MARIA CURATOLO
PËRGATITI DHE SHQIPËROI ANILA DAHRIU
“Natyrisht, bashkohen ata që, për të mirën reciproke, e shoqërojnë njëri-tjetrin.”
Tomaso Campanella
KU ËSHTË MËKATI
Përgjatë rrugëve të fshatit,
gryka hesht, heshtjet bubullojnë.
Ne jemi në të njëjtin det,
idetë fundosen.
Ku është mëkati?
Këmisha të gjera formojnë,
rrjeta zinxhirë,
ku loti i papërvojë rri pezull,
në pritje.
Ku është mëkati?
Në pragun e këngëve të ngjirura,
ngjiten kuturu
gjarpërinjtë, karkalecat, merimangat.
Ku është mëkati?
Na ktheni udhën.
NË CUTRO
Në Cutro, në detin tonë,
një Zot e hoqi kripën.
Baticat kanë peshkuar
jetën që nuk gjendej aty.
Tashmë, në ujërat e qeta,
mbetet mishi i njeriut,
shitet lirë,
një hap larg varkës.
Pitagora ka mbyllur
hipotezën e bukur.
Magna Grecia u mbulua
nga luftëtarët e hutuar.
Njeriu noton,
mbyt shpresën.
Detarët zberthejnë
nyjet në mes të gjoksit.
Retë e trullosura
vishen me të bardha,
e zeza i ngatërron
në mes të shumë të këqijave.
HIRI MBI KALABRI
Hiri mbi Kalabri,
Aspromonte po qan.
Rrjedhin përroje dhimbjeje
në rrudhat mijëvjeçare.
Ari jeshil është mes zjarrit.
GURËT
Le të jetojmë të gjithë këtë jetë,
duke lidhur mendime me gurët.
Të ekuilibrojmë gëzimet dhe hidhërimet,
të gjithë të mbytemi në një det dashurie.
Duke pritur rrymë të shqyer,
do të kemi lotë të kripur,
ditë të mbuluara nga lodhja,
shplodhje në një shtrat të papritur,
në një kthesë të pamëshirshme të origjinës.
Dhe ishte Njeriu,
në një frymëmarrje hyjnore,
që dashuron,
jeton,
lufton,
fiton.
Fjalët, të shkruara mbi tavolinë,
të vendosura dhe të ngjyrosura me siguri,
për të klithur një dyshim,
një kujtim të hijeve dhe gjurmëve,
të cilat i ka fshirë deti.
HËNA BLU
Mendime dërrmuese
në renditjen e kujtesës,
nga kafshimet e kohës,
dhe ikin ngadalë
në fëmijën e panjohur,
për të vizatuar
të vërtetat kozmike.
E gjej atje,
në natën tënde të errët,
mesnata blu.
Hapësira të pafajshme
vishen me modesti,
duke pritur një mëngjes
me kafen e hidhur.
NJË HAP LARG NESH
Një hap larg nesh,
era e lindjes
djeg shpirtrat.
Një hap larg nesh,
në dyert e shpresës,
poezia rikthen bukurinë.
Një hap larg nesh,
coptohen mendimet,
në vjollca mendimesh.
Një hap larg nesh,
lulë zoi trëndafili,
u bë tapeti i kuq.
Një hap larg nesh,
vallëzojnë vargjet
të poetëve.
Një hap larg nesh,
krizalizat në fluturim.
Një hap prej nesh,
kostumi gri i kësaj kohe,
tashmë është vjollca që ngulmon
shpresën.
UNË DUA
Dua të prek
plagë të gjalla tek të tjerët,
jo llogari të shkruara
të një shteti tjetër.
Dua të njoh
njerëz të tjerë,
që sjellin, në mikrobe të kalbura,
pemën e kristalit.
Dhe papritmas,
unë dua.
Nuk e di për çfarë gabimi,
më në fund, Dashuri.
FLUTUR
Në një cep të qiellit
të pashë.
Të kë qyrra,
të vështrova
me sy të rinj.
Kishe krahë të purpurt
dhe fluturoje lart.
Ti ishe e imja,
isha unë.
HUMNERA
Humnera
copëton siguritë,
fundos shqisat,
gllabëron fjalët.
Djajtë kërcejnë,
e shkrijnë egon.
