Gazeta Nacional Albania

Larg vendlindjes. Tregim nga Vladimir Muça         

 

      

Shpesh herë, bordurave në Piazza di Milano, me duart e mia të shkalafitura, kërkoj hijen e mugët në rrugët e brishta të vendlindjes. Duart sonambule rrëmojnë si shak- shake në kujtesën e rrëmitur të ullishtes.

Malli zvarget drejt portave të durimit. Ato as hapen dhe as mbyllen. Hija ime e vrarë rri varur mbi traun e doganave duke u terur në mjegullat e ikjeve. Mungesa e përgjegjësisë dhe detyrimeve ndaj vendit tënd janë armiqtë më të këqinj. Si në një film multiplikativ, atje larg fshatit të bukur të vendlindjes, i gëzohem programeve Digitalb dhe Tring, gënjej veten dhe fëmijët.

Në zhurmërinë e metropolit kam harruar, se më mirë është ta shkelësh njëherë vendin tend, se sa shumë herë ta dëgjosh. Hera –here, kur zbres në bregdet, vëzhgoj hapësirën e yjëzuar me sytë e Plinit plak. ¹

Në një dilemë hamletiane: të rri a të mos rri, lundroj në detin e nostalgjive. Eh, fshati im! Me kopshte rrethuar, vashat e bukura e kroin syzi, rrugëve mërgimtare ma gërryen shpirtin. Si trokashkë mulliri më godet urtakja e gjyshmadhit, kthyer nga mërgimi i qëmotshëm: “Në qoftë se nuk ke nostalgji për të shkuarën, nuk ka perspektivë për të ardhmen”, ndaj dhe mallpritja sygjeton ndër sytë, që humnerojnë kah vendlindja.

E unë, lakuriq, mbytem në mbledharin e një nomeje, ku grigja e mallit pi ujrat e shirave të vendlindjes. Një yll i fjetur  në sipërfaqen e ujit, oh ç’ma ndezi rininë e ikjeve me yllin e ndezur, coptuar në valëzat e trishta të kujtimeve.

Thonë, se malli në “shkallët e humbëtirës” të Faikut, u rrokëllye. Një tjetër më thotë, se ai u kthye në qilivur aty, buzë trotuarit, në Piemonte, nga koha e gjatë e pritjeve. E koha e godet e godet me hoben e ditëkthimeve. Disa thonë, se malli ka ikur përtej ikjeve me zogjtë e pa rritur me pendë të thyeme. Kjo ikje ishte tjetër ikje, ishte ikja nga vetvetja, ikje nëpër identitete  të shkyeme. Një ikje pa kthime. Shtati i saj i ngjante atij drurit, që i lëshon rrënjët kah maja, nuk zgjatet drejt qiellit, bashkohet me soin e shkurreve e çel ca lule të helmëta e të çuditshme.

Kjo pemë  tjetërsoj po e vret pyllnajën e vendlindjes, po i merr frymën kurorës që më shumë e gjethonte, po vret erën dhe ujin, që u shuante etjen burimeve, po vret çdo gjë që gjallon, ndaj rruga e kthimit mbas kaq shumë viteve është më e rëndë  se rruga, kur shkon mes kësaj lirie.

Kjo liri, që na rrethon këtu në perëndim, është mundësia për të matur dimensionet universale të botës në vendlindje, që më të shumti na mëkon. Refugjatët çifçinj, në modernitetin e shekullit të ri, me dëshirën për më shumë lumturi, s’e dinë vallë, se mbas maskës së kësaj lumturie të përkohshme çfarë fshihet nën lëkurën e tyre?

 

Ngadalë, mjegulla e harrimit, po i mbyll portat e shpresave të zalisura, po varrosen nga mendjet e duart tona. Kurmi i atdheut, jeta e një historie sa dashurore, përmallimi dhe lirie, fluroi tani  mbi Piazza di Milano, si një qenie pa peshë specifike e, as në qiell e as në tokë, me shpirt e mendje mes shtegëtimeve, veç zemra kullon e kullon dhimbje.

Kah shkoj në  këtë gjendje apokrife, i pa peshë, në shoqëri dhe i harruar në njerëzi..!? Po mbytem në llumin e një historie, që s’na u nda në mijra vite..! Një historie të pabesë me dhimbë të mendjes të kresë. Çdo gjë më ngjan me rrapin shekullor të Hardhishtës. Kush ia dogji palcën në zemër të tij? Ç’mbeti u bë dru zjarri dhe ia morën edhe atë pak zjarrmëri. Po murranën kush e ngriti mbi shpirtin e rrënjëve të tij? Veç era e shpirtit të udhëtarit, që shkon çdo ditë pranë, mund ta dijë. Era, që shungullon mbi varret e braktisura e përzihet me diellin e akullt, mbi gurët e varreve shkrirë, është dëshmitare.

Ndoshta nesër, nga kjo ngrohtësirë, një tjetër diell nga rrënjët e rrapit, lastarë të rinj do të rrisë. E këta lastarë, si bija të tokës mëmë, me krahët e erës,  ndër zemra mërgimtarësh, gjethnajë malli do lulojnë. A do i përngjajnë gjetheve të rrapit shekullor?  Jeta mbi to dritë do gëlojë.

Era e luleve do zgjojë shikimin me sytë e mallit për freskinë në atë mrizë, ku kurmi yt  me vapën e korrikut shtrihej me të gjitha kënaqësitë. Puhiza e lehtë do vijë dhe këtu në Piazza dhe në mbarë Piemonten. Ndoshta do të çmendet dikush nga kjo frymë e shenjtë vendlindjeje, por ju të dashur  mos hezitoni, hapni gjokset, këtë aromë gjallimi ndër sytë e njeri – tjetrit kërkojeni.

Kjo erë të vjen si mirësi në jetë dhe, kur je veshur veç me një këmishë, në fraq  të  vërtetë, ngrohtësinë do ndjesh si në pranverë.

 

 

1)      Plini plak- shkrimtar dhe burrë shteti romak ( 23-79 p.e.r.)