Site icon Gazeta Nacional Albania

LIRIKA POETIKE NGA ELVIRA ZENELI

 

NË PLANETIN E DASHURISË

 

U largove duke më premtuar shumë,

Flas me hënën dhe yjet, si miqtë më të mirë

U flas per ty, sepse i kemi pasur dëshmitare të dashurisë…

 

Afrohu pranë meje,

Të ndjej frymarrjen tënde,

dhe aromen e trupit tënd,

Afrohu!…

 

Sonte dua të dëgjohet zhurma e dashurisë sonë,

lëkura e trupit tënd le të jetë veshja e pasionit tim të zjarrtë,

Që digjet për ty.

Eja, shuaje etjen e buzëve të mia me puthjen tënde,

Lëri gishtat të rrëshqasin lehtazi mbi trupin tim,

Duke më dhënë drithërimën e pasionit dhe kënaqësisë.

 

Të dua kaq shumë,

Sepse gjithmonë më flisje ëmbël dhe me ndjenjë,

Kur jam me ty më duket vetja se po shëtis në planetin e dashurisë,

Ku pamja më

e bukur dhe më magjepse është emocioni i dashurisë.

 

Brenda ketij planeti të bukur

Shikoj veten si një fëmijë i llastuar,

Të shikoj edhe ty,

Jemi një trup i vetëm,

Dy sy dhe dy duar që s’kanë nevojë për asgjë,

Mjafton nje shikim sensual

Dhe panorama më e bukur e jona është deshira për dashuri,

Që po trazon çdo qelizë të trupit tonë…

 

U largove, me dëshirën për t’u kthyer përsëri,

Une të pres, se e di pranë meje së shpejti do vish ti!…

 

 

PRES SI NIMFË

 

Pikat e shiut puthnin xhamin e dritares,

Valët e lumit puthnin faqen e shkëmbit,

gjethet e pemëve përqafojnë tokën e zhveshur

e këndojnë serenata dashurie.

 

Është stina

kur mbillet dashuria!

 

Sa herë malli më merr,

luaj me valët e lumit

ku ndjej se je ti.

 

Sa herë qaj në dritaren time,

loti m’i ngroh mollëzat

e rrëshqet nën gushë

e ndalon aty ku më puthe ti.

 

Ooohhh…

sa herë më mbërthen vetmia,

ulem e prek gjethet e rëna,

aty ku del ti

e behesh pemë

ku unë gjej mbështetjen.

 

Hedh një guralec

e valët më futin

në thellësitë e shpirtit tënd

ku kërcejmë së bashku tangon e dashurisë.

 

… Pres si nimfë

të mbijë poezia jonë e shelgut

ku ti je trungu

e unë ujëvara e gjelbërt flokëlëshuar

midis ëndrrës e shpresës!

 

 

 

PJALMIM

 

Jam gjethe molle

në këtë natë të bukur vjeshte!

 

Ajo dridhet si shpirt bashkë me mua,

tek sheh parmendën e hënës

që çan e shket sipërfaqes së lumit,

duke të pritur ty

që rri diku në heshtje,

i strukur në mëdyshjen tënde,

s’di se ku!

 

Frikacak!

 

Pret të të shfaqem me fustan të bardhë

pas trokitjen në derën tënde?!

 

Pandehja se e tillë

më parë të jam shfaqur në zemër,

atje ku ruaj lulen e eger të kumbullës

përpara se të jem gjethe e lehtë molle!

 

S’e beson?!

 

Shihe këtë kambanore  yjesh

si kumbon në heshtje atje lart

për shurdhërinë tënde!

 

Kush do e pjalmojë,

frikacak,

këtë gjethe vjeshte që dridhet në mesnatë?

 

Vetëm pesë minuta,

më shumë aspak,

pastaj me hënën do bëj dashuri,

në pjalmin e saj do përmbyten

dhe për këtë s’do kem faj

aspak

 

 

 

PËRJETËSI

 

E gjatë ishte rruga që morëm të dy

E na dukej sikur ecnim përmbi re,

Ca gjinkalla zhurmonin lart e poshtë,

Ne dashurinë kishim strehë!

 

Bisedonim veçse me puthje

Që etjen na shuanin në burim,

Ajri i paster i bjeshkëve

Të dy trupat na i bashkoi në përjetësi!

 

Mbi krye hapsira qiellore,

Fëshfërima e gjetheve – serenatë,

Dy zogj në të tjera horizonte

Çerdhen e ngritën mbi të botës mëkat!

