Site icon Gazeta Nacional Albania

Ibrahim KADRIU: Libri “Paradigma e parajsës” i Gjekë marinajt,  referenca të ngjeshura me emocione

 

 

 

POEZIA E GJEKË MARINAJT,  ARRITI T’I KAPËRCEJË KUFIJTË E SHUMË SHTETEVE, DUKE U PROPOZUAR  EDHE PËR ÇMIMIN NOBEL  

 

Ky libër (në një formë) të kujton Rubairet e Kajamit, apo “Gitangjain” e Tagorës, por gjithashtu edhe Preverin me fleksibilitetin e tij. Marinaj me këtë vepër ofron imazhe si reflektime të ndjenjave eksplozive.

 

Nga Ibrahim KADRIU

 

Në Prishtinë, nga botuesi “Faik Konica”, nën përkujdesjen redaktorialë të romancierit Nazmi Rrahmanit (editor) u botua libri poetik i Gjekë Marinajt “Paradigma e parajsës”. Ishte paraparë që, në Prishtinë, të organizohej përurimi i këtij vëllimi me ç ‘rast, Nazmi Rrahmani më tha se në atë përurim do ishte mirë të flisja edhe unë. Duke i përcjellë vazhdimisht sukseset e poetit Marinaj, pa kurrfarë hezitimi, i thashë Nazmi Rrahmanit se ndjehem i nderuar të flisja në përurim mbi vlerat letrare të këtij poeti i cili, me punën e tij krijuese, arriti t’i kapërcejë kufijtë e shumë shteteve dhe, kësisoj, të bëhet një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë.

 

Me kënaqësi iu qasa portretit të tij, por pasi e bëra gati tekstin që do ta lexoja në përurim, Nazmi Rrahmani më telefonoi dhe më tha se përurimi nuk do të mbahej, meqë Gjekë Marinaj kishte do obligime tjera nga të cilat nuk mund të largohej. Ai tekst i përgatitur për përurim të vëllimit “Paradigma e parajsës”, është në vazhdim:

 

Gjekë Marinajn e njoh që nga viti 2000 kur më ra në dorë libri i poezisë së tij me titull “Infinit”. Që atëherë, duke i lexuar ato poezi, kisha një ndjenjë afrie me poetin dhe, që atëherë, e kisha ndërmend t’i shkruaja dhe t’ia përcjellja ngazëllimin tim nga reflekset metaforike të poetit që ishte nisur suksesshëm rrugës së afirmimit, i cili me vargje, pos tjerash, shpreh edhe mendimin vizionar: “Kosova nuk do të mbetet kështu/ si një ombrellë e mbyllur sentimenti …”, ose kur i drejtohej poetit Azem Shkreli: “Ju dolët si një ëndërr e bukur prej nesh, poet!”.

 

Duke i lexuar vargjet e këtij poeti me vete mendja te poezia “Kuajt”, te ato vargje satirike antikomuniste që ishte shkas për arrestimin të tij, por që iu shmang arrestimit duke kapërcyer kufirin dhe, nga ajo ditë e tutje, Gjekë Marinajn e kemi qytetar të botës me aq shume arritje në fushën e letërsisë, kritikës dhe përkthimit, duke arritur (disa herë) pas shumë çmimeve të propozohet edhe për çmimin Nobel.

 

Sot e kemi edhe librin poetik “Paradigma e parajsës” që, me pohimin e autorit, është poezi për dashurinë, e që paraqet një botë të veçantë, një përkushtim përmes vargjeve ku shprehen ndjenjat e sinqerta të një burri i zënë peng në kthetrat e dashurisë e që reflektohen përmes formave më sublime të komunikimit me lexuesin.

 

Referencat e këtyre poezive arrijnë të ngjeshura me emocione, të shprehura lirshëm, pa sforcime dhe të ngarkuara me shtytjet teorike ose me ekstreme moderniste, janë poezi që dëshmojnë shpirtin e autorit si poet i avancuar duke na ofruar forma poetike që pushtojnë.

Vargjet e Gjekë Marinajt janë të lira, përgjithësisht vargje të shprehjeve spontane, të tilla çfarë referuar nga inspirimi, me ritmin e impulseve shpirtërore ndaj personit që i përkushtohet duke i “rënë në gjunjë” personalitetit të saj, e cila në të gjitha vargjet ka rolin e engjëllit.

Mund të them se poezitë e tilla (si tërësi) janë të rralla. Vështir mund të gjendet autor që, me aq përkushtim, i drejtohet personit që e mban në zemër.

 

Ky libër (në një formë) të kujton Rubairet e Kajamit, apo “Gitangjain” e Tagorës, por gjithashtu edhe Preverin me fleksibilitetin e tij. Marinaj me këtë vepër ofron imazhe si reflektime të ndjenjave eksplozive. Vargjet e këtij vëllimi, me shprehje refleksive, na ofrohen me kompetencat e zërit autentik poetik, zë që merr formën e një arie, derisa bëhet kapërcimi prej poezie në poezi, derisa i falesh çdo vargu i mbështetur në procesin tematik si rrjedhojë e dashurisë së sinqertë.

Duke ia dhënë vetit të drejtën të jetë vasal i përjetshëm i dashurisë ndaj asaj me të cilën e kalon jetën, autori gjithnjë është në kërkim të shprehjeve më të përshtatshme për idetë të mbështetura në dashuri.

 

Në këtë aspekt është i veçantë, dua të them – pa krahasim me ndonjë poet tjetër që i përkushtohet dashurisë. Për këtë arsye këtë vëllim të Marinajt e konsideroj unik dhe të vlefshëm për lexuesit e çdo moshe. Ngazëllimi i poetit që shpërfaqur nga ndjenja e dashurisë mbërrin të dëshmohet në të gjitha strofat sepse “Unë Jam i pavdekshëm/ Për sa të jetosh ti/ – shprehet ai. I tërë vëllimi ka peshën e projeksionit të kohës me nuanca subjektive, të kohës të disa dekadave të jetës së përbashkët në bashkëshortësi, (me Dusitën), që mund të konsiderohet si rast i rrallë që një kohë e tillë me gjatësi – të pasurohet me elemente të strukturës lirike.

 

Në mënyrë shumë origjinale Gjekë Marinaj shëtitë në përvojën e jetuar me peshën e ndjesive e cila e dëshmohet në tërë librin “Paradigma e parajsës” që nxit leximin, mbase edhe rileximin e herëpashershëm duke i ofruar lexuesit prehje me përmbajtje dhe me shtrirje të asaj përmbajtje në formën e figuracionit poetik.

 

Prishtinë, 19 dhjetor 2023

Exit mobile version