Gazeta Nacional Albania

MERI BO: FËMIJË I I RRËNJËVE DHE I GJETHEVE, POEZI

ELIKSIR

Dielli i shteroi rrezet
dhe errësira
më s’po qëndis!

Shkojmë, e dashur,
e qëndisim ëndrra tona të bardha
qiellit të patrajtë
ku të shkruajmë fjalën
Dashuri!

Është Kupa e Shpresës
ku shpirtrat tanë do rrëkëllehen
deri në fund
buzë një ëndrre,
si në cepin e buzës.

Pikë-pikë mëkoje nektarin e saj
a çmendu në Olimp po deshe…
unë do të gjerboj pikat e shpirtit
me majat e gishtave të ekzistencës sime!

Të puth buzët e tua,
ata tulipanë të bruztë
që petalet i zhveshin një e nga një
tani që është vjeshtë!

Le t’i tregojmë botës
asgjënë
dhe gjithçkanë tonë!

Çdo dashuri që lind,
lind në errësirë
e veç më pas pagëzohet
në eliksir!

JAM NJË PAGANIST I LASHTË!

Fëmijë i i rrënjëve dhe i gjetheve
Jetoj një jetë pa tabu.

Zotat e mi të vërtetë,
janë rrufetë, dielli dhe shirat.

Çdo dashuri është fillimi i fillimeve të mia
dhe i lirisë së ëndërruar.

Toka ime e lashtë, i dashuron liritë
Ushqehem me muza,
ndërsa perëndite e lashta
më tregojnë se ku duhet të eci.

Shpëtimi im
është toka dhe jo urdhëresat qiellore.

Unë jam vetë një pagan lashtësie
Fëmijë i gjethes dhe tokës !

UNË JAM NJË PERSON I ÇUDITSHËM !

Më pëlqen e çuditshmja
dhe sigurisht që i dua njerëzit e çuditshëm.

Jeta ime ka qenë dhe është një kërkim i përhershëm për të çuditshmen dhe utopinë,
sepse utopia
është nga natyra e saj e çuditshme dhe paradoksale.

Imagjinoni një botë pa pronarë
Një botë pa armiq dhe xhelozi.
Me njëbrirësh që jetojnë krah për krah me dragonjtë.

Jam vërtet një person i çuditshëm
dhe idetë e mia,
sado të parealizuara të duken,
e di mirë që të magjepsin.
Magjepsin dhe ju trembin.

Jeni mësuar të jetoni një realitet të ashpër
dhe çdo gjë që largohet prej tij ju frikëson.
Gjelbërimi dhe deti per ju janë thjesht pushime
jo jeta juaj.

Fantazia për disa është një arratisje
Për ne eterikët, eshtë vetë jeta jonë.
Ndērsa për njerëzit e zakonshëm
një biletë drejt çmendurisë.

Jam një person i çuditshëm
dhe kjo që shkruaj ju duket e habitshme

Kush e di, se çfare mitër e çuditshme e tokës
lindi këtë fëmijë të gjashtë LAMBER !

MIDIS DY FJALËSH

Kam dy fjalë-gjinkalla që ma çmendën veshin,
Më zhuzhijnë papra si
një orkestër e çakorduar,
Fjalë-hije që si maska fantazmash diku më presin,
Pikëpyetje që mëngjeseve si kukudhe rrinë për t’u ndriçuar.

Kam nja dy fjalë si hajmali të prushta
Që dashurojnë rrugët
dhe zogjtë shtegtarë
S’e di nëse rrijnë dot
në fole të ngushta
Apo ëndërrve duan të shtegtojnë si zogj të marrë!

Kam nja dy fjalë që jetojnë në botën e vet,
(Ç’rëndësi ka në janë shkruar nga unë apo nga ti!)
Ato ndjekin gravitetin si lumejtë e rrjedhin në det,
Janë dy sy që shkrihen e botën e shohin kthjellur me një!

Kam nja dy fjalë të lënduara që ndeshen çdo natë
Në tapetin e ringut grinden në stil rokoko,
Ngrihem mëngjeseve si në mesvapë,
S’di kujt t’i them Po e kujt Jo!

