Gazeta Nacional Albania

HAMIT ALIAJ: DEKA E QIELLIT, POEZI TE REJA

HYMNI I RI I LIRISË

“Do vijnë ditë të bukura,
Gjithë krimbat u bënë flutura”!

GURI I BETLEHEMIT

Provinca s’i pranon poetët:
Edhe në i pastë lindur vet dikur
Tash ka rapsodêt e vet,nuk ka nevojë të lexojë asnjë libër,
Ka sundimtarin e vet të cilit
S’i duhet shkrim e këndim, sepse
I mjaftojnë eposet me shpata arkeologjike
Njê tupan e vithe femrash që kërcejnë hulja-hup në veshjet e traditës
Pêr kur t’u shkojnë pashallarët e partisë së radhës
Poetët banojnë larg
Ka shpikësit e vet,provinca,
Mullinj projektojnë dhe rrotën e zbulojnë së dyti,
Luftë i shpallin qiellit dhe lypin të bëhen zotër
I vetmi Atdhe në botë i zbuluar nga poetët
Është Arbëria , Skënder Buçpapaj,
Lëre “ Frikë nga Atdheu” ,
Lëre Dom Ndre Mjedën me zemëratën e tij kur i quajti
“Zglaq i përbuzshëm që Shqypnia t’volli”
E më dil ku të duash në Europë , se kam mbërri
Mos ju tut një reje të bardhë që më ndjek mbrapa :
Kërkon te unë Gurin e Betlehemit
Shpellarë kemi qenë e jemi
A nuk e ndau përgjysmë historinë e pasosme të njerzimit
Ajo shpella e Jezusit , ditën e tretë ?
N’ato shpella të Bjeshkëve t’Epra
Ka nisë mot e jetë, Viti Një, për qiell e për Dhe !
—————-

Luksembourg, 24 tetor 2022

NATA E SHTATOREVE TË RREJSHME

Në male të thinjuna,kufi me Zotin,
Të harruar prej jush
Vetveten e hupun e gjeta
( Atje s’ka male, por Kryemale)
Pagani i paemër gjuan hanën me pushkë
Për me vra lugetnit ….
I harruar prej jush,reve tuj ju grahë për në një qiell tjetër
Mos me lshue mbi ju
Shiun që ju bën budallë
Në natën e shtatoreve tuaja
Ju prita,ju prita,ju prita
Deri në harrim emni
Ju ishit të zënë me krijim zotash tokësorë,
Zota të robërisë tuaj…
Retë rreth ballit i lidhja
Mos me lshue mbi ju
Shi marrëzie
Harrim i harruem…ju prita..
Tash që më thërrisni
Jam i tëri vjeshtë e brymtë
Ku janë gjithë ikjet
Që fillojnë me biblën e ikjes së shpendëve
S’kam kohë të gjej tokën
Me dheun e të cilës
Zoti krijoi njeriun !

Tropojë,15.10.2017

MUNGESA

Resh drita në dritë
Vjeshtë në Luksemburg
Zgjatet nata dhe ëndërrat
A thue u kanë ra gjethet pemëve në Kasaj ?
Europës i thyhet në duar mermeri
Prej të cilit u nis të bënte njeriun global
Plasaritet mermeri kur prej tij del
Njeriu që vjen nga vende ku ish e ndaluar të qaje,
Zi si pendla e korbit bëhet
Prej njeriut nga vende ku ish ndaluar e qeshura
Herë – herë , më dridh arbnishtja ime natës së Luksemburgut
E kënduar vetmevete nga udhëtar i paemër :
Unë do të mungoj në dekën time
Çka do të shtini në dhe, ju mortarë mermeresh ?
Se arbneshët e mi nuk i zë një dekë!
…… ……
Luksemburg , 14 tetor 2022

MIC SOKOLI

Në mbiemrin tënd fluturojnë
Sokolat e bardhë të bjeshkës:
E rrënja i thërret lisit,
lisi i thërret gurit,
guri i thërret drurit,
druri i thërret barit
bari i thërret erës,
era-krahut të Sokolit :
O more Mic Sokoli !
Lum toka që thirret në emrin tënd
E lum fluturimet e sokola

HYMNI I RI I LIRISË

Hymni i ri i lirisë
Vetëm dy vargje ka:
“Do vijnë ditë të bukura,
Gjithë krimbat u bënë flutura”!

