Gazeta Nacional Albania

Konstandin Dhamo: ROCK’ N’ ROLL, TREGIM

Ajo pjesa e Rrugës së Dibrës prej vetëm njëqind metra e gjatë, nga Hotel Tirana gjer te kryqëzimi me Rrugën e Barrikadave , e cila u mbiquajt marrëzisht Broduej , në fund të viteve gjashtëdhjetë, më shfaqet përherë në ekranin e kujtesës si një dekor i praruar prej një drite të vagullt nostalgjie …
Por sot, kur ndodhem në trotuaret e saj, shoh me keqardhje se, kjo copë rrugë e ngushtë, me muret e shtrembër dhe suvanë e prishur të ndërtesave anash , nuk është tjetër , përveçse një karikaturë zhgënjyese e përfytyrimit tim të zbukuruar artistikisht…
Edhe njerëzit që sillen rrotull aty, apo që hyjnë e dalin nëpër ca restorante të lirë , që të mbysin me erërat e shpifura të gatimeve, më së shumti janë ata që vijnë në Tiranë për të kryer ndonjë punë të ngutshme zyrave të shtetit…
Por, unë, sidoqoftë për asnjë çast nuk harroj të deklamoj : broduejsat që shëtitën këtu, / njëherësh me të gjithë botën / kënduan Rock’n’Roll !
Mapoja e Madhe, (eh, ajo veçse e madhe mund të na dukej atëherë, ndonëse syri ta rrokte me një vështrim !) është prishur, por bodrumi i saj, dikur përplot ujëra të pistë, është kthyer në një disko, që kumbon së thelli, ndërsa mbi dyshemenë e dikurshme, të betonuar trashësisht tashmë, parkohen ditë e natë, makina luksoze, gjithë reflekse xixëlluese…
Te ballkoni mbi dyqanin e Azises ,siç njihej me emrin e shitëses, e vetmja njësi ku tregtohej ekskluzivisht sallam i të gjithë llojeve, janë montuar pesë antena parabolike që vetëtijnë ashtu ngjitur e ngjitur në sfondin e një muri me tulla të kuqe, të gërryera sakaq. Pesë antena të montuara në një ballkon , jo më të gjatë se dy metra, a thua se nevojiten për të marrë sinjale të ndryshëm për ndonjë studio televizive !
Po ç’studio televizive ! Njera nga kabllot përshkon derën e ballkonit, teksa të tjerat varen poshtë , te pika e zhurmshme e basteve sportivë , te ish sallameria pra , ku nuk duhet të mungojë asnjë sinjal i ndeshjeve ndërkombëtare futbollistike.
Antenat parabolike moderne në sfondin e murit që shkund pluhur të kuq tullash , krijojnë një performancë surrealiste tepër tërheqëse , tek feksin lëbyrshëm.
Megjithatë, këtu në Broduej , ato të pestat më faniten në sy mu si ca disqe fluturues t’ulur në Tokë , apo si pesë skicat e disa planeteve të sistemit diellor , siç edhe po prirem t’i perceptoj . Në Shqipërinë e hapur ato janë simboli më i stilizuar i aspiratës emancipuese të broduejsave.
Por, ku kuptohej Brodueji pa Mapon , krenarinë e tregtisë socialiste ?
Ishte pothuaj e pamundur , madje edhe e panatyrshme që, të kaloje aty përpara saj dhe, të mos futeshe brenda. Mapoja kishte dy dyer dhe, ti do të përdorje njerën për t’u futur dhe, tjetrën për të dalë, në varësi të kahjes së ardhjes sate në Broduej. Se për të blerë gjësend, rrallëherë të jepej rasti , sepse nëpër raftet e reparteve të Mapos, nuk kishte veçse mallra të vjetruar dhe të padëshirueshëm nga shumëkush, si të ishin skarcitete. Këmishët, pantallonat, apo edhe ndonjë kostum , ne i qepnim privatisht te disa terzinj, që punonin mbrëmjeve fshehurazi nëpër shtëpitë e tyre përdhese , nga frika se mos i kallëzonin fqinjët ziliqarë në organizatën – bazë të partisë, apo edhe te operativi i lagjes…
Çudi,sesi mbaheshin në këmbë NPV –të ( ndërmarrjet e prodhimit të veshjeve) përderisa, edhe fshatarët, kur martoheshin mëdysheshin gjatë, derisa vendosnin përfundimisht të futeshin në një kostum nëpëvë démodé dhe qesharak sa s’thuhet.
