Gazeta Nacional Albania

Mark Cinque: Takime treditor poetike në Bisceglie, Itali, organizuar nga Beppe Costa Incontri

Përktheu nga origjinali: Era Buçpapaj

“Fjalët si dashuri, fjalët si armë” në Bisceglie

Nga Mark Cinque

“Fjalët si dashuri, fjalët si armë” titullohet antologjia dygjuhëshe e botuar nga “Edizioni Pellicano Cult 2023” ku përfshihen poezi dashurie dhe lufte që i kundërvënë frymën e kolektivizmit si një “ne” e përbashkuar prirjes së përgjithshme në rritje të individualizmit si një “unë” i veçuar. Më tepër sesa titull libri, ky është thelbi i takimit ndërkombëtar poetik dhe muzikor që do të zhvillohet nga data 17 deri më datën 19 shtator në Bisceglie, Itali, me të ftuar të shquar.

Nisma buron nga një ide e Beppe Costa, poet, shkrimtar, botues dhe librashitës nga Catania, tanimë i ngulur në Romë. Mes shumë arritjeve të mëdha të tij, spikat “Ligji Bacchelli” që u mundësua falë përpjekjeve këmbëngulëse të këtij veprimtari të paepur në bashkëpunim me Adele Cambria. Ai ende beson me forcë se poezia, krahas gjuhëve të tjera të ndryshme të artit, mund të na ndihmojë të ruajmë atë pak bukuri që i përket llojit tonë.

Kjo është shprehje e një lloj rezistence të përbashkët të realizuar nëpërmjet pjesëmarrjes virtuale dhe fizike për t’u mbledhur bashkë të çliruar nga çdo lloj antagonizmi, nga çdo lloj gare, nga çdo lloj narcisizmi dhe nga çdo lloj sëmundje tjetër e këtyre kohëve. Përgjatë tre ditëve në skenë do të shfaqen artistë të kalibrit të Marcos Vinicius, një ndër kitaristët dhe kompozitorët klasik brazilian më të zotët në skenën botërore, i cili, së bashku me sopranon Marzia Pedone dhe korin polifonik “New Chorus”, do të japin një koncert të jashtëzakonshëm në Katedralen e Bisceglie-s.

Gjithashtu në ditët në vijim Vinicius do të shoqërojë me melodi leximet e poetëve të pranishëm. Mes tyre ia vlen të përmendim emra të tillë si Luan Rama, Poul Lynggaard Damgaard, Nguyen Chi Trung, Ukë Zenel Buçpapaj dhe shumë të ftuar të tjerë, gra e burra, italianë dhe joitalianë, që e kanë bërë poezinë armën e tyre të fuqishme për të mbrojtur gjithçka që prapë mund t’i sjellë shëndet dashurisë, tolerancës dhe solidaritetit.

Disa autorë të përfshirë në këtë përmbledhjeje të fundit, duke qenë alergjikë ndaj turmave autoreferenciale që kanë pushtuar botën e poezisë, kanë kohë që u janë kushtuar projekteve botuese solidare si “SignorNò” dhe “Poeti da morire”, këtyre dy antologjive historike kundër luftës dhe dënimit me vdekje.

Takimet treditore, përveçse në Katedrale, do të zhvillohen në manastirin e San Pietro Apostolo dhe në kështjellën normanosvabiane të Bisceglie-s. Të dashurohemi dhe të armatosemi me fjalë të shkruara dhe të folura për ta shndërruar këtë libër të ri me poezi në një mundësi mirëkuptimi, njohjeje dhe rritjeje të shoqishoqshme, ku mes shkrimtarve dhe lexuesve, mes folësve dhe dëgjuesve, të mos ketë më ndasi, as dallime.