Site icon Gazeta Nacional Albania

MBËSHTETJE PËR RIORGANIZIMIN E LSHA TË SHQIPËRISË. Nga Albert HABAZAJ

 

 

I nderuari mik Mujo Buçpapaj, nëpërmjet gazetës së vetme mbarëkombëtare letrare dhe kulturore, gazetës sonë “Nacional” po ngre një problem të madh që është kokoplepsur keq për shkrimtarët dhe artistët shqiptarë, që, për mendimin tim, janë jo “si thuprat e Skënderbeut”, por si “trasta në degë”, thuhet një shprehje këtyre hënave nga Vlora, nga Labëria.

Po i përgjigjem pyetsorit të përgatitur nga botuesi, studiuesi, përkthyesi, poeti dhe shkrimtari i njohur dr. Mujo Buçpapaj, duke shprehur qysh në fillim mbështetjen time ende besimplotë në organizimin e domosdoshëm të përditësuar të LSHA të Shqipërizës sonë të dashur, të bukur e hallemadhe:

 

Pyetjet:

 

  1. A është e pranueshme që shkrimtarët dhe artistët shqiptarë të mos kenë sot një organizatë të fuqishme, të pavarur dhe përfaqësuese që mbron interesat e tyre profesionale, ekonomike dhe kulturore, ndërkohë që çdo kategori tjetër profesionale ka strukturat e veta?

 

– Është e trishtueshme, e dhembshme është që ende nuk kemi sot një organizatë të shëndetshme, me autoritet të merituar, po aqsa dhe me përgjegjësi publike dhe kombëtare, që të jetë vërtet e pavarur dhe përfaqësuese për të mbrojtur interesat profesionale, ekonomike dhe kulturore të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, këtyre misionarëve bujarë të shpirtit njerëzor. E quaj fyerje madje të turpshme, që vertikaliteti ynë i trajton shkrimtarët e artistët si mos më keq, ca të nënës, ca të njerkës, saqë jemi të detyruar të shprehemi se vërejmë që ka poetë të politikës e shkrimtarë apo artistë të pushtetit, të përkrahur jo vetëm financiarisht. Nëpër jurira vetëm ata. Nëpër veprimtari, të ftuar e të deleguar vetëm ata, të cilët bëjnë “namin”, përurohen e madhërohen nëpër media e gjithandej, të gjitha i bëjnë, ndoshta dhe qumësht dallëndyshje…, bëjnë e ç’nuk bëjnë për fasadë, po tej fasadës … Ka edhe poetë të qytetit, të shqetësimeve njerëzore, ne të racës sonë, të heshtur, të mërzitur, por që ylli i bukur i ndjenjës, mendimit dhe lulëzimit figurativ nuk e zbeh kurrë ndriçimin, as në furtunë a det shtatë ballë. Kam një poezi të vogël tek “Mërgata e Luleve” (2005), vetëm me 2 vargje, distik: “Sheti im çapaçul/ unë të dua t’i ma ngul”. Na dhemb shpirti. Dhemb guri.

Ti, zotni Mujë, në vëllimin poetik “Fytyrën në shkëmbinj e kam…” (1989) ke edhe këto vargje retorike: “A të dhemb ty, mal,/ plumbi/ në zemër të këngës?”

 

  1. A përbën riorganizimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve një domosdoshmëri historike për të garantuar lirinë krijuese, të drejtën e autorit dhe dinjitetin profesional të krijuesve shqiptarë?

 

– Është vërtet domosdoshmëri riorganizimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, është nevojë historike e kohës, sepse shkrimtarët dhe artistët janë njëkohësisht shërbestarët dhe aristokratët e shpirtit të kombit jo vetëm në edukimin artistik dhe estetik, por pa tjetër edhe në edukimin qytetar, kombëtar dhe universal. Liria krijuese, e drejta e autorit dhe dinjiteti profesional janë Trinia e shenjtë që kjo organizatë me frymë të re, të shëndetshme dhe demokratike të ketë jetëgjatësi të dobishme dhe autoritet të merituar.

 

  1. Si mund të ndërtohet një organizatë e re që të jetë realisht demokratike, pluraliste dhe transparente, duke shmangur çdo ndikim ideologjik, politik, krahinor apo klanor?