Kur furnizohej Mapoja me lesh akrilik (pika leshit !) , me këpucë njëmijëlekëshe të reja, paksa të përmirësuara në formë, (këpucët e prodhuara në Korçë …) kur furnizohej me sahatë dore , apo me çorape burrash me ngjyra të çelura , jo me atë të zhvjelltën gri – gri të errët që nuk na shqitej, ne e merrnim vesh të parët dhe zinim radhë menjëherë , pa i llogaritur favoret që na bënin shitëset , duke na i fshehur nën banak ato që i kërkonim ; kaq e kishim metrin . Ngjarjet zhdramatizohen me kalimin e viteve , qofshin ato më të rëndat , madje romantizohen dhe , mesa duket , prandaj rrëfehen nganjëherë me një sens humori dhe mahie…
E pra , futja në Mapo, ma-gazinën po-pullore, ishte kthyer në një ritual ordiner, gjatë të cilit kalonim minuta e minuta të tëra në sfond të mallrave industrialë, duke u ndier të privilegjuar dhe pak më shumë qytetarë, përshëndesnim një e nga një shitëset, që shkriheshin në muhabet tetë orë rresht, apo edhe i vareshim ndonjerës mbi banak, sipas lidhjeve intime…
E dinim përmendsh gjithçka kishte nëpër vitrinat e Mapos, a thua se ato çka ekspozoheshin aty, ishin objekte kulti të fetishizuara dhe si të tillë , nuk lëvizeshim që aty . Madje, edhe çelësat e këtyre vitrinave, nuk i mbanin shitëset e Mapos, por ata specialistët, Mali me Zinën , një duo personazhesh të vërtetë , të caktuar për të zbukuruar anekënd vitrinat e Tiranës . Ishin të vetmit që ushtronin këtë profesion delikat dhe unikal për Tiranën e atëhershme…
Dua atë stofin polak, mund t’i drejtoheshe, fjala vjen shitëses, atë stofin blu, që është shpalosur ja , atje në vitrinë. Ç’thua, do të mbetej pa mend ajo, duke të të gjetur njëherësh fajtor : e di ti që vitrinat nuk prishen, e mbi të gjitha nuk jam unë ajo që kam të drejtën t’i ndreq e t’i zbukuroj. Të duket Mapoja bosh pastaj ? Të kam mik , por mos më kërko të pamundurën ; prit furnizimin e ri .
Po ç’furnizim i ri ! Krijimtaria e beftë gojore,tek thurej pothuajse e sinkronizuar me zhvillimin e ngjarjes,në këtë rast me shkarkimin e vëzhguar të mallit,ia dilte të mahitej me propagandën zyrtare,nëpërmjet pijanecit provokues,që shkëputej nga Tymi,aty pranë Mapos,duke shtrënguar ende në dorë shishen e rakisë,prej së cilës pinte me hurba të gjata dhe,me të ndalur mu në mesin e rrugës me këmbë të hapura,që të mos plandosej përdhe,ia kriste:

Mu te Mapoja e Madhe
Kanë dalë sandale…

E çfarë sandalesh se,me atë gomën e rëndë plumb,që kutërbonte që së largu ! E megjithatë,dyert shqyheshin dhe xhamat masivë thyeshin dhunshëm nga blerësit që mësynin si pushtues dhe,të nesërmen,ç’ishin bërë copë,zëvendësoheshin me tabakë kartoni,që mbeteshin aty për ditë të tëra,teksa në trotuar pllakoste trishtimi dhe zhgënjimi i radhës…

Mu te Mapoja e Madhe…

Kësisoj,e kush nga ne mund ta harrojë ariun e bardhë prej alabastre mbi një kub të kaltër, emblema e vërtetë e Mapos; motoçikletën e kuqe hungareze Csepel,televizorin sovjetik Record,biçikletën sportive Favorit,apo këpucët Bata,ngjyrë portokalli,që kushtonin sa rroga mesatare e pesëmbëdhjetë ditëve?
