Takim me Andon Zako Çajupin – alias Antoine Zaccos, nëpër rrugët e Gjenevës
Çajupi student i drejtësisë në Universitetin e Gjenevës
Andon Cako zgjodhi si pseudonim letrar emrin e malit Cajup në Gjirokastër, 1200 metra të lartë, i cili ngrihet pingulthi mbi fshatin e tij të lindjes Sheper, sa Andonit, kur ishte i vogël, i ishte krijuar iluzioni dhe ishte i bindur që mali Cajup rrinte në qiell i varur me çengel dhe nga çasti në çast pritej të binte në tokë. Formimi i tij arsimor kaloi nëpër disa faza. Faza e parë është e lidhur me Nivanin, fshat në të cilin, bëri disa klasë fillore në gjuhën greke. Në bazë të përllogaritjeve tona na rezulton se Andoni duhet të jetë regjistruar në atë shkollë në vitet 1876 -1877. Faza e dytë. Sapo mbushi 16 vjeç, Andoni përqafoi me mall mëmën e tij Zoica, i hodhi një vështrim të fundit Sheperit dhe u nis me të atin drejt Manastirit, prej nga do të shkonin në Greqi ku do të merrnin anijen për të mbërritur në Aleksandri të Egjiptit. Në sytë e zgjuar të Andonit të vogël, Harito Cakua kishte zbuluar dëshirën e tij për dije dhe për shkollë.
Ai kishte vendosur që një pjesë të pasurisë që kishte vënë nga tregtia e duhanit në Misir dhe në Kavalla të Greqisë ta investonte për shkollën e të birit në Aleksandri të Egjiptit ku kishte një koloni shqiptare të organizuar në shoqata dhe klube patriotike. Në dhjetor të vitit 1883, Harito Cako do ta regjistronte Andonin në kolegjin francez të St.Catherinës së Lazaristëve në Aleksandri. Këtë fakt na e bën të njohur një çertifikatë e nënshkruar në 4 qershor 1889 nga drejtori i kësaj shkolle, e cila administrohej nga vëllazëria e shkollës së krishterë të Aleksandrisë. Në këtë dokument vërtetohej me firmë dhe me vulë që studenti Antoine Zaccos ka frekuentuar kolegjin francez nga dhjetori i vitit 1883 deri në gusht të vitit 1888. Me këtë akt nis faza e tretë e veprimtarisë jetësore të Andonit, fazë e cila, do t’i shërbente për të hedhur hapa të tjerë më të guximshëm në rrugën e jetës. Siç e dëshmon edhe dokumenti zyrtar, Andon Cako është regjistruar në kolegjin francez të Aleksandrisë me emrin Antoine Zaccos.
Po presupozojmë që Harito Cakua e ka regjistruar djalin e tij Andonin me mbiemrin e greqizuar Zaccos që ai të mos kishte probleme me regjistrimin në shkollë. Duhet pohuar gjithashtu fakti që bëhej fjalë për vitin 1883, kur Shqipëria ndodhej nën pushtimin otoman dhe nuk ishte e lehtë të merrje një kartë identiteti shqiptare. Në atë kohë, Andon Cako ishte 17 vjeç. Sa për mbiemrin Cako që ati i tij, Harito Cakua i ka hequr gërmën k dhe i ka shtuar dy gërma c dhe një mbaresë s në fund, kujtojmë këtu faktin që shumë burra të nderuar shqiptarë me mustaqe dhe me shkollë të madhe që banonin jashtë atdheut ia kanë shtuar gërmën c në fund mbiemrit të tyre pa e vrarë shumë ndërgjegjen, për të fituar më shumë kredibilitet dhe për shkak të simpatisë që perëndimi kishte për Greqinë e lashtë antike. Për fat të keq sado që kemi kërkuar nuk kemi mundur të sigurojmë të dhëna për Andon Cakon alias Antoine Zaccos për periudhën pesëvjeçare që studjoi në kolegjin francez të Aleksandrisë. Pasi përfundoi me sukses kolegjin në vitin 1888, Harito Cakua do ta regjistronte të birin në Universitetin e Gjenevës që të bëhej avokat. Andon Cako aso kohe 22 vjeç, do të regjistrohej në fakultetin e drejtësisë në datën 16 nëntor të vitit 1889. Këtë fakt e vërteton çertifikata e regjistrimit të Andonit në Universitetin e Gjenevës të krijuar nga Zhan Kalvini në vitin 1559. Po botojmë më poshtë një kopje të dokumentit të regjistrimit të Antoine Zaccos të lëshuar nga sekretaria e Universitetit të Gjenevës.
FAKULTETI I DREJTËSISË
Z.Zaccos, Antoine është regjistruar në 16 nëntor 1889.
