Gazeta Nacional Albania

Konstandin Dhamo: HELLO HEMINGWAY, tregim

Ja,më në fund edhe në Tiranë u hap një Hemingway Bar ! Ishte përuruar thuajse një muaj më parë,por ai shkrimtari SK,tashmë gjashtëdhjetenjëvjeçar,sa ç’ishte Hemi pasi iku nga kjo botë,nuk kishte marrë vesh gjë.
E kush se,SK që e kishte Ernestin shkrimtarin e tij kult !
Por ja që kështu rrjedh e vjen jeta dhe,ti punon e me çfarë nuk merresh,e megjithatë,pikërisht ca gjëra që t’iteresojnë t’i mësosh sa më parë,ndodh që i merr vesh me vonesë,e madje krejt rastësisht.
Epo mirë,ja tani e dinte : Hemingway Bar ishte hapur te një ndërtesë e vjetër dykatëshe,e cila ndodhej ndanë një sheshi të vogël,i rrethuar ende nga disa ngrehina të kaherëshme,të cilat,me gjasë nuk do të shiheshin edhe për shumë vite të tjerë,sepse,veç kur t’i rrafshonin e në vend të tyre të ngrinin pallate shumëkatësh të ngjeshur pas njeri – tjetrit,si kudo në Tiranë.Aq më tepër që ky shesh i lakmuar,ndonëse i mbyllur dhe intim,ndodhet veçse pesëdhjetë metra larg nga Rruga e Durrësit dhe,nga krahu tjetër ,ndoshta po kaq larg edhe nga Rruga e Kavajës, dy prej akseve kryesorë të kryeqytetit,që gumëzhinin pa ndërprerje prej trafikut të potershëm e të katrahurshëm të makinave.
Po në ç’orë çelej ky Bar ? Aha,që më nëntëmbëdhjetë…
Do të shkonte,do të shkonte dhe do të përhumbej atje gjer më të gdhirë !
Dikur i binte rruga shpesh drejt këtij sheshi,të cilin e përshkonte mes për mes,për t’u hedhur ca më tutje,te zyrat e një shtëpie botuese,e mbyllur sakaq…
Nuk priti të ngrysej,për më tepër që ishte një pasdite e flladitur fundgushti dhe,u nis nga shtëpia e tij,drejt te Hemingway Bar. Çfarë kënaqësie !
Do ta këqyrte barin një herë nga përjashta e pastaj nga brenda dhe, do të kthehej e do të ulej aty,ndoshta nga shtategjysma,kur të hapej për klientët,që më së shumti duhej të ishin anëtarët e tij të përhershëm ; atë interval kohe do ta shfrytëzonte për t’u hedhur gjer te Biblioteka Kombëtare,ku do të shfletonte koleksionin e një gazete të Viteve Tridhjetë,në numrat e së cilës do të lexonte për të mësuar mbi jetën mondane ( siç guxonin ta konsideronin ) të tri princeshave,motrave të vogla të Mbretit Zog,për të cilat po shkruante një roman t’ëmbëlsuar me romantizëm…
Te Rruga e Kavajës kaloi përpara godinës,e cila për disa dekada rresht kishte qenë selia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë,e tashmë pale për çfarë i shërbente qeverisë,u hodh pastaj te trotuari me drurë dekorativë i Hotel Kalifornia-s me fasadë të bardhë lëbyrëse dhe,ja ku u gjend përballë Hemingway Bar !
Përgjatë trotuarit ishin vendosur stola të lartë ,teksa xhamat e njërës dritare i mbulonte fotoja e Hemit,ndërsa të tjetrës,në krah,një luan me krifën e verdhë të kërleshur vullkanisht.