E pra, në përgjithësi, veçse hynim e dilnim nga Mapoja dhe, ngaqë e lypte kryerja tërësisht e ritualit, pyesnim si meskinë herë pas here: a pritet të vijnë çorape bezhë, apo me rombe ? Po poliester, po terital, apo këpucë me majë ?
O,Zot…
Por unë shkruaja poezi atëherë, sapo kisha filluar të botoja dhe, isha i gëzuar dhe entuziast, pavarësisht se më mungonin dhe më ndalonin , si gjithkujt tjetër , shumë gjëra.
Broduejsat i akuzonin si mbartës të shfaqjeve të huaja dhe , ata vërtet ato shfaqnin , po të flasim me gjuhën ideologjike të diktaturës. Megjithatë , broduejsat nuk përjashtonin njeri , ata ftonin ! Ndaheshin nga e vjetra dhe provincialja , por nuk përbuznin : bënin humor dhe jepnin shembullin e tyre pa thirrje e pa gjuhë sloganore. Dëshironin Europën jo Azinë…
Institucioni fluid europianist i broduejsave , që dëgjonin e këndonin çdo herë këngët e hiteve botërorë , nuk kishte zyra , as vula e sekretari e , as kalendarë programesh të paracaktuar. Përveç takimeve në Broduej dhe qëndrimit në trotuar , në sfond të vitrinave , nga ku shkëputeshin herë pas here për të shoqëruar ndonjë shoqen e tyre , mu si kavalierët kur futen në vallëzim, ( si uollflaursat , siç quheshin dikur në Amerikë … ) ata mblidheshin shpesh në shtëpitë e njeri – tjetrit për të kënduar me kitarë , për të mbushur apo shkëmbyer ndonjë bobinë , apo një fletë reviste mode , e cila nga palosje – shpalosjet , pushëzohej e të kujtonte një ikonë të ciflosur…
Broduejsat edhe emrat i kishin të tjetërllojtë : Giti , Franko, Bebi , Klodi , Kozeta , Eda,Remi …
Kujtohuni , përballë këtyre , ishin emrat Festim , Krenar , Proletare , Vepror , Dialektika …
Homazh Broduejit, ku shëtisnin dhe takoheshin si në një tempull të hapur pa kolonadë dhe pa shenjt , ata që kënduan njëherësh me botën mbarë rock’n’ roll !
Homazh Broduejit të femrave libertine tiranase, ku Giti mbajti e para minifund , ku Kozeta i ra saksofonit , i cili rrëzëllinte mbi dekoltenë e saj pranverore…
Tashmë , Palltoja elegante e Remit , Minifundi mitik i Gitit , Kitara e përndezur e Frankos , binjakut shpirtëror të Çelentanos , dhe saksofoni i praruar i Kozetës , do të qëndronin denjësisht si plaçkë lufte në një muze të kujtesës !
Më tej në Broduej…
Rreshti i dyqaneve që vazhdonte menjëherë pas Mapos,gjithashtu është rrafshuar dhe, nuk është më ajo rrojtorja, me gazetat e ditës mbi tryezën e mesit, me shishkat e livandës dhe brisqet vetëtitës të rrojës, me letërngjitësen e mizave ndanë llambës në tavan dhe radion e potershme të stërvjetër Philips, që ndizej e fikej vërtet me një të rënë me grusht përsipër, prej së cilës, të shtunave dhe të dielave mund të ndiqje komentet e ndeshjeve të futbollit, apo edhe radiopostën me këngë dashurish të trishta,apo edhe me këngë për stakhanovistët ,brigadierët shpatullgjerë dhe shoferët garipa të Skoda-ve : ty ty ty bie boria…
Nuk është më, sigurisht, as pastiçeria me tortat tërë shkumë të piksur dhe aparatin e famshëm Cattabriga, i mbetur që nga koha e Italisë, i cili centrifugonte dhe ngrinte kremën e akulloreve; nuk është me as ajo peshorja publike,tek ai cepi i vogël bosh, mes rreshtave të dyqaneve,e zonja me të zeza e së cilës,vendoste para saj herë pas here fotografitë e artistëve të filmave italianë e francezë, sapo ata shfaqeshin në kinema : Brixhit Bardonë , Zhan Pol Belmondon,Sofia Lorenin,Zhan Gabenin , Xhina Lolobrixhitën ….