Dokumentet e depozituara : Certifikata e kolegjit të Shën Katerinës
Aleksandri
Edhe për periudhën e viteve universitare të Andon Cakos në Universitetin e Gjenevës, përveç dokumenteve të sekretarisë, për fat të keq nuk kemi mundur të gjejmë gjurmë dhe dokumente të tjera. Kur filloi sezoni shkollor në Universitet dhe gjatë leksioneve, Andon Cako vuri re që profesorët dhe kolegët studentë kishin vështirësi ta shqiptonin bashkëtingëlloren paraqiellzore ç të mbiemrit të tij. Edhe një vajzë gjenevase me emrin Evgeni, e dashura e tij e zemrës, i kishte thënë një ditë me humor se ai duhej të bënte një kompromis midis bashkëtingëllores ç dhe bashkëtingëllores alveolare z në favor të kësaj të fundit. Duke e zëvëndësuar bashkëtingëlloren ç të mbiemrit tënd me bashkëtingëlloren z – vijoi silogjizmin e saj Evgenia – mbiemri yt do të tingëllojë më melodioz dhe më i kapshëm për publikun frankofon. Nëse do të më dëgjoje mua – e ngau më tej arsyetimin e saj Evgenia – ti nuk ke arsye t’i shtosh dy bashkëtingëllore alveolare c mbiemrit tënd. Aq më tepër mbaresën s. Me këtë mbaresë, mos të të vijë keq, ti përngjan më tepër me fqinjët tuaj të jugut, nëse nuk e kam gabim apo e ke shënuar kombësinë në fjalë duke patur parasysh përkatësinë tënde fetare ortodokse.
Për më tepër, ti je regjistruar në kolegjin francez të Aleksandrisë me kombësi greke, gjë që nuk është e vërtetë përderisa ti vetë më ke thënë se je shqiptar dhe ke lindur në Sheper të Gjirokastrës. Ti ke ndryshuar edhe mbiemrin tënd – ndërhyri e pamëshirshme Evgenia – dhe unë si zvicerane nuk arrij ta kuptoj arsyen përse e ke bërë këtë ndryshim. Në fund të fundit, emrit tënd Andon mund t’i kishe hequr bashkëtingëlloren d dhe e kishe zëvëndësuar atë me bashkëtingëlloren dhëmbore t që të bëhej Anton. Përgjigjen e këtyre pyetjeve mund ta japësh vetëm ti i dashur Antoine – e mbylli retorikën e saj Evgenia. Duke hulumtuar në regjistrat e studentëve të Universitetit të Gjenevës mësojmë që Andon Zako alias Antoine Zaccos është diplomuar në fakultetin e drejtësisë në 24 tetor të vitit 1892. Po botojmë një njoftim të botuar në gazetën Journal de Genève të datës 28 tetor 1892. «Fakulteti i drejtësisë – Diplomë në drejtësi : Zotërinjtë Antoine Zaccos, grek, Paul Brochu, gjenevas, Dimitre Dantchoff, bullgar». Në vitin 1894, Eugène Pittard ishte në vitin e parë të studimeve universitare në fushën e zoologjisë në Universitetin e Gjenevës. Po një kostum i tillë shkencëtarit të ardhshëm Pittard i rrinte shumë ngushtë se ai shihte horizonte më të largëta për të ardhmen e tij. Pasi e përfundoi fakultetin e zoologjisë, ai do t’i përkushtohej shkencave antropologjike, të cilave do t’ju falte rininë dhe pjekurinë e tij, erudicionin, kulturën dhe veprat e tij që do të beheshin të njohura në të gjithë botën. A janë vërtitur dhe shtjellë vallë trillet e fatit në një mënyrë të atillë sa Eugène Pittard-i të jetë njohur në Gjenevë me shqiptarin Cajup alias Antoine Zaccos, poet dhe avokat i ardhshëm, i cili me ca fjalë të lashta pellazgjike që i kishte nxënë nga kryet me leshra të bardha të malit Tomorr do t’i ketë bërë shajni dhe magji për Shqipërinë dhe shqiptarët !
Ende ka mbetur i pashpjeguar dhe enigmatik një studim antropologjik që studenti Eugene Pittard ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët në vitin 1894, studim, i cili për fat të keq nuk është gjetur dhe rezulton vetëm si referencë. Për fat të keq, kemi një vakum informacioni në lidhje me aktivitetin letrar të Andon Zako Cajupit në kohën kur ai ishte student në Universitetin e Gjenevës. Sado që kemi kërkuar në regjistrat e vjetër të Universitetit të Gjenevës, të cilat i përkasin kësaj periudhe kohore nuk kemi mundur të gjejmë bashkëkohanikë të tij shqiptarë që kryenin studimet e tyre universitare në të njëjtën kohë me të. Ndoshta, biografët dhe kritikët e Cajupit në Shqipëri kanë rënë në gjurmë të krijimeve të tij më të hershme gjatë kohës që studjonte në kolegjin francez të Aleksandrisë si dhe në Universitetin e Gjenevës. Eshtë pak e vështirë të besosh që para botimit të veprës Baba Tomorri në vitin 1902, Andon Zako Cajupi të mos ketë shkruar asnjë poezi të vetme apo nuk ka bërë sprova të tjera poetike dhe letrare.
