Marcello Asllan: Përjetime të një mbrëmjeje poetike romane, organizuar nga Beppe Costa.Solli në gjuhën shqipe Era Buçpapaj

“Mbajtja e një zotimi të marrë para vetes falë kozmogonisë së ndjenjave, pasionit dhe fatit, të jep nder. Kur vizitoi Galilenë, pastaj Shqipërinë dhe Kosovën, ai nuk mund ta kishte marrë me mend se do të takonte dy sy të aftë për të mbartur brenda tyre bukurinë dhe dramën, poezinë dhe asketizmin, magjepsjen dhe humnerën. Nën këtë yll midis Beppe Costa-s dhe Ukë Zenel Buçpapaj lindi miqësia e ndriçuar tashmë edhe nga dy yjësi të një dhembshurie të thellë që vijon t’i lidhë ata ngushtë njëri me tjetrin, vajzat e këtij të fundit, Era dhe Adela. Nuk është e lehtë për një profesor shqiptar të letërsisë krahasuese të vijë në Itali. Përveç kësaj, nuk kemi se si të mos i përmendim andrrallat me të cilat Beppe-s iu desh të përballej në Sardenjë gjatë vitit 2018. Si të mos mjaftonin këto, të gjithë ne na privuan nga liria brenda për brenda shtëpive tona klasat sunduese (të dukshme dhe të padukshme) që së shpejti do të gjykohen nga vetë historia. Shumë kohë kaloi. Dymbëdhjetë vite. Do të vijë çasti që çështja e kohës që kalon kështu, fshehurazi, do të duhet të sqarohet. Por jo këtu. Video-takimet arritën ta zbusnin pamundësinë për t’u përqafuar me njëri-tjetrin, për t’u parë në sy. Megjithëkëtë, koha nuk e ka venitur dëshirën për t’u takuar përsëri dhe për të ecur krah për krah me krahët e kryqëzuar pas shpine krejt të sigurt në vetvete. Prush nën hi. Pikërisht për këtë! Pa ngurruar, sapo konjuktura gjeopolitike dhe ajo shëndetësore e lejoi, Beppe ia nisi punës për të nderuar miqësinë e tyre. Libraria Pellicano Libri, një urë qytetërimi brenda një zone të vogël periferike, që ofron shumë pak për banorët e atyshëm, është shndërruar në një bujtinë të mrekullueshme të poezisë, në precipitatin njerëzor që ne e quajmë dashuri. Poezia dhe muzika… muzika dhe poezia… poezia dhe muzika… në një valle emocionesh që të bën të ndihesh i mrekulluar dhe i lirë. Përveç Ukës, “Çmimin e Karrierës” e fituan dy muzikantë që i dhurojnë botës artin e tyre, duke e sjellë shpesh në këtë copëz të vogël të planetit tonë, në periferi të Romës, në lagjen Casalotti. Njëri quhet Marcos Vinicius, kitarist dhe kompozitor klasik brazilian. Një histori dashurie e përjetshme. Në faqen e tij zyrtare do të mund të mësoni se si ajo lindi. E meriton vëmendjen tuaj (https://www.marcosvinicius.it). Një burrë me një aureolë mistike. Është bekuar me dhuntinë e besimit…e thënë më mirë, besimi gëzon shpirtin e tij. Dhe ne muzikën e tij. Tjetri quhet Nicola Alesini, saksofonist dhe kompozitor. Bujaria është shenjë dalluese e tij. Dhe pikërisht kjo është fuqia shtytëse që i jep atij mundësi t’i shkrijë tingujt muzikorë dhe leximet poetike në një. Ato, si dallgët e detit, i përkundin dhe i shpien tutje-tëhu fjalët e poetëve. Kujtojmë pjesëmarrjen e çmuar të Marco Cinque. Poet i shkëlqyer, multi-instrumentalist, fotograf dhe shumë më tepër. Plot humanizëm dhe mirësi të tejskajshme. Era Buçpapaj, poete dhe përkthyese, u vlerësua me çmimin “Talenti i Ri”. E pranishme ishte edhe Sara Capoccioni që e jeton jetën si një pilivese, duke fluturuar sa aty-këtu. Daniela Dante, tanimë pjesë e familjes së madhe të poetëve që marrin pjesë në takime e shumta, vjen për herë të parë në Romë për t’u njohur nga afër me Beppe-n. Lidia Popa, poete dhe përkthyese, e lindur në Rumani, jeton prej shumë vitesh në Itali, shkruan poezi në gjuhën e saj të re, poezi që përcjellin një tension emocional hipnotik. Odeh Amarneh, poeti, biografia dhe poezia e të cilit thuren njëra me tjetrën, duke sjellë në jetë një kor zërash që e shpien lexuesin në tema fort të dashura për të: atdheu, babai dhe dashuria. I sjellshëm, ai përherë u drejtohet të tjerëve me shumë hijëshi. Patrizia Nizzo, poetja, mirësia dhe thjeshtësia e të shkruarit të së cilës shndërrohet aty për aty në këngë. Antonella Caiola, e cila tashmë ka rrëmbyer një pjesë të zemrës së Beppe-s, punoi për t’i rregulluar pjesët biografike si duhet dhe tregoi zell të jashtëzakonshëm për rifillimin e mbrëmjeve poetike në librari. Falë saj, mund t’i shihni në rrjet, pavarësisht se ku gjendeni. I fundit, por jo për nga rëndësia, Vito Davoli. Gazetar, poet, dizajner, sipërmarrës… por mbi të gjitha, mik i madh i Beppe-s. Dashuri dhe respekt i ndërsjellë. Në mbyllje, më lejoni t’i falënderoj poetët që krijimet e tyre ia besuan zërit tim, si dhe të gjithë pjesëmarrësve në atë mbrëmje magjike për të cilën secilin nga ne tanimë e ka filluar ta marrë malli. Pa harruar Matteo Cavicchini-in, pianistin, mësuesin dhe dirigjentin e korit të fëmijëve “Les choristes”, bashkëudhëtarin e shumë takimeve të tilla. Për shkak të angazhimit në një koncert, ai e pati të pamundur të ishte i pranishëm fizikisht në këtë takim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here