Këshilli i Bashkisë Bulqizë vlerëson edhe kontributin e mësuesit veteran Skënder Murrja
HALIL RAMA VLERËSOHET ME TITULLIN “QYTETAR NDERI” I BULQIZËS
Nga Rajmonda MALEÇKA
• Titulli me motivacinonin: “Shkrimtar, publicist dhe skenarist, i cili në 27 librat e botuar dhe si themelues e kryeredaktor i gazetës periodike ‘BULQIZA’ e në shtypin e përditshëm, ka evidentuar dhe promovuar historinë, traditat dhe resurset njerëzore dhe intelektuale të trevës së Bulqizës”
Në një ceremoni madhështore me praninë e më shumë se 300 pjesëmarrësve, mësues, maturantë të gjimnazit të Bulqizës, personalitete të letrave, artit e Kulturës, që kishin mbushur kinemanë e qytetit minator, gazetari dhe shkrimtari i njohur Halil Rama është vlerësuar të enjten e 14 Nëntorit 2024 me titullin “Qytetar Nderi” i bashkisë Bulqizë.
Dhënia e titullit nga kryebashkiakja Festime Mjeshtri, me motivacionin “Halil Rama vlerësohet me titullin ‘Qytetar Nderi’i Bashkisë Bulqizë si shkrimtar, publicist dhe skenarist, i cili në 27 librat e botuar dhe si themelues e kryeredaktor i gazetës periodike ‘BULQIZA’ e në shtypin e përditshëm, ka evidentuar dhe promovuar historinë, traditat dhe resurset njerëzore dhe intelektuale të trevës së Bulqizës”, është shoqëruar me duatrokitje të fuqishme nga qindra pjesëmarrësit në këtë event mbresëlënës.
Ky vlerësim nga Këshilli i Bashkisë Bulqizë, në përbërje të së cilës janë 8 Njësi Administrative: Qyteti i Bulqziës, Fushë Bulqiza, Zerqani, Shupenza, Gjorica, Ostreni, Trebishti dhe Martaneshi, vjen në konsiderim të propozimit nga Shoqata “Bashkësia Dibrane” dhe me propozimin e kryebashkikes Festime Mjeshtri, në emër të qytetarëve të Bulqizës.
Gjatë këtij eventi, me titullin “Qytetar Nderi” i bashkisë Bulqizë është vlerësuar edhe mësuesi veteran Skënder Murrja me motivacionin: “Mësues dhe drejtues me kompetencë dhe profesionalizëm, për më se 40 vite, i disa institucioneve arsimore në Dibër e Bulqizë. Është dalluar për nivelin e lartë të mësimdhënies, marrëdhënie shembullore me komunitetin dhe për vlerat e tij të spikatura intelektuale dhe njerëzore”.
Vlerat e dy personaliteteve që iu dha titulli më i lartë që jep Këshilli Bashkiak u evidentuan më së miri nëpërmjet dy dokumentarëve që u ndoqën me interes të veçantë nga pjesëmarrësit.
Pas vlerësimit që ju bëri kryebashkiakja Mjeshtri dy personaliteteve, Zotërinjtë Rama e Murrja i shprehën asaj mirënjohje të veçantë për përkushtimin dhe vizionin bashkëkohor me të cilin drejton Bashkinë e Bulqizës, duke realizuar një transformim rrënjësor në infrastrukurë dhe duke ndikuar në realizimin e veprimtarive të larmishme në kuadrin e 80 vjetorit të çlirimit të atdheut. Ata ju shprehën gjithashtu mirënjohje pjesënmmarësve të shumtë, dhe në mënyrë të veçantë, përfaqësuesit të diasporës shqiptare të SHBA Fadil Parllaku, që kishte ardhur nga Filadelfia, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Burgjeve, Z. Paulin Rajta që sipas vizionit të Ministrit të Drejtësisë Ulsi manja, ka luajtur rol të veçantë në reformimin e këtij institucioni duke e përafruar me standardet ndërkombtare; regjisorit dhe aktorit të mirënjohur Llesh Nikolla dhe këngëtarit të talentuar Dritan Jashari.