Nuk është më as ëmbëltorja me llokume , karamele dhe bonbone, ku shisnin dy vëllezërit faqekuqë, tullacë dhe të shkurtër, të cilët, ngaqë buzëqeshnin tërë kohës , dukeshin si të sheqerosur edhe vetë.
Nuk është më as Tymi , ku piqeshin bërxollat dhe shishqebabët në skarë dhe , birra që pihej tek zdërhalleshe mbi fuçi…
Nuk është më as…
O, po ajo rrugë atëherë quhej Broduej dhe, ata që e pagëzuan kësisoj, e kishin parë origjinalin e famshëm njujorkez veçse fshehurazi nëpër filma; sepse, po të qe se, do të kishin shkelur atje , ( atëherë kjo ishte po aq e pamundur sa edhe vetë shkelja në hënë ! ) nuk do ta kishin huazuar emrin e asaj rruge, ku mesa dukej jetohej ashtu siç dëshironin dhe ëndërronin ata. Prekja fizike e realitetit do t’i kish penguar të fluturonin në qiell të fantazisë ; thjesht do t’i kishte shokuar …
Tani , në vend të të gjithë këtyre dyqaneve panoramikë është ngritur një mur i hirtë prej blloqesh betoni, që rrethon përmbyllshëm gropën e stërmadhe, së cilës i mbeti emri Gropa e Ajdin Sejdisë. Pijanecët, travestitët dhe kalimtarët e devotshëm nuk harrojnë asnjëherë të shkarkojnë shurrën bregut të lartë të asaj grope, aty, ku kanë sajuar një të çarë, duke shkëputur ca blloqe dhe, kësisoj, kjo gropë, është kthyer në një moçalishtë mbytëse, përplot plehra, ferra, llum, mushkonja sulmuese,që për kontrapunkt, ka një mimozë të mbirë në skaj, e cila , tek çel gjithë dritë të artë , sfidon e injoron tërë ndyrësitë përreth.
Po stenda e lartë aty ndanë murit, tabela joshëse,me projektin e Sheratonit që do të ngrihej madhështor përplot reflekse qiellore të shpërthyera në sipërfaqet e qelqta dhe të pjerrëta të fasadave të tij ? O, stenda sakaq është shqyer padrejtësisht nga era dhe shirat, nëmos nga ndonjë broduejs i paepur që s’do ta duronte dot një ngrehinë të stërmadhe në atë rrugë…
Unë shëtisja shpesh në mbrëmje te kjo rrugë e ndriçuar me llambat neon,të varura në mes dhe,ndihesha qytetar,madje,më pëlqente ta luaja pak edhe dashnorin e përvuajtur romantik,edhe snobin,kuptohet ashtu siç e kishim perceptuar ne prototipin e tij,nëpërmjet leximit të letërsisë europiane.
Kështu kështu,por unë vetë nuk isha një broduejs…
Sa pranë Broduejit fillonin rrugët e paasfaltuara dhe të përmbytura në gjysmerrësirë !
Prandaj për llambat neon këndohej ritmikisht në festivalet e RTSH- së :

Ndrisni ju , llamba neoni…

Përveç djemve dhe vajzave, që u përkisnin familjeve t’ashtuquajtura me biografi të mirë politike , kishte edhe pinjollë që u përkisnin familjeve të prekura , me prejardhje tregtarësh, apo pronarësh të mëdhenj tokash ,familje , burrat e të cilave ishin rreshtuar gjatë Luftës në krah të ballistëve, familje me shkrimtarë apo inxhinierë disidentë, të cilave ua kishin hequr disa të drejta qytetare, si për shembull, arsimimin e lartë të fëmijëve të tyre, punësimin nëpër dikastere, apo në poste drejtuese dhe, në disa raste, edhe të drejtën për të votuar…
Këta të rinj të këtyre familjeve të prekura , në përgjithësi , ishin më kurajozë sesa ata të familjeve të mira dhe , e tepronin ca më shumë në ekstravagancë. Diktatura, sidomos në vitet, kur zbutej njëfarësoj lufta e klasave, i shpërfillte këta individë, duke i lënë ca si mënjanë ; po kështu edhe shoqëria , të paktën në vështrim të parë.