Shkë rmoq lë mshin
dhe gjen përsëri fillin.
Më çon më tej,
rrathë koncentrikë,
tek e kthejnë fjalën
lakuriq.
Aty gërmoj
dhe gjej “Unin tonë ”.
KALABRIA
Është në ajër vajtimi i sirenave,
i luten këngës për bukurinë tënde.
Era e flladit të detit
është në kopshtet tona shekullore,
te baballarët tanë.
Kalabria, dhe kështu qoftë:
aroma e bergamotit
është kujtesa,
diamantet e borës mbështeten
në malet e Silës.
Gjilpërat e pishës Loricato
i shkelin syrin Pollinos.
Kalabria, dhe kështu qoftë:
peshkatarët, si për një Orakull,
i binden detit.
Kthimi është premtuar në çdo
nisje.
Gjemba të egra të fikut të detit
përgjojnë nëpër kodra.
Kalabria, dhe kështu qoftë:
shkurret vishen me ngjyrë të verdhë.
Në fushën e Sybaris,
portokallia e klementinave
janë flokët që shkrihen në mendime,
sytë e ndritshëm të ullinjve dhe të vreshtave,
dritë vaji dhe vere.
Kalabria, dhe kështu qoftë:
në detin Jon, lart te limonave,
pikturojnë lindjet e diellit grek,
dhe mbi detin Tirren perëndimet
janë një përqafim jetësh.
Dhe Kalabria
qëndron E PAFAJSHME.
Kur mora në duar këtë broshurë që lexohet me një frymë, ndjeva brenda meje një drithërim që më ngushtonte frymëmarrjen.
Këto poezi janë një thesar ndjenjash, simbolesh dhe reflektimesh filozofike, që trajtojnë temat e dhimbjes, shpresës, dashurisë dhe lidhjes me tokën e origjinës.
Një lexues i kujdesshëm gjen një botë të pafundme, ku gërshetohen të gjitha elementet kryesore të jetës, duke na i dhuruar Maria Curatolo me këto poezi. Janë vetëm dhjetë poezi, por një univers i tërë brenda tyre. Poezi që përshkruajnë humbjen e orientimit moral dhe shpirtëror në shoqëri. Pyetja e përsëritur “Ku është mëkati?” sugjeron kërkimin e përgjegjësisë dhe kuptimit në një botë të përfshirë nga kaosi.
“Grykat që heshtin, rrjetat zinxhirë dhe loti pezull” përfaqësojnë mungesën e komunikimit dhe shpresës, ndërsa këngët e ngjirura dhe gjarpërinjtë simbolizojnë një botë të ndotur nga konflikti.
Poezia “Në Cutro” më goditi më shumë, duke qenë vetë një dëshmitare e një udhëtimi të tillë drastik, në kërkim të një jete të re. Unë pata fatin të lundroja nëpër detin e shpresës, por shumë bashkatdhetarë të mi humbën jetën e tyre në thellësitë e Otrantos. Një tragjedi e pashmangshme.
Maria derdh vargjet duke na lejuar të kuptojmë dhe të reflektojmë thellë mbi tragjedinë aq tronditëse dhe raportin e njerëzimit me detin (herë paqësor, herë përmbysës), për jetën dhe historinë. Në këtë poezi, autorja përdor simbole të fuqishme dhe kontraste për të përçuar ndjenjën e humbjes, dëshpërimit dhe absurditetit të fatit njerëzor. Deti, nga një burim jete, shndërrohet në një dëshmitar të vdekjeve tragjike.
“Mishi i njeriut shitet lirë” dhe referencat te Pitagora dhe Magna Graecia përçojnë një kontrast mes historisë së lavdishme dhe gjendjes aktuale të vuajtjes.
Toka që dhemb, tek poezia “Hiri mbi Kalabri”, përshkruhet si një tokë që vuan nga plagët e historisë dhe shkatërrimit. Aspromonte që qan dhe ari jeshil mes zjarrit shfaqin bukurinë dhe shkatërrimin e saj. Këto janë metafora për vuajtjet historike dhe dhimbjen e trashëguar.
Disa poezi na ftojnë në një reflektim mbi jetën, për ekuilibrimin e saj, për të pranuar gëzimet dhe hidhërimet. Gurët dhe deti përfaqësojnë stabilitetin dhe pafundësinë, ndërsa kthesa e pamëshirshme e origjinës sugjeron rikthimin në esencën e qenies.