Ceremonia u moderua me mjeshtri të rrallë artistike nga ikona e skenës dhe ekranit, Mjeshtri i Madh Llesh Nikolla, ndërkohë më të larmishëm e bënë këtë event me performancën e tyre artistike, këngëtari i talentuar Dritan Jashari – Nderi i Kulturës Dibrane, si dhe valltarët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Bulqizë.
I veçantë në mjeshtrinë e moderimit, Llesh Nikolla u pëlqye veçanërisht nga pjesëmarrësit, me interpretimin e poezisë së krijuar enkas atë ditë nga Halil Rama, titulluar “ZËRI I NËNTOKËS”, vargjet e së cilës: “Bulqizë, vend i bekuar/ Me histori lavdiplote…/ Thesari që fsheh nèntoja jote…/ Identiteti i Shqipërisë në botë:/ Më e bukura pasaportë…./ Ti i dhe floririn ekonomisë shqiptare/ Floririn që ta grabitën ne 50 vite…/ Të nëntokës që hëngri qindra jetë njerëzore/ Që dhe sot, mjerisht ndodhet në lëngatë…/ Nga nëntoka jote, gjëmon zë i së vërtetës:/ Hej, Ju, që pa mëshirë më zhvasni/ Mendoni që edhe këtu t’i jepni kuptim jetës/ Për Bulqizën mos nguroni të investoni…” e ndëzën atmosferën festive të kësaj dite.
PROFILI KRIJUES I GAZETARIT DHE SHKRIMTARIT HALIL RAMA
Disa pjesëmarrës në këtë ceremoni festive, organizuar nga Bashkia Bulqizë, vlerësuan prifilin e Halil Ramës i cili është i njohur nga lexuesi për produktivitetin dhe cilësinë e krijimtarisë së tij publicistike e letrare. Pikërisht për këtë kontribut në fushën e letrave mban edhe titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës me Dekret Nr.11723, datë 17.09.2020, me motivacionin: “Për kontributin e shquar si shkrimtar, skenarist e publicist i cili në veprimtarinë e tij të gjerë ka pasyqruar më së miri historinë, kulturën, traditat e cilësitë identifikuese të shumë viseve shqiptare, veçanërisht të trevës së Dibrës, si dhe vlerat e shumë figurave të shquara të kombit shqiptar”.
Ky vlerësim i kreut të shtetit bazohet në faktin se Halil Rama ka shkruar dhe promovuar monografi e dokumentarë për artistë të përmasave kombëtare të kësaj treve, si për kompozitorin e tangos shqiptare Muharrem Xhediku, ikonën e artit e kulturës kombëtare Hazis Ndreu, regjisorin dhe aktorin e shquar Skënder Cala, për Lutfi Ndreun – mësues dhe artist, etj, të botuara këto edhe në shtypin shqiptar si në: “Panorama”, “Nacional”, “TELEGRAF”, “Gazeta Shqiptare”, “Fjala”, “Bulevard”, “Albania”, “Rilindja Demokratike”, “Koha jonë” etj si dhe në disa portale.
Në 27 librat që ka botuar e promovuar në dy dekadat e fundit, Halil Rama prezantohet si mjeshtër i profilit, duke krijuar personazhe si shembëlltyra që të mbeten në kujtesë. Tërë publicistika e tij është në një linjë vetëpërmbushëse, ku autori me mjeshtëri di të përveçojë protagonistë të veshur me detaje që vetëm syri i mprehtë dhe mendja pjellore i shpërfaq aq mjeshtërisht.
