Gazeta Nacional Albania

KARTOLINA  E  ZILEVE. Poezi  për fëmijë nga SHKËLZEN  ZALLI

 

 

DORË, MENDJE DHE SHPIRT

 

I hapi themelet,

Ku mbaron një arë…

Te dora e Xhaxhit,

Mbiu guri i parë…

Kush djersës, me djersë,

I shton dhe një dorë,

I shtohet respekti,

Quhet “PUNËTORË”

 

Fletëzës prej ari,

I jep punë e mendje,

Sjell te unaza,

Zëmërzat me gdhendje,

I mbushi me ojna,

Frerët për atllarë…,

Thanë,-Vuri mendjen,

Ndaj quhet “Zejtar”

 

Të gjithë hedhin ngjyra,

Por ky, u jep shpirt,

Me penel e mbjell,

Pishëzën e blertë,

S’e këput nga mali

Por e rrit dyfish

E ushqen me shpirt,

Ndaj quhet “ARTIST”

 

 

 

 

PAK SHI ME MJEGULL

 

Shkoj në fshat, sa ikën vera,

Kur liqenin rrethon era.

 

(Si e mban lugina vallë,

Me kaq, trofta,hije, valë…)

 

Pak shi edhe pak mjegull,

Peshk i bardhë pjekur në tjegull.

 

Me komshinë pi dhe nëna,

Verë mjalti me gështenja.

 

Këtu demi, kurriznxirë,

I drejton lopët me brirë,

 

Te një derë me lugje stani,

Ku pi viçi e… bidoni.

 

Thana, më plaka në lagje,

Vulat rozë më lë në faqe.

 

Të del dhelpra nga një ferrë,

E s’ia bën hiç syri “tërr”

 

Rrëmben pulën mendjelehtë,

Sikur ble në një market.

 

 

 

 

 

NXJERR PENA E POETIT NË LETËR

 

Një flutur që i  bën fresk elefantit,

Një hënë që bëhet akrep

i orës së xhamit.

Dhjetë re që luajnë me trompa

një muzikë,

Një Patë që lyen me të bardha një rikë.

Ca flokë ku ulet veshi i lepurit,

si piramidë.

Një diell që pushon

mbi lulediellin, në mesditë.

 

Lepuri me kitarë,

kërmilli që bën garë në pishinë.

Majmuni që ngre lart

një re e një vetëtimë.

Një kokë tullace,

ku në vend të flokëve

mbjell lule,

Ca njerëz prej balte

e një qiell si daulle.

Valë që bëhet vajzë,

e hipur në varkën e patokut.

Përralla me këmbë lejleku,

tigër, sa thonjtë e maçokut.

Bletë që godet sythet,

e sythet bëhen lule.

Arka plot me yje,

derra të mbushur si baulle.

Një mi që gjuan mace,

lepur që dirigjon me veshë.

Gisht që prek një faqe,

e faqja që bëhet pjeshkë.

Ketër mbi një rrotë,

çakall me dhëmbë të rënë.

Kec vesh-me-push,

Lopë që trokasin me këmbë,

Ç’mund të mbjellë tjetër poeti,

mbi letrën e thjeshtë…

Po, shto këtu një lëng “prej vërteti”

Të  frutave në vjeshtë…

 

 

 

 

 

SI TINGUJ NGA ZILET

 

Jeta, del nga toka,

Me ngjyra të forta,

Si vesa në shpate,

Era delikate.

 

Tingëllojnë gjethet,

N’qep të laureshës,

Trungjet, hijet lënë,

Shtrihen në liqen,

E rrudhen, e zgjaten

Gjersa takojnë natën.

 

Liqeni pa hënë,

Prap,i fut në pemë.

Dielli, mbi korie,

Pemën e bën hije.

I qetë e pa bujë,

E shtri përmbi  ujë,

Ndërsa nxjerr trishtilët,

Si tinguj nga zilet.

-o-

 

AGIM NË MUZG

 

Unë e ndjejë pa hundë,

Aromën e lumit tim,

Unë e shoh  dhe pa sy,

Lulen e fshehur në blerim.

 

Unë e prek dhe pa dorë,

Mollën e mëngjesit, mbi arë

Unë e shijojë dhe pa buzë,

Ajkën e mjeljes së parë.

 

Unë e kalojë dhe pa këmbë,

Rrugën që shkon në varreza,

Gjuhën e kam, por pa gjuhë

Flas me ngashërimet e zeza.

 

Unë e ndjej dhe pa trup,

Sa i dhemb trishtilit në kthetra…

Agimin e shoh dhe në muzg,

Si flakën që ngrihet nga gjethja.

 

 

 

 

 

LIBRI MË I MIRË

 

Më tha një poet,

Sa “zbriti” nga rima,

Si nga një balonë

Që ledhaton rryma.

 

-Shkrimtarët, me vite

Penat i kanë shkrirë…

Gjer më sot s’u shkrua

Libri më i mirë.

 

Por, të gjithë fëmijët

E bëjnë, pa dyshim,

Po t’ua mbledhësh ëndrrat

Thjeshtë, në një…vëllim.

