Viktoria qëndroi e zhytur në mendimet e saj gjatë gjithë udhëtimit. Zhurma e lehtë që përplasej në dritaren e avionit dukej sikur ndiqte ritmin e mendjes së saj, e cila ishte përqendruar te diçka që ende nuk arrinte ta kuptonte.
Ajo nuk e dinte se ky udhëtim nuk do ta çonte vetëm drejt një destinacioni të ri, por edhe drejt një takimi që do të linte gjurmë të thella në jetën e saj.
Udhëtimi për në Lisbonë ishte një plan i përgatitur prej kohësh bashkë me shoqet e saj. Sapo mbërriti, Kiara dhe Ines e pritën me entuziazëm. Ditët kalonin mes të qeshurash, zbulimesh dhe çastesh të thjeshta.
Një mbrëmje vendosën të dilnin. Më vonë u kthyen në hotel, ende të mbushura me energjinë e natës.
Të nesërmen ishte dita e tyre e fundit. E kaluan ditën duke shëtitur. Mbrëmja zbriti ngadalë mbi qytet. Viktoria kishte veshur një fustan të kuq me lule. Lisbona dukej sikur merrte frymë bashkë me to.
Pikërisht aty ajo e takoi Richardin. Filluan të ecnin së bashku në rrugët e qytetit. Në fillim ai fliste pak, por më pas biseda mori një tjetër drejtim. Ata folën për lirinë, librat dhe mënyrën se si e shihnin jetën. Viktoria ndjeu se po tërhiqej nga mënyra e tij e të menduarit, edhe pse nuk binin dakord për gjithçka.
Herë pas here shiheshin në sy pa thënë asnjë fjalë. Sytë e tij të errët përcillnin një ndjenjë thellësie që e intrigonte. Orët kaluan pa u ndier, por të nesërmen ajo duhej të largohej. U përshëndetën dhe Viktoria e kuptoi se ai takim do të mbetej gjatë në kujtesën e saj.
Më vonë u bashkua sërish me Kiarën dhe Inesin.
Një ditë, e ulur vetëm në një kafene, Viktoria vështronte njerëzit që kalonin përpara saj. Një rreze dielli i ngrohte lehtë fytyrën ndërsa mendonte për gjithçka kishte përjetuar.
Nga çanta nxori një fotografi që Richardi ia kishte bërë fshehurazi gjatë shëtitjes së tyre në Lisbonë, në ditën kur ishin njohur. E vështroi gjatë. Ishte një çast krejt i zakonshëm, por në sytë e tij kishte qenë mjaftueshëm i rëndësishëm për ta ndalur në kohë. Drita që hynte në kafene i ledhatonte fytyrën. Në atë çast gjithçka mori kuptim. Nuk kishte qenë rastësi.
Richardi nuk e kishte harruar. Ai kishte ruajtur atë moment, ashtu siç ruhen gjërat që kanë vërtet domethënie. Dhe, ndërsa shikonte atë fotografi, Viktoria e kuptoi më në fund. Për herë të parë… ishte ajo që mori telefonin.