E dinte shteti totalitar: një palë pantallona pak centimetra më të gjera poshtë dhe një fund pak centimetra mbi gju, nuk ishin kurrsesi punë kalamajsh .Këto centimetra, qindra kilometra hapësirë lirie drejt botës do të kërkonin !
Por , kur punët e qeverisë shkonin për dreq dhe në treg mungonte edhe qumështi edhe vezët , por edhe frutat për fëmijët , të parët që shenjoheshin si shkaktarë të krizës , ishin pikërisht bijtë e të deklasuarve , që e pësonin me dënime të rënda, internime apo burgosje …
Por vazhdonin të tjerët. Më me këmbëngulje …
Eh, unë shkruaja poezi atëherë, kisha filluar të botoja dhe isha i papërmbajshëm dhe entuziast. Shkruaja për aksionet e rinisë, për elektrifikimin dhe, për dashurinë, aqsa më lejohej, ashtu siç na lejohej.
Shkruaja edhe për një gjethe vjeshte që dridhej n’erë,edhe për një flutur që fërfëronte krahët mbi luadh , apo për një plep puplor fluror, por sakaq duhej të shkruaja edhe për një kishë apo një xhami , që rrafshoheshin apo shndërroheshin dhunshëm në depo pesticidesh ose armatimesh,por edhe në vatra kulture t’edukimit marksist – leninist…
Në gjimnaz punët i kisha keq e mos më keq. Merrja shumë mungesa dhe, mësuesja e letërsisë, në vend që të më inkurajonte dhe, të mburrej gjithsesi me mua poetin e ri, që botoja deri edhe në organet letrare të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, gjente pretekst për të më nxjerrë jashtë nga klasa , saktësisht të nesërmen e ndonjë botimi…
Nëpër redaksitë e gazetave,më këshillonin seriozisht që të ruhesha nga ndikimet e letërsisë së çoroditur perëndimore,që veçse eksperimentonte modele pa vlerë me lloj lloj izmash,por edhe nga shkrimtaria e disa autorëve vendas,të cilët qarkullonin ende të lirë,si rrjedhojë e frymës së sëmurë pajtuese me të keqen,që molepste hera herës institucionet e intelektualizuar artistikë . Gjithashtu, që të arrija të krijoja me partishmëri sa më të lartë, duhej patjetër të demaskoja pareshtur së bashku me shokët e mi,të ashtuquajturën romatikë të vagabondëve , që i joshte tinëzisht të rinjtë pa përvojë…
Kanë mbetur pa u prishur ende te Rruga e Dibrës edhe Hotel Vjosa, që është restauruar dhe, për rrjedhojë, ka ndryshuar pamjen plotësisht, por edhe Hotel Valbona, në skajin tjetër të rrugës, i cili frekuentohej shpesh nga sportistët e skuadrave udhëtuese, por tani aty, ka zyrat e saj një kompani e fuqishme sigurimesh. Nuk është prishur gjithashtu as dyqani ushqimor i Çakmixhianëve, që ua shtetëzuan menjëherë pas çlirimit, por që çifti i plakur armen, që e lejuan të punësohej në ish pronën e vet, e harronte herë pas here këtë fakt dhe, rropatej ditë e natë , duke u shërbyer klientëve me mirësjellje të tepruar dhe, duke e furnizuar dyqanin çuditërisht me produkte që nuk i gjeje asgjëkundi tjetër.
Jo më kot, ne zinim radhë te ky dyqan, që të blinim një çikë verë të mirë për natën e Viitit të Ri .
Por prishjeve , me siguri do t’u shkohet gjer në fund dhe, nuk do të jetë më as Hotel Vjosa , as Çakmixhianët , as Hotel Valbona , as …
Po po, së shpejti !
Krahët gjigantë të vinçave,në sfondin e reve t’errëta,përsëri e përsëri do të ravijëzojnë në gjerësi e lartësi përmasat e kullave, që do t’i dalin përpara malit dhe,vetë diellit…
Së shpejti
Zotërinj , përse habiteni ende nga prishjet symbyllurazi ? Po ne prishëm me egërsi prej hordhish nomade kishat dhe xhamitë ! Pas tyre , zotërinj , gjithçka tjetër rrafshohet lehtësisht…
Aha; patjetër që nuk është shembur dhe, me gjasë asqë do të shembet pallati i ashtuquajtur me kutiçka,që dikur kishte përballlë Mapon e Madhe. U quajt qortueshëm dhe fyeshëm pallat me kutiçka prej fasadës së tij me ballkone –lozhë së mbrendshmi,të alternuar me ballkone po të mbyllur, por të nxjerrë me të gjithë vëllimet e tyre dinamikë jashtë vertikalitetit të ndërtesës.
