Në fshatin tonë erdhi një i njohuri im nga fshati përballë luginës. Kisha kohë pa e takuar.
U përqafuam si miq të vjetër që ishim dhe u nisëm këmbë- këmbë në drejtim të kafenesë.
– Eja të pimë nga një gotë !- më tha dhe më tërhoqi nga dora. – Do të të qeras unë.
– Nuk shkon të më qerasësh ti në fshatin tim. Kemi tradita, apo jo ?- i thashë, duke e parë drejt e në sy.
– Ti ke traditën, unë kam sebepin,- ma ktheu duke buzëqeshur. – Po më duket se ky sebepi im, është më i fortë se tradita jote.
Ndalova këmbët dhe i hodha një vështrim pyetës, që të më thoshte se cili ishte ai sebepi i tij, që kishte aq fuqi sa ta thyente traditën.
– Eja !- më tha duke më tërhequr para. – Do ta mësosh edhe atë.
Në lokal u shtruam mirë. Gotë pas gote e fjalë pas fjale, u bëmë valë.
– Dhe tani dëgjo sebepin tim,- ia nisi miku im, kur unë, i ngrohur nga afshi i pijes, e kisha harruar krejt atë.
U bëra kureshtar.
– Të thashë dua të të qeras unë, se mora një dorë të mirë të hollash nga Bashkimi Europian.
– Nga cili Bashkim Europian ?
– Nga Bashkimi Europian që kemi në Bruksel, në të cilin u fut edhe vendi ynë.
– Mesa di, Bashkimi Europian, nuk jep, vetëm merr. Ose më mirë të jep një dhe për atë një që të jep, të kërkon pesë apo dhjetë.
– Jep, jep, por duhet të dish si t’ia marrësh,- më sqaroi miku im, i cili, mesa duket, i dinte mirë sekretet e Bashkimit Europian.
U bëra sy e veshë.
– Pa ma thuaj, cili është sekreti për të marrë të holla nga Bashkimi Europian ?- e pyeta dhe u rregullova mirë në karrige.
– Ju nuk dini gjë nga këto punë ?
– Jo.
– Atëhere dëgjo dhe vuri veshin fjalës !
Para ca kohësh tek ne erdhi komisioni i regjistrimit të bagëtive. Për çdo krerë bagëti, Bashkimi Europian jep një ndihmë në të holla, me qëllim që të shtohet gjëja e gjallë tek shtetet anëtare të saj. Im vëlla, që është binjak me dreqin në këto punë, ditën e numërimit erdhi herët në shtëpinë time dhe i mori të pesëdhjetë delet e mia, mandej shkoi tek vëllai tjetër, mori edhe shtatëdhjetë dhentë e tij dhe i shpuri në vathën e vet. Së bashku me gjashtëdhjetë delet e tij, u bënë njëqindetetëdhjetë. Sapo u larguan ata të komisionit, i shpuri të gjitha së bashku tek vëllai tjetër, ku u numëruan sërish nga komisionerët. Mandej i vuri përpara dhe i solli të gjitha së bashku tek unë, ku u numëruan për herë të tretë. Në këtë mënyrë mora një tufë të mirë të hollash.
Pa mendo pakëz. Me një veprim të thjeshtë, dhentë e vëllezërisë sonë, të cilat janë njëqindetetëdhjetë krerë, në regjistrim dolën pesëqindedyzetë. Një shifër e denjë për nivelet europiane. Më pas morëm vesh se këtë gjë e bënë edhe shumë fshatarë të tjerë. Kjo na leverdisi edhe neve, por edhe fshatit.
Bile edhe vetë atyre të Bashkimit Europian, të cilët panë nga afër sesi ishte shtuar në shifra të admirueshme gjëja e gjallë në fshatin tonë, fakt ky që shpërfaqte bindshëm edhe vetë punën e Bashkimit Europian me shtetet anëtare të tij, siç ishte shteti ynë, i cili sapo u anëtarësua aty, shtoi dukshëm numrin e bagëtive.
