Site icon Gazeta Nacional Albania

Gëzim Prengzi: Artsitja Klara Hasukaj, nënësja nga Tropoja që mban gjallë trashëgiminë e lahutës

Lahuta në UNESCO, kujtesa  epike që trashëgohet brez pas brezi

Klara Hasukaj, nënësja nga Tropoja që mban gjallë trashëgiminë e lahutës

“Një rrëfim për tingullin e lashtë të maleve shqiptare, që nga kreshnikët e legjendës deri te brezi i ri që e rilind traditën me besim dhe dashuri”.

Nga Gëzim Prengzi,Tropojë

 

Në thellësitë e maleve shqiptare, aty ku fjala peshon sa një betim dhe kujtesa ruhet si amanet, tingulli i lahutës ka jehuar për shekuj me radhë. Në trevat veriore të Shqipërisë – nga Malësia e Madhe,Tropoja,Dukagjini, Puka, Mirdita, Hasi e deri në viset e Kosovës Veriore – lahuta ka qenë zëri më i besueshëm i historisë popullore. Por ndër këto troje, Tropoja zë një vend të veçantë: tokë e këngës epike, e burrërisë, e lahutarëve që e mbajtën gjallë frymën e kreshnikëve brez pas brezi.

Lahuta nuk është thjesht një vegël muzikore me një tel të vetëm. Ajo është kronikë e pashkruar, zë i lashtë që ka ruajtur nderin, dhimbjen dhe krenarinë e malësorit. Në drurin e saj janë gdhendur rrëfime trimërie e sakrifice, ndërsa në tingullin e saj janë përjetësuar breza që folën me këngë, kur fjala nuk mjaftonte më. Ajo ka qenë shoqëruesja besnike e odave, e netëve të gjata dimërore dhe e kuvendeve burrërore, ku lahutari nuk ishte vetëm këngëtar, por dëshmitar i kohës dhe ruajtës i kujtesës kolektive.

Malësia e Gjakovës ka njohur lahutarë të shquar, të regjistruar jo aq në arkiva sa në memorien popullore, si pasuri autentike e artit dhe kulturës shpirtërore shqiptare. Emra si Rexhep Tarçuku (Dervish Luzha), Isuf Mus Buçpapaj, Mehmet Ali Malizi, Ram Dollapi, Isuf e Muharrem Bajri, Hamëz Isuf Pepnika, Mark Mitri, Tahir Arusha, Zef Avdia, Zeqir Zmajl Sylshabanaj, Hysen Lomnica, Adem Zeqiri, Brah Salihi, Ukë Nimani, Syk Papleka, Zef Beka, Xhevahire Malaj, Zmajl Ujkani e Isuf Osmani janë gurë themeli të kësaj tradite të shenjtë.

*      *      *     *

Në këtë vazhdimësi të rrallë, sot ecën me hapa të sigurt edhe një zë i ri – Klara Hasukaj, lahutarja e re nga Tropoja, që po dëshmon se lahuta nuk i përket vetëm së shkuarës, por edhe së ardhmes. Talenti i saj u zbulua që herët në shkollën “Besëlidhja e Malësisë”, ku përfaqësoi institucionin në Mitrovicë në Festën e Abetares, duke u vlerësuar me çmimin e parë. Rruga artistike e Klarës u pasurua më tej në Pallatin e Kulturës, nën drejtimin e Mjeshtrit të Madh Skënder Dozhlani, duke u përgatitur për festivale kombëtare e ndërkombëtare.

Përzgjedhja për të përfaqësuar Tropojën në Festivalin e 57-të Mbarëkombëtar të Fëmijëve në vitin 2020, ku u vlerësua me çmimin e dytë, shënoi një hap të rëndësishëm në formimin e saj. Më pas, skenat e festivaleve “Jehona Shqiptare”, “Bletëzat 2021” në Maqedoninë e Veriut, pjesëmarrja në ansamblin “Lura” dhe vlerësimet si “Solistja më e Mirë” e konsoliduan Klarën si një emër premtues të artit shqiptar për fëmijë dhe të rinj.

Por ajo që e bën Klarën të veçantë është lidhja e saj organike me lahutën. E rritur duke parë gjyshin e saj teksa gdhendte lahuta dhe instrumente të tjera, ajo e mori këtë vegël të lashtë jo si dekor folklorik, por si pjesë të jetës së saj artistike dhe shpirtërore. Me mbështetjen e muzikantëve profesionistë të Pallatit të Kulturës në Tropojë dhe të Bashkisë Tropojë, Klara arriti të ngjitet në skenën madhore të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, ku përfaqësoi jo vetëm Tropojën, por gjithë Qarkun e Kukësit, duke u shndërruar në një nga imazhet më domethënëse të këtij festivali.

Në kohën kur lahuta tashmë është shpallur pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, Klara Hasukaj përfaqëson brezimin e ri që nuk e lejon këtë instrument të shenjtë të heshtë. Ajo është dëshmia se tradita nuk mbahet gjallë vetëm me kujtime, por me zëra të rinj që e përqafojnë me dashuri dhe përgjegjësi.

Dhe ndërsa telat e lahutës vazhdojnë të dridhen nën duart e saj, Klara nuk këndon vetëm për kreshnikët e së shkuarës, por për brezat që do të vijnë. Sepse aty ku një vajzë e re mban lahutën me besim, tradita nuk shuhet – ajo rilind.

 

Exit mobile version