Gazeta Nacional Albania

Mehmet ELEZI: PUSHIMET E NJË NJERIU SERIOZ , TREGIM

Te bari në taracën e hotelit takova pas shumë vjetësh një shok gjimnazi, që ulej gjithherë në bankën e fundit, duke vëzhguar me sy vezullues, dhe për këtë arsye i thoshnim Xixa. M’u duk pak i hutuar. Më pyeti ç’thonë vajzat, megjithëse e sqarova se kam dy djem. Për time shoqe, që quhet Mira, thoshte Fatmira, një herë tha Fatbardha. Ngatërronte shumëçka të sotme por, siç e dëshmoi fill pas, të djeshmet i kujtonte përnjëmend xixë. Ndërsa e ngacmoja me historitë e rinisë, që po na gjallëronin të dyve, vura re se nga tryeza përballë na ndiqte me vemendje dikush. Një zeshkan fytyrëgjerë, me mustaqe vesh në vesh, fliste e qeshte me zë të lartë me shokët, pa harruar me kthye sytë rregullisht prej nesh.
Në një hop qetësie, përshëndeti me krye. Me çka merresh tashti?
– Bën turshi, ia ktheu shoku i gjimnazit, duke u përgjigjur në vend tim.
I zënë disi tradhmend prej përgjigjes, mustaqoshi shkundi cigaren dhe shqiptoi qetazi:
– Zotni, nuk mendoj se është rasti me ba hajgare. Unë di me kë po flas. Me një intelektual, që shkruan libra.
U ndie përplasja e dallgëve në breg.
– Për librat e kam fjalën edhe unë, ia ktheu Xixa me një kthjelltësi të habitshme. Sot është vështirë me botue, duhen pare. Kush ka pare, nuk e rruan për librat. Kush merret me librat, s’ka pare. Ky shkruan dhe i le palë në kompjuter. Domethënë librat i shti turshi.
Mustaqoshit i vezulluan sytë. Mund të rri dy minuta me ju? U lypi leje shokëve dhe e afroi ulësen.
– Edhe unë të njoh ty, i tha shoku im i gjimnazit.
Zeshkani filloi me tërheqë me dhëmbë një cigare nga paketa, duke e këqyrur përnën vetulla.
Të njoh qysh në qytetin B. Ke pasë punuar në një barakë të vogël Riparim këpucësh atje, te kthesa, ku mbaronte Rruga e Blinave. Edhe mustaqe ke pasur, por i mbaje të vogla. Të kritikonin nëpër mbledhje, të detyronin me i rrumcallë. Ke pasur një dhëmb të rënë përpara, thoshnin nuk e ve qëllimisht. Por hakun ta jepnin të tërë. Mustaqja është mjeshtër, thoshnin. Ta bën këpucën të re, edhe në ia çofsh të rrenuar, si spec i kalbur.
Mustaqoshi dëgjonte i shtangur. Po befasohesha edhe unë me imtësitë që rendiste me saktësi Xixa.
– Ke pasur edhe një huq. Unë të mbaj mend prej atij huqi.
– Huq? Unë jam njeri serioz, nuk pija kurrë në orar të punës.
– Ka edhe huqe të tjera, përveç pijes.
– As me femra nuk merresha.
Prit, kam qenë futbollist me të rinjtë e qytetit, kishim ardhur në B. për ndeshje. Qyteti juaj përmendej për vajza të bukura. U veshëm e u pispillosëm si garipa për xhiron e fundjavës. Duke u tundur shetitores e duke kullotur sytë, më lëviz taka e këpucës, e ndiej se po shkoqet. Vetëm ato këpucë kisha. Pyes dikë dhe turrem te ti. Eja pas një ore, the. Ç’ne pas një ore usta, një gozhdë të shkretë ke me ngulë. Punën time e di vetë, jam njeri serioz unë, i kam caktuar orar burrit të botës. Vijove me i mëshue shollës me çekiç. Mund të më bësh nder, kam ardhur për ndeshjen e do të largohem me ekipin. Tashti ndryshon puna, the, ç’numër e ke këmbën? Qe, mbathe këtë, është e dikujt që ia kam ndrequr, qenka njësoj si jotja (asokohe një model këpucësh kishte për të tërë). Ik bëj qejf tashti, pse me pritë kot këtu kambëkaçel, ngulur në një këmbë si rosak? Pas një ore e ke gati. Apo ke takim me ndonjë vajzë?
Nuk erdha pas një ore, erdha pas tri orësh. Ma mbarove takën, usta? Ulu pak, s’ta kam marrë ende në dorë, ta mbaroj fill. Sa të përcjell këtë shokun, s’po ia gjej këpucën, ia kam ndrequr qysh pardje. I përmbyse të gjitha, kot, e fsheh qoftëlargu! Çove kryet duke sharë nëpër dhëmbë, pastaj i mëshove ballit. Jam bërë kungull fare, i ke ti këpucët e këtij, hë, të rrinte mirë? Urdhëro, të re flakë ta kam bërë, i the tjetrit. Ndërsa ti, ulu këtu. Erdhi ora me e mbyllë, por pa ta bërë edhe ty si të re, nuk shkulem. Jam njeri serioz unë. Të pëlqyen vajzat e qytetit tonë?
– Kështu bëje shpesh, vijoi Xixa. Jepi njërit këpucën e ndrequr të tjetrit, mbathe, shko bëj pazarin, mos humb kohë kot. Eja në orën kaq dhe merre tënden!
Edhe miqtë e tij të tryezës po shkokloheshin në gaz.
Mustaqoshi i zeshkët tundi kryet.
– Me burrat mbase, tha. Me gratë kurrë. Kam qenë njeri serioz unë.
Vijuan mahitë. Edhe shokët e tij të tryezës shtuan ndonjë ndodhizë të ngjashme.
– Tash dëgjo, u kthye nga unë mustaqoshi i zeshkët. Shkruaj një libër. Një pëllëmbë të trashë shkruaje, jo me njëzet faqe, për kalamaj. Ta paguaj unë botimin, kokërr në kokërr. Domethënë ta sponsorizoj.
– Hajde bos hajde, tundi kryet xixa. Ai nuk ia vari.
– E di ku më gjen?, tha. Atje ku shiten këpucë të përdorura, i ndreq vetë, kam edhe punëtorë, i bëj dritë, këpucë për dhëndërr i bëj. Ja kartvizita. E bëj me zemër, jam njeri serioz unë, s’kam nevojë për kurrkënd, s’dua t’ia di, kam firmën time. Ah, po, një nder dua prej teje. Kur të dalë, dua një libër me nënshkrimin tënd. Ta mbaj në zyrë, t’ua tregoj të gjithëve. Tashti më falni, ju preva kuvendin, birrat i keni prej meje.
Tërhoqi ulësen te tryeza e miqve të vet, ktheu kryet kah deti dhe ma shkeli syrin:
– Perëndim i bukur, apo jo?