Aha,por në katin e dytë,saktësisht te dera e hapur e një ballkoni gjysmërrethor,parmaku i të cilit mbahej nga ca kolonëza që të kujtonin ushtarët e lojës së shahut,ishte vendosur një fotografi e madhe bardh e zi e Heminguejit,i cili me dorën mbi sy,si për t’u mbrojtur nga dielli i fortë, të vështronte dhe përnjëmend të ftonte për të pirë së bashku ! Çfarë instalacioni i goditur ! E ku se,në një ndërtesë të vjetër ngjyrokër dhe me suva të rënë vende – vende.
I tillë duhej i gjithë ai sfond ; po të suvatohej mirë e bukur ajo ndërtesë,e t’i viheshin ca dyer e ca dritare prej duralumini të shpifur,asqë do t’i nevojitej më këtij bari. Kështu siç paraqitej,shkrimtarit nostalgjik gjatëdhjetenjëvjeçar,i ndërmendi siç edhe dëshironte,Kubën,atë Kubë të dikurshme të kazinove gjithë dalldi tropikale…
Eh Heminguej,shkrimtari kult i tij,kaloi njëzet vitet e tij të fundit,në brigjet e këtij ishulli !
Nxori celularin dhe së pari fotografoi Hemin në ballkon,i cili për çudi,kishte një portret melankolik dhe,më pas fotografoi edhe ballin e Barit.
Pastaj u afrua te dera e hapur dhe vështroi brenda.
Tungjatjeta ! – i përshëndeti kamerierët që po pastronin mjedisin përreth,po sistemonin tryezat dhe karriget dhe,ndërkohë po merreshin edhe me ekspresin e kafesë.
Tungjatjeta shoku,por na falni,bari s’është hapur ende për klientët,n’orën shtatë na keni gati.
Po pra,por si fillim thashë t’i hedh një sy brenda këtij barit tuaj,vij për herë të parë.
Patjetër t’i hidhni shoku,nuk na pengoni aspak të kryejmë punët ; vështrojeni me nge e do të harroni që jeni në Tiranë ; si fluturova pa kuptuar,do të shpërtheni, gjer në Havanë,apo gjer Në Hava,hahaha…
Rrofshi ! Qenkëshit më shkrimtarë se unë ju,po ç’shkrimtarë,ju qenkëshit poetë !
Ndonëse Bari ishte i fshehur në një gjysmerrësirë poroze,shishet e pafundme të shpërndara ngado, xixëllonin ngjyra – ngjyra,teksa përballë,mbi murin me suva të rrëzuar enkas,siç grisen enkas edhe xhinset,ishte vendosur Hemi,gjithnjë po me mjekër,por këtë herë me një vështrim vëzhgues të një njeriu që do të marrë vesh sesa efekt kanë bërë te miqtë e tij në tryezë,ato çka ai tregoi…
Ja pra,bari i njëqind llojeve të rumit ,siç mëtohej se ishte : pyrat rum,old monk,abuelo,koktejet pastaj me magjitë e tyre përndezëse,për të cilët,të zotët e barit të thonë me gojën plot se,i kanë po aq fantastikë sa edhe ata të bareve të Londrës,Parisit,Milanos…
Xixëllonin e xixëllonin shishet nga të katër anët e në një kënd ishte edhe fotoja e një makine shkrimi,gjithnjë me portretin e Hemit mbi tastierë,një nga macet mutande me gjashtë gishtërinj të Key West- it,e në vazhdim fotoja e një Kadillaku, nga ata të rrugëve të Havanës,të cilët qarkullojnë edhe sot e kësaj dite dhe përfaqësojnë makinat epokale të prodhuara në Detroit,si relikte të viteve të artë pesëdhjetë,gjersa Kuba u mbyll dhe,Hemi u largua prej saj për t’u vetëvrarë në vendlindje…
Klith krilla në Key West…
Eh,ajo vetëvrasje !