Megjithatë, koha është gjykatësi më i mirë dhe do të provojë vërtetësinë e pohimeve tona. Përgjatë viteve, në periudha të ndryshme kohore, kam bërë hulumtime dhe kërkime të vazhdueshme në arkivin e qytetit të Gjenevës dhe në Bibliotekën e qytetit mbi figurën e pandriçuar mirë të Andon Zako Cajupit gjatë qëndrimit të tij në Gjenevë në harkun kohor të viteve 1889 – 1892. Për fat të keq, kërkimet e mia të mëparshme paskëshin qenë të cekëta, të sipërfaqshme dhe të paorganizuara në mënyrë metodologjike dhe për këtë i kërkoj ndjesë Andon Zako Cajupit.
DASHURIA E CAJUPIT PËR EVGENINË
Periudha e muajit janar 2022, do të mbetet e paharruar për mua për shkak se jam përpjekur të zgjidh enigmën e hershme të familjes së Andon Zako Cajupit në Gjenevë. Në datën 12 janar 2022, në orën 15 pasdite në arkivin e Gjenevës rashë në gjurmë të dy referencave, të cilat nuk i kisha gjetur asnjëherë më parë. Ndjeva emocione të fuqishme dhe një rrymë elektrike m’a përshkoi tërë trupin nga këmbët tek koka. Cdokush me të drejtë do të kishte shtruar pyetjen : Përse nuk e ke bërë një kërkim të tillë të përimtësuar më parë dhe ke pritur kaq gjatë për të zgjidhur këtë ekuacion me shumë të panjohura. E ndjej të nevojshme të jap disa shpjegime të domosdoshme dhe të pranoj me turp dhe me dhimbje që në kurthin ku kanë rënë shumë studjues të tjerë, kam rënë edhe unë. Këtë çark na e ka ngritur vetë Andon Zako Cajupi plot 123 vjet më parë në vitin 1902 kur botoi veprën e tij Baba Tomorri. Prof Dhimitër Shuteriqi një elbasanlli diturak me mendje europiane, një ndër «rilindasit» e fundit të shekullit të XX-të, në një intervistë që i ka dhënë gazetarit Petro Mejdi në numrin 5 të revistës Nëntori të vitit 1966, midis të tjerash shkruan : …Cajupi në elegjinë Vaje i lau vargjet me pikat e lotëve të tij dhe nuk gjeti ngushëllim kurrë për vdekjen e Evgjenisë. Të gjithë çaupjanët, studjuesit e Cajupit kanë bërë kërkime të vazhdueshme nëpër arkiva dhe nuk kanë mundur që ta gjejnë emrin dhe mbiemrin e vërtetë të së dashurës së zemrës së Cajupit.
Në bazë të dokumenteve të gjendjes civile të kantonit dhe të qytetit të Gjenevës kam zbuluar që emri i vërtetë i së vluarës së zemrës së Cajupit nuk është Evgenie por është Virginie. Shtrojmë pyetjen : Përse Cajupi e ka fshehur identitetin e saj të vërtetë ? Në veprën e tij letrare ajo quhet Evgeni, ndërsa në gjendjen civile të Gjenevës emri i saj figuron Virginie. Apo ndoshta Cajupi do të ketë menduar që duke vënë emrin e vërtetë të Virginisë në Vajet e tij do të lëndonte një plagë, e cila do të mbetej e hapur gjithë jetën për familjen e saj. Unë i përmbahem kësaj ideje, sipas së cilës, Cajupi nuk e vuri emrin e saj të vërtetë në elegjinë e tij, së pari, për të respektuar kujtimin e saj, së dyti, për të respektuar zinë që kishte rënë në familjen e saj dhe së treti, mund të ketë qenë një kërkesë e familjes së Virginisë. Shtroj pyetjen tjetër : A ia ka dërguar vallë Cajupi këtë elegji të përkthyer frengjisht familjes së Virginisë ? Këtyre hamendjeve dhe vramendjeve mund t’u japë përgjigje vetëm Cajupi, nëse do të ishte gjallë.
