Gazeta Nacional Albania

Konstandin Dhamo: KEPUCET E LENINIT, poezi

VIDEO VIRALE

Një korb si i Edgar Poe – së
Dergjet i ngordhur,më falni, i vdekur
Përtokë,
Me këmbët mbledhur mbi bark
Dhe kryet futur nën pupla…

Por, shihni !
Një korb i zi ende i gjallë
Nga qielli zbret
Dhe i vjen pranë.
Përmbys kthehet dhe ai
E s’krrokat,
Tek mban një minutë heshtje,
Vdekjen
Duke simuluar
Me kurajë !

Ç’homazh sublim !
Veç ta dish, o korb jetëgjatë
Se, askush nga ne, njerëzit,
Qeniet me intelekt të lartë
Nuk do të guxonte,
Nuk do të denjonte, madje
Të përvetësonte
Ritualin tënd …
2014

PELLUMBAT MBI HIROSHIMA 2005

Mbi Hiroshima fluturojnë sërish pëllumba
Të vërtetë ,
Në një qiell që shkëlqen nga dielli,
Jo nga rrezatimet radioaktive.
Koreografia e tyre e bardhë për paqen
Ndiqet mes brohoritjesh
Këtu, në tokën që u saharizua
Dhe jetës, si në Zanafillën Biblike
Iu desh të nisë nga e para…

Po ku është avioni me emër nëne në bord,
Avioni Enola Gay që hodhi bombën
Mbi kokat e njerëzve,
Duke filluar Epokën Atomike ?

Të gjithëve u përhitet në sy ai, avion,
Por sakaq
Tutje mbi një piedestal të lartë
Shiheni monumentin e gogolit atomik,
Goxillën gojëzjarr !
Ç’thoni për këtë shprehje artistike të tmerrit,
Ç’mendoni tashmë , që po bëhet art me atomin;
U përul përfundimisht njeriu para tij,
Apo përfundimisht e mposhti ?

1995

KEPUCET E LENINIT

Monumentin e Leninit
Të përuruar bujshëm pas Luftës,
Thuajse ilegalisht po e çmontojnë natën,
Jo për ta futur në Galerinë e Arteve,
As për ta ringritur në një tjetër shesh ,
Por për ta hedhur të shpërbërë
Jashtë s’ardhmes….

Si t’ishte objektiv për t’u qëlluar,
Ashpërsisht prozhektorët e zbulojnë.
E trand vinçi Leninin, e shkëput
N’ ajër e lëkund si marionetë,
Apo si një pendule ore,
Që kohë s’tregon më…

Pa shihini këpucët që ndahen nga
trupi
Dhe mbesin mbi piedestal!
A thua , në Shqipëri , përsëri ,
Do t’i mbathë ndokush , vallë ?

1991

ARAKATAKA

Sa komik ky emër, sa tragjik,
Por nuk mund të quhej ndryshe kurrsesi
Vendlindja e Gabriel Garsia Markezit.
Arakataka – arakataka,
Onomatope e zhurmave të një karroje,
Që ec e ngec rakatak kalldrëmeve ,
Arakataka bën , kur hapet e mbyllet
Edhe një portë me mentesha të ndryshkura.
Por , edhe kur pyesin , fjala vjen
Si punon qeveria ?
Kuptueshëm për këdo në botë mund të përgjigjesh:
Arakataka…
Siç do të thoshe , edhe shatra – patra…
Eh, i nderuar Markez,
Bota jonë
E ku nuk është arakataka ?

1992

TROJANET

Nuk e parandjenë dot zjarrin e Trojës,
Edhe pse çdo ditë ritualisht
Shihnin
Flokët e flaktë
Të Helenës…

1990

SI HYN NGANJEHERE
NE HISTORI

Arkivolin e Balzakut
Drejt Per – Lashezit
E mbajti
Viktor Hygo
Aleksandër Dyma
Sent Bëvi
Dhe ,ministri Barosh
Që hyri në histori
Vetëm e vetëm
Sepse vuri
Një dorë në cep të arkivolit.

1992

KETE MENGJES

Këtë mëngjes fushës rend mes barit të kositur;
Më pëlqen era e tij, madje më trondit.
Tutje qyteti me pallate të ngjeshur
Kompozim fluror është;
Qielli ndrit.