Veçanërisht në monografitë: “Muhurri, histori dhe personalitete”, (me 712 faqe në 17 kapituj); Dine Hoxha-Një filozof popullor në Oborrin Mbtretëror (monografi me b/autor Sh.Skarra, 2006); Muharrem Xhediku – Kompozitori i tangos shqiptare (monografi me b/autor S.Cami, 2008) Rrahman Parllaku-Një legjendë ne kufirine dy koheve (monografi me b/autor, 2014); “Fluturon shqipja mbi Korab”, “Magjia e fjalës”, Rilindja e emrave” e “Të fitosh titullin Njeri” si dhe në librat e shkruara dekadën e fundit nga ky autor, zbulohet thelbi i marrëdhënieve njerëzore. Jetët e personazheve realë, janë të mbushura me pasione dhe emocione të pandalshme, drejt sfidës së jetës, drejt suksesit. Shkrimi i tij depërton thellë në shpirt dhe zbulon botën delikate të intelektualëve dibranë, kukësianë, durrsakë, shkodranë etj, në strukturën e tyre si njerëz të matur që veprojnë në kontekst duke marrë prej tij, maksimalisht suksesin. Ashtu siç është edhe vetë në jetë autori Halil Rama, personazhet realë që përshkruan në librat dhe esetë e tij janë karaktere që bartin dashuri dhe buonsens, veti të qenësishme inteligjence.
Në fushën e të shkruarit dhe në disa institucione ku ka punuar evidentohet këmbëngulja dhe vullneti i tij për të studiuar, për të mbledhur burimet parësore, për të mësuar nga përvoja e tjerëve që është pjesë e stilit të punës kërkimore të tij.
Halili e formoi personalitetin e tij, jo vetëm në praktikën krijuese voluminoze por edhe me studime të integruara formale universitare për drejtësi, (duke fituar edhe titullin “Avokat”) çka i ka dhënë një surplus në interpretimin e dukurive shoqërore dhe ngjarjeve pikante të historisë. Ai i vendos intelektualët që nuk jetojnë dhe ata që jetojnë dhe kontribuojnë ende, secilin në vendin dhe piedestalin e merituar. Dashuria dhe ngrohtësia me të cilat i mbështjell ata, janë shprehje e humanizmit dhe shpirtit patriot, demokrat e liridashës të autorit.
Lexuesi mund të shijojë drejtpërdrejtë nokturnet dhe romatikën që shpërfaqen në librat e H.Ramës (për Dine Hoxhën, gjeneral Rrahman Parllakun, Liri Belishovën, Muharrem Xhedikun, Skënder Calën etj) shkruar me një stil të rrjedhshëm, që ngjajnë me një ese të gjatë liriko-epike, si një databazë e plotë e vlerave të tyre, duke plotësuar harmonishëm tablonë gjigande të njerëzve të ditur, të urtë e patriotë. Veçanërisht monografitë “Muhurri, histori dhe personalitete” dhe “Të fitosh titullin Njeri”, lexohen këndshëm nga përdorimi me mjeshtëri i mjeteve gjuhësore dhe stilistike, ngjyrimeve emocionale që fitojnë ngjarjet dhe personazhet, nën talentin dhe profesionalizmin e Halil Ramës.
VLERËSIME PËR KRIJIMTARINË E HALIL RAMËS
Akademiku i mirënjohur Shaban Sinani, në parathënien e librit “Muhurri, histori dhe personalitete” ndër të tjera shkruan se “. Libri i Halil Ramës është zgjidhja më komode. Sepse është një enciklopedi e gjithë zonës, prej hershmërisë antike deri në kohët moderne, me bëmat dhe gjëmat e saj, pa kritere përjashtuese, duke filluar prej përshkrimit gjeofizik deri tek ai etnografik e historik; mbështetur në kujtesën e shkruar dhe atë gojore”.
Prof.dr. Eshref Ymeri: Qëllimi kryesor i analizave të Halil Ramës është vlerësimi i argumentuar i veprave letrare dhe përqendrimi i vëmendjes së lexuesit në kuptimin dhe vlerën e tyre. Analiza e strukturës dhe e përmbajtjes së veprave është njëri nga parimet themelore të punës së tij hulumtuese, të konkretizuar në trajtimin e hollësishëm të përmbajtjes dhe të ideve të tyre. Ai e përqendron vëmendjen te elementet e kompozicionit, te zhvillimi i subjektit, te karakteri i heronjve, te stili i rrëfimtarisë dhe te aspekte të tjera, të cilat ushtrojnë ndikim mbi mbresat e përgjithshme të veprave…
Prof. Dr. Fatmir Terziu – shkrimtar dhe publicist i njohur, botues i portalit Fjala e lirë dhe i revistës Albanian Post (Londër) shkruan se Halil Rama është jashtëzakonisht pozitiv me penën e tij. Duke u ndalur veçanërisht në librin e H.Ramës “Ekzaminimi i diktaturës në vepra letrare”, Terziu e vlerëson atë një trajtesë të domosdoshme për lexuesit e një materie didakte të munguar për njohjen letrare dhe më gjerë, sikurse ndodh të jetë në fokus për disa autorë dhe për disa libra të rëndësishëm të kohëve të fundit.
