Gazeta Nacional Albania

KATER TETOR 2023. Tregim nga Konstandin Dhamo

KATER TETOR 2023
Tregim nga Konstandin Dhamo
Aty rreth orës nëntë e gjysmë të mbrëmjes, tek kthehesha në shtëpi pas xhiros thuajse rituale në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, zbrita ato pak shkallë të lulishtes që ndodhet nën nivelin e tij, dhe, sapo nisa ta përshkoj diagonalisht, vura re se, në stolin e parë ishte ulur shkrimtari K, së bashku me të shoqen.
Më vështroi rrëshqitshëm tek parakalova, ashtu siç e vështrova edhe unë,por nuk u përshëndetëm ; në fakt s’mbaj mend të jemi përshëndetur ndonjë herë në rrugë, apo në çfarëdo mjedisi tjetër . Komunikimi i vetëm, nëse mund ta vlerësoj si të tillë, me këtë shkrimtar, të cilit ia lexoja çdo gjë që botonte,e kam pasur kur ai punonte si redaktor i poezisë në gazetën Drita të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë .Gjej rastin të them se K, edhe si redaktor ka qenë i zoti dhe dashamirës,ndërkohë që ka pasur ca monstra të zbritur drejt e nga fshati, që të merrnin në qafë me paaftësinë dhe ligësinë e tyre. Unë i çoja dy fije letre të mbledhura tub ( hehe,si ferman …) dhe, K, duke nënqeshur intrigueshëm dhe ndoshta edhe me paksa mahi prej tubit që i lija unë në dorë,e hapte dhe i hidhte një sy shkarazi atyre tri a katër vjershave të mia të shkruara me penë,po po,me penë,tek më linte të prisja më këmbë një përgjigje të tij.
Mirë mirë,ik më thoshte zakonisht në fund dhe,gjithçka që i dorëzoja m’i botonte ,duke më ndihmuar kësisoj shumë.A,shkruaj edhe poezi metrike me vargje të rimuar,më këshilloi butësisht një ditë,pra jo vetëm si këto me vargje të lirë të stërzgjatur,deri edhe përtej gjashtëdhjetë rrokjeve që sjell rregullisht ; vargjet e rimuar dhe me numër të barabartë rrokjesh,të mësojnë të ruash ritmin,qoftë edhe nëpërmjet asonancave të brendshme të alternuara,përndryshe vargjet do të kthehen në rreshta të njëmendtë proze ; duhet zotëruar sintaksa poetike…
Isha shtatëmbëdhjetë vjeç atëherë,ashtu i gjatë dhe i veshur keq,kur K,me të hapur tubin e radhës e me të shtrirë letrat me vjershat e mia,më pyeti përmes asaj nënqeshjes së tij konstante si t’atyre njerëzve që këqyrin pandërprerë : Konstandin,kush e solli në të vërtetë Doruntinën ? Konstandini,pa dyshim,iu përgjigja unë i sigurt, si t’isha një dëshmitar i kohës,që kish ndjekur hap pas hapi gjithë shtegtimin vëlllamotër…
Siç duket,që në ata vite kish nisur ta përpunonte në tru krijimin e romanit të mrekullueshëm Kush e solli Doruntinën.
Këtë herë qeshi në fund nga përgjigjja ime…
Katër Tetor 2023. Mbrëmje.
Kaq pra ishte i gjithë komunikimi im me këtë shkrimtar të shquar,por ndoshta duhet përmendur edhe biseda thuajse disa minutëshe në celular me të,fill një ditë pasi unë i dërgova me e – mail botuesit të tij,romanin tim të titulluar Shkrimtari i Madh,ku shumëçka që përshkruhet aty ,i përket jetës letrare të K.
Ia rrëfeva përmbledhtas fabulën e romanit botuesit dhe ai, pa e lexuar vetë më parë,kështu më takonte të arsyetoja. Përderisa nuk më shprehu asnjë mendim të tijin për të,ia nisi po me e – mail në Paris K,ende pa u tharë boja metaforike digjitale,teksa shkrimtari K më telefonoi pra,me të lexuar aty – këtu disa paragrafë,siç më pohoi përgjatë dialogut.Në fund, pasi folëm për letërsinë bashkëkohore shqipe dhe atë botërore dhe,pasi unë i deklarova me gojën plot se,e adhuroja,shkrimtari K më tha: është e drejta jote e ligjshme si shkrimtar që je të krijosh ashtu siç mendon dhe dëshiron.Tekefundit bëhet fjalë për një fikshën dhe emri im,mesa munda të lexoj s’përmendej gjëkundi.
