Gazeta Nacional Albania

HALIL RAMA: Ekzaminimi i diktaturës në romanin “Doktoresha” të Flamur Buçpapajt

Shkodra, metropoli i Shqipërisë së Veriut, e cilësuar nga personalitete kombëtare e ndërkombëtare si “djepi i kulturës shqiptare”, pasi këtu arti dhe kultura kanë shtëpinë e vet, do të ishte frymëzimi i shkrimtarit Flamur Buçpapaj për romanin e tij të ri, “Doktoresha”. Pikërisht nga ky qytet, i njohur për qëndresën antikomuniste, ku kaloi një pjesë të konsiderueshme të rinisë së tij, autori F. Buçpapaj, si një nga drejtuesit e Lëvizjes Studentore ‘90, do të skedonte ngjarjet dhe personazhet. I fokusuar te gjenocidi i pashembullt që sistemi komunist ushtroi ndaj elitës shkodrane, autori ka skalitur mjeshtërisht profilet e personazheve kryesorë, dy profesorë të diplomuar në Austri dhe vajzën e njërit prej tyre “doktoreshë Zanën”, duke i bërë si askush tjetër autopsinë sistemit të kaluar diktatorial në Shqipëri e duke i dhënë kështu lexuesit një roman mjaft tërheqës.

ELIMINIMI, DENIGRIMI DHE SHPËRFILLJA E ELITËS

Në Shkodër, ku elita intelektuale gjatë regjimit komunist është burgosur dhe pushkatuar, dy profesorët e nderuar Martini dhe Leka, vuajnë brengën e eliminimit e denigrimit të shokëve e miqve të mbetur si dhe shpërfilljen e tyre nga të pashkollët që kishin marrë frenat e pushtetit. Pikërisht nga këtu nis subjekti i këtij romani. Ata janë dy aristokratë që arrijnë t’i mbijetojnë sistemit, falë aftësive të tyre, si të pazëvendësueshëm: Martini në bankën e qytetit dhe Leka, ndër profesorët më të aftë të gjimnazit dhe të institutit dyvjeçar. Autori jep detaje nga takimet e shumta të dy miqve të pandarë që nga fëmijëria, shkollimi, si ish-studentë të shkëlqyer në Graz të Austrisë (Martini për financë dhe Leka për matematikë). Madje, pikërisht nga këto takime ai ndërton dialogë që të mbeten në mendje.

“Ka mbrritur antikrishti… Dhe është mallkimi i Zotit mbi Shqipërinë tonë sa një pëllëmbë… Kush ka mbaruar jashtë, ose dënohet, ose internohet. Këta i përmbysën të gjitha dhe tani jemi kolektiv. S’ka fe, familje, atdhe… Këta janë masonë, janë vëllazëri ujqërish…”. Këto janë në thelb bisedat që zhvillohen në fshehtësi mes dy profesorëve, që autori i vendos nëpër kafene të ndryshme të Shkodrës, për t’iu ruajtur zbulimit nga ish-Sigurimi. Është koha kur janë dënuar me pushkatime e burgim priftërinjtë e Shkodrës dhe i njëjti fat i priste edhe ata që zbuloheshin ose etiketoheshin si antiparti. Gjithsesi, gjithkush rreth e rrotull tyre do të habitej me mënyrën e të sjellurit prej aristokratësh. Në këtë kontekst, autori evidenton zakonin aristokrat, sipas të cilit “në Shkodër e pinin kafenë ngadalë dhe duke bërë muhabet, zakon ky i aristokracisë shkodrane, e cila për qytetari kishte emër të mirë, e”. Kësisoj do vepronte edhe Martini që kishte trashëguar shumë prona, toka, dyqane (por që ia konfiskuan) dhe sjelljen dhe moralin e një njeriu të madh me origjinë dhe prejardhje fisnike shkodrane.

