Gazeta Nacional Albania

LULESHQERRËZA. Tregim nga Bedri Myftari

 

 

Një maturante me përparëse të zezë të dalë boje, çdo ditë kur shkonte në shkollë haste në rrugë një djalë të bukur, me krela të arta që i binin mbi ballin e gjerë, me sy të kaltër e të kthjellët si cipëz e qiellit fill pas shiut kur ndizen yjet. Fytyra i ndizej në purpurin e agimit, kur çelin zambakët gjoleve. Trupin e kishte të hedhur e të zhdërvjellët si lastar në pranverë. Gjimnazistja ishte bija e një fshatari të varfër. Ajo bënte kilometra të tëra për të shkuar në gjimnaz. Ishte vajza më e mirë në mësime në të gjithë maturantët e atij qyteti të vogël larg në provincat veriore. Ajo kur hasi për herë të parë në rrugë djalin e bukur nga qyteti u shtang dhe u trullos. Ajo ishte e pastër si një pikë vese mbi petalet e luleve të alpeve kur pikojnë netëve të verës nga sytë e bukur të yjeve. Ajo vetëm në ëndrrat adoleshente të vajzërisë së parë kishte parë një bukuri të tillë mashkullore. Ishte e virgjër si ujërat e burimeve ku gurgullonin gurrave, bjeshkëve. Ishte naive si sorkadhe, e brishtë si një lule manushaqe, e thjeshtë si një luleshqerrëz. Dhe kështu i flisnin të gjithë në shkollë “Luleshqerrëza”. Qysh atë ditë që e pa për herë të parë djaloshin e bukur, luleshqerrëza ra në dashuri. Asaj iu pre oreksi dhe netëve në ëndrra shihte vetëm atë djalin e bukur. I bëhej sikur ai herë dilte nga gonxhet e zambakëve, herë nga gonxhet e trëndafilave, herë sikur zbriste nga hëna në një natë të argjendtë si parashutë e thurur me rrezet e hënës, e herë sikur pikonte si pika e vesës nga yjet. Ajo kalonte orë të tëra duke e parë, por ai ishte fodull, harlisej me vajzat e bukura të qytetit që visheshin si princesha, me varëse e byzylyk në qafë e në llërët e duarve. Kurse gjimnazisten e vogël as e vinte re fare. Një ditë Luleshqerrëza u çua herët, doli lëndinave buzë lumenjve dhe mblodhi lulet më të bukura: zymbyla të bukur të alpeve, manushaqe, lule erëza, i bëri buqetë dhe u nis për t’ia dhënë yllit të ëndrrave të saj të pafajshme. Ai po qëndronte në një trotuar dhe u buzëqeshte e ua bënte me dorë biondeve e bruneve me minifunde e byzylyk me gurë të çmuar në gushët e llërët e bardha. Luleshqerrëza iu afrua, por ai as e vuri re fare.

-Mirëmëngjesi! –pëshpëriti ajo e skuqur e tëra e me një zë që i dridhej nga emocionet.

Ai ktheu sytë e i rrotulloi si fajkua dhe e pa vajzën e vogël nga koka tek këmbët. Ajo u drithërua e tëra nga shikimi i tij. Ai vuri buzën në gaz si me mos përfillje dhe ja ktheu rëndë – rëndë:

-Mirëmëngjesi! Doni gjë? –e pyeti si perëndi.

Luleshqerrës iu prenë gjunjët dhe mezi u mbajt.

-Jo! –belbëzoi pafajësisht. Desha t’ju dhuroj këto lule! –i tha. Ai i mori lulet, i pa, i flaku në rrugë me neveri dhe i tha:

