TRËNDAFILJA E VOGËL E LIVADHIT
Pa një djalë dikur një trëndafile,
Trëndafile të vogël livadhi,
E bukur dhe e re si rrezja në agime,
Rendi shpejt nga pranë ta shohë djali
Dhe gëzimi i tij qe i pamasë.
Trëndafile e vogël dhe e kuqe,
Trëndafile e bukur livadhi.
I tha djali: “Të këpus dhe shkoj,
Trëndafile e vogël livadhi!”
I tha trëndafilja: “Unë të pickoj,
Që për mua të mendosh gjithmonë,
S’i nënshtrohem trimërisë sate!“
Trëndafile e vogël dhe e kuqe,
Trëndafile e bukur livadhi.
Djaloshi kryeneç e këputi
Trëndafilen e vogël te livadhi:
Trëndafilja u mbrojt aq sa mundi,
Nuk ia vlejtën fare ahet edhe uhet,
Duhej të nënshtrohej pa bërë llafe.
Trëndafile e vogël dhe e kuqe,
Trëndafile e bukur livadhi.
KËNGA E MUHAMETIT
(Kjo këngë do të përfshihej në një poemë dramatike
të titulluar Muhamet, plan i cili nuk u përmbush asnjëherë
nga Goethe. Ai përmend se do të këndohej nga Aliu aty nga
fundi i veprës, në nderim të mësuesit të tij, Muhamet, pak para
para vdekjes së tij, dhe kur ai ishte në kulmin e lavdisë.)
Shih burimin shkëmbor!
Sa gazmor
Si vezullim ylli!
Sipër reve
Shpirtna të mirë
E mëkuan që foshnjë
Mes rreshpesh te pylli.
Djaloshar
Kërcen nga retë
Poshtë mbi shkëmbinj mermeri;
Pastaj drejt qiellit
Brof si dreri.
Përmes qafmalesh
Ndjek guriçkat e larme.
Dhe me hapërim lideri,
Merr me vete burimet vëllezër
Në rrugë të vet.
Atje poshtë në luginë
nën këmbë i çelin lulet,
Dhe nga fryma e tij
LIVADHI JETË MBUSHET.
Por atë nuk e ndalin luginat me hije,
As lulet s’e ndalin,
Rrotull gjunjve duke iu përdredhur
Me sytë lutës duke e përkëdhelur;
Për në fushë ai mban turrin
Shtjellë vorbulluese,
Rrëkè të hajthme
Derdhen në burimet e tij. Tani
Rend ai mbi fushë në lavd kulluar;
Dhe fusha ngazëllon prej burimit,
Dhe lumenjtë ngazëllojnë nga fusha,
Dhe rrëketë ngazëllojnë nga malet,
Thërrasin plot gëzim: “Vëlla,
Vëlla, bashkoju vëllezërisë,
Me ty drejt babait plak,
Të përjetëshmit oqean,
I cili me krahët hapur
Po na pret ne;
Oh! mëkot ato krahë hapen
T’i ngushë fëmijët e tij të përmallur;
Sepse rëra e etur na përpin në
Zgorin e shkretëtirës; rrezet e diellit
Thithin gjakun tonë; kodrat rrotull
Në liqene na ngujojnë! Vëlla,
Merre vëllezërinë tënde të fushës,
Merre vëllezërinë tënde të malit
Me ty, për në krahët e babait!
Atëherë të vijmë të gjithë!
Dhe tash duket ai
Më madhështor; dhe një popull
E larton princin e tij madje!
Dhe në triumfin trallisës
Emërton ai vende dhe qytete, që
Marrin dritë nën këmbë të tij.
Dhe kudo, kudo që ai rend
Lë pas kulme kullash flakëruese,
Shtëpi mermeri, një krijesë
E gjithnisë së tij, tejetej.
Dhe kështu merr vëllezërinë e tij,
Të gjithë thesarët, të gjithë fëmijët,
Duke sokëllitur thekshëm në prehër
Të bacalokut aq të shumëpritur!
