Shoqata ADER mori pjesë në veprimtarinë kulturore ndërkombëtare Poesia e Musica (Poezia dhe Muzika)

Shoqata ADER mori pjesë në veprimtarinë kulturore ndërkombëtare Poesia e Musica (Poezia dhe Muzika) të zhvilluar më 12 janar, 2023, në librarinë historike Pellicanolibri të Romës, këtë pikëtakim tradicional të figurave të njohura të kulturës italiane dhe të kulturës botërore njëherazi.
Kjo veprimtari kulturore ndërkombëtare e drejtuar nga Beppe Costa (Itali), poet, romancier dhe botues me famë botërore, e pasuroi traditën shumëvjeçare të Qendrës Beppe Costa Incontri–PellicanoCult që ka për qëllim jo vetëm njohjen dhe vlerësimin e karrierës së begatë të figurave të njohura në fushën e letërsisë dhe arteve, por edhe nxitjen e talenteve të reja, duke i frymëzuar dhe motivuar për të ecur përpara në rrugën e nisur.
Në këtë veprimtari kulturore ndërkombëtare u vlerësuan me çmime dy përfaqësues të Shoqatës ADER. Kështu, Ukë Buçpapaj fitoi Premio alla Carriera (Çmimin e Karrierës) dhe Era Buçpapaj fitoi Premio Giovane Talento (Çmimin e Talentit të Ri).
Muzika dhe leximet poetike ishin bukuria e kësaj veprimtarie kulturore ndërkombëtare. Të pranishëm në të ishin: Anita Madaluni; Marcello Aslan; Mjeshtri Marcos Vinicius (Brazil), një ndër kitaristët bashkëkohor më në zë të botës; Mjeshtri Nicola Alesini (Sanremo), një ndër saksofonistët bashkëkohor më të vlerësuar në shkallë ndërkombëtare; Ukë Buçpapaj (Shqipëri), poet dhe përkthyes letrar i shquar; Marco Cinque (Romë), veprimtar, muzikant dhe gazetar në Il Manifesto (Manifesti) dhe Le Monde Diplomatique (Bota Diplomatike); Odeh Amarneh (Palestinë), poet dhe atashe kulturor i ambasadës palestineze në Romë; Era Buçpapaj (Shqipëri), poete dhe përkthyese letrare; Adela Buçpapaj (Shqipëri), pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe përkthyese letrare; poeti dhe kritiku letrar nga Pulia, Vito Davoli, redaktor i kolanës Inediti rari e diversi (Të pabotuara, të rralla dhe të larmishme), si dhe i botimit të kohëve të fundit të krijimeve të pabotuara të autorit Beppe Costa me titull Dall’altra parte dell’orizzone (Në anën tjetër të horizontit, 2022); Daniela Dante (Brescia), poete; Sara Capoccioni (Belgjikë), poete; Patrizia Nizzo (Neptun), poete; dhe Lidia Popa (Rumani), poete etj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here