Gazeta Nacional Albania

Marjeta SHATRO – RRAPAJ MAREVITA: DASHURITË E MËDHA, POEZI

Marjeta SHATRO – RRAPAJ
MAREVITA
DASHURITË E MËDHA

Dashuritë e vërteta,
nuk i gërryen ankthi,
nuk i tret as koha,
janë eterne,

fluiditet ajri
përthithur shpirtit.

Dashuritë e mëdha
nuk kanë nevojë për betime,
janë të pavdekshme,
lindin vetëm një herë

rriten shenjtësisë jetë
e vdesin bashkë me dhimbjen.
Nuk njohin dënesje,
as klithma verbimi.

Përjetësisht mbeten dritëza të bardha
që ndriçojnë errësirën,
në nanurimë dehëse
përgjithmonë përndritje.

ANKTH PANDEMIE

Nata nxin,
gjithçka fshihet në errësirë
ne heshtim të shurdhuar mes ngjarjesh,
pa ëndrra, pa asnjë iluzion si vdekja.

Ankthi i së nesërmes na mbyt,
Bota do të vazhdojë të rrotullohet
në Universin e zi,
e vetmuar, pa shoqëri…

Na dhimbset vetja,
na dhimbset ajo,
lutemi për të, për ne
kërkojmë mëshirë
për ditët që do të vijnë,
për shpëtim shpirtrash e rrahje zemrash,
kobi të mos vijë asnjëherë pa lajmëruar.

DETI

Në breg të detit luaj si fëmijë
mbi kokë qielli, kurorë dielli,
gjatësi valësh prehur shpirtit tim
në pafundësi humbet shikimi.

Paqe në kufijtë e horizontit,
gjelbërim i shenjtë ishullit,
era ngatërrestare trazon flokët,
deti shpërthen në stërkala të bardha,
harruar pas teje, magjisë së thellë blu

dëshira e heshtur, pragu i fundvjeshtës.

TË LUTEM

Të lutem, mos ma shkul zemrën,
mos ma përgjak ëndrrën,
mos ma prej gjuhën e heshtjes,
ndihem pranë zotit
mbrojtur në guaska deti,
jam pika e lotit të ngrirë.

Nuk gënjehem me fjalë nanuritëse,
besoj vetëm në peshën e fjalës në peshore,
kuptoj aq mirë mashtrimin optik
të botës virtuale.

Jam e pafuqishme si qenie,
zhgënjehem nga natyrat egoiste,
preferoj më mirë vetminë e madhe.

KËSHTJELLA E ËNDRRËS

Gjithmonë pas krishtlindjes
mbeten pesë ditë,
projektimi i kështjellës së ëndrrës
për Vitin e Ri,
themelet ia ndërtojmë
me gurët e Hënës.

TRILL

Në odisenë e jetës,
me ndihmën e muzave
pikturoj fytyrën e kohës
e vargjet i nxjerr
nga sytë e përlotur të meduzave…

TRILL

Në odisenë e jetës,
me ndihmën e muzave
pikturoj fytyrën e kohës
e vargjet i nxjerr
nga sytë e përlotur të meduzave…

FJALËT E NDRYDHURA

Nuk mjafton një jetë për t’u dashur
Afër na ndajnë fjalët
Larg na bashkon heshtja
Duam të flasim
Po nuk dimë çfarë të flasim
Dukemi një çast
E zhdukemi çastet e tjera
Më bukur flet dhembja e mungesës
Kemi vrarë ëndrrat shpresat
Helmuar shpirtrat prej kohës vuajnë
Netët ikin ngadalë

NË PRITJE TË DRITËS

Shiu lan heshtjen
mendimet ngatërrohen –
digjen mbyturazi,
tymi i tyre mpin gjykimin.

Krijohet kaosi i fjalëve,
lëndojnë plagët e shpirtit kristal
shkaktuar nga monstra
që thajnë shpresat –
i kthejnë në dimër…

DILEMË E MARRË

Kur trupi ka shumë dhimbje,
truri kthehet në vend lutjesh.
Djegin lotët, bien pa zë,
në kërkim të shpresës.

Kur lodhesh nga ditë brengash,
kërrusje prej dilemës:
“Të rrosh a të mos rrosh?”

Shpirti dëneset, psherëtin,
heshtje e rreme.

Pyetje e ndrydhur për zotin:
“Të iki apo të rri?!”

Orë e trishtë e mbërthyer
në rënkime, përpëlitje…

Melodia e sëmundjes
britmon si e çmendur,
dorëzuar me sytë drejt qiellit,
nuk di çfarë pret.

MOS U TALL ME JETËN

Drita e Diellit
nuk ngroh më,
i ngrin të gjitha skajet e errëta.

Është Diell i akullt
që qesh me qesëndi,
lëndon thellë
plagët e shpirtit,
që kullojnë gjak.

Pse kështu, Diell?
Lulet e brishta,
vetëm një rreze duan,
jo puthje me hipokrizi.

Pse si kameleon
fshihesh pas stinëve? Pse?
Pse kaq zhgënjim i fal jetës?

Ajo sytë ngulur i ka në ty.

Çfarë thyhet
nuk ngjitet,
kot të kërkosh!

DO TË IKIM

Do të ikim nga trupat tanë,
nuk do të banojmë më këtu,
do të shuhen ëndrrat bashkë me ne.

Buzë galaktikave do të rrimë në pritje
duke parë yjet që shuhen,
duke u zhytur në pluhurin e harresës
mes mbeturinave të kohës

grumbulluar nga stuhitë.

DRYSHE…

Kujtimet flasin heshtur
brigjeve të vetmisë,
valët e harresës ikin e vijnë
duke i gërryer pa reshtur.

Në kryqëzim takimesh, përqafimesh
shkumëzojnë mijëra fjalë
fshehur qetësisë së përjetësisë,
honeve relative të përkohshmërisë

tërheq zvarr trishtimin e pafjalë.

EKILIPS ZEMRE

Mendohem,
hutohem,
trishtohem,
për çastet e ikura në harrim.

Por zemra nuk plaket,
ndizet,
digjet,
përgjërohet për dashurinë.

MUZË

Ti troket zemrës së vargut,
hyn brenda e luan me ndjenjën,
herë vjen si stuhi e rrëmbyer,
lëshon breshrin e bardhë
e zhdukesh si me magji,
po qielli i jetës ndrin
kur dritat e mendjes
depërtojnë në tërë qenien
që digjet dashuri për lirinë e fjalës,
poezia mban emrin tënd.

PËRZIER ME SHI

Kur të bëhem zog malli,
Do të fluturoj mbi degë vetëtimash,
sa herë të bjerë shi –
për të sjellë dritën e shenjtë
të shpirtit lajmëtar të ditës së re,
për ju, o njerëzit e mi…

PARAJSA IME

Fjalët e shpirtit
si shkëndija vezulluese
po i mbledh një nga një
si Venusi për të rikrijuar veten nga e para
mbi detin e shkumëzuar të pasionit azur,
duke ndjekur ritmin e një valsi elegant
për akordim ekuilibrues të vazhdimësisë
në kohën e sundimit të marramendjes kolektive
në hapësirat boshe
me psikozën e pandjeshmërisë