Si mund të vdiste ndryshe një këngëtar i vdekjes ,shkroi me cinizëm e mllef të grumbulluar ndaj Heminguejit një kritik n’atë kohë.Pas disa njoftimeve të rreme për vdekjen e shkrimtarit ,vazhdonte më tej kritiku, një herë kur u plagos rëndë në frontin italo – austriak,e një herë tjetër ,kur u tha se vdiq në vend pasi avioni i tij u rrëzua etj,zoti Heminguej nuk pranoi më të mashtrohej e të përqeshej nga vdekja dhe,u vetëvra…
Ka gjithmonë kritikë e kolegë të tillë ,që mezi ç’presin të zënë vend me opinionin e tyre provokues,por ku ta dish prerazi se çfarë e detyroi Hemin ta ndalte jetën me një plumb në gojë,si për të lënë të kuptohej se,s’kish më se çfarë të thoshte…
Një moment,një moment i vetëm mjafton,kur gjithçka,gjer te fama dhe lavdia,madje edhe vetë të jetuarit,të duket përfundimisht absurde,ashtu i angështuar nga një taedium vitae ekstreme…
Ku ta dish ; ndoshta pati nevojë pikërisht për vdekjen !
Ndërkohë që kishte kapur sakaq qiejt e pavdekësisë…
Le të rrëmonin e le të hidhnin në pazarin mediatik të tilla histori banale si : Heminguej e detyronte të shoqen ( e tretë,apo të katërtën …) që të këndonte një arie sa kohë ai rruhej përpara pasqyrës,ose : kur isha i vogël,banonim në Havana pranë shtëpisë së Heminguejit,por im atë më porosiste rreptësisht të mos i afrohesha shtëpisë së tij,ngaqë aty,sipas tim eti,banonte një i moshuar i palarë…
Aha,të ndyrët ,si në kuptimin e parë higjenik të fjalës,ashtu edhe në kuptimin moral! Ç’pamdehnin ata se,duke i mëshuar këmbëngulshëm vogëlimave të tilla, do ta profanonin figurën madhështore të Heminguejit ?
Çfarë është jeta bashkëshortore,një vals parajsor i një çifti engjëjsh ( me seksin e vet secili ) që zgjat pambarimisht ? Hemin ,tek shkonte e vinte nga moloja,mund ta shihnin jo rrallë herë me një kanotierë e me një palë pantallona të shkurtra si brekë prej peshkatari të njëmendtë dhe,zbathur në ditët e nxehta e të thata,tek shkarkonte nga organizmi i tij i alkoolizuar elektricitetin statik,duke kryer një terapi qetësuese…
I përshëndeti kamerierët dhe u largua për t’u kthyer aty rreth orës tetë ; do të shijomte edhe ai një koktej Heminguej e do të llafosej me ata që e frekuentonin rregullisht këtë bar ; do të llafosej që ç’ke me të dhe,kësisoj do të merrte vesh sa e njihnin në të vërtetë ata Hemin dhe,sa prej tyre e adhuronin. O Zot ; por mos i dilnin ca e ca që s’e kishin lexuar fare dhe,ishin bërë fansa të tij dhe,për rrjedhojë anëtarë të Hemingway Bar- it thjesht për snobizëm dhe për të qenë disi të angazhuar,po themi edhe t’institucionalizuar njëfarësoj.
Po ç’ishte ai kokteji që do të provonte në mbrëmje,kokteji Heminguej ? Po !
Ky koktej ekzistonte tashmë metafizikisht dhe,kjo mjaftonte që ata mjeshtërat e banakut të barit,ta realizonin një natë,ashtu gjithë përzierje trillane, duke pasur në mendjen e trazuar imazhet e luanëve, peshkaqenëve ,atë copë zinxhiri të tankut që kishte në studio Hemi,gjëmimin e armëve të gjahut,gratë e njëpasnjëshme të tij,klithmat e krillave në fund,n’ujërat e rrëqethur në Key West …
Kokteji Heminguej !