Shkrimtari i mirënjohur Preç Zogaj, në analizën e librit të këtij autori “Magjia e Fjalës”, ndër të tjera shkruan se: “Nëse do të përfytyronim një ‘Urdhër për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës si pasuri e shoqërisë dhe njerëzimit, Halil Rama është aty në shërbim të librit në gjuhën shqipe. I mirënjohur si gazetar dhe eseist, Halili është prej atyre që e kanë librin një ushqim të përditshëm shpirtëror e mendor; një lexues i paepur, siç do thoshte Borhes, i cili, duke folur për veten e tij, e çmonte të qenit lexues si një meritë më të madhe se të qenit krijues”.
Dr.Mujë Buçpapaj vlerëson se: “Halil Rama është një nga gazetarët përfaqësues të publicistikës së re të pas vitit 1990 dhe përfaqëson në mënyrë unikale rritjen e kësaj gazetarie, përshtatjen e saj me standardet e gazetarisë europiane, siç janë ndershmëria, paanshmëria, përdorimi i dy burimeve si dhe ruajtja e kodeve. Me botimin e 27 librave H.Rama ka krijuar edhe profilin e një shkrimtari, të një prozatori të suksesshëm, pasi jo vetëm përshkruan ngjarje dhe ndërton personazhe, por edhe i sjell ato tek lexuesi me një stil të rrjedhshëm, fjalor të pasur dhe figuracioni të gjetur, çfarë i jep atij dimensionet e një shkrimtari të suksesshëm….”.
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI: Krijimtaria është pema më e begatë e jetës së tij. Seria e botimeve sa vjen e plotësohet dhe bëhet tepër e larmishme në të 27 librat e tij, që janë mbushur me ngjarje, personazhe dhe mesazhe; jetë artistikisht që të lënë mbresa.
Ndërsa Margarita Xhepa – “Nderi i Kombit”, në promovimin e librit të tij “Rilindja e emrave” është shprehur se: “Halil Rama është ndër shkrimtarët dhe publicistët e veçantë që ka bërë dhe bën aq shumë për promovimin e vlerave tona më të mira kombëtare, letrare e artistike
Po ashtu, publicist dhe shkrimtari Shefqet Meko, në vlerësimin e krijimtarisë së këtij autori, ndër të tjera nënvizon faktin se “Halil Rama shkruan thjesht, pa bujë dhe bërtitje, me gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme qartë dhe rrejdhshëm. Ai e përdor fuqinë shprehëse të shqipes si ‘antikorp’ gjuhësor ndaj çdo huazimi të huaj, që ka çibanuizuar lemeritshëm shtypin, rrjetet sociale, median dhe ekranet shqiptare”.
Krijimtaria e Halil Ramës është vlerësuar edhe nga, nga Prof.Bujar Kapexhiu – Nderi i Kombit, Prof. dr. si dhe nga shkrimtarët Shpendi Topollaj, Andon Andoni, Fejzulla Gjabri, Naim Berisha, Namik Selmani, dr.Selman Mëziu etj.