Shumëkush e quante tallshëm edhe pallati me kubikë,fjalë aq shumë e përdorshme aso kohe,për shkak të huazimit të metodës kineze të mbjelljes së misrit me kubikë,që dështoi te ne pa nisur mirë …
Kjo ngrehinë u kritikua ashpër pra,dhe u quajt zyrtarisht moderniste; si e tillë edhe kostoja e ndërtimit i kishte dalë detyrimisht e lartë dhe arkitektin, i cili ishte njëherësh edhe piktor i kritikuar vazhdimisht po për modernizëm,gjetën rastin ta demaskojnë përfundimisht dhe ta rasin në burg…
Megjithatë, edhe në një pallat të kritikuar nga Partia, mund të jetohej për mrekulli ,aq më tepër që,ai,ndodhej mu në qendrën e Tiranës,atëherë, pa smog makinash dhe pa kullat e triumfit të betonit …
Kësisoj,aty u ngutën të përlanin një apartament disa nga zyrtarët e lartë të shtetit,por sakaq,po aty u strehuan edhe dy poetët më të spikatur të kohës, Kadareja dhe Agolli,të cilëve, njera nga dhomat e shtëpisë së tyre të re,do t’u shërbente si studio.
Në këtë rrugë përplot rrëmujë të gëzueshme,Kadareja u njoh e u miqësua shumë shpejt me broduejsat,që e ndalnin kur kthehej në shtëpi,apo edhe kur dilte q’andej dhe,bisedonin së bashku çmendurisht shpengueshëm…
Mirëpo ky fakt,nuk u shpëtoi pa qëmtuar komunistëve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të cilët,afrimin e tij me të degjeneruarit e rrugëve,siç i damkosnin ata broduejsat,ia përcaktuan si shprehje e tepruar liberalizmi dhe ndërprerje të luftës së klasave që,në radhë të parë,njollosnin atë vetë,si personalitet i letrave q’ishte…
Mendo pastaj si do të turfullonin t’alarmuar,nëse Kadareja do të ishte rehatuar një ditë mbi një fuçi birre te Tymi,i rrethuar nga broduejsat,ftesën tunduese të të cilëve,për t’u gazmuar n’atë skutë të potershme,gjithë shpërthime shkume që derdhej nga krikllat dhe tymit duman nga mishi që piqej në skarë dhe cigareve që s’fikeshin,jo më kot e kishte refuzuar me takt sa herë ia kishin bërë…
Te kafeneja gjithë dritë,që u hap poshtë këtij pallati, filluan menjëherë të takoheshin poetët me njeri – tjetrin. Deklamonin vargjet e tyre , shanin ata që mungonin dhe, pinin fërnet,apo kaçurel,( siç quhej koktejli ponç – konjak) për t’u këndellur…
Sakaq, më ktheheshin mua,që më ftonin gjithmonë për të më qerasur, kur merrnin honoraret më katërmbëdhjetë,apo më njëzet e tetë të çdo muaji, duke më porositur me dashamirësi të sinqertë: hë, ç’pret ende; përgatite për botim librin e parë; kaq cikle me vjersha sa ç’ke botuar ti, përmbyllet një vëllim dhe bëhesh automatikisht kandidat, por përse jo, edhe anëtar me të drejta të plota i Lidhjes ; libri është ai që të jep identitet …
Dhe, ashtu ishte; me dy copa letre në dorë , përplot vargje poetikë , unë shkoja herë pas here te redaksia e gazetës Drita, apo e revistës Nëntori, që ndodheshin te vila e rrëmbyer e Musa Jukës, ministrit të brendshëm të Mbretërisë, vilë gjithë lule dhe pemë, në një rrugicë tipike tiranase, ndanë Broduejit.
