Gazeta Nacional Albania

I NGARKUARI ME PUNË. Tregim nga Gentian Vyshka

Kur e kishin caktuar të ngarkuar me punë në atë vend të largët (edhe pse ai e thërriste veten ambasador), ishte habitur, sepse aty nuk rezultonin më shumë se njëqind bashkëkombas të regjistruar. Përpos kësaj, vizitat ishin të rralla, shkëmbimet tregtare të pakta, miqësitë inekzistente dhe krushqitë as që imagjinoheshin.
‘Duhet të mendojmë për të ardhmen’, i kishte thënë presidenti ditën e emërimit. ‘E ardhmja jonë nuk është me vendet fqinje, por përtej oqeaneve. Kjo na siguron pavarësinë, përjetësinë, përparimin dhe prosperitetin’. 4P, tha ai më tutje…pupupupu….
Hallall, kishte menduar. Një vit e ca muaj pa punë fare, pastaj krejt pa pritur kishte marrë një telegram nga ministria e jashtme e vendit pritës. Të paraqiteni tek ministri i jashtëm nesër, ju lutem. Ndaj të gdhirë. Ejani esëll, se do ju matim gliceminë në gjak në kuadër të një kontrolli të gjithanshëm për parandalimin e diabetit, skizofrenisë dhe frakturave të hundës.

VIZITA ZYRTARE

Roja i portës së ministrisë e njohu menjëherë. ‘Arben’, i tha, ose ‘Beni… Mirëse të pruri zoti’. Qerrata djalë, mendoi. Do ma ketë shikuar foton te faqja e interpolit… Dikush i kishte thënë se fotoja kishte mbetur tek ‘arkivat’, edhe pse kishte paguar një dreq e gjysëm që ta fshinte.
Shefi i kabinetit e priste te shkallët. ‘Keni pshurrur ?’ e pyeti. ‘Do ishte e mira që përveç analizës së gjakut t’u merrnim edhe urinën. Po depistojmë edhe për infeksionet urinare te gratë shtatzëna’, përfundoi ai.
Ambasadori i hodhi një sy shkarazi barkut që kishte vënë. Edhe mund të dukej shtatzënë, por me sa i kujtohej, kontaktin e fundit homoseksual e kishte bërë para një viti e ca, kur kishte marrë emërimin. A thua të mbetej shtatzënë pas kaq shumë kohësh ? Në fakt ka disa gjitarë që e kanë shtatzaninë gati dy vjet… elefanti, për shembull. Por vetëm femrat, mendoi i lehtësuar. Jo meshkujt.
Po unë jam mashkull, iu përgjigj shefit të kabinetit. Plus që ruhem shumë. ‘Nuk ka asgjë për t’u habitur’ – iu përgjigj ai – ‘jo më larg se vitin e shkuar një burrë mori dy vjet leje lindje. Tek ne gjithçka ndodh’.
Përballja me ministrin ishte e çuditshme. Nuk e kuptoj pse ke ardhur, i tha ai. ‘Vetë keni kërkuar takim’, tha ambasadori.
Ministri kruajti kokën dhe u mendua. Mbase na ke sjellë ndonjë lek, i tha. Bah, unë jam trokë për vete. Edhe për të ardhur kam përdorur autobusin.
Në fakt, na duhet një ndihmë, tha ministri pasi gërmoi mbi tavolinë. Kam dëgjuar që ju keni rapsodë shumë të mirë, për të gjitha fushat. Rapsod operistik, techno, dhe polifonik.

PROBLEMI KRYESOR

Si fillim të na sqaroni ç’dreqin doni këtu, kaq larg vendit tuaj. Plus që ju për diplomaci as që ia thoni fare, derisa keni punuar elektricist në një spital rajonal. Apo jam gabim ? pyeti ministri.
‘Pjesërisht e vërtetë’, i tha ambasadori, ‘por duhet të pyes shefin’.
Ai nxorri celularin dhe i telefonoi eprorit. ‘Nuk e kuptoj’ i tha tjetri në telefon, ‘kush të ka dërguar atje? Ti je një kokërr gomari që duhesh shkarkuar në vend… si… më përmend doktoraturën që paske bërë? Pa ma përsërit temën që ke mbrojtur? Influenca e rajoneve nëntokësore në prapambetjen e aeroporteve sub-sahariane? O ti je idiot….’
‘Si përfundim,’ tha ai, ‘nuk e di pse jam këtu’.
Po ç’rëndësi ka kjo, mendoi ai me vete, duke folur me zë të lartë. Kërkojnë rapsodë. Mirë fare, të paktën gjeta një punë. Rapsodin. Kam jo një: po tre të tillë, njëri më ekselent se tjetri.

