Site icon Gazeta Nacional Albania

        Konstandin Dhamo: VARRIMI I ENVER HOXHES , fragment romani

KAPITULLI 27  I ROMANIT PERBALLE DIKTATORIT

                               

27.

Ditën e varrimit, më 15 prill, shkrimtari D.S hyri në Presidencë dhe, së bashku me artistët e tjerë të Shqipërisë,orbitoi arkivolin e Udhëheqësit si një satelit planetin e tij. Më pas doli përjashta dhe, mes lumit të lotëve të popullit që qante me gulçima i vënë kolonë përnjë dhe shiut të heshtur që u proverbializua dhe u fut në folklor që në çastet e parë të vajit, përcolli nëpërmjet mikrofonit dhe kameras këtë mesazh:

 

Tani, që Udhëheqësi ynë nuk

 është më midis nesh, kujtimet

 për Të marrin një përmasë

 e vlerë të veçantë. Ato janë

 pjesë e veprës së Tij monumentale,

 por një pjesë sui generis, që nuk

përfshihet në librat, fjalimet, ditaret,

porositë, apo letrat e Tij, por është

shpërndarë në mijëra e mijëra

persona…

 

Por nuk i shqitej nga mendja vargani i popullit, që thurej e zgjatej pa mbarim si coha e një shiriti zie, që po i qepej e po mbështillte tërë Shqipërinë me hijen e lëndët të vdekjes.

 

Eh, Enver Hoxha !

Tashmë do ta përshkonte Bulevardin Dëshmorët e Kombit për të fundit herë, ja i shtrirë në arkivol, me portret të deformuar nga vdekja dhe nga llangosja prej grimit të tepruar.

Po, për herë të fundit, në këtë Bulevard, ku e nisi karrierën e gjatë politike pas Luftës, si adhurues fanatik i Stalinit…

Thuajse 41 vite të shkuar, hyri triumfalisht në Tiranën e shembur, kryeqytetin europian të çliruar tërësisht nga partizanët e vet dhe, më 28 Nëntor të dyzetekatrës, ditën që shënonte 32 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, e përshkoi më këmbë Bulevardin Vittorio Emanuele, siç quhej ende ai deri edhe atë ditë të madhe të kombit, i shoqëruar fërkueshëm nga Baba Faja Martaneshi, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, gjenerali Spiro Moisiu, shef i shtabit të tij, Omer Nishani, Tom Stefani, shef i Misionit Amerikan në Shqipëri, një ushtarak rus dhe një jugosllav…

Kryetari i Qeverisë së Përkohshme Demokratike dhe, njëherësh Komandanti Suprem i Ushtrisë Nacional – Çlirimtare, kishte veshur për këtë rast sublim një uniformë fringo të re dhe, ishte shtrënguar me një rrip të gjerë Sam Browne, që binte në sy; kishte vënë në kokë një bustinë me yll të kuq, teksa mbante dorashka të bardha…

Zbriti nga mali në kryeqytet sfidant dhe pompoz, duke shkelur me çizmet që vetëtinin veritkalisht, si të kishte në secilën nga një thikë të mprehtë…

Ajo uniforma e tij në atë ceremoni, dukej sikur mbahej nga një aktor, për kushedi se ç’rol dhe jo nga një hero, gjithsesi i njëmendtë i luftës. Dendi spitullaq ishte Enver Hoxha, kur përshkoi më këmbë Bulevardin Vittorio Emanuele, të shtruar nga inxhinierët italianë të Fashizmit,të cilit,së shpejti do t’i vihej emri Dëshmorët e Kombit. Një dendi kish qenë ai, që kur jepte mësim në Korçën alla française, apo edhe kur shiste cigare në dyqanin e vogël, te Rruga e Dibrës,e mbiquajtura Broduej…

Po. Dhe në komunizmin e këtij dendi,vuajtën shqiptarët.

E përshkoi më këmbë bulevardin që ia shtruan fashistët pra,dhe në tribunën e ngritur përpara Hotel Dajtit luksoz, i cili u kujtonte vëzhguesve të huaj hotelet e Miami Beach – it, doli dhe foli përballë një turme prej mëse tridhjetë mijë vetësh.