Që nga shtëpia ime mund t’i bije shkurt për të vajtur te këto redaksi, por unë,asnjëherë nuk shkoja atje pa u futur më parë në Broduej; përndryshe, do të më dukej sikur lija pa kryer një proces teknologjik të domosdoshëm…
Por në Broduej,nuk është më as ai dyqani i vogël i luleve,as libraria me atë libraren e bukur, përgjithmonë me një jakë të bardhë përreth qafës së pjerrët, femra me histori të pambarimta dashurish tërheqëse , pikërisht ngaqë s’ishin të besueshme. Nuk është më as ajo libraria tjetër,në qoshe, që u quajt Flora sipas emrit që paskësh mbajtur gjatë viteve të Luftës , ku shiste cigare ilegali Enver Hoxha dhe ku , gjersa u mbyll më Nëntedhjetën , u shitën veprat e tij të njëpasnjëshme…
Nuk janë më as ato pellgjet e përhershëm në asfalt, që formoheshin nga shirat, apo nga larja e rrugës prej makinës, pellgjet e kaltër me ndonjë re të bardhë si vegim ëndrrash, mu te hyrja e rrugicës që të shpinte te Kinema 17 Nëntori. Sado kalimtarë që të kishte Broduej, merrej vesh menjëherë, kur mbaronte ndonjë seancë filmi, sepse nga rrugica, vërshonte një luzmë njerëzish të përmbytur ende nga mbresat që u kishin lënë fatet e personazheve. Atëherë, kinemaja me ekran të gjerë dhe me ngjyra, kishte një ndikim të fortë në ndërgjegjjen e ndjekësve të saj. Kur u luajt filmi Ursus, Tirana u mbush përplot me ursusë me muskuj të gufuar që çapiteshin të ngrefosur; kur u luajt Tre Mosketjerët, u mbush me ca mosketjerë karagjozë , që qarkullonin tre e nga tre, të gatshëm për zënka , ndërsa kur u shfaq filmi trallisës Helena e Trojës, u mbushën rrugët me helena,aqsa edhe romet i zverdhën leshrat…
Krahas këtyre, lavdi Zotit, shfaqeshin edhe filmat më të mirë të verizmit italian, që ne i konsideronim leksione të vyer, aq më tepër që zëvendësuan vërshimin e kinemasë sovjetike, rumune, gjermanolindore , etj, që na kishin ardhur në majë të hundës me atë moralin e tyre të pamoralshëm…
Sikur të kishim pasur edhe ne një verizëm shqiptar !
Eh, unë shkruaja poezi, kisha filluar të botoja dhe, një ditë të ndritshme me diell të përmalluar vjeshte, si në ligjërimet poetikë . më dhanë edhe honorarin e parë, ndonëse sipas një rregulli , jo sipas një ligji të shkruar, nxënësit nuk duhet të paguheshin.
E mora gjithë kënaqësi, lashë me një gjest kalorsiak edhe bakshishin tradicional, aq të ndaluar dhe të dënueshëm formalisht dhe, përmes ngazëllimit, kuptova se, kisha bërë një hap të rëndësishëm përpara…
Takova miqtë e mi të përhershëm, poetët e afirmuar dhe u thashë: pini ç’të doni nga unë; sot mora honorarin e parë…
Ishim te lokali poshtë pallatit me kutiçka , në Broduej dhe, njeri nga poetët, që e thërrisnin me nofkën student i përjetshëm, filloi të na recitonte gati përvajshëm vargje të Eseninit:

Ike mike dhe s’e vrave mendjen
Kë le pas të vuaj i pashpresë…

Sakaq, e pinte fërnetin si të ishte eliksiri më çudibërës në botë dhe shkrehej: si ta lë unë or’miq Qytetin Studenti, si ta lë ! Si t’i lë dritaret me ato fytyrat e vajzave që çuçurisin e të ngacmojnë me vështrime! Mua, edhe të brendshmet që nderin ato ndënë parvaz, mbathje këmisha reçipeta, më çmendin dhe më trazojnë! Ah, ike mike… Po drurët tutje, ku humbim netëve dhe bëjmë dashuri mes aromës së pyllit ? Hë, flisni, mos më rrini si guhakë! Ky djalë është tiranas; e mo’e di,me origjinë nga Kolonja,e megjithatë vjen me qejf e na shoqëron,gjer lart te konviktet. Po rrugët e Tiranës si t’i lë ? Po Broduejin, po shkrimtarët, me të cilët piqem këtu sa herë dua? Tetë vjet do ta bëj fakultetin , tetë vjet! Mëkat, që s’lejohet më shumë ! S’kthehem më në provincë, jo…