O,do të kënaqej në mbrëmje,dale dale…
Të nesërmen në mëngjes,aty nga ora nëntë,SK,tashmë gjashtëdhjetenjëvjeçar,aqsa ç’ishte Ernesti,shkrimtari i tij kult,kur e mbylli jetën,u ngrit nga shtrati me kokën plumb të rëndë.
Hello Hemi !
Gjer më dy pas mesnate e kaloi te Hemingway Bar ,i ulur në një tryezë përjashta.
Në fillim ndenji vetëm,ashtu i përmbytur në mendime dhe,kur iu afrua kamerieri kërkoi një Fernet Branca,kishte kohë për koktejet…
A keni ? – e pyeti kamerierin.
Kemi,zotëri,e çnuk kemi.
Një branca atëherë,si fillim.
Më vonë vuri re tre të rinj ,dy femra dhe një djalë që po hapnin sytë të gjenin një vend të lirë.
Merrni nga një stol pa ndokend sipër dhe rrini këtu tek unë. – u propozoi SK.- Nuk do t’ju mungojë privatësia.
O,asqë e duam privatësinë,së paku në kësi rastesh – ia kthyen të rinjtë .- Falëminderit !
Ato femrat ishin balerinat e një spektakli muzikor,në njërin nga televizionet kombëtarë ,ndërsa ai djali drejtonte një emision mëngjesi në të njëjtin televizion…
O,SK asqë i kishte ndjekur në ekran,sidoqoftë u uroi suksese.
Unë e ndez televizorin – i sqaroi – vetëm për të parë filma dokumentarë.Porosisni ndërkohë ç’t’ju shkrepet,do t’ju qeras unë,jeni apo s’jeni te kjo tryeza ime ? Unë ju ftova …
Të dyja femrat, me flokët e zinj blozë,të mbledhuar bisht si shumica e balerinave,ishin gjithë freski dhe tepër sensuale,që nga gjestet ,spërdredhjet e lakueshme të trupit e gjer te përkëdhelja e fjalëve.
Por po tregoheshin edhe të sinqerta.
Nuk e njihnim Ernest Heminguejin – thanë – gjersa ky shoku ynë filloi të na sillte te ky bar,por tani sigurisht që dimë diçka për këtë autor : zinte pëshkaqenë, gjuante luanë…
Oh,një minutë ! Unë e adhuroj Heminguejin ! – ndërhyri shoku i tyre – Librat e tij i kam të gjithë në një vend të veçantë të bibliotekës së shtëpisë,dhe u kthehem herë pas here për t’i lexuar ,si atyre të përkthyer në shqip,si atyre n’anglisht.Tani së fundi kam lexuar edhe tre librat e tij të botuar pas vdekjes ,eh !
SK .desh t’i thoshte se,qenke i çmendur më keq se unë,por hoqi dorë.
Ne të tre – vazhdoi moderatori i mëngjesit – i provojmë me radhë të gjithë koktejet që përgatiten këtu,sonte do të pijmë një që nuk ka as dy net që e kanë krijuar ; je dakord me foljen me kriju që përdora në këtë rast?
Si nuk jam dakord ! Ja ç’vlerësim ke ti për koktejin.Edhe unë të njëjtin do të pi.Le të porosisim për të katër,thirreni kamerierin…
OK ! Ah,por jeni vetë shkrimtar. Si na u prezantuat shkarazi se quheni ?
He he, SK pra ; kam botuar rreth njëzet e pesë libra gjer më sot,romane kryesisht,por dhe tregime .
Sa keq që nuk ju kam dëgjuar emrin,pale t’ju kisha lexuar një libër !
O,s’ka gjë,jam argasur unë sakaq me indiferencën ndaj letërsisë.Por ja,ti adhuron Heminguejin ,i cili është shkrimtari im kult,djalosh ; më lejo të të quaj djalosh ?
Përse jo ?
Desha të hapem qëparë,por e lashë,ja e solli rasti prapë.