 

 

 

 

PUTHJA E JETËS

 

Ajo puthje peng më ka mbetur

Është arratisur diku tej universit,

Kërkon një shteg të ri,

Ndoshta të rikthehet…

 

Mëkatare,

A luhet me dashurinë!?

 

Ajo puthje e mbetur peng

Nuk më erdhi

Por kjo s’më ndalon dot

Që çdo mëngjes,

Pak nga pak

Të vdes…

 

Peng e kam

Atë puthje,

E ndjej thellë nën lëkurë

Deri në shpirt…

 

Mungesën e saj

 

Vallë a ka më dëlirësi  dashurie,

Se sa puthja e mbetur peng?

 

Ajo është me ne,

Sa herë festojmë ditëlindje,

Qarkojmë data në kalendar,

Ecim  të dëshpëruar në jetë,

Apo futemi në terrin e mosbesimit

Dhe  zbrazëtinë e premtimeve.

 

Freskinë dhe ëmbëlsinë e puthjes

Së pengut e ndjejmë,

Si një thirrje që na vjen nga larg

Për t’u rikthyer tek ëndrra,

Tek besimi hyjnor

 

 

Puthja e jetës…

 

 

 

PLLAKA TEKTONIKE

 

Shpesh ndjej një zjarr

Në qendër të tokës sime,

Aty ku pllakat tektonike

Përplasen furishëm me njera-tjetrën!

 

Dridhet shpirti

Dhe një presion avulli,

Si vullkan

Kërkon një krater të shpërthejë!

 

Jam në qiellin e shtatë,

Pa mendje,

E tëra instikt i çmendur!

 

Dy trupat tanë,

Dy pllaka tektonike

Që fërkohen në puthje,

Sytë e ndezur

Si llavë përvëluese,

Buzët që dridhen

Si gjeratore shteruese!

 

Më kapin ca ethe

E krejt trupi,

Brenda bërthamës së tokës sime,

Më bën të ndjehem engjëll,

Të hap duart e të fluturoj,

Të shkoj në një tjetër botë!

 

Ti më tërheq fort ndaj vetes,

Më shtërngon që të bëhemi një,

Pllakës tektonike t’hipim a zbresin

Nën të,

Aq sa të më stërpikin shira të bardhë

Tokës-eshkë të dashurisë!

 

… Ky është çasti i mbramë

Ku pllakat tektonike

Drithërojnë edhe në paslëkundje

Krejt tokën e trupit tim!

 

 

 

PEMA E SHPRESËS

 

Dashurohemi

E s’dimë pse!

 

Qetësia e paqtë

Na rrit Pemën e Shpresës

E ne vjelim frutat

E kënaqësisë së mishtë!

 

Nëse ndodh e pandodhura

Dhe frutet dergjen përtokë

Në kalbëzim,

Ne besojmë te Pema e Shpresës

Në Rigjallërim!

 

Si besimtarë të vërtetë,

Flakim tej çdo dyshim!

 

I falemi hyjnores ndjenjë,

Dashurisë…

Edhe pse, tashmë,

Në formën e nostalgjisë!

 

Nostalgjia

Na shpërbleka ëmbël,

Ndonëse Pema e mishtë e Shpresës

Përtokë dergjet,

E shtrirë në humusin e gjithësisë!

 

 

 

 

GRUA

 

“Të do shpirti”

Grua, e bukura, e shtrenjta grua!

 

E pastër si kristali kur më do

A kur të kam dritë të syve të mi

E ma ban ujin e bjeshkëve të freskët

Ta pi edhe nëse më dehin acarët e akullnajave

 

Grua e nxehtë si rreze dielli

Më ndrit më shumë si hëna

Poet ma bën idolin tim prej bariu

 

Është gruaja që më rri dritareve të pranverave

Dhe m’i ndez zjarret që s’shuhen në asnjërin ferr

E di se e do këtë botë të brishtë

Ti më the se është e ëmbël porsi mjalta

 

Mirë pajtohem pasi ti grua je punëtore porsi bleta,

Herë të quaj flutura krahëlehta

 

Për dashuri s’bajmë fjalë se fal ajo pa kushte

Natën e bëjmë ditë vetëm për ty

Secili donzhuan të pret me ëmbëlsi

Se zemra ime rreh plot dhembshuri

 

Grua, do të doja mos i humb sytë e mi

Të kthellët i kemi që të dy

As mos më luajtë me flokët e artë

dua t’i mbështjell vargjet e shpirtit

Ndjenjat i kemi t’pastra si kristali

Na mjafton malli e pasuria e shpirtit

Grua të do shpirti.