Jo,e sigurova,në këtë rast përmendja e drejtpërdrejtë e emrit do t’ishte nonsens. Por ata që e konsiderojnë një biografi tuajën të romanizuar, mund të kenë një farë të drejtë. Libri prezanton figurën ,siç edhe mund ta keni qëmtuar,e një shkrimtari,i cili,për të mbijetuar bën periodikisht kompromis me regjimin,duke shkruar ndonjë poemë,por përse jo,edhe ndonjë roman të njëmendtë me partishmëri të lartë,siç shpreheshim n’ata vite. Pajiset edhe me teserën e kuqe të komunistit, thjesht për të pasur të drejtë të jetë prezent në mbledhjet e organizatës – bazë të Partisë të degës së Lidhjes ku , atë që nuk ndodhej në sallë e shpartallonin me lloj lloj akuzash të fryra, apo edhe fund e krye të sajuara`…
Por njëherësh devijon dhe shkruan dhe madje,arrin të botojë edhe libra,ashtu siç do t’i kish botuar edhe në një vend demokratik perëndimor. Po,dhe arrin t’i botojë këta romane, të cilët përmbajnë tejemajë aluzione dhe alegori njëherësh,që shigjetojnë diktaturën e Hoxhës,paçka se, vetëm pas disa ditësh që hidhen në treg, ia censurojnë. Ia censurojnë brutalisht pa artikuluar kurrsesi zyrtarisht,qoftë një herë të vetme termin censurë. Në celular po flasim e nuk zgjerohemi dot kushedi se çfarë, por do të thosha se, ky është portreti i protagonistit të romanit, përgjithmonë ballë për ballë me diktatorin ! Dhe , të mendosh që romanet e tij sakaq botoheshin ngutshëm në Francë, Angli, Spanjë,Gjermani, Amerikë, e ku jo, dhe korrnin sukses të madh…
Çfarë kontrasti sarkastik i pamëshirshëm ! Por le të themi edhe këtë : sa shanse do të kishin këta libra të botoheshin mbarë botës, nëse do t’i përkisnin korrentit të realizmit socialist ? Po qe se kap kuotën më të lartë të një mali, nuk kanë përse të të përmendin vetëm e vetëm ngjitjen e mëparshme gjer te gjysma e tij…
– Shumë mirë, nëse libri shkon deri në fund me këtë klimë ; e vërteta , së paku sipas bindjeve të mia,asnjë herë nuk të dëmtom, cilado qoftë ajo. Ja, po gjej rastin të them se,ngjarjet që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me mua,nuk do të dëshiroja të paraqiteshin të sheqerosura ; nuk ka gjë më të shpifur se e panatyrshmja, që shërbehet me ca klishe letrare bajate.
– Kjo është oferta e servilëve grafomanë, të cilët ta ulin klasin tek mëtojmë se të përkrahin ; ata veçse puthitin emrin e tyre të pazëshëm pas emrit tënd të tingullt. Eh, solusioni ngjitës i tyre është i pashqitshëm…
– Po po, megjithatë,e kush nuk mban kësi miqsh ? Jemi kontradiktorë, ndonëse jo të palogjikshëm.
– Ku ka si kontradikta .
– Krejtësisht dakord.
– Në çdo moment kam pasur kujdes që etika të mos shkelet në roman ; të falënderoj shumë për telefonatën !