Në librat e H.Ramës zënë vend kritika të mirëfillta letrare, si ajo për monografinë “Kur mbretëron karakteri – Ronald Regan” të autores Peggy Noonan, për të vijuar me ato për vëllimin me tregime “Thikat pa gjak” dhe triptikun “Gjaku i dallëndyshes”(Tre romane në një liber) të Zija Çelës, novelën “Bija e re e nënës së vjetër” të Preç Zogajt; romanet “Dëmtuar gjatë rrugës” të Besnik Mustafajt, “Një shaka e vogël me vdekjen” dhe “Dimri ï librave të Bashkim Hoxhës, “Covid 1984”, “Dhjetë gramë nder”dhe “Vallëzim me hënën” të Namik Dokles; “Saga përtej Atlantikut” dhe “Viza amerikane” të Shefqet Mekos, “Anja” dhe “Brenfga e prokurorit” të Ahmet Prençit, “Zëri i malit të Shën Mërisë” dhe “Të jetosh në paqe” të Naim Berishës; “Djali që urrente femrat”të Meri Mezinit; “Martesa e dytë” dhe “Doktoresha” të Flamur Buçpapaj; për vllimet me poezi “Një e tretë, dashuria” të poetit Preç Zogaj; “Krojet e këtyre viseve thonë” të Hysni Bruçit, “Toka”të Naim Berishës, “Orët e shtëpisë” të Alban Bales, “Gjurmë në fjalë” të Avni Ndreut; “Vargonjtë e fatit”, “Ej ti grua” dhe “Orët e përhitura” të Barie Çupit; “Ura e fjalës”, “Mos ik të lutem”, “Anja” dhe “Mos perëndo o dielli im” të Demir Rusit; e të tjerë.
Galeria e profileve letrare vjen si një lloj Ëikipedia me informacione pothuajse shteruese për jetën dhe veprën e shkrimtarëve Teodor Laço e Shefki Karadaku, të artistit të mirënjohur dibran, Hazis Ndreu; të ambasadorit Shaban Murati, arkeologut dhe etnografit Dilaver Kurti; shkrimtarit e studiuesit Hajri Mandri, dhe bardit Naim Plaku.
Një kategori tjetër shkrimesh kanë në fokus libra monografikë dhe studimorë për historinë dhe etnokulturën e arealit dibran e më gjerë. Ato kthejnë vëmendjen e merituar nga një kategori hulumtuesish të përkushtuar, siç janë Fatmir Terziu me “Toponimia e Gollobordës: Diskursi i dygjuhësisë dhe derivati i origjinës”, Besnik Këbej me “Origjina dibrane e Skënderbeut”, Naim Berisha me “Berishët e Muhurrit”, Faik Bruçi me “Fisi Bruçi i Lukanit të Dibrës”, Haki Përnezha dhe Ruzhdi Bitri me “Toponimia e Çidhnës”, e tjerë.
Mjeshtri i Madh Halil Rama është qëmtues i hollë i ngjarjeve e enomeneve shoqërore dhe politike, personazhet e këtij autori, asnjëherë nuk kanë qenë rastësor dhe të çfarëdoshëm, por janë të përzgjedhur dhe me vlera e kontribute në fushat e tyre.
27 librat e tij: monografi, reportazhe, tregime, poezi e kritikë letrare; që të gjitha të mirërealizuara dhe me vlera ideo-artistike, kanë përcjellë te lexuesi i shumtë vlera të padiskutueshme letrare, historike e shoqërore.
Në 27 librat, si dhe në 9 dokumentarë televizivë të realizuar prej tij (si skenarist, regjisor e asistent regjisor) ai sjell artistikisht ngjarje e personazhe që të lënë mbresa, por dhe jehonën e vendlindjes së tij të bukur dhe të dashur, si shembëlltyrë e jehonës që vjen nga e shkuara tek e sotmja dhe na zgjon të gjithëve e na thërret, për më shumë humanizëm, dashuri e dinjitet.
ZËRI I NËNTOKËS
Bulqizë, vend i bekuar
Me histori lavdiplote…
Thesari që fsheh nèntoja jote…
Identiteti i Shqipërisë në botë:
Më e bukura pasaportë….
Ti i dhe floririn ekonomisë shqiptare
Floririn që ta grabitën ne 50 vite…
Të nëntokës që hëngri qindra jetë njerëzore
Që dhe sot, mjerisht ndodhet në lëngatë…
Nga nëntoka jote, gjëmon zë i së vërtetës
Hej, Ju, që pa mëshirë më zhvasni:
Mendoni që edhe këtu t’i jepni kupim jetës
Për Bulqizën mos nguroni të investoni…
Halil RAMA