Pakkush kishte dëgjuar për Enverin gjer atëherë, por edhe atyre të paktëve ua kishte zënë veshi emrin e tij nga altoparlantët e montuar në Mercedesin propagandistik të Ballit dhe gjermanëve, të cilët e damkosnin ngado si spiun të sllavëve dhe si tradhtar të vendit të vet…

Enver Hoxha hipi në tribunë dhe, kishte pesë flamuj në sfond : atë të Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Sovjetik dhe, Jugosllavisë.

Nën uturimën e bombarduesve anglezë, që hidhnin fletushka përshëndetjeje për fitoren, për të cilën kontribuan edhe ata, ai premtoi se, qeveria e tij demokratike do ta rindërtonte vendin me shpejtësi dhe çdokush do të rronte i lumtur në liri…

Parakaluan atë ditë brigadat partizane : e para, e katërta, e teta, etj, me flamurin shqiptar në krye, teksa njeri formacion i brigadës që përmbylli rreshtimet, mbante lart e më lart flamurin me Drapër e Çekan të Bashkimit Sovjetik.

Vëzhguesi i aleatëve perëndimorë pranë Associated Press, shkruante me kabëll për në Romë se, Enver Hoxha, që në fjalimin e tij të parë si burrë shteti, e shfaqi haptazi simpatinë e tij për Stalinin dhe Titon,ndonëse ushtritë respektive të tyre nuk kishin dhënë asnjë kontribut për çlirimin e Shqipërisë…

Dhe, s’iu nda Enver Hoxha Bulevardit; më 1 Maj dhe 29 Nëntor, do të dilte përpara popullit të tij, që brohoriste me histeri dhe e përshëndeste tek tundte lulet artifiaciale. Ndërkohë, mbi Bulevard lëshonte hije Lenini, ngulitur te një bazament i stilizuar si rreze dielli, atje lart makinës – parullë, e mveshur me cohë të kuqe.

Lenini , me dorën e shtrirë tek rrëfente perspektivën komuniste,Lenini, për të cilin pozonte një aktor veteran, me nofkën Lenini shqiptar, ngaqë rolin e Babait të proletarëve të botës, kishte më t’arririn në karrierën e tij.Lenini, i cili, ashtu statik, me faqet rozë dhe i spërkatur me të bardhë mbi kostum, ( kinse dëborë ruse )të ngjante më së pari me një njeri – tortë, gjithë shkumë të piksur…

Enveri, nga ana e tij, ia kthente përshëndetjen parakaluësve njëfytyrësh dhe njëmendësh,duke valëvitur dorën apo kapelen republike, ashtu i përlotur nxehtësisht, i mikluar prej bindjes së qëndrueshme se, vazhdonte të ishte sundimtar, madje më i sigurt se kurrë, teksa ishte shfaqur afeksioni i kultit të frikës thuaj te kushdo…

S’iu nda Bulevardit, duke dalë n’ato tribunat festive me Kazmën dhe Pushkën në dekor, emblemën e ideuar prej vetë atij, dhe i bëhej çdo herë sikur ngjitej në një piedestal monumentesh, ku ai, krejt papritur ndiej i bronzuar…

Por sot do të luhej akti final !

Diktatori i vdekur do të përcillet në varreza !

Po më pas ? Më pas, me siguri do të na ngatërrohen nëpër këmbë të gjithë ata që janë enverizuar sakaq.

Fshehtësisht, thellësisht fshehtësisht, si shumëçka në diktaturë, vejusha Hoxha do të ketë nisur të mendojë seriozisht që më të gjallë të bashkëshortit, sesi do ta drejtonte vendin në vazhdimësi po me dorë të hekurt, më në fund, si E Parë !

Sepse ajo do të ishte E Parë, pavarësisht atij që do të emërohej de jure si i tillë.

Patjetër kështu !

Vejusha Hoxha do të jetë përfshirë nga shpërthimi i deliriumit të komandimit absolut që atë ditë kur mjekët, gjithsesi të paaftë, do të kenë lënë të kuptohet se, Udhëheqesi i kishte ditët e numëruara. Apo mos ndoshta edhe më herët ..?