Nëse Cajupi ka mbajtur ditar gjatë kohës së qëndrimit të tij në Gjenevë, apo nëse i ka ruajtur letrat e Virginisë, aty do të jenë shënuar me siguri gjeneralitetet e vërteta të saj. Rishtazi lind pyetja tjetër : Përse Cajupi do të duhej ta qante me emër të trilluar të dashurën e tij që ishte ngritur në qiell duke nxjerrë nga thellësia e zemrës së tij vargje aq të dhimbshme sa të këpusnin shpirtin ? Po citojmë katër vargje nga kjo elegji : Me se rrojnë foshnjat/C’i rrit çilimitë/Dashuri e nënës dhe përkëdhelitë/O zot, të jam falë, mos më lë të mjerë/Dërgom’ Evgeninë ta shoh dhe njëherë/. Cajupi në Vajet e tij i kushton Evgenisë alias Virginisë vargje të tilla, të cilat po t’i shtrydhësh pika-pika do të formojnë një oaz me pellgje lotësh. Mbi këtë oaz varen butësisht degët e një shelgu lotues. Po të hysh në zemrën e Cajupit do të gjesh zemrën e Evgenisë. A nuk ngjan vetë Cajupi me një shelg të përlotur ? Cajupi, Virginia dhe djali i tyre Etienni kanë nga dy emra, të cilat mund t’i kategorizojmë si pseudonime. Andon Zako Cajupi në kolegjin francez të Aleksandrisë dhe në Universitetin e Gjenevës është regjistruar me emrin Antoine Zaccos. Evgenia e Vajeve të famshme të Cajupit në gjendjen civile të Gjenevës është regjistruar me emrin Virginie Bordon. Djali i vetëm i Cajupit, të cilin, ai gjithë jetën e thirri Stefan në regjistrin e gjendjes civile të Gjenevës është regjistruar me emrin Etienne. Ndoshta Cajupi e ka regjistruar djalin me mbiemrin e tij në Kajro apo në Gjirokastër. Këtë fakt e kemi të pamundur që ta vërtetojmë. Ky është një rebus i vështirë për t’u zgjidhur dhe do t’i mbetet kohës për ta vërtetuar plotësisht. Në letërsinë botërore njihen jo pak raste ku i dashuri i thur poezi së dashurës së tij dhe e boton këtë poezi me pseudonim për shkak të rrethanave të kohës, për shkak të kontradiktave midis familjeve, apo për shkak të një pakti midis dy të dashuruarve. Eshtë një fenomen i hershëm në letërsi që një poet i kushton së dashurës së tij një poezi dashurie dhe e boton këtë poezi në një gazetë apo revistë letrare duke i vënë titullin : Asaj. Brenda ditës në qytetet e vogla, ata që e kanë lexuar këtë poezi nuk kanë as dyshimin më të vogël se cili është Romeo dhe cila është Zhuljeta. Në rastin tonë kemi të bëjmë me një fenomen tjetër, botimin e një elegjie, ku e dashura e tij e zemrës ka emrin e trilluar Evgeni
Nuk është e domosdoshme të jesh kritik apo studjues i letërsisë që të kuptosh origjinën e Vajeve të Cajupit. A nuk të kujtojnë ato vargje gurgullimën e gurrave kur zbresin nga malet !A nuk të kujtojnë ato vargje drithërimin e vajeve me ligje të aneve të Labërisë kur qajnë të dashurit e tyre që ndahen nga jeta ? A nuk të kujtojnë ato vargje kujet e lokeve malësore të veriut për çikat dhe djemtë që vdekja i merr papritur në krahët e saj ! Emri dhe fati i së dashurës së Cajupit, Evgeni -Virginisë, ka qenë një peng i madh për të gjithë shqiptarët e Zvicrës dhe në veçanti për shqiptarët e Gjenevës. Ata e kanë thirrur gjithmonë Evgeni të dashurën e Cajupit dhe mbiemri dhe varri i saj ka mbetur enigmatik dhe i panjohur për 134 vjet. Në dokumentet e Cajupit, nuk kemi gjetur asnjë përshkrim të tij për të mësuar se cilat ishin tiparet fizike të Evgeni – Virginisë, bukuria e saj ngazëllyese dhe burma e vogël që i formohej në faqe kur buzëqeshte, ç’ngjyrë i kishte sytë, ç’ngjyrë i kishte flokët, si i krihte ato, sa të lehtë e kishte çapin, ç’ngjyrë e kishte fustanin ?
Na mungon tmerrësisht një fotografi e Evgeni – Virginisë të dashurës së Cajupit. Për Cajupin e brengosur nga dhimbja, me shpirt të plagosur, të goditur në mënyrë të pamëshirshme me thikë në zemër, jeta nuk kishte më kuptim se ai e kishte pirë me fund kupën e helmit. Do të ishim shumë kuriozë të kishim në duar poezi dashurie që Cajupi i ka kushtuar Evgeni – Virginisë kur ata ishin të dashuruar njëri me tjetrin. Kam mendimin se kjo elegji, kjo dhembje uluritëse kaq e madhe është shkaktuar nga një dashuri po kaq e madhe. Ndoshta këto poezi ekzistojnë diku, ndoshta kanë mbetur në fundin e një sepeti në shtëpinë e Cajupit në Sheper dhe ju vjen ende era ftonj. Ndoshta kanë mbetur në ndonjë sirtar të humbur në zyrën e avokatisë së Cajupit në Kajro. Ndoshta kanë mbetur në ndonjë fletore të harruar në bankat e Universitetit të Gjenevës. Nëse në këto poezi do të gjejmë fjalë të palexueshme me njolla boje, fajtorët e pafajshëm janë pikërisht kokrrat e nxehta të lotëve. Do të ketë studjues të tjerë që do të bëjnë kërkime dhe hulumtime në arkivat e Kajros dhe të Aleksandrisë dhe një ditë mund të na befasojnë me prurje të reja. Arkivat dhe bibliotekat shqiptare dhe europiane janë burime që nuk shterojnë anjëherë. Aty ku ti mendon që ke vënë pikën se e ke shteruar një tematikë, dikush tjetër nesër mund të vërë presjen.