Eh, ike mike…
Në fund të përvuajtjes poetike studenti i përjetshëm, duke rrotulluar nëpër duar gotën e fërnetit për ta xixëlluar me reflekse kundërdrite, na porositi me seriozitet solemn: më kujtoni, kur të dalim që këtej, të shkoj te Mapoja, sepse dua të shihem pak te ato pasqyrat e kristalit. Të tregojnë të pashëm ato; pa le kujt pasaniku do t’ia kenë zhvatur. Mbase shkrihet me fytyrën time imazhi i ndonjë bukurosheje që do të jetë parë gjatë në ato pasqyra magjike ; eh, ike mike…
Sot falë kujtesës sime, ndërtesat që nuk ekzistojnë më, i vendosa saktësisht një e nga një, aty ku ngriheshin vite më parë, mu si në një film multiplikativ…
Përse u përqëndruan te Rruga e Dibrës broduejsat, dhe jo, fjala vjen, te Bulevardi Dëshmorët e Kombit, pa monumente të dëshmorëve , por që ishte vërtet broad ?
Eh, ai Bulevard, së pari nuk ishte aspak intim, cilësi që nevojitej për të qenë në vëmendje, por mbi të gjitha tek ai, në të dy krahët, ndodheshin rresht tërë ministritë e qeverisë, prej të cilave dilnin urdhrat për dënimet me vdekje, për dëbim – internimet; urdhrat kundër modës dhe shfaqjeve të huaja, trendit të broduejsave misionarë. Kështu që ç’të donin ata tek ai Bulevard, ku syri i shtetit të vëzhgonte drejtpërdrejt ? Vërtet aty ndodhej edhe Hotel Dajti, me tavernën joshëse, që buçiste tërë natën nga muzika e huaj, me parkingun plot makina të modeleve të fundit dhe, me të huaj që sillnin pakëz Europë të parfumuar, por ku afroheshe dot aty? Madje, as kryet s’e ktheje dot n’atë krah, sepse rojat do të të vëzhgonin me dyshim…
Te Hotel Dajti hynin e dilnin me dosjen në dorë,vetëm nja dy shkrimtarë ,ish partizanë,të cilët pinin një kafe extra dhe,krijonin tek tymosnin gjer në mesditë,ulur në një tryezë të mënjanuar…
E pra, i ftohtë ai bulevard,i rëndë dhe protokollar , ku zhvilloheshin edhe parakalimet për 1 Majin dhe paradat ushtarake më 29 Nëntor , krejt njëfytyrëshe me ato që zhvilloheshin deri dhe në Pekin apo Ulan Bator …
Aty ndodheshin edhe dy monumentet e diktatorëve sovjetikë, ai i Leninit në njërin krah e në tjetrin ai i Stalinit ,që të sillnin ndër mend frikshëm nofullat e një morsete mbytëse…
Dhe, asnjë dyqan, as Mapo, as Tym, as kafene e as librari dhe , as rrugica të labirintta në plan të dytë…
Por nostalgjia,ndoshta edhe paksa patoligjike ,ca si unë ,do t’i sjellë sërish këtu,në Broduej ; le ta asfaltojnë sa herë të duan atë njëqindmetërsh rrugë,sa edhe pista e sprinterëve , le ta shembin edhe tullën e fundit t’atyre viteve ! Ajo përsëri do të rrezatojë frymën e saj,ashtu si edhe trualli i një faltoreje emërmadhe,të rrafshuar në fundvitet gjashtëdhjetë,mbi të cilin kalonin e kalonin,ashtu në fshehtësi, pelegrinët e përkorë dhe ndiznin në ditët e shënuara qirinj amshimi…
Por , nëmos ishin edhe broduejsat sprinterë…
Prandaj deklamoj sërish :

Djemtë dhe vajzat
Që shëtitën mbrëmjeve
Këtu në Broduej
Kënduan njëherësh , si kudo në bot’
Rock’n’ roll…

1999