Gazeta Nacional Albania

MALL.Proza poetike nga Zana Tako

Ëndrra prekte ndjenjën që fshihej pas së vërtetës, që nuk dallonte nga dita, që nuk dallonte nga nata, nga hëna, nga yjet, tek zbuste dëshpërimin e vetmisë, e cila ishte ngjitur tek unë si ndjenjë faji. Më mbërthente me sytë e saj dhe i flisja: “Nuk je ti mendimi im, përse më flet sikur të dua?”

Nuk doja të vështroja brenda botës së saj, ndodhesha në tjetër vend tani, larg dëshpërimit, që donte të më takonte sado pak, por unë jetoja me mallin brenda vetes, me të cilin nuk kisha frikë, mall që shkundte tek unë renë e pluhurit të kohës.

E vërteta trokiste me ëmbëlsinë e saj, dhe më ndizte dritë të shihja fytyrën tënde, t’i buzëqeshnim njëri-tjetrit, duke harruar dhimbjen e ndarjes që nuk kishte ekzistuar, sepse malli jeton e bëhet minutë mirëseardhjeje, minutë dashurie, tek pëshpërit qindra, mijëra fjalë, të cilat ngatërrohen me njëra-tjetrën, sepse kanë aq pak kohë për të vepruar në memorien time. Duan të flasin të gjitha rrokjet, e unë i le të zhurmojnë brenda meje, sepse më pëlqen, i dua, dhe me gjuhën e mallit, të përqafoj duke të dashur, duke të puthur sytë, dritën, shkëlqimin e tyre, tek rrezatojnë gjuhën e dashurisë. Rrënja e saj është rritur thellë brenda shpirtit. Koha është bërë mike me të, është forcuar në krahët e saj, krahë që mbërthejnë me dashurinë e tyre çdo minutë që kalon, duke i dhënë frymë qenies sonë. Dashuria flet me gjuhën e mallit, flet në rreshta që lexohen prej shpirtit. Shpirti foli të vërtetën që të zgjoi, që më zgjoi, e unë ndihem e pafaj …

Malli foli me mua dhe më tregoi për ty, tek hapi fletët e shpirtit, dhe shkroi më të ëmblën fjalë që dua ta lexoj brenda vetes: “Mall”…. e humbem tek shoh fytyrën tënde, buzëqeshjen e shpirtit tënd…

Foli malli këtë natë, e jo unë… Unë u gjenda brenda tij, tek më tregoi se të dua, se më do, se duhemi e nuk do të shuhemi…

 

IKJA

 

Nuk më mbetej shumë kohë. Po largohesha pa e kthyer kokën pas. Nuk doja të kujtoja më ditët e trishta. Drita e shpirtit ishte pranë mendimit, pranë shpresës. Nuk doja të mbetesha pa dritën, pa të vërtetën, e cila më tërhiqte duke më treguar udhën të largohesha nga ai vend, ku drita e humbiste ndriçimin, ku rrezja humbiste shkëlqimin e saj.
E vërteta më shoqëronte e bëhej dritë, fliste me mua, dhe më ndihmonte të bëhesha gati për udhë. Edhe një fjalë, një mendim, dhe jam gati…I shkrova në një copë letër, të cilën e vendosa në vendin ku shpirti kishte thurrur ëndrrën e dashurisë, e cila vuajti aq shumë, duke treguar me forcën e saj, sa shumë dhemb e vërteta brenda trishtimit, brenda dijes, tek derdh lotët e dhimbjes për dashurinë, tek hedh hapin drejt kohës që të njeh me misterin e saj, dhe të fton e pafjalë, e heshtur por e sigurt, se ti nuk bën dot pa dashurinë dhe të vërtetën e saj, tek përpëlitesh në detin e misterit, që kapet fort pas teje, duke të shtrënguar me fuqinë dhe ëmbëlsinë e tij.
Kjo është dashuria, që të rrëmben çdo gjymtyrë, dhe e ve në lëvizje nëpërmjet forcës së misterit brenda teje, tek të mëson çdo fjalë dhe gërmë. Dashuria të dhuron buzëqeshjen, e cila shihet e vezullon nga drita e shpirtit që flet me ty, e nuk je më vetëm, tek bashkëbisedon me forcën e saj, tek i shpjegon ndodhitë, ngjarjet e tua, e fuqia jote rritet, e shpirti yt shndrit e i dhurohet bashkimit, forcës që të thërret, duke u dorëzuar e pafuqi brenda saj, tek bashkohesh me mendimin, me tërheqjen e saj, tek ndjen fuqi, gëzim që ndihet, oh sa shumë… deri në rrënqethje, sa bëhet dritë që vezullon me agimin e ditës, me ndriçimin e mbrëmjes, tek i flet qiellit me gjuhën e tij, gjuhë që kuptohet nga engjëj që transmetojnë fjalën e shpirtit, se agoi dita, se u largua nata që prodhonte errësirën e padijes, tek u ndriçua nga rrezja që flet me agimin, me qiellin e pamatë, ku shkruhen fjalitë e shpirtit që përcjellin dijen, që lexohen me lindjen e diellit, me vezullimin e yjeve të qiellit, që shpjegojnë dritën, fjalën e saj, dhuratë dashurie që flet me kohën, që flet të vërtetën se krijesa është dashuri, se krijesa flet me gjuhën e Krijuesit tek dhuron nga dashuria e Tij, dashuri që bëhet fjalë dhe vepër, fjalë që shkruhet dhe lexohet, vepër që jetohet në kohën e dashurisë së përjetësisë…….