KËNGA E PARË

Edhe Homeri kështu i titullonte, sido që u thoshte nekyia nganjëherë, sidomos kur fliste për gjëra të shkuara. Po edhe ne me këto do merremi, tha rapsodi i parë, që quhej Jeronim. Do të këndojmë se si vajti për dreq imzot Kanati, ditën që të gjithë kujtuan se e qëlluan me çifte nga Biblioteka Kombëtare, që sot është Instituti Italian i Makaronave.
Imzot Kanati kishte qënë i ulur në një limuzinë të hapur, kur një i shkalluar me emrin Leonard Tallavaja, mendohet se e qëlloi nga prapa rafteve të librave të bibliotekës. Meqë aty nuk ka më asnjë libër as edhe rafte, doemos që as nuk e kanë qëlluar.
Si operistik që jam, do përqëndrohem tek elementet sublime të ngjarjes, tha rapsod Jeronimi. Kënga ime, po sidomos refreni, do të vërtetojë që imzot Kanati nuk u qëllua fare nga Tallavaja. Ai thjesht kërceu përpjetë nga makina në një moment të caktuar, kur bëri skopjo goma e pasme e krahut të shoferit, aty ku ishte ulur hanëmja e tij, Angjelina.
Kur i prezantova ministrit rapsod Jeronimin ai mbeti, pak të themi, i mrekulluar. Europa dhe Amerika nuk ka parë rapsod të tillë, tha ai. Të paktën jo deri më sot, në periudhën e ngrohjes globale.

KËNGA E DYTË

Rapsodi i dytë, me emrin e artit Durim, u paraqit të nesërmen në dikasterin mikpritës. Unë me zanat jam speleolog, tha. Kam studiuar shpellat, guvat dhe vrimat. Fëshfërima e ajrit dhe rrëkëllimat e ujit, apo rakisë, më perfeksionuan harmonikat.
Edhe unë, vazhdoi ai, kam kënduar për imzot Kanatin. Sidomos kur ka kërcyer përpjetë nga makina, gjë që e ka bërë, në mendimin tim, sepse kishte zënë keq të mbrapmet. Shto këtu edhe faktin që ai një ditë më parë kishte përdorur minimumi dy suposte, dhe u bë kënga. Pa refren.
Rapsodi Durim, i stilit tekno, filloi të këndonte me çifteli. Na ngjethi mishtë saqë mendova vërtet, pa shkelur protokollin, që nuk bëhej fjalë fare për ngrohje globale. Ne po dridheshim.

Kanat o evlat / s’e pate të gjatë / të prenë me shpatë /
Thonë vdiq nga veremi / kur qe te haremi / po këto s’do t’i themi /
Kush vjen me vërtik / as rri dhe as ik / dragua me thikë.

KËNGA E TRETË

Ky rapsod ndryshon nga dy të parët, tha ambasadori. Le që na erdhi katër javë me vonesë, pavarësisht se i dërguam disa fletë thirrje.
Rapsodi Qesim është ai që e vulos trion, i tha ministrit. Këndon në regjistrin e mesëm. Nuk është speleolog, pavarësisht se ka kaluar fëmijërinë në shpellë. Nuk është operistik si Jeronimi, as techno si Durimi. Ky pret që të këndojnë dy të parët, pastaj ia pret në sfond. Është polifonik.
Ta dëgjojmë, tha ministri.
‘Imzot Kanati’, filloi të këndonte Qesimi, ‘nuk përfundoi ashtu si kujton gjithë bota’. Ne të tre madje, dhe tregoi me gisht të gjithë trion, kemi patur fatin të dëgjojmë rrëfenjat e një profesori tonë të ndritur, Bjelushit. Ai e ka studjuar rastin e Kanatit plot dyzet vjet pas asaj që kujtohet sikur të jetë vrasje me çifte. Përfundimisht, mendon profesor Bjelushi, ajo ka qenë vdekje nga barku i verës.
Kësaj do t’i këndoj në fund të këngës, tha rapsodi i tretë, pasi që refrenin e kënduam techno. Bile do këndojmë të tre bashkë, polifonikisht.
A keni ndonjë vegël muzikore me vete, pyeti ministri ?
Kam fyellin dhe lahutën, po i lashë në frigorifer, tha rapsodi. Sot m’u duk shumë vapë.
Pastaj ktheu kokën nga rapsodi Durim, që shikonte çakërr ngaqë kishte humbur syzet, dhe i tha: një ton më lart.