 

– Si mund të ringrihet… Një komision nismëtarësh, me përfaqësues nga fushat e letërsisë dhe arteve me zotni Buçpapaj kryenismëtar është i domosdoshëm për të mbledhur shkrimtarët dhe artistët shqiptarë në Kuvendin e Parë të Riorganizimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Kjo lëvizje nis vërtet me vullnetarizëm dhe kërkon seriozitet, përgjegjësi, devotshmëri, sakrifica, por së pari ndershmëri profesionale, aftësi krijuese dhe korrektesë qytetare qysh në fillimet për përmbushjen e misionit. Në këtë organizatë të shpirtit të bukur, të mendimit të qartë dhe realizimit mrekullor, mendoj se vlejnë të jenë ata që e meritojnë për VLERAT LETRARE DHE ARTISTIKE larg çdo ndikim ideologjik, politik, krahinor, klanor apo gjinor dhe kurrkush tjetër, që s’ka lidhje me shenjtërinë magjike të Artit dhe Letërsisë shqipe.

 

  1. Cili duhet të jetë roli i një Lidhjeje moderne të krijuesve: thjesht një shoqatë simbolike, apo një institucion aktiv që negocion standarde profesionale, kontrata dinjitoze, politika botimi dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit?

 

– Shoqatë simbolike?!…  Po pse, pak shoqata, klube e kafenera të shkrimtarëve e poetëve, të artistëve dhe të “gjenive” lokalë kemi anembanë vendit… Njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit. Njëri shkrimtar gjigant, tjetra e paparë. Nëpër studio televizive i gjen orë e çast, nëpër media sociale, (u gri facebooku). E ndajnë apo s’ ndajnë çmime dixhitale apo dhe të printuara nëpër kanceralitë që mall shesin në të drejtën e tyre tregtare. Pa japin apo s’japin dekorata kombëtare e ndërkombëtare (de, more de!) “presidentër” klubesh e kafesh, që as lagjia në fshat apo banorët e pallatit në qytet s’i njohin. Apo dhe i njohin, xhanëm… Po na gufosën, o burr’ i dheut!

Nuk dua të rishpreh shqetësimin e madh që ndjejmë, i cili, të paktën në Vlorë nuk është vetëm imi, por i shumë poetëve e peoeteve, i artistëve, shkrimtarëve, piktorëve, skulptorëve, artiktekëve, karikaturistëve, kompozitorëve, të muzikantëve të tjerë dhe këngëtarëve profesionistë apo artistëve popullorë, kritikëve të letërsisë dhe artit, studiuesve apo historianëve të letërsisë dhe artit… Kurrsesi jo, pra. Nëse Lidhja e Re e Shkrimtarëve dhe Artistëve nuk realizohet si institucion aktiv për të negocuar standarde profesionale, kontrata dinjitoze, politika botimi dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit, më mirë kështu siç jemi, se më keq s’ bëhet, të bëjmë siç kemi bërë, të na lërë në hallin që na ka zënë…

 

  1. Në një kohë kur ekonomia kreative është sektor strategjik në shumë vende, pse në Shqipëri mungon një strukturë e unifikuar që të artikulojë kërkesat e shkrimtarëve dhe artistëve përballë shtetit dhe tregut kulturor?

 

– Mendoj se janë dy arsye “Made in Albania”. Së pari, jemi vetë ne, që u shkërmoqëm e nuk u bëmë bashkë për interesat tona të përbashkta letraro-artsitike e kulturore. Politika po dihet seç parim ndjek: “divide et impera” (lat.), pra, “përça e sundo” ose “përça e pushto”. Dua të kujtoj se një vjershëtor popullor nga Lumi i Vlorës ka shkruar ndër të tjera edhe një vjershë humoristike. Humoristike… është humor i zi në fakt. Ndër të tjera ai thotë: “Në çdo dy shqiptarë/ tre janë presidentë”. Deliri i shkëlqimit të rremë na ka kapluar krejt e s’e mban dot vendi gjithë këtë madhështi, që ku paska qenë… “Me t’hy vedi n’qef” – ka shkodrani mallkimin më të rëndë. Ne na paska zënë, po nuk e kuptojmë, sepse na kanë zënë dhe sytë dhjamë…