O Zot,kur do të takohemi një natë e të pijmë së bashku për Heminguejin ? E di që do të bëhem llafazan,por ti nuk do të mërzitesh aspak.
Ç’thua ? Ka të ngjarë që unë të tregohem më i papërmbajtur se ty.Por dëgjoni ! Jeni më të sinqertë e më të drejtpërdrejtë se brezi ynë. Ne dredhojmë ,zonjusha, – iu drejtua SK balerinave – zor se dikush nga ata të moshës sime do të më thoshte troç si ju se,asqë ta kemi dëgjuar emrin ; do të më thoshin : posi s’ta kemi dëgjuar,madje të kemi lexuar edhe disa tregime nëpër gazetat letrare,posi…
Hahaha ; kur do të vish n’emisionin tim të mëngjesit ? Quhet Dit’e Re.
Ç’të them ? A i lëmë njëri – tjetrit numrin e celularit ?
OK…
Aty rreth orës një pas mesnatës,pranë tyre,dikush ndaloi motoçikletën,një off road,ndoshta mbi 1000 cc,që rrapëllinte shurdhueshëm.Por,kur personi që e ngiste, hoqi kaskën me xham t’errët,doli se mbi motoçikletë paskësh qenë një femër e hajthme me flokë të shkurtër,e cila me ç’u pa,e ngiste hamshorin e saj me një nerv prej mashkulli.
Ku jeni,o të poshtër – iu lëshua balerinave dhe djalit që i shoqëronte – pa më hapni një vend !
U puthën rrëshqitshëm gjithë përthithje dhe, moderatori i Ditës së Re,bëri prezantimin shpejt e shpejt,në të dyja anët:
Kjo zonja beqare ,hehe është Xhilda,mikja jonë e paçmuar,një bohemë sakrificash ,ndërsa ky zotëria është shkrimtari SK.O,do të shkriheni së bashku në muhabet ,sepse unë dhe balerinat do t’ju lëmë sakaq,na presin me padurim në një tjetër vend,ku vajzat do të kërcejnë me një balerin,që s’ka as një javë që ka mbërritur në Shqipëri ; o është azer,buenas noches !
Sa mirë bëtë që ikët ! – ua përveshi Xhilda,tek zbërtheu deri poshtë xhuboton e saj prej lëkure.
Hemingueji është shkrimtari im kult- i tha SK edhe asaj – e megjithatë stili im nuk përngjan fare me të tijin.Dhe,sa mirë që është kështu ; s’ka më keq se imitimi,mbetesh gjithmonë në prapavijë.
Unë – ia ktheu Xhilda,tek ndezi një cigare,pasi e futi te një pipë e gjatë – kam lexuar nga |Ernesti vetëm romanin Për kë bie këmbana .Unë i njoh këtij autori më shumë aventurat sesa librat.Kam qënë në Paris dhe,nëse dëshiron,do të mund të t’i tregoj me radhë vendet ku ka qëndruar Ernesti,që nga Hotel Ritz,bari i të cilit quhet prej kohësh Bar Hemingway…
O , e di,kam lexuar gjithçka me hollësi,por gjer më sot nuk e kam gjurmuar Hemin asgjëkundi !
Kam qenë në Fossalta di Piave t’Italisë,ku Ernesti u plagos për vdekje,në Spanjë,gjer në Pamplonan e demave ! Po në Kubë ? Po si jo ; gjer dhe te muzeu i Ernestit në Finca Vigia,ndanë Havanës piktoreske dhe ekzotike,por ja,më beso,një çast të vetëm të një pasditeje vezulluese,se ç’më kujtoi Tiranën e Komunizmit,habitesh ?
E si të habitem,kur ata janë ende në komunizëm,ndonëse kurrsesi jo si i yni.
