Gazeta Nacional Albania

ME I FOL VETMIVE. Poezi nga LOLA MUSLIAJ AGAJ

 

AFROHU

 

Mbasi i ke ndejt
për shumë kohë
stuhisë përballë,
s’ke mâ kohë
me mendue gjatë.
Se të rrokullisen ditët
e të zânë përfundi,
të shpërfytyron jeta
si kurrë mâ parë,
vrapo të thotë
kur ti s’din me ecë,
të kthen në shënjestër
ku ti je vet zemër
e vet shigjetë.

Mbasi i ke ndejt
për shumë kohë
stuhisë përballë,
mbyllesh në guackën
e vetmisë tande,
si perlat në vetminë
e fundit të detit.
Afrohu!!
Je shumë larg !!
Në guackë
ka vend mjaftueshëm
për dy vetmi….

 

 

BARDHËSI

 

Rrotull meje
s’ka kâmbë njeriu,
s’ka ndjesi me më mbështjellë
si mantel i ngrohtë,
në këtë kohë të zhdeshun prej hareje
ku veç qiella shpejton me veshë
nji tis të bardhë reshë.

Loti i ndjeshëm,
i rândë si kambanë
merr me vedi
tanë gazin e pa gëzuem,
tanë dashuninë e pajetueme
e bjen në tokën e etun për jetë,
e çil nji zambak
e çilin dhetë, njimijë,
bardhësi, bardhësi,
zambak i bardhë në shkretetinë.

Hej zemër,
mos më len me andrrue vetëm !!

 

 

MË  NDJEK

 

Më ndjek

kur këputet mbrâmja,

përtej perdeve,

përtej xhamave,

përtej kufijve të kohës !

Kur lulëkuqet e mallit

hapin shpirtnat e tyne

e degët e thame të pritjes

të kërsasin nën lëkurë.

 

Më ndjek,

në marrëzinë teme

tue i dhanë frymë marrëzisë tânde.

Sa herë bulëzat e trishtimit

të mbledhen nyje  në stomak,

sa herë s’din ku me e msheh frigën

frigën për me dashtë.

Në kufinin e andrrës

po s’të gjeta,

unë ku me u mbajt ?!

 

 

ME I FOL VETMIVE

 

Me mujt me i fol vetmive
kur të harrohesh nëpër vite,
kur të tërhekin prej vedit
mbrâmjet e mjegullta
dhe e vetmja gjâ që shkëlqen
janë veç buzët e tua të lyeme
prej zjarrmesh të ndryeme.

 

Me mujt me i fol vetmive
kur ta gjuesh larg brengën,
e me e shoqnue me sy
kur të rrokulliset përmbi kryqe.
E le të ligështohet
a të ulërasin sa të donë
e ti pa dhimtë
me e kthye kryet në tjetrën anë.

 

Me mujt me i fol vetmive
me zemër të lehtësueme…

 

QUO  VADIS

 

Ndodh të thyhesh pa e kuptuar
e për inerci si e marrë të qeshësh ,
të shpalosësh një pikë hareje,
dy pika zhgënjimi thellë të fshehësh…

Ndodh të të ngjitet trishtimi
e të bindesh që të shkon shumë,
melankolia të mbushë egzistencën ,
në krahë zogjsh ta shohësh tek merr udhë…

Ndodh që t’i thërrasësh shpirtit
ku shkon e çfarë do bësh,
ta zësh me hap gjigand,
e si fëmijë në lot t’i rrëfehesh.

Quo vadis shpirti im,
quo vadis në këtë botë të ndyrë ?!!

 

 

 

NË  TY

 

Krejt shkujdesun,
nji lule sillje nëpër gishta,
braktisun në kujtime,
braktisun nga bota.
Ndoshta në ty jam
ajo lulja e paçilun,
aroma që të miklon
në andrrat e hershme
dehje që s’të lëshon,
krojëza t’ ambla dëshire,
në ty kam mbet
dashuni e dhimbje….

 

 

SI   THUA

 

Vjeshta,
mblodhi veshjet,
truket,bizhuteritë,
me hap nostalgjik largohet
e me një pikë lot
në cepin e syrit vjeshtak,
ndërkohë dimri triumfues ngrè supet
sikur të dojë të thotë:
” Kaq ishte, të zura në çark !! ”

Oxhakët djegin dëshira ,
xhamat mbyten në avull,
dhoma djersin në nxehtësi,
bota flë…
…e ne ?!
E di çfarë ?!
Të zhvishemi
nga mendime të acarta dimri,
si thua ,zemër ,
a duhemi ?!!!

 

NË  PRITJE

Udhëtoj nëpër kohë
me orient express,
në epoka të largëta,
në epoka të panjohura…
Sa përqafime
duhet të kenë mbetur
nëpër lampadare varur
nga mungesa e prekjes,
nga pamundësia e gjetjes.

Pritja është e bukur,
romantike,e përmbajtur,
si përqafimi i parë
pas një shtrëngate të tejzgjatur.

E pres…pres…
pres të kem nën këmbë
rërë të bardhë ,të nxehtë,
mbi kokë vetëm qiell blu,
luleqershie të sapoçelura
në përqafim të më rrethojnë,
e krejt afër meje fort të rrahë
një zemër pasionante,
një zemër e bardhë…