Site icon Gazeta Nacional Albania

MË PRIT I DASHUR! Poezi nga Xheva Salihaj

MË PRIT I DASHUR!

Nga Xheva Salihaj

 

 

Xheva Salihaj ka përfunduar Fakultetin e Shkencave Sociale nw Prishtinë. Është një krijuese, poete, publiciste dhe veprimtare shqiptare, e njohur veçanërisht për angazhimin e saj në ruajtjen e kujtesës historike dhe përjetësimin e sakrificës së familjes së saj. Ajo jeton dhe vepron në Austri. Ajo është motra e 5 martirëve të lirisë nga familja Salihaj gjate luftës së fundit në Kosovë (1998–1999).

 

 

NJË GOTË PËR TY!

Vëllait Kemajl Salihaj, tashmë martir i Kombit, i cili sonte do të festonte datëlindjen e tij të 51-të

 

Në këtë̈ natë të 31 dhjetorit

Mbushe përvjetorin e jetësimit-

amshimit, i Miri im!

Je me ne e në ne!

E pritja…pritja…

është jetësimi dhe shëmbëllimi yt!

T’i ngremë gotat, për jetësimin,

për trimërinë̈, për Ne e për Ty!

 

Sonte është ndjesia e natës më të bukur.

Natë e festës së dyfishtë!

Këtej, gosti për një̈ vit të mbarë!

Andej ndjesi për përjetësi!

Gëzuar për tokën e qiellin Arbëror!

 

Rrjedha e gjakut nga toka tek yjet merr vezullimin

e bashkë me rrezet e diellit shkrihen mbi Dardani.

 

Sa shkuaka bardhësia me të kuqen,

ngjyra kafe i bashkon në një̈ trup,

si shqiponja në të kuqin flamur.

Amanetin: Gjokse shqipesh përballë korbave!

Jo, nuk na trandën buçimat, as ulërimat e ujqërve.

 

Përtej mallit datëlindje të bardhë!

Sa herë dekoroja pemën e Krishtlindjeve,

kartolina e urimit, bëhej më e bukur,

merrte kuptimin e fjalët rrjedhin nga shpirti i motrës për vëllanë,

për trimërinë̈ dhe për datëlindjen.

Sonte u hap qielli mori trimin,

për të festuar bashkë lirinë̈ e bardhësinë!

 

Sa brilante bëhej festa,

Nata e fundvitit!

Sa me padurim prisnim përqafimin e Urimit!

Oh, sa më dhemb shpirti që s’ të kam i miri vëlla!

Më mungon ngrohtësia që s’të kam përkrah.

 

Kjo natë më merr me vete,

në thellësi shpirti tymnajë

Kujtimet janë meditimi im

E kuqja lindet në lapidar!

 

Dhe ecin vitet…

përditë shoh si rritet nami

Kudo lexoj e ndiej frymën tende,

emrin të gdhendur në

LIRI.

 

Këtë natë, si shumë net të festave të fundvitit

dëgjoj zërin tënd:

“Motër sonte kam datëlindjen”!

E unë, motra e Konstandinit

vështrimin hedh mbi tavolinë,

aty ku mbet një zemër bosh dhe dy gota relikte në pritje për dolli!

St.Veit, 31.12.2020

 

NËNA, REZISTENCË E DHIMBJEVE TË FORTA

 

Nënë o nënë!

Më thuaj si kështu, fare pa pritur ike prej meje​

sëbashkë me engjëjt

në të pafundmin e kozmosit fluturim?

Tashmë e mbuluar tërësisht

me vellon e bardhë të një reje

e lagur ajo, prej lotëve të shiut të saj,

por më keq dhe me lotin tim.

 

Unë tashmë nuk e di

kush ish ai që më dha mandatën,

Ahhh.. kjo mandata e vdekjes,

e rëndë simbol, fatkeqësie!

Veçse di që në ato çaste

pa pritur dita krejt u err e u bë natë

Teksa u nisa për te ty,

më kot të paskam pritur të më vije.

 

Deomos ti luftoje për jetën,

sikurse në jetë, na solle me të qara

Përmes dhimbjeve të tua,

asaj i dhe, të madhin kuptim

Por ja që dhe ndodhëka

që të qarat e mia, dikur si foshnjë

Nuk mu ndanë së shoqëruari,

në më të madhin hidhërim.

 

Veçse jeta është e çuditëshme

me rregullat e rrepta të saj.