Këto dy ndajfolje që për ju s’kanë kuptim,
Janë menekinet e mia që i adhuroj,
Simetrinë e të kundërtave e kam adhurim,
Rina-shkrina loz… ndaj egzistoj!

Dy gjinkalla në vesh,
Dy perde në sy…
Kjo botë bëhet njësh
Të ishim të dy!

POEZI E ËNDËRRT!

Unë e dua poezinë nga e pamundura.

Poeti është shërbëtor i plagëve të mëdha,
i një ëndrre që kufij s’ka!

Dua fundin qorr,
atë trandjen mes dashurisë dhe vdekjes,
nostalgjinë e pathënë të njerëzve të rraskapitur
që me dhembje kërkojnë një fillim të ri.

Poezia – heroinë edhe në disfatë,
përgjak zemra në fushëbetejën e letrës
me luftëtarë prej fjalësh magjike.

Është dhembja e përjetësisë,
lindja e çasteve të rilindur!

Fluturimi i saj në eter
është shkaku i shërimit tënd
nga e përkohshmja,
nga vargojtë e kohës.

Poeti përqafon njerinë dhe sheshet me baltë
i bën oborre mrekullie
ku ti të përjetosh pavdekësinë,
atë gjendjen e përjetshme
ku ëndrra bëhet romancë.

Poezia e ëndrrës ka krahë të pakufijtë,
valëzon djerrinave të fitores
si heroinë.

Bota është e saja,
e saja dhe koha që do të vijë,
është çelësi i derës së shtëpisë
që hap zemra dhe i bën ëndrra!

BOTË E RREME

Unë zgjedh
te rri me ngusht ne erresirë
se sa të shkel kufomat e një morali te pamoralshëm.

Më pelqejnë
bisedat e verteta ne dritën e diellit
dhe balonave fluturuese, por jo ato nëntokësore.

Viktimat jane gjuhë e pamëshirës
Vetreklamimi i ikonave
barazohet me leckat e hedhura ne batak.
Miqesitë egoiste nuk egzistojnë
Ato i gezohen
vetëm dhimbjes tuaj o njerez.

Pikëllohen per gëzimet
e te tjerëve dhe ju nxihen thonjtë e gjate si thika.

E bardha bëhet e zezë dhe e zeza e bardhë
Ata janë pershtatës.

Jam shumë e merzitur dhe e lodhur me ta
dhe dua ti largoj nga sytë.

Miku im qe është vetvetja
Shpresoj shumë
qe te mos më tradhëtoj dhe ai

Fati i botës psherëtin.!

ESE PËR POEZINË!

Poezia..
nuk do të dojë më dashuri dhe romancë,
fjalë shumëngjyrëshe,
zogjtë që fluturojnë nëpër zemra
dritë dhe përmbytje.
Poezisë nuk i duhen vetëm verat,
detet e mbrëmjes dhe ngjyrat e ylberit.

Poezia…
do që të japësh shpirt nga shpirti yt,
akrobat të bëhesh çdo ditë në një litar të ngushtë. Shpesh dhe kur qan, vuan.
Të tilla gjëra do poezia.

Nëse thua se i bën të gjitha këto, përsëri gënjen.
Asgjë dhe asnjëherë nuk mjafton për të
madje as koha.
Nëse thua përsëri
kaq kam pasur dhe kam bërë aq shumë,
kujto që nuk bëre asgjë
përveç ndoshta një lojë fjalësh dhe emocioni
të një momenti deliran.

Poezia…
hapësira e saj, bota e saj, një natyrë në luftë
të përhershme fizike, të brendshme,
nëse e shihni të bukur, kjo do të jetë bukuria e saj.

Fjalë kyçe që kanë në vete një trill personal
të përhershëm.

Poezia është muzikë për një zemër
që është në trazira të vazhdueshme

Ajo e mira,
e urta si Hirushe,
papritur bëhet dhe kokëmushkë,
kokëshkrepje!

Mos e trembni Poezinë
se ju hedh nga samari!