Tri ditë pas Varrimit Historik, shkrimtari D.S, po shfletonte një libër pa u përqëndruar dot, ashtu i lëshuar në kolltuk. Ra zilja e telefonit,ashpërsisht dhe me këmbëngulje dhe, ai u ngrit me përtesë, por receptorin e rroku me një gjest të prerë nervoz.

Ishte miku i tij TL, i mbiquajturi qortueshëm anëtari liberal i Komitetit Qendror, i cili , çdo herë të shqetësonte me të rejat e freskëta që kumtonte. Për fat, shfaqej rrallë…

Dhe kështu vërtet ; sapo mbërriti, kërkoi të pijë një pikë verë për të qenë,siç shprehej vetë dhe, ia krisi:

Me të përcjellë anëtarin liberal dhe pragmatik ,shkrimtari D.S, pasi lexoi me një frymë dhe gjithë kërshëri artikujt , duke shfryrë edhe herë pas here gjithë gëzim të egër , ah ju lumtë dora juve kushdo që jeni, për këto që keni shkruar; ç’mundësi na dhatë edhe neve këtej; po me një frymë u përqëndrua dhe qëndisi letrën për t’iu kundërvënë kryekëput artikujshkruesve.

Fundi i fundit , ata artikuj dërrmues të L.M hidhnin poshtë pothuaj edhe romanin e tij për Enverin .Por çfarë do të thoshin ca e ca po të arrinin të lexonin letrën e tij ? Si do ta komentonin ? Eh, kjo dihet.

Ç’bën ky idioti, do të shpërthenin të habitur , edhe i vdekur e tmerron Enveri !?

Letra Letra …

Gazeta L.M. data …

Zoti Drejtor !

Nuk munda të mos ua shkruaja këtë letër, pasi lexova në gazetën tuaj të mirënjohur L.M artikujt e botuar ditët e fundit , me rastin e vdekjes së udhëheqësit të popullit shqiptar , Enver Hoxhës.

Eshtë pa dyshim e drejta e gazetarëve tuaj që të kenë mendimin e tyre për rendin shoqëror të një vendi, për idetë që ai mbron dhe për politikën e tij .

Por është krejtësisht e padenjë që të fyhet një popull në çastet e zisë dhe të dhembjes së tij,siç ndodh në artikujt e gazetës suaj .

Populli shqiptar është një popull me një histori të gjatë dhe të vështirë, prandaj e di mirë përse hidhërohet, si ta shprehë këtë hidhërim dhe, për kë duhet të mbajë zi.

Emri i Enver Hoxhës është i lidhur pazgjidhshmërisht me themelet , me historinë dhe me ndërtimin e Shqipërisë së re. Ja çfarë e përcakton madhështinë e figurës së tij dhe për pasojë, sesa i madh është hidhërimi.

Për mua si edhe për kolegët e mi, ishte vërtet e habitshme që gazeta L.M , duke mos u mjaftuar me dezinformimet e këtyre shkrimeve abuzivë, nuk mungoi t’i japë vend në këtë rast edhe deklaratës së një krimineli të tillë, si birit të ish mbretit Zog, të kësaj fantazme groteske që kërkon të rikthejë në Shqipëri fronin monarkik, atë  lloj froni pra, që Franca juaj e rrëzoi dy shekuj më parë, gjë për të cilën, ajo është me të vërtetë krenare.

Vetëm keqdashësit mund t’i dëshirojnë Shqipërisë kthimin mbrapsht të historisë së saj.

Do t’ju isha mirënjohës po ta botonit këtë letër , në qoftë se keni mundësi .

Ju lutem z.Drejtor pranoni sigurinë e konsideratës sime të lartë!

Shkrimtari D.S.