– Të falënderoj edhe unë,ndërkohë bashkëpuno me botuesit tim, natën e mirë…
Por ndodhi pikë për pikë ashtu siç e parashikova unë; romani Shkrimtari i Madh është botuar gjer më sot gjashtë herë radhazi,gjithmonë me tirazh të kursyer konfidencial, me përjashtim të të parit, por n’asnjë rast nga botuesi i K . Ziliqarët dyfytyrësh,me ta lexuar librin tim, sokëllinë njëzëri : romani Shkrimtari i Madh nuk duhej të ishte botuar kurrsesi, qoftë edhe në një kopje të vetme ; autori i tij arrogant e denigron haptazi personalitetin e mikut tonë të madh! Rrëqethesh kur lexon letrat që i ka dërguar miku ynë i përbashkët Nexhmie Hoxhës,pale pastaj autokritikën e tij të detyrueshme,të cilën,nëse nuk do ta kishte bërë,kushedi se në ç’humbëtirë do ta kishin degdisur ! Përse e ka pasqyruar ai atë,kush na paskësh nevojë sot për këtë memorie ? Tendenciozitet, tendenciozitet i mbrapshtë …
K është një shkrimtar i madh me gjithçka që i përket krijimtarisë së tij shtatëdhjetëvjeçare,pra, si asaj që u shkrua në Liri,pas Nëntëdhjetës,si asaj të shkruar përgjatë Diktaturës ; aritmetikisht këto dy gjysma janë pothuajse fifty- fifty ndaj njëra – tjetrës…
Mendo,sa të paprinciptë,sa dogmatikë dhe,njëherësh të parëndësishëm prezantohen ata,të cilët nuk i marrin kurrsesi në konsideratë K asgjë tjetër,përveçse vjershën për Stalinin,poemave për Partinë dhe,udhëheqësin Hoxha, e në përmbyllje të shfrimit, edhe vjershën, t’ashtuquajtur prej tyre lejfeniste,të titulluar Ditën kur u pranova në Parti !
Po librat që e bënë të famshëm në botë !
Epo,ç’libra që e bënë të famshëm në mbarë botën ; e ku merr vesh bota nga punët tona lesh e li ?
Ata e shpallin K një këngëtar të palodhur të komunizmit kriminal; nëse i këndvështron poemat e tij,arsyetojnë ata, thjesht si art për art,ato pa dyshim që janë në rregull, ashtu të shkruara bukur, miklueshëm bukur madje,por bash për këtë, kontributi i K është i jashtëzakonshëm në formatimin me ide marksiste – leniniste,të paktën të disa brezave rresht, të cilët e përpinin gjithçka që kullonte nga pena e tij…
Po ata epitete denigrues e përfshijnë edhe grupimin tjetër, numurorët e të cilit e kanë K shkrimtar kult ; krejt në të kundërt,absurdi i tyre arrin gjer aty sa ta quajnë ditirambin politk të K tërësisht inekzistent, i cili asqë duhet përmendur,pale të diskutohej .
Një farë kritiku,tepër aktiv,në fakt dhe i kudondodhshëm,njëherësh dhe i pazoti,del në televizor dhe,tek i ndrit surrati nga patetizmi prej budalli thotë : romanin X të shkrimtarit të shquar K, unë e kam lexuar pesëmbëdhjetë herë dhe patjetër që do t’i kthehem sërish …
Ky kritik i kungullt që ka myshterinjtë e tij, për fatin e keq të demokracisë sonë të parodizuar sakaq, është tipik ; ai, së bashku me sivëllezërit e vet, që u prin intuita e batakçiut,e dinë mirëfilli kujt lypset t’i bëjnë lajka,( like ,po ju pëlqeu ) që të mund të mbijetojnë pa kokëçarje…
Ç’eunukëri intelektuale përballë të vërtetës !
Po kujt i shërben ky fanatizëm, kinse mbrojtës ?
Së pari K-së, jo, sepse nxit palën tjetër ta ngrejë zërin sa më shumë .
Ditirambin politik,( togfjalësh ky i përdorur nga Vitorio Strada n’artikujt kushtuar Majakovskit ) nuk e anashkaloi kush n’asnjë rast në studimet analitikë për poetin gjenial të Revolucionit të Tetorit, ndërkohë që vetë revolucioni eksperimental dështoi në mënyrë spektakolare,siç dështoi mjerueshëm edhe ai imituesi shqiptar…
Ç’e gjeti Majakovskin tek ia përplasën poemën Re me Pantallona,manifestin e futurizmit,me poemën monumetale për Leninin,proletarin poligam e gjakatar ?