-Unë dua vetëm byzylykë e perla në gushët e llërët e bardha të vajzave! Luleshqerrëza u zverdh, uli kokën dhe u largua pa folur. Vajti në shtëpizën e saj atje larg në fshatin e vogël mbi krahët e alpeve, u mbyll në dhomëzën e vogël, ra përmbys në shtrat dhe u shkri në vaj. Ajo të nesërmen nuk u çua nga shtrati. Prindërit, motra e vogël u bënë merak dhe i rrinin tek koka. Edhe zogjtë e alpeve, sorkadhet, lepurushat u mërzitën kur nuk e shihnin më Luleshqerrëzën me librat nën sqetull që shkonte herët në shkollë. Edhe lulet e vazove mbi dritare, i varën kokat të mërzitura. Vajza ligej e tretej çdo ditë. Harabelat u treguan dallëndysheve, dallëndyshet ua treguan pulëbardhave dhe pulëbardhat ua treguan sirenave të detit, se një vajzë e bukur si sirenë atje larg në Alpe, kishte rënë e sëmurë, se djali i kishte kërkuar perla në gushë e në llërët e bardha. Sirenat e detit këtë lajm e përhapën në të gjithë mbretërinë e detit. Këtë lajm e mësoi edhe orakulli shekullor me mjekër të bardhë si shkuma e detit, që jetonte në pallatin e ëndrrave në fund të detit. Ai u tregoi banorëve të mbretërisë së tij, se perlat gjendeshin shumë larg. Ato dinin t’i prodhonin vetëm molusqet. E këto molusqe ishin shumë të rralla e të veçanta. Ato banonin në Detin Indian dhe vetëm atje ku derdhej lumi Panxhap në Detin e Kuq.

-Molusqet, u tha orakulli shekullor me mjekër të bardhë që banonte në pallatin e ëndrrave në fund të detit, janë gjallesat e para të rruzullit tonë dhe prej tyre ka nisur jeta. Ato në gjirin e tyre mbajnë shumë sekrete për jetën. Kaq tha Orakulli Mjekërbardhë, pastaj heshti dhe humbi në rrugët e pa fund të destinacioneve njerëzore. Sirenat e detit u transmetuan thëniet e Orakullit pulëbardhave. Pulëbardhat u mblodhën dhe nisën një dërgatë prej dymbëdhjetë pulëbardhash për në Detin e Kuq në Indi. Ato arritën në të gdhirë  në vendin e quajtur parajsa e perlave, atje ku derdhej lumi ne Detin e Kuq. Delta e lumit ishte e rrethuar me pyje të pafund bambush, palmash e bananesh. Qielli pasqyrohej në oazin ku derdhej lumi në të gjitha ngjyrat, nuancat e reflekset e diellit, agimeve, yjeve të hënës. Të dymbëdhjetë pulëbardhat u ulën në brigjet e deltës ku derdhej lumi në Detin e Kuq. Delfinët nxorën kokat dhe i pyetën nëse kërkonin gjë. Pulëbardhat u thanë historinë e Luleshqerrëzës. Delfinët u treguan se molusqet që bënin perla e kishin selinë e tyre këtu në fundin e ujërave në thellësi 50 metra poshtë. Dhe pas kësaj, delfinët u zhytën dhe shkuan në fund të Detit të Kuq në mbretërinë e molusqeve. Atje u takuan me mbretëreshën, dhe ja treguan historinë e Luleshqerrëzës. Mbretëresha e detit i tha mbretëreshës së molusqeve. Mbretëresha e molusqeve i tha se të gjitha perlat ishin mbledhur nga fshatarët e varfër të këtyre viseve dhe ishin shitur tek tregtarët e perlave. Ato ishin blerë nga mbretëresha, princa, aristokratë. Një perlë është një univers më vete dhe do shumë mund e kohë për t’u bërë, molusqet mund ta prodhonin edhe brenda natës perlën, por s’do të ketë as vezullimin e rubinëve, as shkëlqimin e xhevahireve, as ndriçimin e arit dhe as ngjyrën e gjelbër të ëndrrave të smeraldeve.