EVGENIA E CAJUPIT NGJITET NË QIELL
Po botojmë tani çertifikatën e vdekjes së Virginie Bordon, të dashurës së Cajupit me të cilën ka jetuar në Gjenevë në vitin 1889 – 1890.
Bordon Virginie, beqare, 7 janar 1891
Të mërkurën , shtatë janar – një mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e një, në orën katër të mëngjesit vdiq në Gjenevë rruga Paquis nr 23 – nga ethet puerperale – sipas çertifikatës mjekësore Virginie Bordon – vajza e Louis Bordon dhe e Franchette Perret – Me origjinë nga Avussy(Gjenevë) – Me banesë në Gjenevë – Feja : katolike – lindur në Avusy(Gjenevë) – më njëzet e tre nëntor – një mijë e tetëqind e shtatëdhjetë. Regjistruar në këtë regjistër të enjten, tetë janar – një mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e një me deklaratën e Henri Julien, portjer i pallatit me banesë në Gjenevë.
Vdekja e Evgeni – Virginisë e goditi Cajupin aq fort sikur të gjitha rrufetë e Baba Tomorrit t’i kishin rënë në zemër dhe ta kishin djegur dhe përvëluar për së gjalli. Gazeta Journal de Genève e datës 17 janar 1891 në faqen 3 të lajmërimeve të vdekjeve boton njoftimin e mëposhtëm : «Virginie Bordon, beqare, 19 vjeç. Gjenevë». Në 7 janar 1891 në shtëpinë e Bordonëve në Gjenevë, në rrugën Paquis 23, ndodhi një gjëmë e madhe. Gjashtë ditë pas lindjes së djalit, Evgeni – Virginisë së Cajupit iu dogj balli furrë nga ethet përvëluese, luftoi midis jetës dhe vdekjes dhe u ngjit si engjëll në qiell. Certifikatën e vdekjes së Virginie Bordon e kam zbuluar në 17 janar 2022 në orën 15.30 minuta në arkivin e Gjenevës. Prindët e saj bënë ç’është e mundur bashkë me mjekët që ta shpëtonin vajzën e tyre të re nga terri i vdekjes dhe nuk pranonin ta besonin se ajo u ngjit përgjithmonë në perandorinë e Hadit. Në çertifikatën e vdekjes, Virginia figuron e pamartuar. Me qindra shqiptarë të Gjenevës do të ishin ngritur në këmbë të gatshëm të betoheshin në gjykatën më të lartë të Gjenevës për të vërtetuar që Andon Zako Cajupi ishte martuar me Evgeninë.
Sado që kemi bërë analiza psikologjike dhe psikanalitike të mistereve që materia jonë gri dhe subkoshienca jonë fsheh në skutat e saj më të thella nuk kemi arritur të kuptojmë përse Cajupi, i cili ka bashkëjetuar me Evgeni – Virgininë në shtëpinë e saj në vitet 1889 – 1890, nuk e ka zyrtarizuar lidhjen e tyre me martesë duke e ditur që Virginia priste një fëmijë prej tij ? Nëse do të presupozonim që përkatësia fetare ortodokse e Cajupit ka qenë një pengesë e pakapërcyeshme për martesë, kjo tezë nuk qëndron se Harito Cakua dhe Andon Zako Cajupi ishin afetarë dhe nuk besonin tek perëndia. Prof Dhimitër Shuteriqi në numrin 5 të revistës Nëntori të vitit 1966, midis të tjerash shkruan : …Me të jatin u prish se mori Evgeninë. U pajtuan kur Harito vuajti nga kanceri…». Sado që jam përpjekur të depërtoj në subkoshiencën e Cajupit për të kuptuar dilemat dhe dyzimin e tij nuk kam mundur ta çoj abstragimin dhe gjykimin tim deri në fund, sepse më mungon zëri i brendshëm i Cajupit, ditari i tij. Nëse do të shfletojmë fletët e kalendarit të vitit 1891, do të kqyrim se në 18 maj të atij viti liqeni Leman ngriu dhe u bë pistë patinazhi. Qytetarët e Gjenevës e përshkuan distancën midis dy brigjeve duke shetitur mbi sipërfaqen e akullt. Në 18 janar 2022, në orën 14 pasdite u nisa në këmbë në pallatin e supozuar të Evgeni – Virginisë në rrugën Paquis 23 ku Cajupi student kishte marrë një dhomë me qira. Pallati ku ka banuar Evgeni – Virginia në vitet 1889 – 1890 ndodhet në udhëkryq të rrugës Paquis 23. Nuk mund të pohojmë me siguri absolute që ai është i njëjti pallat ku ka banuar Cajupi me Evgeni – Virgininë në vitin 1889 – 1890, për shkak se është e vështirë të gjesh vitin