Asgjë nuk e gjeti,përkundrazi, Maja vazhdon të botohet i plotë ende sot,pas njëqind viteve, madje më periodikisht në Perëndim,sesa në Rusinë e tij ; ç’është gjë e mirë reziston…
Po K, homonimin e tij shqiptar, çfarë e gjen realisht,nëse përballë romanit Pallati i Endrrave vendoset poema Përse Mendohen Këta Male ? Po nëse vendoset poema Shqiponjat Fluturojnë Lart përballë romanit Kukulla ?
Janë disa romane të K-së, të cilët ai, me kurajë prej krijuesi të pamposhtur, i hodhi si trakte denoncues dhe akuzues te këmbët e Diktaturës . ..
Por,a ka një magnum opus K ? Them se po,por për mua jo Dimri i Madh e as Koncert në Fund të Dimrit ; unë do të përcaktoja romanin Pallati i Endrrave,pse jo Kamaren e Turpit,me titullin e parapëlqyer Rrugëtimi i Kokës së Prerë…
I përndrituri Pater Zef Pllumi,që admironte shkrimtarin K, a thua nuk ia njihte letërsinë atij ? Ia njihte mirëfilli,por ai ,i përkushtuari në Zot, ia toleroi urtësisht euforinë politike ,ndonëse për vete zgjodhi të ngjiste pa hezituar të përpjetën e Kalvarit.
Dhe ,ç’letërsi na la: me një gjuhë brilante si një nga majat e koinesë së gegnishtes,duke na shtyrë të gjykojmë paradoksalisht se,burgu ndoshta na i paskësh bërë mirë…
Katër Tetor 2023
Tre prej këtyre zarëve,që na fëlliqin letrën po t’ua bukurshkruajmë emrat,më kanë ndalur në rrugë dhe s’më kanë lënë kompliment pa më bërë : çfarë stili more,ç’kulturë enciklopedike dhe,ç’kurajë për të thënë ca të vërteta,të cilat shoqëria jonë e emancipuar mjaftueshëm më në fund,nuk duhet t’i kishte fshehur kaq gjatë. Ose : mëkat që ky roman i vyer,të cilin e lexova me një frymë,të mos botohet te shtëpia ku boton vetë K. Por, do t’i vijë dita të botohet edhe aty.Por ti e di vetë sesa foshnjarakë bëhen pikërisht gjenitë herë – herë ; e marrin lehtësisht për të mirëqenë gjithçka që u veshmëveshin. Pale se ç’i kanë dërdëllitur disa nga kolegët tanë të nderuar,që i rrinë nëpër këmbë dhe,ai tashmë flet fatkeqësisht sipas kinse bindjeve të tyre ; ja pra arsyeja përse e acaroi romani yt,me ta mbaruar së lexuari.Infantilizmi i gjenive është proverbial, posi…
Çfarë palaçosh ! I kam sharë mbarë e prapë njërin pas tjetrit ngaqë zbatonin me përpikmëri skemën e të mbajturit mbroth njëherësh me të dyja palët, por o Zot, askush prej tyre nuk u skuq e nuk u zverdh, pale të tronditej. Ata asqë ndiheshin fajtorë. Eksperiencë e vyer është dhe kjo, që të hasësh në jetë tipa të tillë. M’u ndërmend Frojdi që konkludonte : shenja e parë e idiotësisë te një individ është shfaqja e paturpësisë totale…
Katër Tetor 2023. Mbrëmje, nga ato që, për çudi të duket sikur nuk të qortojnë për punët e pakryera të ditës…
Të nesërmen në mesditë shpallej fituesi i Çmimit Nobel për Letërsinë…
Por ku më qëlloi ta shihja pikërisht në vigjilje të shpalljes së fituesit ?!
Katër Tetor 2023. Mbrëmje.
Shkrimtari K,i patrazuar nga hamendësimet sëmbues, që vërtiten rreth gjetjes së emrit të fituesit të Nobelit, prehet nën terapinë e qetësisë në krah të gruas së shtrenjtë, ashtu i mbështjellë me natë poroze, poshtë rruzujve të shegëve t’egra ngjyrari si yjesi e rënë mbi lulishte.