Ajo nuk më pyeti kurrë se ç’ndeja unë për ty

në timen zemër

Por me siguri, ti për mua për pak çaste

ndalove kohën e pastaj

Përmes lotëve që rreshkitën,

pa folur më thirre lehtë në emër

 

Ehh sa shumë e shumë gjera të pabesueshme

mbart kjo botë!

Mbase dhe sot se si ndodhi

nuk mund të kuptoj dot kurrësesi

Veç shpirtin nënat kurrë nuk e japin,

por dhe ai nuk del dot

Nëse nuk ndien mbi ballë, dorën e vendosur,

prej të vetit fëmi

 

Nënë! Nuk e di, por me hijen e vdekjes,

pse mu duke aq e bukur?

Lotin e fundit teksa pashë të rrokullisej

ngadalë mbi të zbehtën faqe

 

Jo, jo nuk e fshiva aspak,

por në gjunjë u ula atë për ta puthur

Dhe pse luftove për jetën,

në emër të saj u prehsh o nënë në paqe!

 

Nënë e mira nënë!

Kushedi sa herë për ne, ty tu drodh buza te porta

Nënë e gëzimeve të mëdha,

por dhe rezistencë e dhimbjeve të forta!

22 maj 2020

 

 

 

MË PRIT I DASHUR!

 

Më prit, kur të dal ne orën 9 -të..

do te vij për një kafe bashkë.

Me prit të cepi i rrugës majtas,

aty te lokali me fasadë me lule

tek tavolina e fundit më gjen…

 

Do të vij, ashtu si jam…

Pa të kuq buzësh,

me flokë shpupurisur nga era

Me fustanin me pika të kuqe

që më rri pak mbi gju

dhe kopsat jo mberthyer deri sipër…

 

Kur të gjendesh para meje,

zgjatma dorën, tërhiqme pranë vetes e në vesh pëshperitme:

Ja ku më ke!

E unë do të skuqem tek dëgjoj akoma:

Sa e bukur je!!

 

Shikimin tënd nuk do e pengoj,

nëse ecën në imazhin tim si puthje e nxehtë..

Dhe, nëse nuk flas hyr brenda sytë të mi

e lexo kodin e heshtjes që djeg përbrenda…

 

Nëse fustani i zberthyer të shqetëson,

Mos zgjat dorën ta mbërthesh,

Era ma këshilloi..

Ma merr dorën

e kështu flokë trazuar

fytyrë skuqur buzëcelur, fustanzberthyer

të arratisemi larg…

Larg nga kjo botë

 

Më prit.

të pres.. . erdhaaaaa…!!

 

 

E SHTRENJTA IME

 

Nëse po e lexon këtë letër, do të thotë se unë nuk do të kthehem më me trenin e muzgut. Do të thotë se nata këtu në front ishte më e gjatë se jetëgjatësia ime, dhe se fati vendosi që unë të mbyll sytë larg teje.

Mos qaj kur t’i lexosh këto rreshta. Dua që kur të mendosh për mua, të kujtosh atë puthjen tonë të fundit në stacion. Ajo nuk ishte një lamtumirë, por një premtim se një pjesë e shpirtit tim do të mbetet përgjithmonë me ty, e paprekur nga lufta, nga plumbat dhe nga vdekja.

Këtu, mes zhurmës së tmerrshme të armëve dhe të ftohtit që të futet në palcë, e vetmja gjë që më mbajti ngrohtë ishte kujtimi i buzëqeshjes sate. Sa herë që mbyllja sytë për një çast, na shihja të dyve duke ecur në rrugët tona të vjetra, të lirë dhe pa frikë. Për atë liri erdha të luftoj këtu. Që ti, familja jonë dhe fëmijët e kësaj toke të mos njohin kurrë tmerrin e stacioneve që ndajnë njerëzit.

Uniforma ime mund të mbetet në këtë fushëbetejë, por dashuria ime nuk vdes. Do të më gjesh te era që të përkëdhel flokët në pranverë, te pikat e shiut mbi xham dhe te qetësia e mbrëmjeve të gjata. Unë do të jem aty, duke të ruajtur në heshtje.

Të kërkoj vetëm një gjë: jetoje jetën me forcë. Mos lejo që dhimbja të ta shuajë dritën e syve. Kujtoje ushtarin tënd me krenari, ashtu siç ra ai – me emrin tënd në buzë dhe me atdheun në zemër.

 

Përgjithmonë i yti

Ushtari yt.

 

 

Exit mobile version