e ndërtimit të tij, megjithëse një zë i brendshëm më thotë që ky pallat mund të ketë 135 vjet që është ndërtuar. Arkitektët dhe urbanistët zviceranë janë të prirur t’i ruajnë të paprekura fasadat e jashtme të objekteve urbanistike dhe historike të qytetit të lashtë duke ruajtur me fanatizëm trashëgiminë e tyre materiale dhe kujtesën historike. Sot në Gjenevë ruhet solid dhe i paprekur muri i lartë në portën Neuve, i cili e shpëtoi qytetin nga sulmi i dukës francez të Savojës Charles -Emanuel i Parë, natën e 11 dhjetorit duke u gdhirë 12 dhjetori i vitit 1602.
Isac Mercier vigjëlonte natën tek muri që hapte portën Neuve të Gjenevës. Kur i gjithë qyteti flinte, ai dëgjoi hapat e ushtrisë savojarde që po afrohej tinëzisht, e mbylli portën Neuve hermetikisht dhe ju dha alarmin ushtarëve të garnizonit të tij. Atë natë të 11 dhjetorit të vitit 1602, Isac Mercier së bashku me Nënën Mbretëreshë dhe gratë trimëresha të qytetit të Gjenevës ju hodhi supë të nxehtë mbi krye ushtarëve savojardë në betejën e Eskaladës. Në Paris ruhen solide edhe sot e kësaj dite ndërtesa dhe objekte historike të kohës së Napoleon Bonapartit. Kadastrat dhe arkivat e Gjenevës ruajnë me devotshmëri në bodrumet e tyre harta urbanistike të periudhës mesjetare. Pallati i supozuar gjashtëkatësh i Evgeni -Virginisë në Paquis të Gjenevës me një fasadë me pllaka drejtkëndëshe ngjyrë gri ndodhet në buzë të rrugës. U ula në një bar përballë pallatit, porosita një kafe ekspres dhe i bëra pyetjen vetes : Në cilin kat të pallatit e ka patur shtëpinë Evgeni – Virginia ? Në cilën dhomë ka banuar Cajupi në vitet 1889 – 1890 ? A ka patur dritare dhe ballkon dhoma e Cajupit ?
Në një sipërfaqe të kufizuar të atij apartamenti të vogël ka qenë e pamundur që midis një 24 vjeçari dhe një 20 vjeçareje të mos ndizeshin gacat e zjarrit, të mos përplaseshin vetëtimat, të mos kryqëzoheshin shikimet dhe të mos ju rrihnin zemrat si në një finish gare vrapimi 100 metërsh ! Sado që rrahën mendimet, ata nuk gjetën aleat më të mirë se ajri, natyra dhe liqeni Leman për t’i hapur zemrat njëri tjetrit. Ndoshta Cajupi e ka ftuar Evgeni – Virgininë në teatrin e madh të Gjenevës për të parë operën Lohengrin të Richard Wagnerit ? Cajupi me Evgeni – Virgininë ranë në dashuri që me shikimin e parë dhe iu betuan njëri tjetrit për dashuri të përjetshme. Eshtë e natyrshme që në atë gjendje shpirtërore, në të cilën ndodheshin ata, të kenë shkëmbyer romane rozë për të «mjekuar» dhe për të «kuruar» zemrat e tyre të plagosura. Cajupi me Evgeni – Virgininë e provuan puthjen e tyre të parë në një shëtitje buzë liqenit Leman, ndërsa pikat e shiut binin si të marra mbi supet dhe kryet e tyre, sa as pema e lartë me degë të gjera ku ishin fshehur nuk mund t’i mbronte dot. Trupat e tyre të etur për dashuri u ndezën nga flaka e pasionit dhe buzët e Evgeni – Virginisë morën ngjyrën e perëndimit të diellit në det. Cajupi i a mori duart Evgeni -Virginisë në duart e tij, i përkëdheli ngadalë me gishtat e tij flokët e derdhura mbi supe, i pëshpëriti disa vargje dashurie që i krijoi atë çast për të. Atij iu krijua iluzioni se kurmi i saj, duart, flokët, zëri i ngrohtë ishin prej ajri dhe që të dy ndjenë goditjen e fortë të rrahjes së zemrave të tyre që buçsite si një kambanë. Madje, ata bënin çudi se si njerëzit e tjerë që shëtisnin të qetë buzë liqenit Leman nuk e dëgjonin zhurmën e kësaj kambane. Pas premtimeve, përkëdheljeve dhe puthjeve të nxehta, Cajupi e thirri Evgeni – Virgininë me një emër luleje të oborreve gjirokastrite dhe i tha : Evgeni : Ti je manxurana ime. Kur Evgeni -Virginia e pyeti me habi se ç’kuptim ka kjo fjalë në gjuhën frënge, Cajupi iu përgjigj latinisht : origanum majorana.
