Gazeta Nacional Albania

“Kështjella e bardhë” e Orhan Pamuk, një roman unik në llojin e tij. Nga Gentiana H. Muhaxhiri

Njeriu pa kufij dhe dyshimi si kurorë

“Kështjella e bardhë është një roman mbi të cilin dyshimi qëndron si kurorë; një roman ku diferenca dalëngadalë fillon e merr trajtë të re, ajo digjet e nga hiri i saj krijohet njeriu që nuk i vë kufij fetarë, gjeografik apo ideologjik jetës; njeriu i aftë ta ndryshojë e ta shijojë natyrën, ta mbijetojë jetën e vdekjen së bashku.”
“Kështjella e bardhë” e Orhan Pamuk-ut është një roman sa psikologjik aq edhe shoqëror, por që herë-herë merr edhe ngjyrime historike. Se ky roman është i veçantë dhe unik në llojin e tij e shohim që në dedikim: “Zonjës shpirtmirë dhe motrës së dashur, Nilgun Darvinoglu (1961-1980)”, ku zonja në fjalë është një personazh i trilluar nga romani i po të njëjtit autor “Shtëpia e heshtjes”.Në kohën kur bota ndahet e përçahet, universaliteti i mesazhit që bart ky roman sikur gjen një vend të rehatshëm në të gjitha vitet; mund ta zhvendosim në secilën kohë dhe prapë të mbetet aktual.Kështjella e bardhë është një roman mbi të cilin dyshimi qëndron si kurorë; një roman ku diferenca dalëngadalë fillon e merr trajtë të re, ajo digjet e nga hiri i saj krijohet njeriu që nuk i vë kufij fetarë, gjeografik apo ideologjik jetës; njeriu i aftë ta ndryshojë e ta shijojë natyrën, ta mbijetojë jetën e vdekjen së bashku. Ky roman ka një narracion të veçantë, me të cilin arrin, që bile për pak çaste, ta lidhë nyjeve të tij edhe lexuesin më të vëmendshëm. Këtu, ndoshta për herë të parë, njeriu arrin të tejkalojë unin; arrin të shohë përtej vetes; arrin të shohë me mendjen e sytë e tjetrit. Në këtë roman personazhet ikin nga vetvetja për të gjetur rrugën që të çon tek ajo, një paradoks ky i mistershëm rrugëve të errëta të mendjes njerëzore. Rreshtave të romanit malli për të kaluarën herë tretet e herë rebelohet brenda individit, të cilit i duhet të matë veten me hapin e tjetrit, prandaj i duhet të vazhdojë. Duke lexuar Kështjellën e bardhë, lexuesi futet labirinteve të dyshimit; nuk dihet nëse lind lindja apo perëndon perëndimi apo lindja dhe perëndimi janë thjesht dy terma që ndajnë pakuptueshëm njerëzit, që ndjellin përçarje të kota pa dashur ta pranojnë se fundosja e njërës merr në thellësitë e mbytjes e të harresës edhe tjetrën. Në këtë roman, ku ngjarjet historike dhe ato të trilluara shkrihen natyrshëm rreshtave për të magjepsur lexuesin me fuqinë e fjalës, personazhet i ikin së vërtetës dhe nisen në kërkim të një të vërtete të pranueshme.
Rrëfimi, që ndjekë një linjë të drejtë, pa degëzime të tepruara, por thellësisht interesant,dhe që zhvillohet vetëm në vetën e parë, fillon me marrjen peng të një inxhinieri të ri venecian nga turqit. (Ngjarja vendoset në shek. XVII). Është pikërisht kjo grackë e vogël e fatit që bën ndryshimin e madh dhe atë jo vetëm në jetën e tij. Që këtu fillon ballafaqimi mes kulturave të ndryshme që kanë të njëjtin qëllim, por që duket sikur i kanë alergji ndërveprimet. Këtu fillon “ne –ata”, ”unë- tjetri “dhe një pafundësi pyetjesh në mes. Na shfaqet njeriu të cilit në peshoren e shpirtit më rëndë i peshon feja se jeta. E pikërisht kur kjo e dyta po i shkrihej para syve për të parën na shfaqet shkenca, dëshira për dije të reja nga vende të tjera. Ai, pra inxhinieri, nuk pranon të ndërrojë besimin e tij fetar, prandaj duhet t’i pritet koka, edhe pse kishte ndihmuar e shëruar shumë njerëz. Atë e shpëton profesori, i cili ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme fizike me të. Por, këtu nuk mbaron asgjë, përkundrazi, pikërisht këtu fillon loja e tekeve të fatit me njeriun. Profesori është njeri ambicioz dhe mundohet të arrijë atë që ishte e