KONCERTI

Premiera gjenerale përfundoi më mirë nga ç’e prisnin, dhe ambasadori vendosi të ftonte ministrin në galanë e madhe, ku do të prezantohej disku i fundit i trios.
Është prodhim i studios diskografike ‘Hipoliti’, tha ai. Një mishelë e modernes me arkaiken, e shpirtërores me mishtoren, e inertes me të lëvizshmen, e ngrefjes me të pangriturën, dhe e kimusit me të përmjerat… një super disk me muzikë origjinale. Do shastisë dynjanë.
Në gala’ erdhi vetë pronari i studios diskografike, një mecenat i njohur, i quajtur Vesel. Profesor Bjelushi nuk mundi të vinte, sepse kishte humbur korrespondencën e fluturimit në Dubai.
Po të mos ishte Leonard Tallavaja, filloi Veseli në fjalën e hapjes, nuk do të ishte realizuar ky disk i shkëlqyer, me tre këngët e rapsodëve tanë. Vdekja tragjike e imzot Kanatit do të kishte mbetur po ashtu e pasqaruar, nëse profesor Bjelushi nuk do bënte matjet e tij të sakta me gyp, stereogyp, ruletë dhe kuletë. Të gjitha këto ngjarje duheshin përjetësuar. Dhe ja ku kemi tre rapsodë, njëri më havdall se tjetri, që kanë prodhuar tre këngë të magjishme.
Salla ngriu kur u shqiptua termi ‘havdall’… më falni, tha Veseli, desha të them ‘dangall’… jo, as këtë por ‘hallall, këtu e kisha fjalën…’ Një psherëtimë lehtësie i përfshiu të gjithë, dhe ministri fshiu ballin e përskuqur nga bulëzat e djersës.
‘Tani le ta shijojmë këtë trio’, vazhdoi Veseli. Nën kujdesin e veçantë të burrave të shquar që nuk dua t’u përmend as pozicionin as kontributin për modesti, kemi ftuar orkestrën simfonike të vendeve shumë të ulëta, të cilën e kemi zbritur poshtë fare, në katin minus pesë, aty ku mbaron parkingu i nëndheshëm. Kjo sepse duam, në fakt, që tingujt simfonikë të dalin nga fundi i dheut. E di që do arrijnë në skenë me pak vonesë, por kjo nuk ka rëndësi.
‘Jepi o Jeronim’, tha në fund të fjalës së tij… ‘dhe ti Durim e Qesim, që të provojmë qetim dhe amëshim’.
Rapsodët filluan të këndojnë njëri pas tjetrit, pastaj në grup. Kujdes, tha Veseli, që luante edhe rolin e dirigjentit. Refreni ‘O Kanat, o barkthatë / diarrenë kishe të gjatë’ – të dalë më i fuqishëm.
Përndryshe mund të na përflasin për lajme të rreme, ngaqë zyrtarisht mendohet se Kanati u vra me çifte. Dhe Leonard Tallavaja, sido të vijë puna, i cili u var në mes të katundit për këtë krim të urryer, u dënua krejt pa faj. Duket fare qartë tani e dyzet vjet më pas, që vrasja nuk ka qenë kryer prej tij. E varën te dera e bibliotekës, pa ia plotësuar as dëshirën e fundit. Kishte kërkuar një pjatë spageti karbunara, në një kohë që prokurori që po asistonte në ekzekutim dhe drejtoria e burgjeve, kishin sjellë linguine me fruta deti.

JEHONAT

Pas-koncerti ishte një histori më vete. Supersukses. Veseli doli vetë në televizionin lokal, bashkë me trion, për të vazhduar prezantimin e diskut.
Ne, si studio Hipoliti, tha ai, e kemi për nder që të nxjerrim në qarkullim muzikën epiko-lirike të trios rapsodike Jeronim, Durim e Qesim.
‘Përfitoj nga rasti’, vazhdoi ai në transmetim të drejtpërdrejtë, ‘të lajmëroj se kemi vakant vendin e punës për roje nate pranë studios Hipoliti. Kërkohet:

Një person mashkull, femër, ose trans, i moshës 23 deri 83 vjeç;
Të ketë minimumin titullin akademik ‘profesor i asociuar’;
Të ketë dhënë leksione në universitete, kolegje ose shkolla për persona me aftësi të kufizuar, brenda territorit ose në troje;
Të jetë mbi 1.80 metra i gjatë, pa taka;
Të ketë minimumi 12 vjet punë si zooteknik;
Të zotëroje në mënyrë fluente dhe me shkrim aramaishten.

Lajmërimi e konfondoi pak drejtuesin e emisionit, i cili i tërhoqi vëmendjen. Për diskun, dhe këngët, të lutem aty përqëndrohu. Pastaj përse gjuha aramaisht, kur dihet që ajo nuk flitet më? Pikërisht, tha Veseli, për të treguar përjetësinë e veprës tonë. Edhe të rapsodëve.
Kemi një telefonatë direkt, nga spektatorët, vazhdoi drejtuesi i emisionit. Përse ju duhet profesor i asociuar për roje nate, pyeti dikush me zë të ngjirur?
Keni të drejtë, tha Veseli… lapsus. Pranojmë edhe doktor shkencash.