Autori ka meritën e përcjelljes te lexuesi të mesazhit se ishin pikërisht të shkolluarit jashtë që ndikuan në ruajtjen e atyre pak institucioneve të domosdoshme edhe për atë sistem, falë aftësive të tyre profesionale. Kështu, Martini, që për t’i shpëtuar ndëshkimit kishte divorcuar dhe përcjellë për në Itali bashkëshorten e parë italiane, do të ishte i vetmi specialist që do të “riparonte” gabimet e pallogaritshme të të pashkollëve të punësuar në Bankën kryesore të qytetit. Ndërkohë nuk do të nguronte që në bashkëbisedimet e fshehta me profesor Lekën të shfaqte pasigurinë: “Se kjo shoqëri e kafshëruar komplet s’do të mbijetojë, sepse do të përhapet më shumë imoraliteti, homoseksualizmi, sëmundjet ngjitëse, tradhtia bashkëshortore, degjenerimi i familjes, e cila shthuret dhe nuk përmban njësinë themelore të shoqërisë, por shthurje totale…”. Ndërsa Leka i prezantohet lexuesit si profesori perfekt, me aftësi të rralla profesionale, që megjithë ndërhyrjet s’toleron te nota as fëmijët e nomenklaturës komuniste.

KOHA KUR LAVAZHI I TRURIT KISHTE MARRË PËRMASA GJIGANDE

Për gjenocidin e pashembullt komunist në Shqipëri janë shkruar disa romane, novela e tregime, por Flamur Buçpapaj ka meritën se artistikisht, si askush tjetër, jep pasojat e pallogaritshme të atij sistemi që solli mjerim dhe varfëri të tejskajshme. Duke përshkruar qartë e bukur në faqet e romanit realitetin e trishtë të afro gjysmëshekulli të sundimit komunist, ai qëllimisht i kundërvë klasës sunduese mendimin progresist të dy profesorëve aristokratë. Ndaj jo pa qëllim ai vë në gojën e tyre argumentin dhe bindjen se “Nuk mund të mbijetojë një ekonomi kaq e vogël, duke u bazuar në forcat e veta, sepse s’ka treg, s’ka ofertë, s’ka para në qarkullim, se fuqia blerëse është shumë e vogël…janë copa kafshësh me dy sy…”. Dhe po në këtë kontekst, me gjuhë të pasur e mjete shprehëse interesante autori evidenton pasojat e pallogaritshme që sollën eksperimentet bajate me kolektivizimin e bujqësisë, arëzat e tufëzat që varfëruan skajshëm fshatarin shqiptar të atyre viteve. Dhe të gjitha këto bëheshin në emër të krijimit të të ashtuquajturit “Njeriu i ri”.

Dështimin e atij sistemi autori e argumenton edhe me infrastrukturën e rëndomtë, ku jo pa qëllim vë në gojën e njërit prej personazheve konkluzionin se: “Ka thuajse njëzet vjet pushtet popullor dhe rrugët e Shkodrës janë krejt gropa. Futu në lagje, të mbyt pisllëku, pallate me punë vullnetare ngrihen si shëmti..”.

Për të qenë sa më bindës në artikulimin e atij realiteti trishtues, autori sjell në vëmendjen e lexuesit në një nga dialogët mes profesorëve, konkluzionin e tyre se: “Njeriun e ri po e rritin të mangët nga truri dhe, kur të vijë koha të udhëheqin këta të rinjtë e sotëm, kush e di se ç’do të bëjnë? Gjynah për Zotin, për këtë vend, për këta njerëz që po shkojnë me kaq vrull drejt kolektivizimit, bile do të vijë koha që dhe gratë t’i kemi bashkë…!”.

Për të përligjur faktin se ai sistem sillte vetëm varfëri dhe sundim nga i pashkolluari dhe i ligu, autori bën analogji me fqinjët për rreth, si për shembull me Malin e Zi, ku kishte zhvillim intensiv të turizmit dhe me tërë ish-Jugosllavinë ku sistemi i vetadministrimit qe favorit për fshatarët, ndërkohë që pasaporta e qytetarëve jugosllavë ishte aq e vlefshme sa me të mund të emigroje lirshëm ku të doje, deri edhe në Amerikë. Në kohën që tregtarët shkodranë i njihte gjithë bota, në Shqipëri eksperimentohej fenomeni i lavazhit të trurit, i cili kishte marrë përmasa gjigante.

