Rafaela Prifti , New York: Protestat Studentore Pro-Palestineze, Reagimet e Drejtuesve, Arrestimet – Deri Ku Do Shkohet?

Java e dytë e protestave studentore pro-palestineze në universitetet amerikane dhe në Evropë ka bërë pjesë të diskutimit qëndrimin e tyre dhe vështirësinë që kanë drejtuesit e shkollave në situatën e krijuar. Lëvizja filloi në parkun e madh të Columbia University në Nju Jork javën e kaluar. Për studentët, shkeljet e të drejtave dhe shkalla e padrejtësisë në Gaza eklipson çdo gjë tjetër. Numri i të vdekurve, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, ka arritur në 30,000, lagje të tëra janë rrafshuar nga bombardimet izraelite. Forcat e Izraelit pengojnë hyrjen e ndihmave humanitare duke e rënduar edhe më shumë ekzistencën për të mbijetuarit. Studentët protestues e shikojnë këto si akte barbarizmi dhe kërkojnë të ndalohen investimet me kompanitë që financojnë luftën e Izraelit në Gaza. Protestat sjellin frymën e viteve ‘70 të demonstratave studentore kundër luftës në Vietnam apo kundër aparteidit në Afrikën e Jugut. Kërkesat e studentëve fokusohen në shkëputjen nga kompanitë që bëjnë biznes me Izraelin ose janë prodhues të armatimeve. Disa studentë i paraqesin protestat nga këndvështrimi i lirisë së fjalës.

Për krahun tjetër, dueli studentë-administratë ka më shumë në thelb demaskimin e agresorit dhe të drejtat e të shtypurve sesa të drejtën e fjalës. Dhe nëse e thjeshtësojmë edhe më tej, analistët vërejnë se kjo është përballje midis rendit dhe kaosit. Studentët kanë thyer rregullat e shkollës duke ngritur tenda në vende publike dhe duke prishur rendin. Në Vanderbilt njëzet studentë hynë me forcë në zyrën e presidentit të fakultetit duke lënduar një nga rojet e sigurisë. Në Universitetin e Texas-it forcat policore, të veshur me pajisje speciale, bllokuan studentët dhe arrestuan njëzet protestues.

Rregullat janë baza e sistemit dhe pa ato shoqëria rrëshqet në kaos, thonë drejtuesit e këtyre institucioneve. Në disa media protestuesit pro-palestinezë janë krahasuar me grupime të të bardhëve kundra integrimit racor në kohën e Presidentit Eisenhower, ose turma pa kontroll deri në grupime antisemite, siç i quajti Kryeministri i Izraelit Netanyahu. Por analogji të tilla nuk kanë fituar popullaritet. Arsyetimi se studentët janë ata që po thyejnë rregullat ka kundër-argumentin se as Izraeli nuk e ka respektuar ruajtjen e rendit duke ndërmarrë agresion në territorin palestinez, ndërsa të tjerë thonë se pikënisja është Hamasi ndërkohë që një pjesë besojnë se pushtimi izraelit është arsyeja e një konflikti të pandërprerë.

Pyetja është çfarë do të ndodhë më tej?

Protestat studentore vazhdojnë dhe ceremonitë e diplomimeve po afrojnë.

Columbia University ka njoftuar se kurset do vazhdojnë në modelin hibrid. Policia ka ndërhyrë në protestat studentore në Emerson College, shkollë private, si edhe në UPenn, në Texas dhe shtete të tjera. Në Northeastern University në Boston, njësitë policore nuk ishin në gjendje të mbronin protestuesit nga provokimi i një individi kundërprotestues, sipas njoftimeve nga vendi i ngjarjes. Gjatë ditës së sotme janë arrestuar qindra studentë të këtij universiteti.
Universiteti i Kalifornisë Jugore (University of Southern California) ku ka pasur një valë me protesta kundër luftës së Izraelit në Gaza, ka deri tani 100 protestues të arrestuar nga policia.
Sot USC njoftoi sot se ka anuluar pjesën kryesore të ceremonisë së diplomimit. Ky lajm ka dëshpëruar studentët që nuk patën ceremoni mature në vitin 2020 për shkak të Covid-it, dhe që tani nuk do kenë as ceremoni diplomimi nga universiteti.

Foto kortezi burningrosenu Sheshi i NEU pas arrestimeve të studentëve protestues https://www.instagram.com/p/C6RX01sOzhl/?igsh=eXNrcnJ1aGt2NDRz