Megjithatë,s’m’u përqas Tirana e komunizmit nga ngjashmëritë sociale që të afrojnë sistemet ideologjike,jo jo,ishte diçka n’ajër.Ah,por n’Afrikë nuk kam shkelur ende ! Do të hidhem edhe n’Afrikë.Por s’të përmenda Key – West-in ! Në Key – West sa s’rashë në gjendje shoku ; më kupton,vetëvrasja…
Eh,çfarë do të pish ?
Unë pi vetëm Delirium,kështu e quaj unë koktejin tim,një përzierje pa ndonjë recetë të përcaktuar; hidh ç’të mundesh në gotën time,i them unë baristit dhe ai,atë bën,hedh nga çdo shishe që i zë dora.Një ditë më tha,ajo gota jote,do të marrë flakë,haha…
Po pi edhe unë zjarrin tend,ai kokteji i miqve të tu veçse më gudulisi.
Atë pi ,por fillo e mendo për një udhëtim ndërkontinental,që të shkelësh në gjurmët e Ernestit tënd,nuk bën të flashkesh.Çudi si ke duruar gjer më sot!
Kam qenë i detyruar të duroj ngaqë me t’ardhurat që siguroja,mezi ia dilja t’ushqehesha .Pas përpjekjeve,të cilat do të rrekesha më kot t’i rrëfeja,e rimorëm pronën e familjes ,një vilë trikatëshe me gjithë atë oborr, te Rruga e Elbasanit të cilën ia lëshuam me qira menjëherë një ambasade.Paret s’tregohen,por bashkë po llafosemi : tashmë marr pesë mijë euro në dorë çdo muaj,kështu që do t’udhëtoj pa e vrarë mendjen sesa do të prish,Xhilda ,që s’mund të quheshe veçse kështu.Jam divorcuar që para dhjetë vitesh dhe,ish gruaja ime e dashur jeton në Suedi së bashku me djalin tonë.
Ja që të pa Zoti dhe ty .Na,ndize një cigare,oho,nuk e pi ? Epo, ai Deliriumi nuk vete pa cigare .
Ke të drejtë.Nuk solle ndonjë puro nga Havana ,apo solle por ndërkaq të janë mbaruar ?
Solla ,por ua dhurova të gjitha miqve të mi,vetë nuk i pi,ndonëse era e tyre më pëlqen si t’ishte e një parfumi ekstra. N’atë udhëtim ,drejt Ernestit,kam qenë bashkë me të dashurin tim,ai madje e pati i pari idenë e këtij lloji turizmi.
Pa shih, pa shih,po ç’punë bën ky i dashuri yt ?Nëse është shkrimntar ka shumë gjasa ta njoh.
I dashuri im,nuk është më i dashuri im,u rikthye te bashkëshortja e tij pas katër vitesh ndarjeje.Por ti më pyete ç’punë bën ; drejtpërdrejt ndoshta do të më kishe pyetur se ç’e lidh me Ernestin e ç’nevojë shpirtërore kishte të thithte frymën e tij ngado ku ai kishte jetuar,hë ?
O,është ekonomist,por lexon shumë edhe sot e kësaj dite dhe,me Ernest Heminguejin nuk vë asnjë shkrimtar ; ka lënë prej kohësh mjekër ja,krejt si e Ernestit te fotografia pas banakut.
Ka shumë adhurues që mbajnë mjekër alla Hemingway,siç po e quajmë ne sonte,por mua ata më shqetësojnë seriozisht,kur i shoh të mbledhur bashkë në ndonjë veprimtari kushtuar shkrimtarit të madh ; më duket,mos o Zot ! sikur është klonuar sakaq vetë Hemingueji. Do t’ishte më dinjitoze e madje edhe më etike,nëse këta adhurues të paraqiteshin secili me portretin e vet.Ah, por çfarë kokteji paskësh qenë ky yti,vërtet delirium…
Si ia ngriti mendjen Xhilda !Ç’femër energjike…
Pale ,por s’e la e s’e la ta qeraste dhe,kur u ngritën t’iknin ,i tha,por ç’i tha,e urdhëroi të hipte prapa saj në motoçikletë që ta çonte në shtëpi sa hap e mbyll sytë.