Shirave me ylberë dhe me bubullima,
Bleroi ky bar, gjithë vesë u rrit,
Tymrave helmues asfalteve të nxehtë,
S’jam sot dhe , mëngjesin thith.

Sa larg natyra nga jeta na iku,
Si mëkatar blerimin e vështroj tani.
Vargun cinik ndër dhëmbë bëlbëzoj:
Gjithçka po prish përbindëshi njeri …

1989

KRYQEZIM

Te semaforët , në kryqëzim
Gjethe vjeshte shkunden pareshtur.
Thurur mes degësh të një lisi me myshk,
Mbi rrugë varet një fole e heshtur.

Zogu ka ikur , shtëpiza e trishtë
Erërash tundet , zbulohet përherë.
Poshtë makinat shkelin gjethet;
Lart qiellin trazojnë retë.

Si bëhet foleja mbi kryqëzim;
Mes tymit , mbi rrotat si çelen vezët?
Po kush nuk jeton sot në rrezik;
Kë era s’tund si folenë e zbrazët ?

2000

NE MODE KENGA SEX – BOMB

Ministrat n’uikend celularët
Dhe viagrat asnjë herë s’i harrojnë.
Ah, sa të ëmbël pushimet;
Në modë kënga sex –bomb!

Poeti i shkretë veç trishton ,
Shpeshherë pa ditur përse.
Shqyhen gazit disa ,
Eh, farsë letrare fjala atdhe …

Por s’zbret nga sëra hyjnore poeti,
Nuk imiton modele, nuk pozon.
Mes psherëtimash lajm të mirë
Vendit të tij i pret gjithmonë.

Dhe del në rrugë dhe shqetësohet;
Sa është gjallë s’e nderojnë.
Ah, ka pushime, ka dhe krime
Dhe është në modë kënga sex – bomb …

1996

LIRIA

Monumentet e diktatorëve popujt i rrëzojnë vetë,
Vetë përsëri disa kërkojnë t’i ringrejnë.
Janë të paaftët e rrezikshëm ,
Që i çorodit liria, s’dinë ç’ta bëjnë.

Rrugës enden nervozë dhe kërcënues ;
Dikë duan patjetër mbi krye ta kenë,
Emrin t’ia përmendin në shtëpi, të mburren me të,
Për vete të jenë skllevër dëshirojnë përjetë.

Duan dikë t’u diktojë qethjen dhe veshjen,
Si bëhet pikturë t’u thonë, si shkruhet poezi;
Radhëve të gjata t’u kthehen duan
Triskave të bukës , recetës për dashuri.

Këta që frikshëm pushtetin adhurojnë.
Veç të dhunuar ndihen mirë.
Çdo ditë i këndohet lirisë,gjith‘entuziazëm,
Po kush ka besuar se, e duan të gjithë ?

1993

TE KJO RRUGE

Te kjo rrugë e bukur e Tiranës
Gjethet e vjeshtës të bien kam parë.
Sot librat e grisur të Enverit ,
Pashë të bien nga dritaret lart.

Kaq vite rresht këta libra të kuq,
Raftet mbushën , i rënduan fort,
Ndodhte që prindi në vend të bukës
Një libër të tillë të sillte, blerë me zor.

Lidhur mirë , shtypur me letër të shtrenjtë,
I kobshëm ky libër dukej mbi tryezë.
Sot , kur fletët e shqyera të binin pashë ,
Shembja e monumenteve më gjëmoi në vesh…

Ku ishte Instituti i Studimeve Marksiste;
Shkolla e Lartë e Partisë , ku ishte ?
Radioja, Televizioni,”Zëri i Popullit“…
Me plehrat në kosh librat hidhnin pastrueset…

1990

PRANVERA E VIVALDIT

Eh,Vivaldi Vivaldi,
Ikona e stinëve !

Violinat e harbuara
Nga pentagrami trillan
Drithërojnë rrëqethshëm
Përplot dhembje e shqetësim artistik
Të magjisë krijuese !
Harqet e nxehtë mbi telat flu
Janë si bletët dhe fluturat pjalmuese…

Ç’muzikë entuziaste
Ringjall natyrën !
Vërshojnë ujërat e s’përmbahen,
Çliruar pas mpirjes ndrydhëse
Të dimrit…
Oh,i shoh,i shoh n’ëndërrim
I përshkuar i tëri tejpërtej
Nga rezonanca përndezëse
E violinave !