 

Pas dhjetë ditësh, tek po ndiqte lajmet e mbrëmjes, ja, aty në studion e tij, pa maketin e muzeut gjigant, që do t’i ngrihej udhëheqësit në bulevardin e madh, thuajse përballë Komitetit Qendror. Në krye të grupit të arkitektëve dhe inxhinierëve që jepnin disa hollësira, qëndronte vetë dhëndri i Enverit. Ngrehina, me sipërfaqet e pjerrëta trekëndore prej xhami dhe mermeri, që kulmoheshin lart, të kujtonte menjëherë një piramidë. Ç’bëhet?! u trand shkrimtari D.S. Ndërtesat me plane të tillë të pjerrët dhe masivë, shpjegonte kryearkitekti, ashtu si edhe malet tanë, kanë shumë monumentalitet dhe, çdokush i sheh përherë me emocion, sepse, gjithsesi, strukturat e pjerrëta të shqetësojnë, ngaqë të krijojnë idenë e shembjes, por ah; ato pikërisht ngaqë janë të tilla, nuk shemben kurrë…

Arkitekti, që kishte marrë përgjegjësinë e ndarjeve të mjediseve të brendshëm, fliste si ai lajmëtari që me çdo fjalë që nxjerr nga goja, mëton se jep një sihariq të madh. Do të vendoset e gjitha në një pavijon më vete të muzeut biblioteka vetjake e shokut Enver dhe, kësisoj kushdo do të mund ta shohë e ta shfletojë . Gjithashtu, do të sjellim në Tiranë, në kohën e duhur, edhe dy barinj nga Galigati për të bërë atë kasollen legjendare, ku u strehua shoku Enver. Tjetër: në një stendë të veçantë do të ekspozohen edhe armët e zjarrit, që ka shkrepur Udhëheqësi ynë i madh gjatë viteve të luftës, ndërsa përbri kësaj stende, është menduar të qëndrojë mileçentoja, makina Fiat, me të cilën zhvendosej Ai nga njëra bazë ilegale, në tjetrën, së bashku me atentatorët guximtarë të njësiteve guerile, që bënin kërdinë mbi nazifashistët shesheve, apo edhe rrugicave të Tiranës…

Pastaj e mori fjalën sërish kryearkitekti, i cili shpjegoi se, për kryerjen e të gjitha këtyre detyrave me rëndësi kombëtare dhe historike, koha ishte mjaft e kufizuar, sepse fill pas tre vitesh, do të festohej madhërisht tetëdhjetëvjetori i lindjes së shokut Enver…

Kujt i duhet kjo piramidë faraonike mu në mes të Tiranës, që do të gllabërojë të gjithë valutën që do të shpenzohej për të ndërtuar Bibliotekën e re Kombëtare si edhe sistemin e ri të Postelekomunikacionit; kjo piramidë – kenotaf ( ndoshta ? ) e cila, që tashmë kur e këqyr në maket, të shkakton përjetime surreale?    Çfarë besojnë se do të vazhdojë ende ? pyeti si në humbëtirë shkrimtari D.S, por iu desh të përqendrohet përsëri në ekranin e televizorit për të dëgjuar më tej lajmet:

Ka filluar puna me vrull të paparë edhe nëpër studiot e skulptorëve, që do të ngrenë shtatoret e Enverit në Tiranë, Korçë, Gjirokastër, si edhe në hapësirën befasuese, gjithë dritë qiellore, që do të shpërfaqet me t’u futur në muze, lajmëroi folësja dhe, kur filluan të transmetohen pamjet nga mjediset e studiove, Shkrimtari i Madh vuri re sesi po e modelonin baltën (e atdheut!) artistët revolucionarë, të cilëve u ishte dashur të punonin hipur në disa skela të sajuara me dërrasa, për shkak se figurat e monumenteve, do të kishin, të tëra pa përjashtim, një lartësi prej katër apo dhe prej pesë metrash. Disa prej skulptorëve, tek jepnin intervista, ashtu të rrëmbushur me frymëzim dhe entuziazëm krijues, tregonin përpara kamerës edhe fotografitë e panumërta, (të bëra nga ai fotografi i Familjes!) në të cilat kishte pozuar Udhëheqësi ndër vite, tregonin kostumet e tij të gjerë, apo edhe një palë këpucë me mballoma të mbërthyera me thumba në anët e jashtme dhe te takat fare të ulëta, të ngrëna shtrembër…