CAJUPI DHE MALLI PËR DJALIN E TIJ ETIENNE BORDON
Në pranverë të vitit 1890 duke shëtitur buzë liqenit të kapur dorë për dore dhe duke i çuçuritur njëri tjetrit fjalë të ëmbëla dashurie, Evgeni – Virginia i tha Cajupit se një qënie e vogël po hedh shkelma në barkun e saj dhe ajo ia dëgjon të rrahurat e zemrës. Cajupi e mori në krah Evgeni -Virgininë e tij, e puthi lehtë në buzë dhe i tha që ndihet njeriu më i lumtur në botë. Ditët, javët, muajt kalonin pa u ndjerë dhe shtatzania e Evgeni -Virginisë po arrinte pikun e saj. Evgeni -Virginia lindi djalë në shtëpinë e saj në 1 janar të vitit 1891. Cajupi u bë baba, kësisoj ishte krejt e natyrshme që ai të merrte përsipër detyrimet e tij prindërore. Po ju njohim me çertifikatën e lindjes së djalit të tyre që ia vunë emrin Etienne Bordon.
Të enjten – 1 janar – një mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e një – në orën një të mëngjesit – lindi – në Gjenevë, rruga Paquis 23 – Etienne Bordon – djali i natyrshëm – i Virginie Bordon – beqare – nga Avusy(Gjenevë) – lindur në Avusy më njëzet e tre nëntor një mijë e tetëqind e shtatëdhjetë, bija e Louis Bordon dhe Franchette Perret – me banim në Gjenevë.
Andon Zako Cajupi alias Antoine Zaccos, djalë i Caritos Zaccos me banim në lagjen Eau -Vives në Gjenevë e njohu atësinë e djalit të tij Etienne Bordon në datën 21 shtator të vitit 1891, nëpërmjet një akti noterial të nënshkruar nga noteri Me Moriaud dhe nga oficeri i gjendjes civile të qytetit të Gjenevës. Ky akt është regjistruar zyrtarisht në gjendje civile në 2 tetor të vitit 1891. Duke studjuar me vëmëndje dokumentet e paraqitura më lart, nuk është e vështirë të kuptohet që Cajupi ka lënë pezull dy çështje të rëndësishme, të cilat kishin të bënin me të, me Evgeni -Virgininë dhe me djalin e tyre Etienne Bordon. Cështja e parë ka të bëjë më faktin që Cajupi me Evgeni -Virgininë nuk janë lidhur me njëri tjetrin as me martesë civile, as me martesë fetare. Për të vëtetuar këtë kam kontrolluar regjistrat kishtare të lindjeve në kishën ortodokse ruse të Gjenevës të vitit 1891 dhe nuk kam gjetur asnjë regjistrim për këtë lindje. Kujtojmë këtu faktin që Harito Cakua dhe biri i tij Andon Cako as në Shqipëri as jashtë saj nuk kanë shkelur kurrë në një kishë ortodokse greke. Me këtë fakt përjashtohet mundësia që lindja e Etienne Bordon-it të jetë regjistruar në regjistrat e kësaj kishe. Arsyet përse Cajupi dhe Evgeni -Virginia nuk u lidhën në martesë nuk mund t’i dimë dhe për këtë nuk kemi gjetur asnjë letër dhe as ndonjë dokument tjetër verbal. Kemi të njohur faktin që Cajupi nuk foli për një kohë të gjatë me të atin sepse ky i fundit nuk ishte dakord që Cajupi të martohej me Evgeni -Virgininë. Nga ana tjetër, nuk kemi gjetur asnjë letër të Evgeni -Virginisë që të shprehë mendimin e saj për një çështje të tillë. Eshtë e rëndësishme gjithashtu për të ditur se cili ka qenë reaksioni i prindërve të Evgeni -Virginisë, se ç’mendim kanë patur ata për martesën e tyre. A ishin dakord ata që të jepnin bekimin e tyre ? Në çertifikatën e lindjes së Etienne Bordon-it është shënuar vetëm emri dhe mbiemri i nënës së tij. Ne nuk kemi argumente, fakte dhe arsyetime të tjera për të kuptuar se përse Cajupit iu desh një kohë kaq e gjatë për të njohur atësinë e të birit. Kam humbur vite të tëra duke bërë hulumtime dhe kërkime në arkivat e Gjenevës dhe të Lozanës duke kërkuar Etienne – Stefanin, djalin e Cajupit, i cili në historinë e letërsisë shqipe dhe në veprat e tij letrare njihet me emrin Stefan.