Si në ditët me dritë të Zanafillës
Pranvera e Vivaldit !
Çelin lulet e bardha dhe të kuqet,
Të kaltrat çelin,të verdhat dhe …
Ato ngjyrëmavi
Si vetëtimat me elektricitet,
Kur qiellin si qelq krisin…

Vivaldi
Vivaldi

Ekzaltohen violinat e pranverës,
Tek ringjallin sensualisht
Mbarë peizazhin ;
Oh,violinat sakaq
Dhe vetë shpirtëzohen !

Mes lulesh ,mes ujërash vërshues,
Mes rrezeve të diellit
Që shqyhet gazit,
Holograma e Venusit të dashurisë shket…

Ah,pranvera e Vivaldit !
Viva Vivaldi !

1999

KONSTANTET E MEDHA T’UNIVERSIT

Shpejtësia e dritës
Zeroja absolute
Gravitacioni
Poshtërsia .

1992

EKSPOZITE

Furra të shuara dhe të shembura
Si kratere vullkanesh të vdekur;
Xhama të thyer mprehtësisht gjer lart,
Që të shqetësojnë
Si të ishin thyer vetë qiejt…
Kjo uzinë e braktisur hesht, por sot
Aty një ekspozitë arti është hapur…

Çapiten vizitorët mbi zhurin e truallit;
Vëmendshëm si nxënësit në shkollë vështrojnë
Pikturat me ngjyrat e ngjeshura nervozisht,
Varuar mbi muret me suva të prishur…
Pastaj portretet me asimetri tragjike ,
Modeluar në baltë me mollëzat e dridhshme
Të gishtave ;
Më pas diademat pa diamante
Flamurin e një supershteti më tutje
Krekosur në bishtin e një fshese të madhe ,
Pemët e shkulura , hedhur mbi shkrumb.
Dhe oturakët e azilit të pleqve
Mbushur me lule…

Por shih!
Shkëputet një vizitor
Për të pshurrur te rrënojat , në fund të repartit.
Të tjerët e ndjekin me interes,
Që të shijojnë performancën e tij të beftë.

Ah, ç’zgjidhje e hollë
E kuratorit ….

1995

LOG SKOCEZ

Në logun e blertë mes pyllit të lartë ,
Ku mjegullat treten sapo drita shkrep,
Një fermer plak me traktorin e tij
Thesin plot mish të freskët sjell,
Për zogjtë grabitqarë që enden përreth.

Korbat e zinj me divizën e vdekjes ,
Skifterë të ngjeshur , shqiponjat mbretërore,
Rrëmbyeshëm mblidhen , kur gjaku i ndjell
Përhihen n’ajër , krrokatin ngjethshëm
Sillen rrotull si karuzel.

Shqyejnë mishin me thonj dhe sqep,
Gëlltiten grykshëm, gufohen, sulen
Si armët kur prishen , u bien pendët;
Por s’tremben nga ndeshjet dhe çiftëzohen ,
Në fluturim martesor humbin qiejsh…

Këtë gosti t‘egër, nga një bankinë e ulët ,
Përmes dylbish turistët e ndjekin.
Ndiejnë nevojë ata herë pas here,
Për kacafytjet e zogjve emblemorë;
Shajnë dhe shfryjnë dhe shfrejnë mllefet…

