Site icon Gazeta Nacional Albania

MERITA SH. ABAZI- SHKUP: Nga tragjedia tek ironia në veprat e Fatos Kongolit dhe Ridvan Dibrës

 

Letërsia shqipe e gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI pasqyron thellë kontrastet e shoqërisë shqiptare: varfërinë, represionin, tranzicionin e pafund, humbjet individuale dhe ironinë therëse të mbijetesës. Dy prej autorëve më të shquar që e mishërojnë këtë përvojë janë Fatos Kongoli dhe Ridvan Dibra. Të dy i qasen individit të lënduar e të përjashtuar, por në mënyra të ndryshme: Kongoli duke zbuluar tragjedinë e heshtur të jetës së zakonshme, Dibra duke e kthyer realitetin në një parabolë ironike dhe filozofike.

Tema “Nga tragjedia tek ironia” është çelësi për të kuptuar se si këta dy autorë, ndonëse të brezave e përvojave të ndryshme, arrijnë të japin të njëjtin mesazh: njeriu shqiptar në përballje me fatin, të shtrënguar të zgjedhë mes dorëzimit dhe rezistencës.

TRAGJEDIA TEK FATOS KONGOLI

Në veprën e Kongolit, tragjedia vjen nga realiteti i zhveshur. Ai nuk i idealizon personazhet, nuk i fsheh dobësitë, përkundrazi: i vendos në situata ku dobësia bëhet mënyrë mbijetese.

Në romanin “Jeta në një kuti shkrepësesh” Bledi, gazetari që aksidentalisht vret një vajzë rome, shfaqet si një Raskolnikov shqiptar, i ndarë mes fajit dhe dëshirës për ta fshehur krimin. Apartamenti i ngushtë “si kuti shkrepësesh” bëhet metaforë e jetës së shtypur, ku individi dhe shoqëria jetojnë në varfëri, hipokrizi dhe krim. Tragjedia personale kthehet në tablo të një vendi të sëmurë.

Në romanin “Bolero në vilën e pleqve”, motra geriatrike Parashevi rrëfen në.vetën e parë, shkuarjen në vilë dhe ballafaqimin me dy pleqtë, çifti i moshuar që nuk flasin veçse këmbejnë letra, mishëron vetminë, heshtjen dhe shkatërrimin e familjes. Vetëvrasja e nuses së djalit, heshtja e babait, dhe rrëfimtarja që përfundon e zhgënjyer, japin një atmosferë ku tragjedia kalon në grotesk. Ironia e hidhur fshihet pas imazhit absurd të një “Adami” mekanik dhe vetmisë së fundit.

Romani “Te porta e Shën Pjetrit”, Shqipëria e tranzicionit zbulohet përmes korrupsionit, drogës, prostitucionit dhe dhunës. Personazhe si Kloi, e dhunuar nga babai që 9 vjeçe, ose profesori, e inspektorët e zhytur në kompromis, mishërojnë tragjedinë e brezit të humbur. Porta e Shën Pjetrit është metafora e vdekjes, ku tragjedia kthehet në ironi të zymtë: shpresa vdes para jetës.

Në romanin që në fund e kuptojmë metaforën e tërë rrëfimit alegorik se ndërtesa ku fshihen dokumentet e të vërtetave quhej “Gjëmia e mbytur”. Gazetari Enkeli Pojani kërkon të zbulojë të vërtetën e një ngjarjeje të fshehur, por përfundon viktimë i sistemit dhe manipulimit. Tragjedia e kërkimit të së vërtetës mbyllet me ironi: gazetari që duhet të ndriçojë, vetë “mbytet” në errësirë.

Fatos Kongoli na jep një Shqipëri ku tragjedia është përditshmëri, e mbuluar me gjuhë të thjeshtë, por me një ironi therëse që e bën dhimbjen edhe më të rëndë.

 

TRAGJEDIA TEK RIDVAN DIBRA

Dibra është mjeshtër i alegorisë dhe parabolës. Ai nuk tregon vetëm ngjarje, por ndërton botë metaforike, ku tragjedia shpesh përzihet me ëndrrën dhe ironinë filozofike.