– Kjo,- thanë ata,- është meritë e direktivave europiane ! Natyrisht edhe e juaja, që ditët t’u përgjigjeni këtyre direktivave.
Dhe na përgëzuan për shtimin e numrit të bagëtive.
Rashë në mendime. U ndava me mikun tim dhe ecja rrugës si i hutuar.
– Na !- i thashë vetes dhe i bëra munxët. – S’ta preu një herë kjo e shkretë radake ! U futën të tjerët në Europë, por fituan edhe mjeshtërinë europiane. Kurse ne paskishim mbetur në Mesjetë. Hajde fshat i humbëtirës, hajde ! Kjo përvojë kaq e vyer europiane qenkish përballë fshatit tonë, kurse ne jo vetëm nuk dinim ta merrnim, por nuk kishim dëgjuar edhe asgjë për të !
Në fshat dhashë alarmin. Thirra disa të afërm dhe njerëz të besuar dhe ua shpiegova gjendjen.
Më dëgjonin të hutuar, sikur vija nga Brukseli.
– Ku paskemi qenë kaq kohë !- zuri kokën me të dy duart fqinji im.
– Të vëmë mend sa nuk është vonë !- shtoi krushku i sime motre.
– O burra në veprim !- lëshoi kushtrimin im vëlla.
Vendosëm njëzëri që Europës t’i përgjigjeshim me taktikë europiane.
Nuk vonoi shumë, kur na lajmëruan se do të bëhej regjistrimi i bagëtive në fshatin tonë.
U hodhëm në veprim. Me lopët nuk ia vlente të merreshim, se kishim shumë pak. Me derrat, jo e jo, se tundnin botën me hungërima dhe qe e vështirë për t’i transportuar.
Me dhi kishim vetëm tre-katër stane. Edhe ato qenë në anë të anës.
Atëhere drejt e tek dhentë. Krijuam grupin e makinave të transportit. Këto makina do të transportonin tufat lëvizëse. Do t’i sillnin për t’i regjistruar ata të Europës dhe do t’i shpinin tek të zotët menjëherë pas regjistrimit. Një natë para regjistrimit gjithshka ishte në gatishmëri të plotë. Marrëveshjet me njerëzit dhe me miqtë tanë i kishim bërë me kohë. Për tërë natën nisëm urgjent makinat e trasportit, të cilat sollën në fshatin tonë dhen nga të gjithë fshatrat e krahinës. Fshati u bë det i bardhë me dele.
Dita e regjistrimit ishte një ditë e shumëpritur. Si dita e një feste të madhe popullore. Të gjithë ishin të gëzuar. Edhe në ajrin që thithnin, ndjenin lumturi.
Klima e ngrohtë europiane ishte e pranishme në çdo familje.
Regjistrimi u bë me saktësi të plotë, sipas rregullave të rrepta të Bashkimit Europian.
Edhe shifrat e regjistrimit ishin tepër mbresëlënëse.
Gjëja e gjallë në fshatin tonë ishte shtuar me shifra që të linin gojëhapur.
Mua, që kisha vetëm njëzet krerë, në regjistrim më dolën dyqindetetëdhjetë, domethënë plot katërmbëdhjetë herë më tepër. Disa të tjerë patën shifra edhe më të larta.
Domosdo, këto shifra nuk mund të krahasoheshin me shifrat modeste të fshatit të mikut tim.
Sipas statistikave të regjistrimit, fshati ynë kishte më shumë dhen se të gjithë fshatrat e krahinës së bashku.
Këtë radhë përgëzimet për shtimin e numrit të gjësë së gjallë, na erdhën direkt nga qendra e Europës. Bile na lajmëruan zyrtarisht se, së afërmi, në qendrën e prefekturës sonë, do të organizohej edhe një seminar, me pjesmarrjen e të gjithë shteteve anëtare, për të përhapur dhe nxitur përvojën e fshatit tonë për shtimin e bagëtive.
Ky gjest nderimi dhe mirënjohjeje, na emocionoi së tepërmi.
Kishte ardhur koha që të tjerët të mësonin prej nesh.
Nuk vonoi dhe përvoja jonë u përhap gjithandej.