 

 

 

SHPIRTI KOZMIK DHE METAFORA E NATYRËS NË LIRIKËN E ELVIRA ZENELIT

Nga dr. Mujë Buçpapaj

Lirika e Elvira Zeneli ndërtohet mbi një bosht të fuqishëm emocional dhe sensual, ku dashuria nuk paraqitet thjesht si ndjenjë intime, por si një përvojë kozmike, mitike dhe ontologjike. Poezitë e saj shfaqin një prirje të dukshme drejt metaforizimit të trupit dhe natyrës, duke krijuar një univers poetik ku elementët e kozmosit, tokës, ujit, shiut, hënës dhe pllajave tektonike shndërrohen në kode të pasionit dhe të mungesës. Në këtë aspekt, autorja ndërton një lirikë të mbështetur mbi simbolikën e materies dhe energjisë, ku erotika sublimon në estetikë poetike dhe nuk mbetet në nivelin e përshkrimit fizik.

Në poezinë “Në planetin e dashurisë”, dashuria konceptohet si një hapësirë alternative ekzistence, një “planet” ku subjekti lirik humbet kufijtë individualë dhe bashkohet me tjetrin në një unitet metafizik: “Jemi një trup i vetëm”. Kjo prirje për shkrirjen e unit individual në një “ne” universal i jep poezisë një karakter romantik-modern, ndërsa gjuha mbetet e drejtpërdrejtë, emocionale dhe ritmikisht e valëzuar nga përsëritjet apostrofike (“Afrohu!”, “Eja!”), të cilat rrisin intensitetin dramatik të ligjërimit.

Një nga arritjet më të dukshme stilistike të autores është antropomorfizimi i natyrës. Në poezinë “Pres si nimfë”, natyra merr pjesë aktive në dramën emocionale të unit lirik: “Pikat e shiut puthnin xhamin e dritares”, “valët e lumit puthnin faqen e shkëmbit”. Ky animizim i peizazhit krijon një atmosferë neo-romantike, ku bota fizike bëhet rezonancë e gjendjeve të brendshme shpirtërore. Figura e nimfës, e lidhur me mitologjinë dhe ujërat, e ngre subjektin femëror në një dimension arketipal, duke e bërë pritjen jo vetëm emocionale, por edhe poetikisht rituale.

Në poezinë “Pllaka tektonike”, metafora gjeologjike është një nga figurat më origjinale të këtij cikli poetik. Përplasja e trupave identifikohet me lëvizjet sizmike të tokës, duke krijuar një paralelizëm të fuqishëm mes erotikës dhe energjisë natyrore: “Dy trupat tanë, / Dy pllaka tektonike”. Këtu vihet re një ndërthurje e gjuhës shkencore me lirizmin sensual, çka i jep poezisë një modernitet figurativ dhe një intensitet ekspresiv të veçantë. Trupi femëror nuk paraqitet si objekt pasiv, por si qendër energjie, shpërthimi dhe transformimi.

Ndërkohë, poezitë “Puthja e jetës” dhe “Pema e shpresës” e zhvendosin ligjërimin drejt një filozofie të mungesës dhe nostalgjisë. “Puthja e mbetur peng” shndërrohet në simbol ekzistencial të asaj që mungon për ta plotësuar jetën njerëzore. Këtu ndjehet një frymë elegjiake, ku dashuria mbetet gjithmonë e papërmbushur plotësisht, por pikërisht kjo mungesë e bën atë të përjetshme dhe poetikisht produktive.

Në planin stilistik, poezia e Elvira Zenelit karakterizohet nga: metafora të dendura me natyrë kozmike dhe organike; përdorimi i figurës së apostrofës dhe përsëritjes emocionale; ritëm i lirë modern, i mbështetur më shumë në frymëmarrjen emocionale sesa në metrikë tradicionale; një gjuhë sensuale, por shpesh e sublimuar përmes simbolit; ndërthurja e motiveve të natyrës me përjetimin intim femëror.

Në tërësi, kjo lirikë dëshmon një vetëdije të qartë poetike mbi trupin, mungesën, pritjen dhe dashurinë si dimension shpirtëror e kozmik. Elvira Zeneli arrin të krijojë një poezi ku ndjenja femërore artikulohet me intensitet, por edhe me një përfytyrim figurativ që e afron tekstin me modernitetin e lirikës bashkëkohore shqiptare.

 

 

Exit mobile version