Në romanin “Legjenda e vetmisë”, Bala, njeriu i përqeshur, i dhunuar e i tradhtuar, është figura më tragjike e letërsisë së Dibrës. I verbuar nga shoqëria ( njerku me të ëmën)dhe i lënë në errësirë, Bala mishëron fatin e individit të thyer.

Romani “Nudo” na jep portretin e Alfredit, artistit të njohur, i cili shndërrohet nga krijues në viktimë të egos dhe epshit. Rënia e tij deri në vrasjen e gruas është një tragjedi ekzistenciale, por Dibra e shpalos me ironi kafkiane.

Romani “Gruaja që deshe” është një buzëqeshje, fjalë e bukur, qëndrim dinjitar, besnike jo xheloze…histori dashurie e kthyer në zhgënjim, ku ironia e fatit dhe dobësia e individit janë të pandashme.

Libri “Letra nga provinca”, i ka 54 tregime të shkurtra që përbëjnë një mozaik ironik të qytetit fiktiv Egoboka, ku çdo njeri është i ngujuar në vetminë e tij. Tragjedia këtu është e përditshme, por e treguar me gjuhë të thjeshtë dhe ironike.

Në romanin “Gjumi mbi dëborë”, mësuesi i ri,( vet autori) i dënuar pse përmendi Fishtën, dërgohet në një fshat të humbur malor. Ortëku i quajtur nga Bicashit “Veri”, bëhet metaforë e jetës si rrezik dhe vdekje. Por autori i jep një mesazh: mos u dorëzo, mos fli mbi borë. Një kumtesë e fuqishme për leximin e veprave letrare dhe rezistencën shpirtërore.

Romani “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” rr ëfen për hstorinë e Madalenës, nga talljet e adoleshencës ( 4 shoqeve të saja të pandara deri vonë) e deri në zhgënjimet e moshës së pjekur, shfaq ironinë e moralit shoqëror dhe tragjedinë e femrës shqiptare të shtypur nga pritjet dhe hipokrizia.

“Triumfi i Gjergj Elez Alisë”: Rrëfimi postmodern i një miti kombëtar, ku heroizmi i lashtë ndërthuret me ironinë e botës moderne.( Rëfim në vetën e parë, flet Gjergji i zhgënjyer nga bota, shoqëria , familja..sulmonbraçsodët…). Tragjedia e luftës dhe dhimbjes kthehet në një ironi të hidhur për heronjtë që nuk kanë vend më në kohën e sotme.

Në të gjitha këto romane, Ridvan Dibra e bën tragjedinë metaforë dhe ironinë filozofi, duke e kthyer letërsinë në një reflektim për fatin njerëzor.

Duke e bërë krahasimin e veprave të Kongolit dhe Dibrës, shohim te Kongoli që e jep realitetin e zhveshur, banesa të vogla, korrupsion, dhunë, krim, tranzicion. Tragjedia është e drejtpërdrejtë, por e shoqëruar nga një ironi e hidhur që e thellon dhimbjen.

Ridvan Dibra e përdor metaforën, e parabolën, ortekët, letrat, provincat fiktive, figurat tragjike që shndërrohen në simbole. Ironia është më shumë filozofike, një mënyrë për të thënë se edhe në tragjedi njeriu nuk duhet të dorëzohet.

Tek Kongoli, individi shpesh humbet pa kthim ndërsa tek Dibra, edhe kur humbet, shfaqet një fije shprese, një metaforë leximi ose rezistence.

 

Në fund kisha shtuar se nga Bledi i Kongolit që vret aksidentalisht dhe mbyllet në “kutinë e tij të vogël”, te Bala i Dibrës që përqeshet deri në verbim, nga Kloi e Kongolit që shkatërrohet nga dhuna, te Madalena e Dibrës që jeton ironi të hidhura të moralit shoqëror, të gjithë personazhet mishërojnë një popull që endet mes tragjedisë dhe ironisë.

Letërsia e Kongolit dhe Dibrës nuk është thjesht art. Është një pasqyrë dhe thirrje, për të mos u dorëzuar, për të parë të vërtetën, për të lexuar dhe menduar. Nga tragjedia tek ironia, ata na mësojnë se dhimbja nuk është fundi, por një mënyrë për të zbuluar kuptimin e jetës.

Exit mobile version