Hipi SK dhe u ngjesh pas Xhildës pa një pa dy.Po ç’nerv prej mashkulli ! Ajo u bë njësh me atë motoçikletën ,ashtu e tëra me të zeza dhe, SK iu bë se ishte kapur fort pas një pantere.
Ah,moj Xhilda,murmuriste me vete SK ,aty në ndenjësen mbi skapamenton që gjëmonte si mitroloz,shpjermë gjallë në shtëpi se,edhe mua më duket se më pret ai udhëtimi yt marramendës : Paris Pamplona Key West Finca Vigia Ketchum …
Por sa të rëndë e kishte kokën në mëngjes !
Do të bënte një dush nga ata që besohet se ta marrin lodhjen dhe stepjen me vete dhe,me të ngrënë diçka sa për të thënë,do të hidhej gjer te kafeneja ,prapa Bibliotekës Kombëtare dhe aty përjashta,do të ulej te njëra nga tryezat ndënë bredhat e lartë,mes halave të të cilave ,kumriet pyesnin e pyesnin tek iknin e vinin : ku ku ku…
Do të përcaktonte me nge itinerarin prej mijëra kilometrash dhe,me të futur në xhep vizën amerikane, do të nisej për udhë,ashtu si një pelegrin i vetëmuar ,që e ka kapluar një ndjesi religjioze,ngaqë e dinte se,çdo vend ku kishte kaluar e ndenjur një farë kohe shkrimtari i tij kult,do të kishte për të një hije me peshë tempullore,paçka se,asgjëkundi nuk do të rrethohej nga ndonjë kolonadë dhe,nuk do të ndizte qirinj amshimi e as do të lutej…
Por,sa mendonte se do të zgjaste pelegrinazhi i tij ? O,ndoshta edhe dy muaj fillim – mbarim,pa intervale kthimi në Shqipëri.
Megjithatë, ç’mendjelehtësi është të besosh se,teksa vizitoje, ashtu mes turmës së ndërkryer të turistëve shtëpinë – muze ,të ngrirë në palëvizshmëri të një shkrimtari të madh,mëson mirëfilli jetën dhe karakterin e tij,tek sheh se në ç’mjedise është vërtitur ai dhe se çfarë shijesh estetike kishte.Ah,sa thellë e sa thellë fshihet shpirti përçdoherë i shqetësuar e madje i vrarë i një shkrimtari !
Sa marketing bëhej me memorien e Heminguejit,me vetë objektet dhe sendet që ai kishte prekur me dorën e tij dhe,i kishte përdorur ! Marketing nëpërmjet rrjeteve sociale : ja grepat e peshkimit ,arma q’u vetëvra,jahti,dorezat e dyerve që hapte e mbyllte,teshat e trupit,librat në rafte…
Por SK ishte ndryshe,së paku nga pjesa dërrmuese e atyre vizitorëve që nguteshin t’i shtonin fotografitë ,të cilat i shkrepnin orë e çast,për t’ua rrëfyer më pas miqve të tyre.
Për shkrimtarin SK,çdo objekt që kishte përdorur Hemi,ishte një fetish më vete i vyer që,më së fundi ai do të kishte fatin t’i prekte ! Çfarë induksioni drithërues do të përcillej nga ato objekte te mollëzat e gishtërinjve të tij ! Ç’mesazhe do t’ia përshkonin trurin e plogështuar paksa vitet e fundit nga pritja e tepruar e suksesit ! Sa nevojë kishte të përftonte fuqinë dhe talentin e Heminguejit,tashmë që ishte gjashtëdhjetë e një vjeç !
Aha, por në këtë moshë,shkrimtari i tij kult vrau veten !
Hello Hemingway…

2015