Site icon Gazeta Nacional Albania

Jusuf Buxhovi boton veprën e re “Pasluftat e Mia (1946–1999 dhe 2000–2026)”, nga Botimet “Konica”  në Prishtinë

 

Një dëshmi me vlerë historike dhe memorialistike nga një prej personaliteteve më të spikatura të historiografisë dhe letërsisë bashkëkohore shqiptare.

Fondi i botimeve memorialistike pasurohet me veprën më të re të historianit, publicistit dhe romancierit të njohur Jusuf Buxhovi, “Pasluftat e Mia (1946–1999 dhe 2000–2026), botim I Konices. Kujtime, biseda, dëshmi”, një libër që shpalos përvojën jetësore dhe intelektuale të autorit në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me ngjarjet më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare.

Në këtë vepër, kujtesa personale ndërthuret natyrshëm me analizën historike, ndërsa dëshmia individuale fiton përmasat e një kujtese kolektive. Përmes kujtimeve, bisedave dhe reflektimeve, autori ofron një panoramë të gjerë të zhvillimeve politike, kulturore e shoqërore që kanë shënjuar fatin e shqiptarëve nga periudha e pasluftës së dytë botërore deri në ditët tona. Libri nuk kufizohet në rrëfimin autobiografik, por shndërrohet në një dokument me rëndësi për studiuesit e historisë, publicistikës dhe proceseve kombëtare shqiptare.

Jusuf Buxhovi zë një vend të veçantë në kulturën shqiptare si një nga autorët që ka bashkuar kërkimin historik me krijimtarinë artistike. Në fushën e historiografisë, ai ka ndërtuar një opus të gjerë studimor, i cili është dalluar për qasjen kritike ndaj burimeve, interpretimin e pavarur të proceseve historike dhe përpjekjen e vazhdueshme për të rishqyrtuar çështje themelore të historisë së shqiptarëve në dritën e dokumentacionit arkivor dhe metodologjisë bashkëkohore.

Po aq i rëndësishëm është edhe kontributi i tij në letërsinë shqipe. Romanet e Jusuf Buxhovit, të ndërtuara mbi një ndërthurje të fuqishme të historisë, mitit, kujtesës dhe identitetit kombëtar, kanë zgjeruar horizontin estetik të prozës shqiptare bashkëkohore. Përmes një ligjërimi të pasur artistik dhe një vizioni të thellë filozofik mbi historinë, ai ka krijuar një univers narrativ që e ka bërë një nga zërat më përfaqësues të romanit shqiptar të dekadave të fundit.

Me “Pasluftat e Mia”, Buxhovi u ofron lexuesve jo vetëm kujtimet e një protagonisti dhe dëshmitari të kohës, por edhe një reflektim të pjekur mbi sfidat historike, politike dhe shpirtërore të kombit shqiptar. Vepra përbën një kontribut të çmuar në literaturën dokumentare dhe memorialistike shqiptare, duke dëshmuar edhe njëherë lidhjen organike që autori ka ndërtuar ndër vite mes historisë së shkruar dhe letërsisë.

Libri është vënë në qarkullim nga Botimet “Konica”  ne Prishtine dhe u drejtohet jo vetëm lexuesve të gjerë, por edhe studiuesve, historianëve dhe të gjithë atyre që kërkojnë të kuptojnë nga afër proceset që kanë formësuar historinë e shqiptarëve në shekullin XX dhe në çerekun e parë të shekullit XXI.

M. Bucpapaj

Exit mobile version