1992

ALEKSANDER MOISIU

Një herë takoje Romeon, dashnorin
e përvëluar,
Një herë Turkuato Tason, poetin fisnik
dhe ballëndritur.
Ky ishte Moisiu;
Ndryshonte jetët , tek vdiste dhe rilindte
pareshtur…
Tjetër herë do ta shihje dhe mbret,
Mbret si Edipi…
Edhe lolo shekspirian, thumbues hokatar
dhe i përvuajtur.
Por…
Një herë do të ndeshje përballë
Akilin e rrufeshëm ,
Me thembrën e shenjuar frikshëm
nga vdekja .
Ky ishte Moisiu, me lidhjet efemere,
Gjersa gjeti edhe Oberonin
n’ëndrrën e një nate vere,
Por edhe Mefistofelin…
Dhembje në ballë, dhembje ndër kyçe,
ndër muskuj dhe rremat e gjakut,
Dhembje në zemër…
Nëse e ndiqje në studio tek shndërrohej
në gjysmerrësirë,
Do të shtangeshe, si të hasje një
demon të tronditur.
Mbret dashnor poet
Lolo strateg dhe ëndërrimtar…
Ky ishte Moisiu, por unë
Do ta përshëndesja
Si bashkatdhetar…

1968

ANTAGONIZEM

Dramaturgu i mpreht’ Breht,
Sa entuziazëm ka në vjershën tënde,
Ku rrëfen me patetizëm kronikën
E të burgosurve të revoltuar
Liridashës,
Që shkruan me gërma të kuqe kapitale
Emrin Lenin,
Mbi murin mbyllës të qelisë…

Me gëlqere, rreptësisht gardianët
Leninin e mbuluan,
Por kur ajo u tha,
Përsëri si diell qenkësh shfaqur
Lenini i Revolucionit…

Dhe vazhdon e vazhdon,
Bertolt Breht,
Përplasja e ashpër
Mes gardianëve gorilla
Dhe të dënuarëve…
Por…
Leninin kishin ata simbol frymëzues
Të Lirisë dhe Demokracisë;
Ai i ngrinte n’aksion politik t’organizuar
Kundër oligarkëve luftënxitës?

Lenini që masakroi miliona e miliona
Të popullit të tij të madh
Dhe,gojën ia mbyllte kujtdo
Që rrekej të shprehte një të vërtetë?

Dramaturgu i mpreht’ Breht,
Këta të burgosurit në vjershën tënde të përndezur
Dhe,të bukur në vetvete,
Këta gjermanë t’angazhuar majtas,
Lenini,idhulli i tyre ideologjik
Dhe yti njëherësh Breht,
Më mizorisht se Hitleri,
Do t’i kish goditur,
Nëse do të rronte ca më tutje,
E sidomos,po t’i kishte pasur
Në tokën e sovietëve…

Edhe sot Breht,më trishton
Dhe më nervozon
Ky rebelim
I aktivistëve të mashtruar,
Për më tepër, kur më del në kujtesë,
Propozimi nga një vend
I Europës kapitaliste
Për ta nominuar Proletarin Lenin
Me Çmimin Nobel të Paqes…

Ndërmendu
I mprehti Breht !
Edhe Majakovski futurist
Që hodhi nga Anija e Modernitetit të tij
Pushkinin
Dostojevskin
Tolstoin…
U vetëvra !
Pikërisht Majakovski, Breht,
Që e quajti Revolucioni Im
Revolucionin eksperimental kriminal
Të Tetorit,
Ngaqë pësoi prej tij
Deziluzion fatal !

Majakovski Majakovski !
Gabojnë edhe gjenitë,Breht,
Madje ,jo rrallë herë
Krejt naivisht…

U vetëvra ai q’i dha oksigjen Tetoristëve
Përmes poemave të tij gjëmimtare ;
Majakovski që arriti të shprehë,për çudi ,
Deri dhe admirim të ndritshëm
Për ÇEKA- n asgjësuese,
Që akuzohej se,inskenoi
Njëra pas tjetrës
Vetëvrasjet
E poetëve…

Figura e Leninit,
Në kahje antagoniste
Të dy na vendosi,
Dramaturgu i mpreht’
Breht,
Që muzën,
Gjer dhe te komunizmi
I epokës staliniste
E gjete…

Ndërsa,të burgosurit,
Që shkruan Lenin mbi mur të qelisë
Siç do të kishin dashur ta shkruanin
Në 1 Majin e solidaritetit botëror të punëtorëve,
Mbi një pllakat festiv
Në sheshin Roza Luksenburg të Berlinit,
Apo,gjer dhe në Moskë,
Te Sheshi i Kuq me hemorragji,
S’i mëshiroj;
I simpatizoj
Sa asnjë herë më parë
Sot,
Në shekullin XXI thjesht pragmatik…

1995