Prehet i lëshuar shkujdesshëm në stol, më në fund larg ekraneve televizivë dhe billbordeve të kryqëzimeve të katrahurshëm, tek ndien se, i ka ikur sakaq alteregoja,me të cilën grindej e grindej…
Kishte zbritur nga kulla e lartë,aty ndanë Bllokut,ku banon tash e mbrapa dhe,ato njëqind metra distancë gjer te stoli i asaj lulishtes ndanë bulevardit, i kishte përshkuar ngadalë përkrahu me bashkëshorten e përjetshme.Ata ngjitësat që i vinin rrotull tërë ditën e ditës apo,që e prisnin me durim prej gomari,tek rrëkëllenin gotat e rakisë atje poshtë,te kafeneja e kullës,gjersa të vinte K,tani kanë firuar e nuk afrohen më.Pale,por kanë filluar t’i japin gojës e të hedhin ca llafe që, pikërisht atyre s’u takonte t’i thoshin : shkrimtari K vuan nga demenca sociale e s’bisedon dot me të diçka për të qenë, ngaqë përhumbet …
Po po, kështu thonë dhe, ca të tjera si këto…
Dhe,janë të parët që përhapin kësi diagnozash të rreme, madje edhe me një lloj humori prej të liqsh!
Katër Tetor 2023. Mbrëmje.Nesër eventi suprem i Letërsisë…
Shkrimtari K, i cili nuk imagjinohej dot jashtë syrit të ciklonit të medieve,sonte rri në stol,thjesht sa për të dalë nga angështia e mureve të shtëpisë.Pas shumë vitesh të përjetuar me ethet përvëluese që e kaplonin çdo fillim tetori në pritje të shpalljes së Çmimit Nobel,ku shpesh ai ka qenë në treshen e parë të pretendentëve ,tashmë ndoshta i ka mbetur vetëm një kërshëri e vagullt për të marrë vesh fituesin e radhës : a ia kishte dëgjuar vallë më parë emrin dhe,nëse po, a i kishte lexuar ndonjë libër ? Sikur s’mjaftuekëshin më vetëm konsideratat letrare,megjithatë,megjithatë…
Por,ku më qëlloi mua ta shihja saktësisht sonte,tek kthehesha nga xhiroja e mbrëmjes në Bulevardin Dëshmorët e Kombit,n’atë bulevard ,ku tashmë,më shumë sesa vetë gjuhën shqipe dëgjon t’artikulohen mbarë gjuhët europiane e më gjerë nga turistët që s’reshtin as në dimër,tek mbajnë në krye të grupit një flamurth të kombit të tyre…
Para këtij stacioni ( me shumë gjasë i fundit ) K,me t’u kthyer nga Parisi, pas emigrimit të gjatë,ku frekuentonte mëngjeseve Kafe Rostand, e zëvendësoi atë mrekullisht në Tiranë me Kafe – Restorant Juvenilia – n, te Parku i Madh.Veç mjedisit përplot pemë e bar i këtij lokali, me siguri e këndellte edhe emri i tij Juvenilia, që i sillte në mendje librin e shkëlqyer me vjersha të Ndre Mjedës rilindës : përmi za qi lshon bylbyli…
Por ja që kështu rrjedh jeta : o do të ikësh nga kjo botë në kulmin e prodhimtarisë,duke të mbetur edhe disa projekte të parealizuar,o do të largohesh në moshë të thyer,i rrëgjuar e,ca më keq,i mënjanuar dhimbshëm nga veprimtaritë shoqërore,kur të të ketë lënë edhe kujtesa dhe,truri yt të mos jetë tjetër gjë përveçse një kasetë e fshirë,aqsa njerëzve,që do të të hasin përpara ,do t’u bëhet sikur nuk je më ti ai personaliteti i famshëm …
Domethënë ,as vetëdije për identitetin tënd institucional,as dhunti krijuese dhe,as kumte telepatikë…
E tërë materia hyjnore u ngjitkësh përsëri në qiell dhe,këtu në tokë mbetet veçse ajo pjesa e vdekshme…
Ja pra,ashtu si gjithmonë ngushëllimi vjen përsëri nga qielli !