LUMI I MBYTUR

Ti s’fjete një jetë,
O lis brenda meje,
N’kokërr rrufeje i mbimë
S’të lë hana me fjetë
Hana e gushtit,
Gushtit të mushtit
Mushtit të gjinjve
Gjinjve ku verojnë
Verojnë e qyqnojnë qyqet
Lumenjtë gjumëhënë
Mbyten te buza
E ngjallen te syni
Ajo pret përvjet,
As verë,as vjeshtë,
Me njërin sy qan
E me tjetrin qesh !

QYSH PREJ FILLIMIT

Mijëra vjet bie i njëjti shi,
Mijëra vjet i njëjti diell shkrepë,
Nga i njëjti qiell vjen drita, mijëra vjet
Me njeriun e parë filloi lufta e parë
Që s’mbaroi asnjëherë,
Ndryshojnë vetëm armët
Njeriu prej dheut u bë,
Po bisha

DROJA

Kërcet fara në dhera
Kushedi ç’bimë do të mbijë
Të mos shkojë hisehupun rrënja
Dashtê ai që vrân e kthjell
Në vend të ndonjë lisi
Të mos mbijë dreqi !
Kërcet brenda meje prilli
Kushedi se ç’pyll do të mbijë në mua,
Dashtë ai që vran e kthjell
Që ….!

KU MBARON DHEU

I mbajtur në një stap ku vjeshtojnë rrufetë,
Me dhinë e profetëve përdore
Plot muzgje shkon drejt kasolles së vetmueme
Plaku i vobegtë i katundit të largët
Ku mbaron dheu
Është pak Homer,
Po Homerët të verbër janë,
Natë e përjetshme
I uritur është dhe përnatë krijon nga një perëndi ,
Të uritur duhet të kenë qenë ata
Që krijuan perënditë antike

S’DO TË LË TË BËHESH DET

Gjith’ ksaj vere
Bubulloi në mue
E ra shi në ty
E qeshje kur të gjithë qanin
E qaje kur të gjithë qeshnin
Vetëtoja në Gash
E si shi bija në Krasniqe
Lumenjtë grinden nē qiell
E ndryshe shpirtnave të tjerë
Në qiell vdesin
Je dritë që kërcet në fijen e barit ,
Je sy që shterr lumin. Lum
Që s’do të lë të bëhesh det
E ta humbësh emrin

SHTATË DRITAT E DHEUT

Një fije bari
Sa fija e barit
Diejt e largët blerim i bën
Diejt e largët dhe shtatë dritat e dheut
Bari i gjithzotshëm , sa fija e barit
Në zogj shtegtar
Shkruan emrin tënd

RËNKIME HËNE
Lumi im thinjet në pranverë
Kur vdesin bardh, dimrat e bardhë
Në malet e epra
Nga trupi i drurëve të pagjumë
Natën del një hënë rënkuese
Që i thinj drurët , bardh bardhon nën qiell
Rënkon dimri në lum,
Rënkon hëna në drurë,
Rënkon lulja në rremb !
Kushedi se ç’halle
Fshehin këto male !

A E KA PA KUSH …

A e ka pa kush një djalë
Brenda të cilit ushton burri e sytë s’ja ndan grania ?
Qan në cep të natës
E don të bëhet prap fëmijë ?
A e ka pa kush një burrë të hupt
Që bredh nëpër rrugë të barisuna
E lyp të bëhet prap fëmijë ?
Po një plak që ka harrue emnin e vet
E i ndal njerëzit rrugës ,
Ma gjeni veten time,thërret plaku,
Vetveten time – fëmijë ma gjeni
Në kohë të vetmive ai gjen rrugët e humbura
Në të gjitha rrugët që brenda tij udhëtojnë
Vetveten e djeshme njeriu e kërkon

