Gazeta Nacional Albania

LUTJE NË GUR.Poezi nga Hamit Aliaj

Ah, sikur të ishim drurë,
Të bleronim, çdo pranverë,
Të dridheshim nga shpërthimi i gjethit në degë,
Ta ndjenim hënën që ec
trupave tonë në stinën e lëngëzimit,
T’i ndjenim shirat degëve, lot i qiejve pa emër,
Retë të rrëzoheshin e të lulonin mbi ne,
Të flinim jashtë si nomadë të përjetshëm,
Hije t’i bënim udhëtarit të vetmuar,
Pa pyetur as qiellin ,
T’i bënim marrëzitë e verës!

Ta mashtronim plakjen tonë, si drurët e moçëm
Që vishen me gjeth në prill
E duken të rinj

Ah ,sikur te ishim drurë a pemë,
E njêherë në vit, lulet të shpërthenin brenda nesh ,
T’i bënim pa marrë leje,
Marrëzitë e pranverës…

Të tundonim njeriun në vjeshtë, siç tundojnë frutat mëkatin

E pastaj butë, butë të na kaplonte bora, si dashuria,
Të mbusheshim me gjurmë zogjsh a egersirash të pyllit,
Ujkun të nxirrnim nga vetja, a sorkadhen e trembur
Se njeriu asgjë tjetër s’është,
Veç një pyll plot egërsira !

…. i tha vetes njeriu …