paarritshme, në udhën e tij ai është vazhdimisht i shoqëruar nga kureshtja për të ditur se çfarë dinë “ata”, si jetojnë “ata”. Së bashku me inxhinierin ai arriti të krijonte fishekzjarrë madhështorë, të cilët thuajse rindezën në qiell shkëndijat e lindjes e perëndimit së bashku. Se njeriu është i aftë të gënjejë për të realizuar synimet e tij, qoftë edhe të rrezikojë gjithçka, shihet kur profesori pranon rolin e astrologut, ndonëse nuk ishte i zoti në këtë punë. Dëshira për të njohur të ardhmen nuk zgjedh mjete. Paralelisht me këtë autori, nëpërmjet portretizimit të sulltanit gjashtëvjeçar, shfaq madhështinë e sinqeritetit dhe godet besëtytët, të cilët manipulohen lehtë e kthehen në marioneta në duart e të tjerëve.
Shumë shpejt profesori do të bëhet hije e inxhinierit, ai do të përballet me dyshimin e të gjithëve se çdo arritje e tij ishte rezultat i tjetrit. Koha e bën atë të pajtohet me shkrirjen e tyre në një njeri të vetëm. Por, sa më shumë që njëri beson në tjetrin, aq më shumë e humb besimin në vetvete, të dy e vërejnë këtë, por asi nuk ishte nën mëngën e asnjërit. Në disa raste inxhinieri ik nga vetja në kërkim të lirisë. Imagjinon sikur ishte tjetri, ai që kishte vazhdimisht përballë në tavolinën e mbushur me letra. Vitet në këtë roman kalojnë shpejt, nuk ndalen për të kthyer kokën pas për ata që vonohen, thjesht ecin para duke marrë me vete vetëm të zotët, ata që dinë të përballen me ortekët e jetës. Këto vite janë të përcjella herë me ëndrra të boshatisura e herë me shpresa të përgjumura. Simbioza e tyre lindë një numër të madh përpjekjesh, shpikjesh e dështimesh, por asnjëherë zhgënjim ndonëse duket sikur personazhet pa emra bartin peshën e botës. Një paralelizëm i fuqishëm jepet nëpërmjet mortajës dhe shkencës; ajo që po bënte kërdinë në popull, që nuk i shqitej asnjë çast atij ngjante shumë me etjen e madhe që nuk i ndahej profesorit, shkencën. Por, mortaja nxjerrë në sipërfaqe një anë të errët të karakterit njerëzor nëpërmjet individit që për të shpëtuar gati-gati arrin ta braktisë edhe veten. Pas kësaj ditët ecin sërish gjurmëve të mëparshme.Por, pasqyra bën ndryshimin e thellë të ecejakeve kohës.Përballë saj, dy personazhet e romanit sikur magjepsen. Ata ishin bërë pothuajse të njëjtë; tani ngjashmëria mes tyre ishte edhe më e madhe e këtu shprishen kufijtë e vetes, këtu përplasen e thyhen të gjitha ligjet. Çfarë ndodhi: ata e gjetën vetveten apo e humbën atë përjetësisht para asaj pasqyre? Kjo pyetje gati-gati hamletiane gjen përgjigje vetëm në fund të librit. Nga aty personazhet bëjnë një rrëfim retrospektiv të jetëve të tyre. Ata mësojnë çdo gjë për njëri – tjetrin dhe kështu zhyten edhe më thellë në mjegullnajën e dyshimit se kush ishte kush, cila ishte jeta e cilit. Më pas ndodh zbehja e kujtimeve, shkrihen objektivat jetësore të individit dhe kufijtë e tij prehen vetëtimthi . Ata arrijnë të shohin veten vetëm nëpërmjet syve të tjetrit, gjë që do t’i çojë në shkëputjen e përjetshme nga njëri –tjetri, por si për ironi, për të vazhduar rrugën e jetës, secili do të marrë tjetrin në vend të vetes. Ndoshta kjo ishte dhurata që jeta kishte rezervuar për ta, ndoshta ky ishte ndëshkimi i fatit të kureshtarit të paepur, kureshtje që arrin të tejkalojë kufijtë e paragjykimeve mijëvjeçare.
Ky libër është pasqyrë mbi të cilën reflektojnë drita shumëngjyrëshe të jetës. Personazhet plotësohen me përshkrimin e tyre të brendshëm dhe sprovohen në rrethana nga më të ndryshmet për të shfaqur kështu karakterin e plotë të tyre para lexuesit. Fati i njeriut të etur për dije, por që jeton në vijën e skajshme të injorancës, lakohet mjeshtërisht faqeve të këtij romani për të shpërfaqur idenë se vullneti, dija dhe puna janë çelësi i portës së parajsës tokësore.