“DOKTORESHA, PERSONAZHI MË I SPIKATUR I ROMANIT”

Doktoreshë Zana është padyshim personazhi më i spikatur i këtij romani. Ajo është vajza e profesor Martinit, e cila nga autori përshkruhet si një bukuri e rrallë, trupgjatë, syzezë, me tipare si të bëra me dorë… Dhe pikërisht nisur nga këto tipare, profesor Martinit që e ka dobësi, i duket se i ngjet motrës së tij. “Zana është bukuri përrallore… Është një fëmijë i mirë… E ka bërë Zoti engjëll… Vetëm studion. Është tipike raca ime, krenare, e bukur dhe e zgjuar…”, kështu e profilizon autori këtë krijesë të magjishme, gjithnjë në gojën e babait të saj, që vuan brengën se ajo herë pas here çalon në njërën këmbë.

Ndonëse bijë e një aristokrati që survejohej për t’u burgosur apo internuar, Zana përshkruhet si një studente ekselente në mjekësi, ndërkohë ishte shumë e bukur, po bukurisë së saj i ishte shtuar dhe vlera e zgjuarsisë dhe ndershmërisë. Dhe duke vijuar në përvijimin e tipareve të bukurisë së kësaj “zane”, autori vë në gojën e babait të saj dashurinë e pakufishme për të: “Unë e dua Zanën time… jap jetën për të. Zoti e ka qëndisur me dorë. Ajo është krijesë mistike, e zgjuar, e bukur, njeriu më i mirë në tokë. Zoti e krijoi dhe e solli tek ne… Një vajzë simpatike, e gjatë dhe gjithë dhjeta në mësime. Çdokush do të habitej nga gërshetimi i bukurisë me inteligjencën. Një kompozim i rrallë që vështirë të përsëritet më…”. Kjo edhe për faktin se Zanës mësimi në gjuhë të huaj i dukej si në shqip, sepse fliste katër gjuhë të huaja shkëlqyer dhe i shkruante ato fiks… gjuha e saj më e preferuar, pas shqipes ishte gjermanishtja.

Trilli i autorit është mjaft tërheqës kur këtë perëndeshë të bukurisë, jashtë vullnetit të babait që e kishte porositur të dashurohej me një djalë larg influencave partiake, pa pritur e përshkruan si të dashuruar marrëzisht me djalin e vetëm ‘kadet’ të ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës. Në fantazinë e F. Buçpapajt nuk është thjesht një akt dashurie dhe kurorëzimi në fejesë i tyre, por dhe ndikimi i Zanës tek i dashuri që ai të kuptonte pasojat e atij sistemi, që gjithsesi do të dështonte. Madje, jo vetëm kaq, por pikërisht në këtë linjë F. Buçpapaj di të përveçojë edhe faktin se edhe në atë sistem (kur kuçedra hante bijtë e vet) kishte kuadro deri funksionarë të lartë, si ish-kryetari i Komitetit Ekzekutiv apo ish-drejtori i Bankës, që ndonëse të indoktrinuar, kishin krijuar bindje në mos eficiencën dhe fundin e dështuar të atij sistemi.

KONCEPTET BASHKËKOHORE PËR DASHURINË

Ndryshe nga dhjetëra autorë që dashurinë e identifikojnë me erotizmin, F.Buçpapaj nuk nguron që në këtë roman të shpalosë konceptet bashkëkohore. Kështu, përballë hezitimit të profesor Martinit për ta fejuar doktoreshë Zanën me djalin e një funksionari të lartë komunist, ai i referohet përvojës jetësore, sipas së cilës s’ka gjë që ndalon një dashuri, qoftë baballarët apo nënat. Gjithsesi, edhe në këtë rast nuk lë jashtë kontekstit shqetësimin prindëror se: “Të rinjtë s’duan t’ia dijnë për pasojat e dashurisë, s’ia dijnë rëndësinë humbjes fare”. Dhe po në linjën e koncepteve bashkëkohore për dashurinë autori shkruan se “Dashuria është si sëmundja e kolerës që përhapet në ajër dhe s’ke asnjë mundësi shpëtimi, sepse s’rri dot pa ajër dhe pa oksigjen. Nëse fëmija dashuron, s’ka rrugë tjetër veç t’i thuash “urime”. Këto koncepte F.Buçpapaj i përçon te lexuesi, duke i vënë thjesht dhe bukur, herë në gojën e profesor Martinit dhe herë në atë të fejuarit të doktoreshë Zanës, Ditmarit, djalit të ish-kryetarit të komitetit… Le të perifrazojmë disa fragmente kur autori shpreh filozofinë e tij për dashurinë: “Askush s’e ndalon dritën e diellit dhe lidhjen e të dashuruarve të bashkohen bashkë. Është më keq se tërmeti dhe vuajtjet më të mëdha në tortura…Dashuria është e vetmja forcë që depërton kudo në hapësirën e lirë…. Është dhe në Bibël: Njerëzit që dashurojnë janë pranë Zotit dhe Zoti ua ka hapur derën për në shtëpinë e tij diku lart në qiell, në pafundësi…”

