Hidhen themelet e shtëpisë muze të Dritëro Agollit, Baba Mondi: Një personalitet i madh i kombit shqiptar, frymëzoi shumë njerëz
|
, vendlindjen e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, u hodhën themelet e Shtëpisë-Muze që do të ruajë përjetësisht kujtimin dhe trashëgiminë e një prej figurave më të ndritura të letërsisë shqipe. Ky projekt kulturor, përtej simbolikës, është një akt konkret vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm të Agollit në letrat shqipe dhe një hap përpara në përçimin e këtyre vlerave tek brezat e rinj.
Në ritin e kurbanit në themele të muzeut morën edhe kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj – Baba Mondi – dhe Elona Agolli, vajza e shkrimtarit.
“Dritëroi është një nga figurat e kombit shqiptar, ka lënë një vepër të shkëlqyer, ku ka frymëzuar shumë shqiptarë për të përballuar vështirësitë. Falënderoj familjen, arkitektin dhe të gjithë dashamirësit e tij që po bëjnë këtë muze, për këtë figurë kaq madhe të Shqipërisë. Ishte një personalitet i madh. Zoti na nderoftë të gjithëve, Amin!” – u shpreh Baba Mondi.
Ndërsa Elona Agolli, me emocion dhe përulësi, solli për të pranishmit copëza nga jeta personale e të atit, duke e rikujtuar jo vetëm si një kolos të letrave, por si një baba.
“Jam e nderuar që marr pjesë në ritin e kurbanit, një rit bektashian. Edhe rrënjët e familjes sime i përkasin këtij besimi, por edhe moralit bektashian. Gjyshërit e Dritëroit dhe gjyshi im, Rizai, i përkisnin besimit bektashi. Përherë në familjen e tim eti këndoheshin këngët e bektashizmit, recitohej Abaz Aliu i Naim Frashërit. Jam e lumtur, pasi me realizimin, bërjen realitet të muzeut për Dritëro Agollin në fshatin e tij të lindjes, do të ketë një mundësi dhe hapësirë të posaçme dedikuar traditave të familjes bektashiane, historisë familjare të shkrimtarit” – u shpreh Elona Agolli, vajza e Dritëroit.
Shtëpia-Muze e Dritëro Agollit do të jetë një qendër kulturore e gjallë ku do të ekspozohen dorëshkrime, objekte personale, fotografi dhe dokumente arkivore. Ajo synon të bëhet një pikë referimi për çdo vizitor dhe të ri që dëshiron të njohë nga afër jetën dhe veprën e këtij personaliteti të shquar të kulturës shqiptare.
Lorena Kodra
BW
Dy poezi nga Dritëro për të shprehur një falenderim për ceremoninë e djeshme rituale , në Menkulas dhe Inonisht të Devollit , në prani të Kryegjyshit Baba Mondi , të punëdashësve e të përkushtuarve për vepra të mira , bashkëdevollitëve të përveçëm të Dritëroit , miqve të nderuar e të shtrenjtë po ashtu si Aleksandër Çipa me të cilin më shumë se gjithçka na lidhin etërit tanë , kujtimi e vepra e tyre . Elona Agolli
Në teqe
Baba Muharremin e gjej në teqé
Me gota të mbushura pranë
Me pipën me tym në gojën me re
Tek heshtur lexon “Qerbelanë”.
Tespihet në dorë e mjekrën në tym,
Pagurin përbri “ Qerbelasë”,
Me bërrylin e gjelbër maçokun e shtyn
Mos futë mustaqet në pjatë.
Hap sytë e më sheh nëpër tym me përtim
Tek mjekrën përdredh nëpër duar ,
I dukem vërtet si hazreti Naim
Që shkroi “ Qerbelanë” e bekuar .
28 shkurt 1997
Pritja e Naim Frashërit
Ai jeton gjersa s’ka vdekur
Veç hesht nën tingujt e xhurasë
Dhe larg mendimet i ka tretur
Andej nga Fushë e Qerbelasë.
Në mjegull fshihet dalngadalë
Dhe pret të shohë Abaz Alinë
Të shfaqet maleve me kalë
Me një mesazh për Shqipërinë;
T’i thotë asaj se del Mavia
Me dorën mbushur plot me farë
Dhe mbjell veç farët e këqia ,
Fut helm në gonxhe dhe lastarë.
Ai jeton gjersa s’ka vdekur,
Jeton me dyllin dhe qiririn
Dhe dylli ndrit e s’ka të tretur ,
Dhe tretjes nuk ia njeh kufirin.
5 mars 1997
Dritëro Agolli #poezi