O, por dale dale gjer atëherë…
Katër Tetor 2023. Mbrëmje.
Epo ja,kaq rastisi të komunikoja me këtë shkrimtar të madh bashkëkohës,thashë me vete,kur dola nga lulishtja dhe nisa të eci përgjatë një trotuari,ku drita e ashpër e dyqaneve të fastfudëve gjithfarësoj,e ca më keq ende,dritat e lukunive të makinave në rrugë,m’u vërsulën fizikisht në sy,duke më qorruar . Shumë shpejt, na sigurojnë shkencëtarët, njeriu dhe makinat,do të jenë një entitet i vetëm ; hehe lum ne, po ku je o laps, o letër ku je …
Po leximi i pandërprerë i librave të tij, a s’është një komunikim,madje me diapazon të gjerë ?
Mbrëmje e qetë,
Pikëllueshëm e qetë, n’atë lulishten, ndanë bulevardit, ku ai shëtiste shpesh n’orët e vona të mbrëmjes, përkrah bashkëshortes, apo të dielave paradite me shokët,duke përshëndetur të njohur e të panjohur,të cilët nguteshin ta uronin për një poemë,apo për një libër të ri të sapobotuar.
Oh, ishin të këndshme ato shëtitjet në një mot të bukur,sidomos kur ecje në trotuarin përpara Hotel Dajtit,ku hynin e dilnin veçse të huaj që sillnin pakëz Europë…
Por,kush do të shpallej nesër,aty nga mesdita fitues i Nobelit për Letërsinë ? O,nesër nesër…
Dhe,dita me gjasë do t’ishte vezulluese,me një qiell të nartë,me fllad këndellës dhe,me një diell dekorativ të mallëngjyer,po,po…
E padrejtë veç që,disa shkrimtarë padiskutueshmërisht të talentuar, kishin mbyllur sytë pa e pasur fatin të hynin në sallën hijerëndë të Akademinë së Nobelit,ndërkohë që ca të tjerë, mediokër të pandreqshëm, por të favorizuar pale nga ç’koniuktura politike etj, kishin mundur ta rrëmbenin Nobelin.
E megjithatë, shkrimtrit K edhe sot e kësaj dite i përkthehen romanet dhe esetë e i shtohet numri i lexuesve .Ndonëse,nga pozita e një vendi të vogël dhe,i vështruar historikisht vëngër,ai arriti t’i fitojë thuajse të gjithë çmimet më prestigjiozë që jepen n’Europë, për Letërsinë,që nga Man Booker International, El Principe de Asturias, apo Çmimin e Jeruzalemit në Letërsi…
Po Nobeli ?
Mesa duket, më mirë kur e meriton, e s’ta japin
Sesa,të ta japin pa e merituar…
Por Nobel Prize për milosheviçistin Peter Hanke dhe skandali seksual më pas,e gërvishtën ca si shumë arin shkëlqimtar të medalionit të Stokholmit…
E pra.shkrimtari K sonte është ulur në një stol,në gjysmerrësirë, larg medieve,larg konkurrencës dhe, asqë shqetësohet më për to …
Eshtë i ndarë nga gjithçka, ndonëse klinikisht është ende gjallë…
Patjetër, për fat !
Por mbani mend,çfarë do të ndodhë nëse e shohin K një ditë prej ditësh t’ulur sërish n’atë stol ca biçim adhuruesish të tij ! Do t’uleshin edhe ata vetë me radhë si pakuptuar po aty dhe, nëse do t’ua zinin vendin të tjerë qytetarë të rastësishëm, do t’u dukej si një veprim i padrejtë. Po po, atëherë do të vërenit se, ç’dimension fetishizimi do të përftonte ai stol krejt i zakonshëm …
Nesër…
Kur prania e K të virtualizohet, kujtimi i vetmisë së tij, në ditët e mbrame, nuk do të trishtojë më askënd ; e zhdramatizuar sakaq dhe,e romantizuar ndër vite,do të cilësohet si vetmia monumentale e një fitimtari që u largua natyrshëm…
Po ku më qëlloi ta shihja Shkrimtarin K.
Pikërisht
Këtë mbrëmje më…
Katër Tetor 2023…
Katër Tetor 2023