NË MES – NJË FJALË E PATHËNË

Udhëtojmë mbi dy perandori,
Njëra e gjallë, tjetra e vdekur
Ditë është në Stambollin e sulltanëve,
Natë në Nju Jorkun e pafjetur
Rastësisht e ulur përbri meje
Në avionin as natë,as ditë
Poshtë nesh Olimpi i tragjedive
Që e braktisën gjithë perënditë
Një fjalë që prite kaq e kaq vite
Po unë s’ta thashë e ti s’ma the
Bie si shi meteorësh
Mbi oqeane , mbushur me re
S’jetojmë tash në të njëjtën ditë,
Në të njëjtën natë, gjë e kotë
E djela jote e Nju Jorkut
E hënë tek unë në Europë
Kot thonë modernët : për dashurinë
Nuk ka më fjalë, gjithçka është thënë,
Po rruga zgjatka sa një jetë
Nga një e dielë, tek një e hënë

KUR TË SHKOJ ATJE

Do të bëj marrëveshje me vdekjen,kur të shkoj atje :
Do t’i marr leje vetëm për një natë
Të vij e të ju shoh edhe një herë
Kur të mbarojë koha, rreth mëngjesit do kthehem
Në orët kur shpirtërat udhëtojnë
Për në jetën e pasosme
Një natë e përtejme
Sa njëqind vjet këtu
Veç një natë të përtejme ndejta me ju !

ANI …

Pritat janë zënë,
Asnjë rrugë për tek e nesërmja
-Është e jona , thonë
Ani, unë po bëhem e Djeshme ,
Atje nuk din me u plakë
Një vajzë që më pret

SKIFTERËT

E lodhi kukuvajka ndjellakeqe :
Përnatë ndill zi në lisin e vjetër të shtëpisë,
Një ditë ai mori sëpatën
Dhe preu lisin
Aq diej të vjetër,sa ish mosha e lisit
U shuan e ranë të vdekur plot malle
Mbrëmjen që erdhi , kukuvajka
Kur s’e gjeti lisin
Në çati të shtëpisë këndonte
Me copat e lisit të prerë,
Ai,
Tash gdhend përnatë skifterë…

SA HERË U NISËM

Sa herë u nisëm te njëri tjetri
Kërciti një re e ra midis nesh
E s’na la me u pa
Sa herë u trimnove e territ më dole
“ U bafsh qyqe !” të thirri një nuse nate
Që s’dihej kë priste në dritaren pa dritë,
Nata t’u bë mace e rrugën ta preu
Sa herë u nise ngutshëm, se po mbaronte vjeshta
Dimër u bë vjeshta e na hyni midis
Ra borë e hershme e krejt rrugët u zunë
E as në lulim të marsit s’u pamë
Ditën që ike, krejt stinët u paqtuen
Dhe unë e kuptova se ishin të dashuruara në ty,
Ti i ngatërroje stinët ndërveti:tri pranvera mbrapsht i ktheve e tri vera s’i le të verojnë,
Në pritjen time
E s’u pamë se s’u pamë
Ruaje zot botën prej bukurisë !

DËRGATA

Dërgatë e nisur qyshse s’mbahet mend
Në mesnatë mbërriti, nëpër qiej pa zota
Në çanta kishin natën e fantazmave perandorake
Që botën e dridh tash e sa mot
Të pret Mbretëresha e Madhe që e prite një shekull,më thanë,
Po para se të shkosh,
Në shenjë qytetërimi dhe për sigurinë e Mbretëreshës plakë
Duhet t’i vrasësh të gjitha kafshët brenda teje…
Pyll i madh,plot ushtima isha
Vrava ariun që grindjet e botës
I shihte mospërfillës nga shpella skaj qiellit ,
Dhe ujkun e ligështuem prej dimrave të gjatë,
Pastaj lepurin, ku dridhen frikërat e përhershme,
Vrava drerët e Krishtlindjeve me hënën në brirë
E mbeta në lotin e tyre,i ngrirë
Kur mbërrita tej deteve,
Mbretëresha plakë kishte vdekur
Dhe pylli brenda meje s’kish më asnjë kafshë
Përralla s’do kish tash e mbrapa,
Me kë t’i dimëroj dimrat e gjatë ?!