ZAMBAKU
Një zambak tek prehej në livadh
vetmitar dhe kokën ca mënjanë,
ish një zambak ai me hire plot.
Kalonte atje pranë një bareshë,
me hap të lehtë e shpirt të qetë
duke kënduar ajo shkonte
rrugës së vet dalë e ngadalë.
Ah, tha me vete, do të doja sot
ndër lulet të jem më i bukuri në botë,
të jem, ah, qoftë dhe për një çast,
derisa të vijë kush ma mori zemrën
dhe ma pushtoi krejt atë të shkretën!
Ah, sadopak kjo le të zgjasë,
për një çerek ore vetëm!
Medet, o medet, vasha erdhi prap
E nuk i ra në sy hiç ai zambak,
madje e shkeli të mjerin pa kujdes.
Ish i lumtur edhe pse po vdiste:
nëse vdes, unë vdes pra gjithsesi,
për hir të saj, bash për hir të saj,
nën këmbët e saj të paktën vdes.
DASHNORI NË TË GJITHA TRAJTAT
Dua të jem një peshk i rrallë
Sa i hedhur edhe lozonjar;
Nëse vjen një ditë ti me grep
Më peshkon mua menjëherë.
Dua të jem një peshk i rrallë
Sa i hedhur edhe lozonjar.
Oh, u bëra kalë për ty!
Ndaj si të mos më doje ti.
Oh, isha unë një kerr
Që ty sipër të merr !
Oh, u bëra kalë për ty!
Ndaj si të mos më doje ti.
Të isha flori unë dua
Në gishta më mban ti mua!
Nëse diçka doje të blije ti,
Kthehesha shpejt përsëri.
Të isha flori unë dua
NË GISHTA MË MBAN TI MUA!
Ai që jam prapë dua të jem,
Dhe e dashura kjo që është të jetë!
Unë të betohem për besnikëri,
Nuk largohem kurrë nga ti.
Ai që jam prapë dua të jem,
Dhe e dashura kjo që është të jetë!
Do të doja të jem një plak,
I mardhur dhe rrudhan,
Që kur të më thuash Jo,
Unë të pëlcas nga kjo!
Do të doja të jem plak,
I mardhur dhe rrudhan.
Desha të jem një majmun,
Që të bëj marifete pa fund;
Nëse dikush ty të cingris,
Ia bëj gjëmën dhe e shastis.
Desha të jem një majmun,
Që të bëj marifete pa fund.
I sjellshëm si qengj do të rri,
I zoti si luan natyrisht,
Si një rrëqebull qull do ngjaj,
Si një dhelpëran dinak pastaj.
I sjellshëm si qengj do të rri,
I zoti si luan natyrisht.
Kudo e ngado që të vete,
Për gjithçka do të të rrëfehem;
Me dhurata princërore çdo lloj
Dashurinë do ta dëshmoj.
Kudo e ngado që të vete,
Për gjithçka do të të rrëfehem.
Gjersa asgjë s’më ndryshon dot,
Kështu siç jam pra do t’më pranosh!
Nëse nuk jam dhe aq i mirë;
Ti më bëj atëherë mua të tillë.
Gjersa asgjë s’më ndryshon dot,
Kështu siç jam pra do t’më pranosh!
GANIMET
Si në dritë mëngjesi
Rrotull meje përflak
Ti maj, ti dashnor!
Me mijëra e mijëra ngazëllime
Emocionet e shenjta
Buruar nga ngrohti pamort
Yti mbush zemrën time
Ti në dlirësi të paskaj!
A mund të të ngush ty
Fort shtrënguar!
Ah! mbi gjoksin tënd
Shtrihem unë, trallisur,
Pastaj lulet e tua, bari,
Ma trysnojnë zemrën.
Ti më përvëluesen etje
Ia shuan gjoksit tim,
Fllad përtëritës mëngjesi!
Pastaj bilbili ëmbël më thërret
Nga lugina plot me mjegulla.
Unë vij, unë vij!