Mbretëresha e mbretërisë së perlave u tregoi historinë e Luleshqerrëzës. Të gjithë u mallëngjyen nga kjo histori. Dymbëdhjetë molusqet u treguat të gatshëm të prodhonin dymbëdhjetë perla, por që ato të merrnin vezullimin e shkëlqimin e një perle, duhej që të digjeshin mbi dymbëdhjetë molusqet dymbëdhjetë kandila deti, dhe të ndigjeshin dymbëdhjetë yje deti e t’i lëshonin vezullimet e tyre mbi dymbëdhjetë molusqet deri sa të shuheshin, dhe dymbëdhjetë sirena duhet të këndonin mbi dymbëdhjetë molusqet derisa t’u sosej fryma. Dymbëdhjetë molusqet u futën në vorbullat e ujërave te delta ku derdhej lumi, qëndruan deri sa u goditën e u plagosën nga kokrriza rëre, që iu futën atyre thellë në mushkëri. Molusqet i formuan perlat. Ato kishin madhësi e forma të ndryshme, ca trekëndëshe e ca në formën e dardhës, por asnjëra nuk kishte as shkëlqim, as ngjyrë, as vezullim. Atëherë u ndezën dymbëdhjetë kandila deti e qëndruan mbi dymbëdhjetë molusqet, u çelën dymbëdhjetë yje deti dhe i derdhën gjithë shkëlqimin e rrezeve të tyre mbi dymbëdhjetë molusqet. Dymbëdhjetë sirena nisën këngët e magjishme dhe u qëndruan mbi kokë dymbëdhjetë molusqeve. Kur u fikën dritat e dymbëdhjetë kandilave të detit, u shkrinë dymbëdhjetë yjet dhe u sos fryma e dymbëdhjetë sirenave. Molusqet u kthyen në guaska, hapën kraharorin dhe dymbëdhjetë perla shkëlqyen gjithë fundin e Detit të Kuq.  Delfinët i morën dymbëdhjetë perlat dhe ua nxorën në breg pulëbardhave. Pulëbardhat i falënderuan delfinët dhe secila mori një perlë dhe fluturuan. Në të gdhirë të ditës tjetër, kur mbi Alpet Arbërore atje në fshatin e largët të Luleshqerrëzës kishin çelur trëndafilat e agimeve Arbërore, pulëbardhat u ulën mbi dritaren e shtëpizës së vogël të Luleshqerrëzës. Ato i lëshuan perlat në dyshemenë ku dergjej Luleshqerrëza. Dhoma e vogël u ndriçua sikur të kishte hyrë dielli Brenda. Luleshqerrëza mbylli sytë nga ndriçimi i perlave mbi dysheme. Ku i hapi sytë pa dymbëdhjetë rruzuj që shkëlqenin si yje. Ajo u çua e i mori në dorë këto diej të vegjël. Ato kishin reflekset e diamanteve, rubinëve, arit, xhevahireve, smeraldeve. Ca kishin formë e rruzujve, ca trekëndëshe, ca katrore e ca në formën e dardhës. Luleshqerrëza gjashtë perla i vuri në gushë dhe tre në llërën e saj. Kur doli Luleshqerrëza nga shtëpia shkëlqeu vendi nga vezullimet e perlave në gushën e llërët e Luleshqerrzës. Sorkadhet nisën vallen nga gëzimi që u shërua Luleshqerrëza. Harabelat u çmendën nga cicërimat. Kumritë, bilbilat e thëllëzat. Lulet e egra të fushave e maleve çelën sytë kur pane Luleshqerrëzën. Lulet e saksive u gjallëruan. Luleshqerrëza u nis për të takuar djalin e bukur me kaçurrelat e arta. “Kur të shohë gjithë këto perla vezulluese në gushën e llërat e mia, ai do të verbohet e do më marrë në krahët e tij”, -ëndërronte me vete Luleshqerrëza. Ku shkoi tek vendi ku qëndronte zakonisht djali i bukur me krelat e arta, Luleshqerrëza shtangu. Ai s’ishte atje. I ra kryq e tërthor qytetit, por nuk e pa askund djalin e artë. U ndal dhe pyeti ca vajza me minifunde:

-Mos e keni parë atë djalin me sy të kaltër, trupin lastar e krelat e arta që qëndronte tek trotuari i bulevardit kryesor të qytetit?

-Pse, s’ke marrë vesh ti për të?! –i thanë ato.

-Jo, s’di gjë! –i tha Luleshqerrëza.

-Atë e kanë future në burg! –i thanë vajzat me minifunde.

-Pse?! –pyeti e habitur Luleshqerrëza.

-Se ai i tërhiqte vajzat me bukurinë e tij. Dhe ato që kishin byzylykë me gurë të çmuar, a perla në gushë e në llërët e bardha, i merrte në shtëpi. Atje i vriste dhe ua merrte byzylykët e gushës e llërëve të bardha. Luleshqerrëza shtangu kur dëgjoi këto fjalë për djalin e bukur. Nuk deshi t’i besonte ato fjalë dhe tha me vete se i thonë nga inati se s’i ka përfillur. I ra përsëri qytetit kryq e tërthor, por djalin se pa kund. Kudo që pyeti për të i thanë të njëjtat gjëra. Atëherë Luleshqerrëza kokulur u kthye në shtëpizën e saj.