Së dyti, e ceka pakëz më lart. Politika e derisotme nuk na do për vlerat tona, por për sa vota do t’ju japim,  ajo të do në shërbim të saj. Të bën një palo qokë e ta merr cipën me okë, ta merr fytyrën. Na mungon shumë politika e drejtë shtetërore, sepse sponsorizimet dhe mbështetja e pushtetit lokal apo qendror bëhen sipas shijeve, dëshirave dhe qejfeve personale. Është domosdoshmëri rizgjimi i krijuesve dhe të kuptojmë që jo unë e s’ka më, por jemi pjesë, pjesëz e së tërës, aqsa, ashtusi, atje ku. Të kthejmë sytë e mendjes së kthjellët e logjikës së shëndoshë nga fabula legjendare e Gjergj Kastriotit me princat e tij, tek u rrëfeu që thuprat të bashkuara nuk i thyen dot as më i forti në botë, as perëndia vetë, ndërsa veç e veç, të ndara të përçara, edhe një fëmijë i thyen lehtësisht…

 

  1. A nuk është koha që krijuesit shqiptarë të kenë një zë të përbashkët institucional për të ndikuar në politikat kulturore kombëtare dhe për të promovuar në mënyrë më të organizuar letërsinë dhe artet shqiptare brenda dhe jashtë vendit?

 

– Ç’m’u kujtua De Rada i Rilindjes Kombëtare me vargun emblematik “Erdhi dita e arbrit” për fatet e kombit. Pikërisht mbas 190 vjetësh na vjen imazhi me dritë i Jeronimit me kushtrimin e tij kaq shumë aktual. Është koha që krijuesit shqiptarë të kenë një zë të përbashkët institucional për të ndikuar në politikat kulturore kombëtare dhe për të promovuar në mënyrë më të organizuar letërsinë dhe artet shqiptare brenda dhe jashtë vendit, për standardet e larta, për krahasimin me të tjerët dhe udhëtimin tonë  letraro – artistik e kulturor, për ndërkombëtarizmin e vlerave të vërteta krijuese, për letërsisë artistike kombëtare, që vijon udhëtimin, për artet figurative dhe muzikore të nivelit të lartë ballafaques dhe të pëlqyer. Kjo kërkon dhe godinën e duhur, të merituar, të justifikuar, jo për lëmoshë, te klubi i lagjes, në shtëpinë time, apo në hyrjen tënde. Që krijuesit shqiptarë të kenë shëndet fizik, shëndet letraro – artistik dhe shëndet financiar duhet mbështetja e shëndetshme nga vertikaliteti dhe serioziteti dhe përgjegjësia e qeverisë është që LSHA e RE të ketë dhe ndërtesën e saj dinjitoze për të zhvilluar veprmtarinë e saj sipas statusit, ligjeve, normave dhe kritereve përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

  1. A jeni dakord që të thirret një Kuvend i ri i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, mbi baza statutore, transparente dhe gjithëpërfshirëse, gjatë këtij muaji, me qëllim riorganizimin dhe riaktivizimin e saj si shoqatë funksionale në shërbim të krijuesve shqiptarë?

 

– Po, patjetër që jam dakord që të thirret Kuvendi i Ri i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, mbi baza statutore, transparente dhe gjithëpërfshirëse, gjatë këtij muaji, me qëllim riorganizimin dhe riaktivizimin e saj si shoqatë funksionale në shërbim të krijuesve shqiptarë. “Hekuri rrihet sa është i nxehtë – thotë populli – përndryshe, ku ishe – asgjëkundi, çfarë bëre, hiç asgjë. Le të shpresojmë. Shpresa vdes e fundit, thonë, por me gjasë nuk ka për të vdekur as për t’u venitur, por do të lulëzojë hijshëm, freskët dhe fisnikërisht bukur, se krijuesit po e ujisin me ujin e pastër që u gurgullon i kulluar nga gurrat e shpirtit të tyre, aq të pasur, aq të pastër…

 

 

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version