Madje, jo pa qëllim autori e “vetësakrifikon” të fejuarin e Zanës në emër të dashurisë, i cili pasi i kanë pushkatuar babain (ishkryetarin e Komitetit, ku si edhe në dhjetëra raste kuçedra ha bijtë e vet) kryen aktin e guximshëm të minimit dhe të hedhjes në erë të godinës së ish-Komitetit të Partisë dhe vetëvritet pasi i ka shprehur doktoreshë Zanës dashurinë e përjetshme edhe në botën e përtejme… Ndërsa ajo do të qëndrojë stoike edhe kur e denigrojnë, duke e transferuar si infermiere në një fshat të largët të Shkodrës.

KOHERENCA ME REALITETIN OBJEKTIV

Ndonëse ngjarjet dhe personazhet u përkasin viteve ‘60-‘70 të shekullit të kaluar kur në Shqipëri u instalua sistemi monist, autori F.Buçpapaj ka meritën e artikulimit të tyre në koherencë me realitetin objektiv. Kështu, jo pa qëllim ai vë në gojën e prof. Martinit konkluzionin se “Edhe po iku komunizmi s’ia vlen më, sepse trendi është që të jenë prapë këta. Se atdheu është i këtyre dhe janë mjeshtra manipulimi…v Po erdhi Amerika, këta do të fitojnë prapë. Do të thonë, i tillë ishte regjimi. Ne jemi me Ju. Dhe ne që u dënuam për Amerikën, prapë do jemi në opozitë… fq.188). Po nën këtë optikë e sheh dhe transmeton ai edhe konceptin e luftës për ekzistencë, që sipas tij është gjithmonë lufta më e tmerrshme se çdolloj beteje frontale…. Madje, nga kjo betejë do ta pësonte edhe Kudreti, ish-kryetari i Komitetit Ekzekutiv, i cili, ndonëse qe edhe kandidat për Anëtar i Byrosë Politike, ra viktimë e shpifjeve dhe veprimeve supletive të sekretarit të parë që gënjente kudo me shifra fiktive, merrte ryshfete, merrte para për emërime… Kjo për faktin se lufta për ekzistencë i kalonte dhe kufijtë e gjakut. Ndaj dhe i mëshon familjes që qëndron në themel, si baza e ekzistencës së botës së qytetëruar.

Në këtë roman, F.Buçpapaj prezantohet edhe si mjeshtër i rrallë në përshkrimin e peizazheve, si në rastin e lokalit në Shirokë, ku u bë ceremonia e ngushtë e fejesës së Zanës me Ditmarin.

Flamur Buçpapaj (që me këtë roman prezantohet edhe si njohës perfekt i shkencave ekzakte në zbatimin e elementeve përjashtues në ekuacionet termike dhe aerodinamike….. dhe i historisë, si në rastin e historikut të spitalit të Shkodrës që daton në vitin 1891 kur shkodrani Kol Kryqi ose Kryçi la për shpirt bamirësie shtëpinë e tij për spital…dhe se deri më 1928 spitali është administruar nga bashkia e Shkodrës dhe, mbas këtij viti nën administrimin qendror shtetëror….), pas botimeve të romanit “Martesa e dytë”, vëllimit me tregime “Shiritat”, tri dramave për kukulla dhe studimit “E kaluara morfo-arkeologjike e rrethit të Tropojës, qyteza ilire e Rosujës”, si edhe dy vëllezërit e tij Skënderi e Mujo – poetë, studiues e analistë, ndër më të mirët në rang kombëtar, hyn me dinjitet në historikun e fondit të artë të letrave shqipe.

* Mjeshtër i Madh