KAM FRIKË ME T’PUTHË

Ditën e shtatë të krijimit
Perëndia e parë krijoi fytyrën tënde
Sipas fytyrës së vet
Të hënën dikush u afrue me t’puthë
E u kthye në ujk hëne,
Ai që t’u afrue të djelën
U bë kumbonë e të djelave
Kot thonë se perënditë
Nuk bien në dashuri
Kam frikë me t’puthë…

MBARIMI I LOJËS ME GJARPËR

Ke me e lypë dekën
E s’ke me e gjetë,
Kurrë s’ka me mbrri te ti
Se vjedhë t’i kam
Mollën e gjarpërin
Ku rrijnë bashkë deka e dashnia
I dashuruar me vetveten
Zoti i dha dheut
Fytyrën tënde
Para dashurisë
Shpiku lojën me lulen e gjarpërin
Po unë të kam krijue prej një fjale
Të cilën nuk e zë deka
Mbarim i lojës me gjarpër …

PËRRALLTAR

Shpesh e më shpesh në pyjet brenda meje
Ku lisat flenë në këmbë si kuaj
Po bëhem prralltari që veten gënjej,
Veten e njerëzinë, skaj më skaj
Mbi gjithë të vërtetat që vitin zero kthejnë
Me kobet, luftrat ,shkretimet, zitë
Duhet prralltari me rrenat me fund të lumtur,
Përralla për të rriturit e për fëmijtë !

KRONI I SHPRESËS

Edhe pak,edhe pak,edhe pak ,
Sa të kapërcejmë kodrinën me bar,
Sa të kalojmë atë lisin ku fle zogu i natës,
E shkojmë te kroni që bëhet i bardhë
Sa herë qajnë drerët,
Ku shtojzovallet lahen me shi hëne ,
Edhe pak ,edhe pak,edhe pak,
Më thoshte nana,
Në udhëtimet e largëta ku më merrte përdore,
Edhe pak,edhe pak,edhe pak…
Po larg ish kroni i shpresës
Për të gjitha etjet e botës
Isha fëmijë dhe ende nuk dija
Për udhëtimet biblike që janë brenda njeriut
Ku çdo udhë është një etje
Të gjitha etjeve
U duhet një dorë nane
Edhe pak,edhe pak,edhe pak….

MJEGULLA MËRZIE

Zo’ ç’faje pat vera që e paske ndalë rrugës
Ngujue e paske në veten tande
E s’po e len kurrqysh me dalë !
As borën s’po e len me u shkri ,as natën me u ba ditë
Hej ,ti u mbytsh në një lot zogu !
Ndali e m’i bëj këmishë verore
Ato re të bardha që po të vijnë mbrapa
Që grinden ndërveti për ty
E bëhen shi bukurisë tande,
Dhe ato mjegulla mërzie luginës së gjinjve tu
Ku luten në gjunjê perënditë e lashta
Dhe burrat epikë
Në një kokërr rrufeje u ngujofsh
Se m’i çmende ata qiej të paemër

MË DUHET TË LINDEM PËRSËRI

Nis e sos,si në përrallën e motshme
Sa herë hyj në pyjet që s’flenë kurrë,
E dëgjoj atë pushkën habertare
Dhe zërin e hijeve mistike që thërrasin emrin tim:
“ Oooo lindi baba i filanit moreeeee !”
Dhe unë që pata thënë dikur:
“ As kam nanë,as kam babë
Jam i pikur prej resë së bardhë “
Më duhet t i nis prej fillimit të Fillimeve si një perëndi e vogël
Gjithë jetët e babës
Emnin do t’ia lë atë që ka pasë
Në librin e Zanafillës
Gjithë lisat e malit i preva për djepin e tij
E nuk më dolën
Në kthim gjeta një ashkël te cungu i druve në oborr,
Më doli për djepin dhe dru për shtatë dimna,
Preva shtatë ogiçë galana e një tubë bardhoka për festën e lindjes
Po mishi u mbarue,
Desh Zoti e kapa një trumcak
U nginë darkëtarët e teproi mish për krejt motmotin
Për shtatë ditë baba u bë burrë
E m’u desht me i ra cep e n’cep dheut
Me ja gjetë një nuse të pakundshoqe
Pajtova jahte sheikësh, avionë “ Carter”, Benza të shtrenjtë
E shetita detrave, kështjellave të mbretërve të Europês
që i pat dëgjue veç në këngë të idhta,
E vesha me firmato, tirq me gajtana , plis të bardhë shqiptar,
Po këndej e andej detit s’ gjeta nuse për të
U kthyem te kulla e ia bleva gjogun e bardhë
Si ma i moçmi i shtëpisë vendosa vet:
Ta martoj përsëdyti me nanën time !
Dhe e dini pse me nanën time
Kur e luta me gjithfarë bukurishë, këndej e andej detit ?
Sepse djali që do të lindë nga martesa e tyre
Prap duhet të jem unë ,
I dënuar të lindem përsëri …