KTHIMI NË SHTËPI

Ata nuk e kishin parë kurrë më parë kaq të shqetësuar ambasadorin. Në fund të galasë ai iku pothuaj me vrap. Mori avionin e parë për në shtëpi, bile pa lajmëruar as ministrinë e jashtme të vendit mikpritës. Incident diplomatik, shkruan disa portale.
Në fakt, atë e kërkoi e shoqja me urgjencë. Kushëriri yt i tretë dhe daja im nga martesa e dytë e nënës, i tha ajo, po martohet prapë. Për herë të gjashtë.
Ishte mbledhur i gjithë fisi, shumë, shumë i shqetësuar. Nuk kuptoj, tha ambasadori. Para tre vitesh ne e kastruam, po prapë ky? Ah mos ma kujto, tha e shoqja. Shyqyr që ia mbushëm mendjen. Me njëmijë luftra.
Xhanani (kështu e kishte emrin) martohej çdo dy vjet gjatë dekadës së fundit, edhe pse ishte tetëdhjetë e pesë vjeç. Ngaqë vuante nga dhimbja e kokës, farefisi i mbushi mendjen që metoda përfundimtare e shërimit ishte kastrimi. Ç’është e vërteta, që pas procedurës së tredhjes, ai nuk ankonte më dhimbje koke. Por vazhdonte të martohej.
Xhanan o evlat, e mori mënjanë ambasadori. Do bëhet keq e më keq, po lëre këtë punë. Gruan e fundit e more te shoqata e jetimëve, kurse kjo tjetra qenka LGBT. Që këtu bie poshtë martesa, sepse ajo nuk mund të marrë një burrë, dmth mashkull.
Burrë leshi, tha Xhanani… vetë m’i hoqët hallatet. Tani do shpall veten femër. Ku ka zot në botë, kështu si ka ardhur puna, të më pengojë mua të martohem.
Të pranishmit në dhomën ngjitur, ngrinë fare kur dëgjuan arsyetimin e tij. Tani po, që u fikëm, tha ambasadori. Ju thashë që kastrimi nuk do ishte zgjidhje…. hajde pengoje tani të martohet.
Dhe do bëj dasëm të madhe, vazhdonte të deklaronte me zë të lartë Xhanani. Do ftoj tre rapsodët të këndojnë. E di që kjo nuk është zgjidhja më e mirë, por disku i fundit i tyre duhet promovuar.
Me shaka, pa shaka, Xhanani arriti të martohej. Rapsodët nuk i erdhën në dasëm, kështu që u mjaftua me disa çingie që i porositi në momentin e fundit përtej lumit të qytetit. E ndihmoi ambasadori, që i kishte ruajtur në celular numrin Uarda Havanëmes, e cila kishte marrë azil politik pak kohë pasi kishte plasur lufta e fundit në kanalin e Suezit. Martuar me një vendali, ajo kishte hapur edhe një zyrë këshillimi juridik në kryeqytet, përpos që shiste qilima persianë, parfume orientale dhe bënte rregullisht ekspertiza dhe përkthime nga gjuha sumeriane në gjuhën tonë dhe anasjelltas.
Përfundimisht, tha ambasadori pasi e diskutoi çështjen në farefis, këtë gjë do ta zgjidhë gjyqi. Bile, vazhdoi ai, për këto budallallëqe që ti po bën pafundësisht, familja jonë të ka përkthyer dhe kushtuar një pjesë të një poezie të italianit Giuseppe Giusti, quajtur ndryshe Jusuf Drejti:

Hungërin shpirti
Idhullit tim
Me neveri
Mbledhur rrëmbim

Harro melhemin
Parnasit tënd
Mbathi pra thundrat
Hundën si shkëmb

Muzën karfosur
Nën xhixhillik
Zbrit gjer në llucë
Strofkës boshllik

Krejt si imazhi
Pis dhe mashtrues
Nëpër Tebaidën
Abat shenjtnues

Luzmojnë flliqsirat
Hordhitë e Orkut
Ndyjnë dhe çanakun
Derrave t’ngopur

Nga frika e ujit
Që i shtyn poshtë
Gjer në humnerë
Arrin e plotë

Rracë llapaqenësh
Fuksash, spiunësh
Me valë, tallaze
Litani shumët.

Nuk e di a të pëlqeu, pyeti ambasadori. Është ca e vjetër, e shekullit XIX. Nuk e përkthyem të gjithën, që të mos të rëndonim. Xhanani mbeti si i ngrirë një moment, pastaj i tha: po ti nuk di italisht fare?
Nuk ka problem, tha ambasadori. E kam përkthyer nga rusishtja. Fundja unë i ngarkuar me punë jam, dhe nuk ka pse të di shumë gjuhë. Me kaq merrem vesh mirë, përjashtuar ty.
Si ta keni, e mbylli tjetri bisedën. Unë prapëseprapë, do martohem.