Nuk mund të lija pa përmendur dy fjalë mbi poezinë “Hëna blu”, një meditim kozmik që eksploron kujtesën dhe të vërtetat kozmike në mes të errësirës dhe dritës. Hëna blu përfaqëson misterin dhe hapësirat e pafundme të ekzistencës, ndërsa kafeja e hidhur simbolizon kthimin në realitet.
Pa dashuri dhe ndjeshmëri, nuk ka shpresë. Poezia “Dua” është një deklaratë e fortë e dëshirës për të ndjerë dhe përjetuar dashurinë dhe vuajtjen e njerëzve. Është një qëndrim humanist dhe përkushtim ndaj humanitetit. Plagët e gjalla dhe pemët e kristalit përfaqësojnë plagët e jetës dhe bukurinë që del prej tyre.
Poezia “Kalabria” është një himn për Kalabrinë, që i bën homazh natyrës, traditave dhe bukurisë së saj të lashtë. Poezia mbart krenari dhe dhimbje për një tokë e cila mbetet e pafajshme përkundër plagëve të saj. Aromat e bergamotit, ullinjtë dhe vreshtat simbolizojnë begatinë dhe kujtesën kulturore, ndërsa kthimi i premtuar në çdo nisje sugjeron ciklin e jetës.
Këto poezi janë një përzierje mjeshtërore e elementeve lirikë, filozofikë dhe simbolikë. Ato shprehin ndjenja të thella për jetën, vuajtjen dhe shpresën, ndërsa mbështeten fuqimisht në peizazhet dhe kujtesën historike të Kalabrisë si një pikë qendrore. Çdo poezi përçon një ndjesi të veçantë, duke përfaqësuar aspekte të ndryshme të përvojës njerëzore dhe lidhjes me natyrën dhe kulturën.
Dhe në fund, do të doja të shtoja urimet e mia për poeten, për një rrugëtim të pafundëm në thurjen e vargjeve, duke na dhënë emocione të forta që dalin nga një shpirt aq i ndjeshëm si një deshimtare e të gjitha ngjarjeve që ndodhin në harkun e njerëzimit.
Pena të tilla janë të domosdoshme në kohën tonë të turbullt, ku ndjeshmëria, parimet dhe egoizmi kanë tejkaluar caqet e kuptimit.
Kjo botë ka nevojë për paqe dhe harmoni dhe miresevijnë vargje kaq domethenë se.
Anila Dahriu
Biografia
Lindur në Corigliano Calabro (CS), ku vazhdon të jetojë, ka një karrierë si fizioterapiste. Përveç profesionit të saj, ajo kultivon një pasion të madh për shkrimin e prozës dhe poezisë, me një interes të veçantë për poezinë pamore.
Ajo redakton rubrikën “Tregimet e Shpirtit” në revistën dymujore MONDIVERSI të Corigliano-Rossano dhe kontribuon aktivisht në disa shoqata social-kulturore të qytetit, duke dhënë një ndihmesë të vlefshme për rritjen personale dhe kolektive të komunitetit.
Si përgjegjëse për “Laboratorin e Gruas” të shoqatës Mondiversi, ajo kujdeset për recensionet letrare dhe organizon “Lexime në katund”, ku trajtohen vepra nga autorë të ndryshëm. Në të njëjtën kohë, bashkëpunon me shoqatën Schiavonea dhe Sant’Angelo Pullit.
Pasioni i saj për poezinë dhe shkrimin e çon në eksplorimin e vazhdueshëm të stimujve të rinj krijues, duke qenë pjesë aktive e Universitetit të Poezisë “Juan Ramon Jimènez”. Ajo është gjithashtu një kontributore e rregullt në historinë e revistës dyvjeçare të letërsisë “La Vallisa”, e drejtuar nga profesori Gianccane, dhe është autore e një serie tregimesh surreale.
Me dedikimin e saj ndaj artit dhe kulturës, ajo vazhdon rrugëtimin e saj krijues, duke ndikuar pozitivisht në komunitetin letrar dhe artistik që e rrethon.
PËRGATITI DHE SHQIPËROI ANILA DAHRIU