Nga vjen? Ah, nga vjen?
Atje lart, përpjetë ngjitet rruga ime.
Ndërkohë që teposhtë retë
Kalamenden, retë
Ulen të takojnë dashurinë e zjarrtë.
Mua, mua,
Në krahët e tu
Përpjetë!
I ngushur dhe ngushës!
Përpjetë tek gjoksi yt,
Oh Baba i gjithëdashur!
PESHKATARI
Uji rridhte, uji gurgullonte,
buzë tij ish një peshkatar,
krejt i qetë grepin e vështronte,
i ftohtë deri thellë në palcë.
E teksa rri e teksa dëgjon,
hepohet vala edhe hapet;
del andej një femër që kullon
ujë nga të katër anët.
Ia këndon një këngë atij, i thotë:
“Pse e josh me artin tënd të ligësisë
njerëzore farefisin tim, djalosh,
lart, në vorbullën e vdekësisë?
Ta dije ti sa i lumtur ndjehet
peshku i vogël atje thellë,
do të zbrisje poshtë, kështu si je,
më nuk do sëmureshe kurrnjëherë.
Dielli vetë dhe hëna, vallë
A s’e gjejnë këtu në det çlodhjen?
A s’na duket më e bukur pra
Fytyra e tyre në det kur pasqyrohet?
Qielli i thellë a nuk të deh,
në kaltërsinë e lagët i përkundur?
Fytyra jote a nuk të dëfren
këtu në flladitjen e pafundme?”
Uji rridhte, uji gurgullonte,
këmbët e zbathura tek ia njomë;
dhe zemra në gjoks i fluturonte,
kur e bukura ia bënte me dorë.
Atij i kushtoheshin fjalët e këngës;
atëherë mori fund dhe punë e tij:
pak ajo e joshte, pak ai kalamendej
të bjerë, dhe më kurrë s’u pa me sy.
DJALOSHI I RI DHE PËRROI I MULLIRIT
Djaloshi i ri:
Përrua i kulluar, për ku vallë
Kaq gazmor ti rend?
Ti rrjedh luginës kaq krenar
Shpirtin plot shend.
Çfarë kërkon atje poshtë kaq i trënuar?
Më dëgjo mirë dhe ma thuaj!
Përroi:
O djalosh, isha një përrua harrakat,
me dhunë
më kanë rrëmbyer, sepse me vrap,
duhet unë
në jaz të rend drejt mullirit në luginë,
e jam gjithnjë i shpejtë, plot ujë natë e ditë.
Djaloshi i ri :
Ti rend tek mulliri poshtë,
me shpirt kaq të dlirë,
e në gjakun tim të njomë
çfarë ndjej ti nuk di.
Mullisja e bukur, nazemadhe, gjithsesi
a nuk të dërgon shikime ty?
Përroi:
Ajo del në oborr aq herët
Sa shkrep rrezja e parë
Dhe sytë e saj të kthjellët
Këtu vjen për t’i larë.
Ka një gjoks kaq përvëlues e të bardhë;
prej flakës dashurore gufon lart.
Djaloshi i ri:
Ajo i ngjall zjarr dashurie
Edhe ujit akull,
si mund të gjejë paqe i riu
prej mishi edhe gjaku?
Kush e ka parë qoftë dhe një herë,
medet, duhet ta ndjekë pas atë përherë.
Përroi:
Pastaj unë vërsulem me vërtik
duke piskatur,
pa marrë në sy asnjë rrezik,
hallakatur.
Prej kur e shoh të bukurën vashë,
më i fuqishëm më i vrullshëm jam.
Djaloshi i ri:
I gjorë, si të tjerët travajë,
a s’ndjen dhe ti?
Luan me ty dhe të thotë pastaj:
Pa ik tani!
A nuk të magjeps edhe ty vallë
Me një shikim dashuror që të kallë?
Përroi:
Më vjen kaq zor, kaq zor, të ik,
Të shkoj nga ky vend:
Nëpër livadhe gjithë mërzi
Unë mezi rend;
dhe po ta kisha në dorë këtë,
do rikthehesha përpjetë gjithnjë.