Të gjithë ne çajupjanët, studjuesit e Cajupit e kemi kërkuar djalin e tij me emrin Stefan Cako -Zako. Ndërkohë që dokumentet e gjendjes civile të Gjenevës provojnë që një person me emër të tillë nuk ekziston. Kujtojmë këtu faktin që në arkivat e gjendjes civile të Gjenevës gjenden çertifikata lindjeje të periudhës mesjetare. Vdekja e Evgeni -Virginisë në 7 janar 1891, do ta linte Etienn-in e vogël jetim dhe Cajupi i helmuar dhe i hidhëruar nuk dinte se ç’të bënte me një foshnje që sapo kishte ardhur në jetë. Cajupi i kushtoi Evgeni -Virginisë «Vajet» e tij, vargje të një lartësie të atillë artistike sa mund të konsiderohen se janë shkruar nga një dorë shekspiriane. Fati i keq e solli që Evgeni -Virginia do ta përkëdhelte djalin e saj vetëm gjashtë ditë dhe nuk do ta shihte më me sy. Më lejoni të citoj sërish Prof Dhimitër Shuteriqin në intervistën që i ka dhënë revistës Nëntori në vitin 1966 : …Stefani u sëmur nga tuberkulozi pas larjes në lumë në Francë dhe ka vdekur në vitin 1919…».
Nëse kjo e dhënë është e saktë, rezulton se Etienne Bordon, djali i Cajupit dhe Evgeni – Virginisë ka vdekur në moshën 28 vjeçare. Lexuesi ka kërshërinë që të mësojë nëse Cajupi me Etienn-in i ruajtën marrëdhëniet at e bir, nëse Etienni kishte trashëguar damarin poetik të të atit, nëse kanë shkëmbyer letërkëmbim midis tyre dhe pyetje të tjera do të pasonin njëra tjetrën. Luan Rama, autori i mbi 60 librave dhe zbuluesi i shumë dokumenteve për Shqipërinë në arkivat e Francës para disa kohësh më ka dërguar një fotografi të rrallë ku Andon Zako Cajupi ka dalë me djalin e tij Etienne – Stefan Bordon. Megjithëse nuk dihet autori i kësaj fotografie, as viti, as vendi kjo fotografi përbën një relikt të çmuar në historinë e letërsisë dhe të fotografisë shqiptare. Zbulimi i dokumenteve të reja për Cajupin, Evgeni -Virginie Bordon dhe Etienne Bordon në arkivat e Gjenevës shpresojmë dhe urojmë që të shërbejë për të ndriçuar më tej figura të tjera të rëndësishme të letërsisë dhe të historisë sonë kombëtare qoftë në Shqipëri, qoftë në arkiva të tjera europiane dhe euroatllantike për të hartuar një jetëshkrim më të plotë të tyre. Andon Zako Cajupi është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, i cili ka lënë pas një trashëgimi të pasur veprash letrare, të cilat kanë ushqyer me mall dhe me atdhedashuri gjenerata të tëra shqiptarësh. Cajupi pati dhuntinë dhe talentin të bënte një kalim të butë nga letërsia e Rilindjes kombëtare në letërsinë e realizmit kritik të viteve 20’ -30’ dhe këtë ai e ka dëshmuar me veprat e tij, të cilat janë aktuale edhe në ditët e sotme. Sado vite që do të kalojnë shqiptarët e Zvicrës do ta kujtojnë gjithmonë me mall dhe me admirim Cajupin e Shqipërisë dhe Cajupin e Gjenevës dhe do të jenë krenar për të. Ndoshta një ditë një skulptori shqiptar do t’i buisë idea për t’i bërë një statujë Andon Zako Cajupit në Gjenevë. Zbulimi i dokumenteve të tjera në të ardhmen do të shërbejë si një çelës për të hapur zemrën e Andon Zako Cajupit, për të kuptuar dhe për të dëshifruar valët e qeta dhe valët e dallgëzuara që kanë mbushur dhe zbrazur shpirtin e trazuar të poetit, i cili shkroi vargje të përvëluara nga malli për atdheun e tij të dashur, Shqipërinë.
Marrë nga libri : «Udhëtimi i mbramë i Helene dhe Eugène Pittard në Shqipëri. Gjenevë – Tiranë. Në gjurmët e kryqit të kuq shqiptar në Gjenevë» të autorit Kudret Isaj. Botuar në Tiranë në janar 2023 nga shtëpia botuese Les livres Rama.