 

 

 

 

 

 

 

FLOKËT E GJYSHES

 

S’di se kush më solli,

një kukull të “gjallë”,

Me fjalë e muzikë,

gërshetin e bardhë.

Dhe një trazovaçe,

me push e me kthetër…

Thjeshtë quhej mace…

Se s’i vura emër.

 

U bë aq xheloze,

me kukullën time,

Sa çdo ditë gershetit,

ia ndukte ca qime.

 

Kukulla, më gdhihej

Me gricje në faqe,

E fshehej nën perde,

se ishte… tullace.

 

Gjithë ai gërshet,

u bë lesh miu…

Gjoja, e pafajshme,

macja më lëpiu.

 

Gjyshja, disa thinja,

i preu fët e fët.

Kukullës tullace,

ia qepi gërshet…

 

Me dy dashuri

Unë e marr çdo ditë.

Një herë “lodër-motër””,

një herë “gjyshe-shpirt”.

 

 

 

 

 

KËNGA MBI LULE

 

Unë jam këngëz trishtili,

Kam tapet një lule bliri.

 

Gjethet, ritme vajzërore,

Më fshijnë lodhjen si freskore.

 

Flladi i prillit nga lugina,

Më rrethon me fishkëllima.

 

…Edhe një, …edhe një tjetër…

Di një këngë me “arrë e ketër”?

 

E kujtoj përsëri,

Isha vezë në këtë bli.

 

Gjethet, porsi duar nëne,

Më mbuluan gjer në mbrëmje.

 

As si vezë, as si zog,

Skifteri s’më kapi dot.

 

Midis luleve intime,

Tani do lë dhe vezën time.

 

 

 

 

 

SHËTIT KOKËRRMELI

 

Sikur të trokas,

Flladi me tërfil,

O del një verore,

Ose një trishtil.

 

Po goditi kali,

Gurin me patkua.

Aty lind një pishë,

A skurron një krua.

 

Po i shkele syrin,

Mjegullës me shi.

Të lidh te gërsheti

Ylberin e ri.

 

Nga buza e flladit,

Te pisha që çeli,

Në supin e bletës,

Shëtit Kokërrmeli.

 

 

 

 

 

KARTOLINA E ZILEVE

 

I thanë Kartolinës,

të bëhet Princeshë,

Me fustane lulesh,

gjerdane në brez.

 

Kurorën e gdhëndur,

nga vetë zonja Hënë,

Me yje mëngjesi,

kometa me pendë.

 

Se solli në vite,

vargje e kujtime.

Disa u bënë rritje,

disa, thjeshtë “urime”.

 

Po tani ç’e do

të bëhesh Princeshë,

Asnjë kartolinë,

s’të mblidhet në shesh.

 

Vetëm belbëzimet,

përplasen në qyshk,

Si ca llamarina,

në trenin me ndryshk.

 

-E ç’e dua fronin,

slitën mbi dëborë,

Kur te kartolina,

nuk dridhet një dorë…

 

Ç’të bëhem Princeshë,

kur nuk ka postier,

Të më dërgojnë ngjyrat,

nga dera në derë.

 

S’ka aromë bore,

xixa poezie.

S’do të bëhem, thjeshtë

Princesh prej allçie.

 

 

 

 

 

 

NDAJ THINJET Ç’DO VIT

 

Rri n’dritare, Blerti, ditën duke parë,

Si s’mërzitet lisi,

I ngulur në barë?!

 

Ne vrapojmë si hije prapa  xixëllonjës,

Ai nxin si murg,

Nën dritën e Hënës.

 

Shtrigat, nga përralla i hidhen në vjeshtë

Ai as që tundet,

Rri e vetëm hesht.

 

Pa dallim u lë hije përmbi barë,

Si ujkut të murrmë,

Si dashit manar.

 

A qau baba lisi, lopa për viçin,

Kur dhia te këmba,

i hëngri filizin?!

 

Kur bashkë me gripin, bie dhe orteku…

Mjeku shkon te lisi,

A lisi te mjeku?

 

Pa, po kur i sulet breshëri sa veza…

Ai prap i ngulur,

Mblidhet si thëllëza!!!

 

-Kush tha se jam ngulur,-tha Lisi pa buzë,

Unë lëviz me hijen,

Nga agu në muzg.

 

E kur del një syth, nga dega në zgjim,

Ai është, ta dini,

Fluturimi im.

 

Ju keni avion e trena ekspres,

Njëri sjell vagona,

Tjetri pupla reshë.

 

Dhe unë kam ca “shina” nga rrënja e lart,

Nuk u sjell qymyr,

Por, blerim e fllad.

 

Pra, pse akuzoni, se rrikam në vend,

Kur në degën time,

Mblidhen për wikend.

 

Zgjohen cicërimat e mbushin folenë.

Gjethet mbledhin rrezet

Që shkrihen në rrënjë…

 

Mos më thyeni zemrën, me thënie të kota,

Ecën brenda meje,

Një botë, sa gjithë Bota.