Djaloshi i ri:
O shok i dhimbjeve dashurore,
tash të lë vetëm;
ndoshta një ditë do i murmurosh
asaj tek veshët.
Thuaja shpejt, thuaja sa më shpesh
çfarë do djaloshi e në heshtje mban shpresë.
PROMETEU
Mbuloje qiellin tënd, Zeus,
Me re të zeza,
Dhe si ai djaloshi
Që driza pret,
Bëj ti me lisa dhe me kreshta malesh!
Por tokën time
Mos e luaj vendit;
As kasollën time, të cilën nuk e ndërtove ti,
Dhe vatrën time,
E prushin e tij
Që m’i lakmon.
Unë nuk di kënd më të varfër
Nën këtë diell se ju perënditë !
Ju e majmëroni dhimbshëm,
Me flijimet bujare
Dhe lutjet e mjera
Madhështinë tuaj:
Madje do të vdisnit urie
Nëse fëmijët dhe lutësit
S’do qenë të marrë pa shërim.
Fëmijë kur isha
Dhe s’merrja vesh nga jeta,
E ktheja shikimin e hutuar
Drejt diellit lart, thua se ish atje
Një vesh për t’i dëgjuar ankimet e mia,
Një zemër si imja,
T’i dhembin hallet e mia.
Kush më ndihu mua
Kundër pafytyrësisë së Titanëve?
Kush më shpëtoi mua nga kjo vdekje,
Nga skllavëria?
A s’e bëre vetëm filli të gjithën
Ti moj zemra ime e shenjtë?
Dhe i zjarrtë, i ri e i mirë,
Pushtuar mendimesh miradije
Për juve atje lart?
Të nderoj ty? Dhe pse?
M’i ke lehtësuar ndonjëherë
Dhimbjet dërguar prej teje?
Të kanë rrjedhur lotët kurrë
Vallë prej keqardhjes?
A nuk isha caktuar të jem një njeri
Nga Koha e gjithëfuqishme
Dhe nga Fati i përjetëshëm,
Zotërinjtë e mi dhe të tutë?
A nuk e ke ti fajin
Që unë jetën ta urrej,
Dhe të ik në shkretira,
Ngaqë jo të gjitha lulet
E ëndërrave të mia dhanë frute?
Këtu qëndroj, duke iu dhënë
Vdekëtarëve pamjen time;
Një racë që më ngjan mua,
Për të vuajtur, për të vajtuar,
Për t’u gëzuar, kënaqur,
Dhe ti të mos çash kokën,
Si unë!
HËNËS
Mbushesh me shkurre, lëndina,
Me rrezen e lëbyrët prapë,
Dhe shpirtin tim prej gëzimesh
E bën dhe një herë sa një mal.
Mbi fushat e mia, bujare
Shikimin e ëmbël e shtrin,
Si një mike ti duke parë
Këtu poshtë fatin tim.
Ditët plot halle, gëzime
Që shpirtin ma dehën dikur,
Endem në gaze, trishtime
Vetmitar si një murg.
Rridh, ti rridh, i dashur lum!
Kurrë unë s’do gëzoj;
Ikën qejfe, puthje kuturu,
Me to jeta shkoi.
Dikur ndjehesha si mbret,
Pa ia ditur çmimin!
Tash në të keqe, oh medet,
S’e ndal dot kujtimin.
Ngutu, lum, nëpër luginë
Pa prehje, pa pushime;
Pëshpërite melodinë
E kësaj këngës sime!
Kur në netët dimërore
I zemëruar shfren,
Apo në dufet pranverore,
Kur gjithkah shpërthen.
Atij që nga bota kthehet,
Pa dhunë, pa lakmi
Atij që brenda në zemër
Ndryn veç dashuri!
Çka për njerëz të shpërfillur,
Njerëz të panjohur,
Natën ndër këto labirinte
Endemi pa u lodhur.