovës
Ministri i mbrojtjes i Serbisë dhe shefi i shtabit të ushtrisë udhëtuan drejt kufirit me Kosovën, duke lavdëruar gatishmërinë luftarake të trupave serbe dhe fuqinë e tyre përfshirë artilerinë dhe pajisje të tjera ushtarake.

Serbia, e cila është armatosur përmes dhurimeve dhe blerjeve nga Rusia ka kërcënuar dhe kërcënon më forcë kundër Kosovës, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë, ndërsa përpjekjet perëndimore për të ndërmjetësuar një zgjidhje që do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve nuk kanë pasur sukses.

Frika nga dhuna është rritur që nga fillimi i agresionit të Rusisë në Ukrainë. Serbia është i vetmi vend evropian që nuk i ka vënë sanksione Moskës dhe llogaritë në mbështetjen e saj për pretendimet serbe ndaj Kosovës, shtetësinë e së cilës e kanë njohur Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

Grupe serbësh bllokuan rrugët në veriun e Kosovës në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish pjesëtari të policisë nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve.

Qeveria e Kosovës tha se ka kërkuar nga forcat paqeruajtëse të NATO-s që të zhbllokojnë rrugët në zonë.

*Pjesë të këtij materiali janë marrë nga agjencia e lajmeve Associated Press

Marre nga zeri i amerikes