 

BESIMI

 

Besimi nuk është grackë për të zënë gjahun e mendjeve të mbrapshta, e feja nuk ngjan me çarkun ku ngec, e nuk shpëton dot.
Shpirti është i lirë, e liria e shpirtit nuk zihet në grackë. Zemërimi i njeriut mund të përmbysë gurë, por jo të godasë Zotin. Lartësimi i shpirtit nuk vjen duke shkelur mbi shpinën e njeriut. Dija e njeriut u ve çengel fjalëve, për t’i varur sipas llojit të mendësisë së vet. E kundërta ndodh me dijen e dashurisë, që lirinë nuk e quan robëri, për ta përdorur të paudhët në padituri!

 

 

PROVA

 

Më tregon për të vërtetën duke gënjyer. I bie borisë së gënjeshtrës duke më prishur gjumin. I shet fjalët e shpresës në tregun e mashtrimit, e përsëri shet mendime të skaduara, të cilat njihen që në paketim. Ndaj nuk afrohem t’i prek! Më duhet të agjëroj në kohën e tundimit. Zgjedh të jem e varfër, duke lënë mënjanë pasurinë që të verbon, sepse pa sy nuk shoh, e pa dritë nuk mundem të jetoj!

 

MENDIMI

 

Të mbaj peshën e mendimit tënd, më duhet t’i kërkoj ndihmë dritës, e cila njeh forcën e dhimbjes dhe rëndesën e shtypjes. Pa dritën më mund errësira, e brenda saj, nuk e shoh dot portretin tënd.
Mund të shkruaj edhe me pika loti, por dua që germat të shkëlqejnë si dielli e të ndriçojnë si hëna, ndaj po i vendos në sofrën e shpirtit, të mjaltëzohen nga dashuria.

Z.TAKO

 

 

BURIMI

 

I paudhi nuk le gjurmë të së vërtetës, sepse e vërteta nuk është këpuca e tij.
Të çalosh nga mendja, i hipën kalit së prapthi, e në vend të shohësh diellin, sheh vithen e kalit.
Mësimi nuk mësohet mbrapsh, ndryshe e mbrapshtë është edhe vepra.
Lulja e dijes, nuk qëndron në duart e të verbërit, i cili nuk di ta njohë e ta dallojë atë.
Dija nuk është një gotë e lënë përgjysmë, por është ujë i gjallë, që rrjedh nga burimi që nuk shterron.
Udha për tek burimi, është e gjatë dhe e vështirë, por ia vlen mundimi për të mbërritur tek ai, kur fiton betejën me armikun e dijes.
Fjala e dijes rëndon për krenarët, por është e lehtë për të përvuajturit.
E lehtë të gjykosh fillimin e udhës së vështirësisë, por tepër i rëndë fundi i saj, për gjykatësit e mbrapështisë!

ZANA TAKO

 

SOFRA E DASHURISE

Sofra e dashurisë, nuk të ushqen me mendimin e qoftëlargut!  Veshja e mendimit të tij, të dallon në veprime të cilat të turpërojnë!  Turpi, nuk është kurorë e dashurisë, por është vello e zezë, që të dallon në sytë e njerëzisë! Me turpin nuk mund të mburresh në njerëzi, e të thuash: “A jam e bukur tani?”  Bukurinë nuk ta zbeh dashuria, por ta shëmton tradhëtia, e cila mbetet njollë që nuk lahet me sapunin e njerëzisë,  por dallon si vepër e mbrapështisë!  Amen!

 

FALJA

Fali ata që bëjnë keq. Shpirti nuk ushqehet me urrejtje, se mbetesh pa kokë, e pa kokë nuk e drejton dot trupin dhe shpirtin.
Falja ta udhëheq mendimin, e jo urrejtja. Urrejtja të bën ta humbasësh drejtimin dhe fillin e jetës, e me urrejtjen nuk bën prokopi, se ta merr të gjithë pasurinë e shpirtit, e të le varfanjak për të gjithë jetën!