Ja, sa shumë na i paskësh përdorur këpucët Udhëheqësi i pavdekshëm, ja, si paskёsh ecur! Ç’rekuizitë e varfër prej diktatori! ! turfulloi shkrimtari D.S dhe, fytyrën ia përshkoi një dritë e vërdhemë sarkazmi.Ato plaçkurinat me siguri do t’ua kishte dorëzuar skulptorëve vetë ish shefi i grupit të sigurimit të Enverit, tashmë shërbestar për gjithçka pranë Familjes, që artistët ta modelonin sa më realisht figurën e Udhëheqësit të Diktaturës së Proletariatit te shtatoret madhështore…

Por, ç’po ndodhte? Përse kërkonin t’i mbaronin shpejt e shpejt të gjitha punët ? A e kuptonin, a e kishin të qartë se, pikërisht ai populli, i cili qau, që të shkrehej dhe të mbushej më pas me urrejtje, do t’i shembte tërë simbolet komuniste, i përfshirë, së paku në fillim, prej një mekanicizmi të verbër dhe absurd?

Vetëm monumenti im nuk do të shembet, ndali shkrimtari D.S, duke e ironizuar paksa veten ; libri gjithsesi është më vështirë për t’u asgjësuar, krahasuar me një monument,i lartësuar në një qendër urbane, përballë turmave…

Megjithatë, marrëdhëniet e mia me Familjen Hoxha, konkludoi, s’kanë qenë kurrë tjetër gjë, përveçse ca marrëdhënieve midis dy palëve armike. Ja, asnjë falënderim qoftë edhe të vakët, nuk i bënë pas botimit të letrës në gazetën L.M ! Po a e vlerësonin se, ç’arritje e madhe ishte të botoje në atë gazetë prestigjoze dhe të famshme një material,për më tepër,kundërvënës,një praktikë kjo,që në shtypin shqiptar asqë mund të imagjinohej?

Pale ç’luhet si gjithmonë në fshehtësi , dyshoi ai, prandaj ndoshta ishte i nevojshëm një takim i dytë sqarues me liberalin ! Apo, ç’e doje ? S’ishte aspak çudi, që ata porositësit e vërtetë të letrës, të kishin mbetur të pakënaqur me përmbajtjen e asaj që lexuan dhe, meqë nuk gjetën atë çka prisnin, s’u bëri zemra të nisnin një falënderim, qoftë edhe me një ndërmjetës.

Por ç’po hamendësonte ? E si ta falënderonin ? Ky falënderim do të thoshte të hapej pashmangshmërisht diskutimi për letrën dhe, për pasojë të përfliteshin edhe ata artikujt që nxinin Enver Hoxhën.

E pra asnjë lajm dhe asnjë koment për artikujt dhe, asnjë lajm dhe asnjë koment edhe për letrën !

Në fakt ai nuk dëgjoi një herë të vetme të pëshpëritej gjëkundi ndonjë fjalë për këtë çështje; sus sus të gjithë …

Por e kishte përfshirë ethshëm pareidolia ! Që nga ballkoni lozhë i shtëpisë,ku dilte pasditeve vonë,e kish bërë zakon, ashtu krejt instinktivisht, të vështronte retë në qiell ! Të zeza shkrumb, apo të bardha borë,sakaq edhe në një rozë që përmbytej në kuqëlim,ato, tek lëviznin bëheshin engjëj e më pas djaj ; oh dhe, vetë Jezui i përshkëndituri shfaqej në fund,i cili, diç i thoshte para se të largohej mes vorbullave të reve…

Së shpejti, Muzeu i Enverit dhe, monumentet që do t’i ngrihen, do të bëhen ashtu si edhe Shtëpia e Partisë, vende kulti, atraksioni, apo turizmi të kuq, sepse partitë komuniste, mesa duket, nuk kanë të bëjnë fare me botëkuptimin revolucionar të materializmit dialektik, por me botëkuptimin metafizik, të cilin hiqen sikur e luftojnë me rreptësi dhe pa ndërprerje…

 

Por doli përsëri folësja në ekran dhe tha: Tani rubrika Populli i këndon Enverit.

 

Si na le, o Enver trimi…

 

Tiranë 2000

Exit mobile version