-Çudi! –mendonte me vete Luleshqerrëza. Si ka mundësi që një djalë i bukur si një yll të ketë zemër të akullt e shpirt krimineli?! Luleshqerrëza bënte kilometra të tëra për të shkuar në shkollë. Ajo ishte më e mira në mësime. Perlat i kishte hequr nga gusha e llërët e bardha dhe i kishte mbyllur në valixhen e saj prej dërrase. Një natë, Luleshqerrëza mori një perlë dhe e çoi tek një nën që po i vdiste fëmija dhe s’kishte me se t’i merrte ilaçet. Pastaj një perlë tjetër ia fali një vajze të fshatit që po martohej dhe s’kishte me se të blinte fustanin e bardhë të nusërisë. Një perlë ia fali poetit të fshatit që s’kishte me se të botonte librin me lirika. Një perlë ia dha një familjeje që i kishin rrëmbyer djalin e vetëm dhe s’kishte aq para sa i kërkonin rrëmbyesit për ta liruar. Disa perla i fali për azilin e pleqve dhe disa për jetimoren e qytetit. U dha prindërve të vajzave që ua kishin rrëmbyer trafikantët dhe i kishin shitur përtej detit si prostituta. Ata me të marrë perlat shkuan dhe i nxorën vajzat e tyre. Tani Luleshqerrëza ishte njeriu më i lumtur në botë. Ajo e harroi djalin me kaçurrelat e arta dhe se shihte më as në ëndërr, nuk e shkonte më as në mend. Por një ditë Luleshqerrëzës ia preu rrugën një djalë. Ai ishte i ndrojtur dhe kur i hidhte vështrimin Luleshqerrëzës skuqej i tëri. Luleshqerrëza kur e haste në rrugë ulte kokën dhe nxitonte hapin. Ajo s’kishte më besim te askush. Një ditë djaloshi i doli përpara dhe me zë të dredhur i foli:

-Mirëmëngjesi Luleshqerrëz! – Luleshqerrëza uli kokën dhe nxitoi hapin por s’i ktheu përgjigje.

Një ditë ai doli para Luleshqerrëzës dhe i la në dorë një zarf. Luleshqerrëza shkoi në shtëpi e hapi zarfin dhe  brenda gjeti një poezi që i dërgonte djaloshi. Luleshqerrëza e lexoi poezinë dhe i shkoi në takim djaloshit, ashtu siç donte ai. Ata u takuan tek Livadhet qiellore. Ishte një natë e bukur maji. Ai i nxori flautin dhe i ra sonatës “Dritës së Hënës”, “Valsit të Danubit”, interpretoi pjesë nga “Liqeni i Mjellmave” dhe pjesë nga Belini e Moxarti. Hëna qëndroi si e mekur dhe dëgjonte. Yjet u ulën mbi livadhin e qiejve dhe i dogjën të gjitha ndjenjat nga malli, hingëllinë pelat hergjele tutje çaireve. Bilbilat i morën ata tinguj hyjnor dhe i kthyen në këngë. Xixëllonjat dogjën të gjitha fosforitet duke lëshuar mesazhe dashurie. Djaloshi ishte kompozitor. Luleshqerrëza dhe kompozitori u martuan. Ai kompozonte këngë lirike për hënën, yjet, mbrëmjet, agimet, për Luleshqerrëzën, për dashurinë. Kurse Luleshqerrëza ndihmonte të varfrit, ushqente kafshët, rriste lulet. Luleshqerrëza sa rroi e shkriu jetën për të tjerët. Shpirti i saj u bë xixëllonjë. Edhe kompozitori u shkri në këngë dashurie dhe shpirti i tij u bë bilbil. Të gjitha vajzat si Luleshqerrëza, kur vdesin bëhen xixëllonja. Kurse të gjithë kompozitorët që martohen me vajzat e thjeshta si Luleshqerrëza dhe i këndojnë vetëm të thjeshtës, të pastrës, të bukurës, kur vdesin bëhen bilbila. Sa herë vjen maji, netëve mbi lëndina, rudina, në fushat e pafund dalin xixëllonja e japin mesazhe rinie e dashurie. Bilbilat korijeve meken, duke i kënduar natës së majit, yjeve të hënës, bredhave, luleshqerrëzave.