Gazeta Nacional Albania

Ish-Presidenti Trump deklaron pafajësinë ndaj 34 akuzave të ngritura ndaj tij

Marrë nga Associated Press
Marrë nga Reuters

Ndajeni

Print

Ish-Presidenti Donald Trump deklaroi se ishte i pafajshëm lidhur me 34 akuzat e ngritura ndaj tij për falsifikim të të dhënave të biznesit, ndërsa prokurorët e akuzojnë atë se ka paguar dy gra për të blerë heshtjen e tyre lidhur me marrëdhëniet e tij intime me to.

Aktakuza e bërë publike në gjykatë, pretendon se zoti Trump dhe të tjerë kishin shkelur ligjet zgjedhore përmes një skeme për të bllokuar daljen në shtyp të të dhënave negative rreth tij në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Dy gratë në fjalë janë aktorja e filmave pornografikë Stormy Daniels dhe ish-modelja për revistën “Playboy” Karen McDougal.

Ish-Presidenti Trump, i rrethuar nga ekipi i avokatëve mbrojtës, i hodhi poshtë akuzat ndaj tij.

“I pafajshëm”, tha 76-vjeçari Trump, kur u pyet lidhur me aktpadinë.

“Do ta luftojmë fuqishëm atë”, u tha gazetarëve Todd Blanche, një prej avokatëve të ekipit të zotit Trump, pas përfundimit të procesit, ndërsa shtoi se zoti Trump ishte irritur nga akuzat.

Gjykatësi caktoi seancën e radhës me datën 4 dhjetor.

Disa nga provat kundër zotit Trump janë edhe një regjistrim me audio në shtator të vitit 2016, ndërsa ai diskuton me avokatin se si të bllokonin lajmet për marrdhëniet e tij jashtëmartesore. Dokumentet e depozituara në gjykatë thonë se zoti Trump dëgjohet duke thënë, “Pra, çfarë duhet të paguajmë për këtë”.

Çeqet e rimbursimit që zoti Trump i dha avokatit për pagesat për blerjen e heshtjes janë deklaruar në mënyrë të rreme si shpenzime ligjore. Zoti Trump akuzohet se ka falsifikuar të dhënat e kompanisë së tij me qëllim për të mashtruar.

Zoti Trump, kandidati kryesor për të marrë emërimin e Partisë Republikane në zgjedhjet e vitit 2024, nuk foli për shtypin ndërsa u fut në gjykatë ose kur doli prej saj, rreth një orë më vonë. Zoti Trump i ka quajtur akuzat si ë motivuara politikisht.

Zoti Trump tha në gjykatë se ishte “i pafajshëm” lidhur me 34 akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa gjykatësi e njohu atë me të drejtat që gëzonte.

Gjykatësi Juan Merchan gjithashtu e paralajmëroi zotin Trump se ai mund të përzihej nga salla e gjyqit nëse shkelte rregullat e gjykatës. Zoti Trump foli vetëm disa herë në përgjigje të pyetjeve të drejtuara.

Ish-Presidenti Trump do të paraqitet përsëri në gjykatë në muajin dhjetor, ndërsa avokatët e tij kërkuan që ai të mos merrte pjesë personalisht në seancë për shkak të procedurave të jashtëzakonshme të sigurisë.