Gazeta Nacional Albania

IMPRESIONET E MIA PËR VITIN 2020. Nga ISA MUÇA, Elbasan

 

 

 

Viti 2020, si për gjithë njerëzimin, edhe për mua ishte viti më i zi. Gjithë këta muaj i kaluam me ankth e frikë. Çdo njeri dukej i trumatizuar gjer në thellësi të shpirtit. Për mua u nda në tri pjesë ky vit: purgatori (përgatitja për të hyrë në ferr), ferri (pushtimi im nga koronavirusi) dhe parajsa ( çlirimi nga covid-19).

Së pari, që nga 9 marsi e deri në fund të shtatorit për mua ishte purgator, ku u përgatita për të hyrë në ferr. Deri më 9 shtator dilja në qytet dhe pija kafe me shokët. Më pas e pija, më së shumti, vetëm, se shokët e mi u mbyllën nëpër shtëpitë e tyre nga frika e coronës. Kur kaloja rrugës, më dukej vetja si banor i një planeti tjetër. Njerëz të ndryshëm më përshëndetnin, dikush donte të më takonte, por shmangesha. Ditët më të mira për mua ishin e shtuna dhe e diela, kur merrja në dorë gazetën “Nacional” dhe lexoja krijimtarinë e pasqyruar në të. Kjo më jepte qetësi shpirtërore dhe në ndihmonte si të shkruaja edhe unë. Letërsia, sipas meje, është pasuria më e shtrenjtë, që na kanë lënë të parët tanë me shekuj dhe brez pas brezi. Letërsisë i kushtoj kohën dhe hapësirën e shpirtit të lirë. Kur shpirti nuk është mirë dhe i zhytur keqas në prapësi, letërsia më ngre lart në qiellin pa re dhe fluturoj përmes yjeve si për t’i rrokur me duar. Ajo më bën si fëmijë, që kërkon lodra e përralla dhe tërë kohën të rrijë me libra në dorë. Të gjithë librat i trazova dhe për së dyti i lexova. Po tani?…

Çdo e keqe e ka një të mirë. Deri më 9 mars kam shkruar libra në prozë (tregime, romane e studime), por koronavirusi ndjenjat e mia i ngacmoi dhe si ai lundërtari kur deti ka stuhi del e gjuan peshk, fillova të shkruaj poezi, megjithëse për mua ky ishte një “zanat” i ri. Nuk e di nëse mundem t’i botoj, sepse disa botues kërkojnë para me thasë, kurse ne nuk mbushim dot as një trastë. Këto janë prozë poetike, ku ndjehet hidhërimi, melankolia, ngaqë kështu ishte ky vit. Më duket se edhe shqiptarët kanë rënë në agoni edhe për të lexuar letërsi.

Krahas influencave të tjera, edhe botuesit botojnë vetëm libra të huaj dhe të kohëve të kaluara, që të rinjve nuk u interesojnë. Të rinjtë duan të njohin jetën e sotme dhe perspektivat për të ardhmen në vendin e tyre.

Mendoj që letërsia shqiptare, duke mos mundur të botojnë edhe të rinjtë, i largon ata edhe nga vendi duke ndikuar keq na shkombëtarizimin e atdheut. I vetmi që punon për ruajtjen dhe zhvillimin e letërsisë shqipe, është z. Mujë Buçpapaj me stafin e tij, prandaj i uroj suksese për vitin 2021.

Së dyti, ferri për mua filloi më 27 shtator. Në çastin kur e pashë se ushtria e alienëve (covid-19) më kishte sulmuar, djali im me futi në skaner. Ai pa me sytë e tij mushkëritë e mia si e kishin mbuluar, si bletët hojet. Nga sytë e djalit rridhnin lot dhe i dridhej zemra, kur shihte se si po torturohesha. Menjëherë shkoi e bleu bombël oksigjeni dhe aparaturat përkatëse. Infermierja vinte dy herë në ditë tek unë. Kjo zgjati për tri javë. Më në fund u riktheva në jetën normale dhe u shërova. Po dilja në parajsë. Dola dhe shikoja qytetin, kodrat, malet, njerëzit. Tashmë nisa sërish të lexoj dhe të shkruaj, që njerëzimit t’i lë trashëgim se ç’ka bërë dhe ç’bën populli im.

Për vitin 2021 koronavirusi nuk ka mbaruar, por mendoj se do të fillojë vaksinimi, që të na zhduket ky killer “trimi”. Më shumë do të shkruaj e do të punoj, që mendjet e të rinjve t’ua kthjelloj. Vetëm kështu atdheu ynë ngrihet lart dhe nuk braktiset.

 

Elbasan, 23 dhjetor 2020