PUPZA

Pup-pup-pup, pupza e pranverës
I vetmi zog pa këngë
Veç me gjysëm fjalësh belbane
Çfarë kumtesh të lashta i kishin mbetur përgjysmë njeriut
Që ia la amanet pupzës shtegtare
E ajo ende s’i thotë dot ?
I njomë isha , si shelg që bëhej fyell fëmijësh në prill
Kur një vajze iu mor goja para meje ;
Pup-pup-pup
Buzëbukura që këndonin këngë që s’të lënë me vdekë
Buzë që recitonin poetêt e dashurisë,
M’u dhanë dridhshëm në vitet e harrimit,
Po pupza mungonte në to
Po errem edhe unë si murg i mugët
Fjalë e pathënë, mbetur në fyt zogjsh
Me një pipëz shelgu në duar
Mot për mot e pres ta dëgjoj nëpër prille
Pupzën e pyjeve në katundin tim skaj qiellit
Me atë gjysëmfjalën që i mungon botës …

PRILL A MARS KA QENË

Prill a mars ka qenë
Dikur kur të bana të bukur,
Dikur kur më bane të bukur ?
Njomza e drurëve
Përvilte borën drejt majave
Gjithkah luloje ti në duart e mia
Si lulet e agut në drurë
Kur ty të bana të bukur
Ehuu, prill ka qenë në ty ,
Zjarre të fshehta përbrenda e mars i trentë në sy
Keshe -keshe s’dorzohesh kurrqysh,
Ujku ulurinte në borën që zhdirgjej në ty
Dhe lumi im thinjej në pranverë
Dikur kur të bana të bukur
Dikur kur më bane të bukur !

KALI VJESHTAK

Në muzgun e brymtë të katundit të largët
Një zë fëmije që i ka humbur kali
Thërret nën hënën e ujkut stërdhëmbësh:
“ O e gjeta , more,e gjeta,
Te Varri i filanit nën lisin e moçëm “
Njëqind vjeç është lisi e dyqind varri,
Asnjë histori s’ka i zoti i varrit ,madje as emrin të gdhendur në një gur te kryet,
Po dy metra tokë të këtij dheu të paanë,
Kanë emrin e tij
Të mjera, statuja mbretërish e perandorësh
Nën mermer të rëndë ku s’mbin një fije bari
E ku s’hingëllin kurrë asnjë kalë !
Edhe unë kam zgjedhur përmendoren time :
Një kalë të humbur në muzg
Dhe zëra fëmijësh që do të ma thërrasin emrin
Kur ta gjejnë kalin e brymtë vjeshtak
Nën lisin që fle jashtë në natën e botës
Te kryet tim …

DEKA E QIELLIT

Udhëve të Europës shfaqet fatthënësja,
Një plakë e dehur , lyer me ylberë
Kumbonët pa të djela, në jerm
ushtojnë :
Çfarë zezone ndjell ti ,
O korb i zi, që krrokat në zi ?
Mosozot të jetë deka e qiellit !
Zogj pa pikë shpirti reshin si shira
E bien me klithma , reve të thinjura
Nga njëri prej shtatë qiejve
Mosozot të jë jetë deka e qiejve !
Me një kumri të përhime morti në duar, Albert Ajnshtajn,
qê shpiku bombën atomike,
Rend të fshihet nga vetvetja diku
Si shkohet te Zoti kur je qiellvdekur
Prej të cilit bien të pafrymë,zogj e shpirtëra ?
Gjamë e madhe me të vdekë qielli,
Zonjë e mjegullt !