Gazeta Nacional Albania

Jorida Satka Joka: MË MIRË TË VDESIM BASHKË NË NJË MREKULLI, POEZI

Nga Jorida Satka Joka

SKICË E NJË KËNGE TË TRISHTË

Me kafen në dorë,
zbret shkallët ngadalë hidhërimi.
Çdo mëngjes, dy lugë buzëqeshje i ruan në xhep.
Parfum përdor dëshirat e ëndërruara gjatë natës.
Me thonjtë e lyer nga zhgënjimi mban cigaren e shpresës.
S’i trembet as jetës, as vdekjes.
Mosmirënjohja urinon vend e pavend.
Sytë shohin ndryshkjen e disave nëpër stacione.
Një çadër, në fund të çantës, për rrezet e diellit që djegin.
Ecejaket e pandalura marrin frymë lirisht.

MË MIRË TË VDESIM BASHKË NË NJË MREKULLI

Atëherë, eja të vdesim!
A do na pranojë toka?
Po me shpirtrat ç’do të bëjmë?
Apo tretemi edhe pak?!
Derisa kockat të mbijnë bimë e të na rrethojnë durimin.
E puthjet të lulëzojnë fjalët.
Si thua?!
Apo do presim edhe pak sa të hyjë mirë vjeshta?!
Eja të vdesim më mirë.
Të jemi bashkë në mrekulli,
se sa të gjallë dhe të ndarë!
E mbi pllakën e varrit le të mbijne shpirtrat tanë.
Le te vdesin hijet e të gjallëve pranë tyre!

SHËMTI FODULLE

Rëndë-rëndë hyn zonja e madhe!
Do lodhen hamendjet e poetëve
se mos të pasmet e saj enigmatike me silikon
fshehin poezi të vjedhura…
Ledhatohen me erën gjethet
në tokën e lerosur me sekrecione seksuale.
Pasi fillojnë, hapin kofshët e nxehta,
si drurë të mbetur nga zjarre të shuar,
për kënaqësitë ekstreme të radhës.
Gjokset me majë, si kërpudhat mbas shiut,
të buta, përpëliten nën zë,
në klithmën e kënaqësisë hipopotamike.
Britma, të ngjashme me orgazmën e fundit,
pushtojnë hapësira të kuqe vaginash të plakura,
nën dhunë penisësh të viagrosur keq.
Dhomat e Bukowskit do mbushen me epshet e panjohura,
që burojnë nga vrima të zeza me erë mishi.
Vjeshta do ushqehet me seksin tuaj të babëzitur
tepricë e një gushti të thatë ofshamash shpirti.

DO VESH MYKUN MBI NDRYSHK

Në një kuti mblodha tërë puthjet,
që do ndryshonin kohën tonë.
Më mirë të rrinë të mbyllura,
të kalben aty…
Boll u vra vetja me ty!
Do vesh mykun mbi ndryshk
e do harroj…do harroj…

MARROSJE E MUNDSHME

Marrosu! Atje e kur mbrëmjet janë pa mbarim.
Ulërij sa eshtrat të trondisin qenien.
Çirru derisa… derisa mërmëritja të më shpojë psherëtimën e shpirtit
me grimcat e marrëzisë.
Dreq… do them me plot bindje.
Je grumbulli më i hijshëm i kockave që dhembin…
Dhe do zhdukem aty ku je ti—
…në pamundësi.

EKUACION

Trishtohem mjaftueshëm,
kur më zgjedhin ushqimin.
Pa m’i ditur shijet…
Menu e shkuar dëm.
Shpretkën nuk mund ta ha të gatuar.
Vera e saj sjell demonët të më përqafojnë.

THYEJ DHE NDREQ

Me daltë gdhend muret e brendisë së trurit.
Hemorragji që ndot qenien.
Bota ime mbytet në botën tuaj.
Thyhem e ngjitem.
Një qiri ndez për shpirtrat tuaj!
Amen!

POEZIA ËSHTË NJË ENDACAKE

Nuk kam një datë, një ditë, një orë të caktuar për poezinë.
Janë kilometra vajtje-ardhje në mendjen time.
Tkurret membrana e çdo fjale që kalon aty…
Dhe plas si plaçentë e helmuar vend e pavend.
Në autobuzat plot me emigrantë, në parqe tulipanësh buzë ndonjë liqeni të sajuar,
kur sheh fytyra të bukura,
por edhe njerëz të shëmtuar.
Hapa që shohin skelete pemësh
dhe lulëzim lulesh.
Ajo nuk pyet, vjen vetë pa e kërkuar ti.
Vetëm duhet ta ruash diku…

ANARKI

Më mbyllën në kafaz të zbutesha.
Dukesha e marrë, e çmendur, e fortë.
Më torturonin mendimin.
Një laps e një letër kisha ushqim.
Rojtarët e vjetër i kisha hequr qafe, të rinjtë i vëzhgoja rrallë.
Deliri i tyre më ngjallte neveri.
Narcizmin e kisha kurë për jashtëqitjen.
I sorollatesha kafazit dhe skalisja durimin.
Zhurma që më ofronin, vërtet më krijonte ekzema.
Më binte mishi e mbështillesha netëve kur mund të ndieja ankth.
Qe lëkura ime.
Përshtatja për të qenë si ta hapi dyert e kafazit.
Harruan!
Harruan se ç’i bën dhembja një të çmendure si unë!

OBORRI I KISHËS

Më kthen çdo ditë në hapësirën e
një kishëze
Ndjenja,
gjen një paqe të vogël shpirti aty
dhe endet vetëm
për të vrapuar nëpër qiell.
Unë mendoj duke pirë qetësinë,
se do të jetë më mirë sikur idetë e hedhura
në bllokun e shënimeve të jenë të ngrehura.
Si ajo gruaja me klas që quhet “Zonjë”.
E të lexohet nga ata që dinë të lexojnë sytë,
që dinë të ndiejnë e të përjetojnë vargun.
Se di…
absurdi kërkon gjithnjë më tepër.
Për çfarë?
Kënaqësi, lumturi, egoizëm, vetvete.
Dhe përsëri kthehem në oborrin
e gjelbërt të kësaj kishe,
me kaq shumë gjelbërim,
me kaq shumë shkrime.
Këmbana sot nuk ra.
Takat e “Zonjës” e plotësuan.
Me bisht të syrit doja kureshtjen
ta pija.
Një varr komod,
lule me aromë të çmendur.
Gjeta arsyen…
Varrimi i shijshëm i një poeti më ndillte përditë aty.